Sjelljet poshtëruese të mantelbardhëve

0
105

R.S, mashkull rreth të 40-tave, 2 muaj më parë kishte pësuar një sulm kardiak jo shumë serioz në shtëpinë e tij në kryeqytet. Një prej autoambulancave e kishte dërguar në emergjencë një orë me vonesë, kjo sepse janë shumë pak vetura në dispozicion për rajonin e Prishtinës në raste të tilla urgjente dhe të tillët duhet të presin derisa t`iu vijë rendi.

Me të shkuar në emergjencë, salla interno e kishte lënë të priste për rreth 15 minuta, e askush nga mantilbardhët nuk ishte përkujdesur për shëndetin e tij. Ai thotë se këto ishin minutat vendimtare nëse ai do të jetonte apo jo.

“E di që askush nuk është përkujdesur për mua, kam qenë afër me familjarët dhe kam pasë dhimbje të tmerrshme po s’e kam ditë se ku. Janë vonu tej mase, ndërsa më shumë kam ndëgju britma se ndihmë prej tyre” tregon R.S. Për më tepër, djali i tij thotë se ka pritur në rend dhe është kacafytur me fjalë edhe me sportelin në hyrje të emergjencës, për shkak të një formaliteti që vononte.

“Unë kam qenë në stres dhe ata ma kanë shtu stresin me ato të dhëna, derisa dikush brenda ka fillu me bërtit dhe unë iu kam revanshu se kam nevojë me kry ma shpejt” tregon djali i pacientit.

Emergjenca brenda kompleksit të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës të martën ka qenë plot lloç dhe punëtorë tek hyrja kryesore. Njerëzit, megjithatë, janë të lirë të hyjnë e të dalin sa herë t`ua dojë qejfi, kjo sepse nuk ka asnjë person që mund të kontrollojë hyrje-daljet. Bisedat e punëtorëve nisin nga britmat e deri te ato mbi llojet e veturave, ndërsa pauza nis qysh prej orës 11 paradite kur një pjesë e punëtorëve zhduket nga puna.

“Na nuk ta kemi thy kamën”

Në po të njëjtën ndërtesë është labirint i madh, dhe në fakt nuk dihet ku nis një repart e ku përfundon tjetri. Në emergjencë, të martën në 11:30 të paradites një grup i mjekëve dhe të tjerëve praktikantë, pa emra në mantelet e tyre, kanë zgjedhur që në korridore të hapin temën e automobilave.

“Qaj FIAT ish kon i mirë, po m`iki pa e ble” thotë njëri prej tyre, derisa të tjerët provojnë fatin t`a qëllojnë shumën e parave që do ta kërkonte blerja e kësaj veture. Në sallën e ortopedisë, në dyert e para me të hyrë në Emergjencë është një grup i madh njerëzish që kanë ardhur për të gjetur shërim dhe disa kanë dhimbje të padurueshme e dëgjohen duke bërtitur në hapin e parë brenda objektit. Ka të tillë që edhe nuk marrin asnjë përkujdesje dhe lihen të shëtisin me infuzione nëpër duar, nëpër korridoret ku nuk vjen aromë e mirë.

“Kadale mos bërtit, na nuk ta kemi thy kamën” bërtet njëri prej doktorëve, më shumë se vetë pacienti. Ky i fundit, anonim, thotë se sjellje të tilla nuk ka parë në spitale të tjera.

“Në Shkup vitin e kaluar e kam pasë një rast më urgjent, atje spitalet janë si hotele. Nuk e di, ndoshta i kanë rrogat e vogla por kjo nuk justifikohet me sjellje të tilla. Këta vonohen se nuk e dinë as ku i kanë historitë e pacientëve, jam i tmerruar” tregon pacienti me këmbën e thyer që është drejtuar për emergjencë. Dikur, dhimbjet i largohen dhe mjeku që bërtet shkon drejt kuzhinës së këtij reparti.

E për historitë e humbura, kacafytjet dëgjohen edhe nëpër repartet tjera, në urologji apo në repartin e kirurgjisë së fëmijëve. Në secilin mund të hysh pa vështirësi, pa ndonjë kontroll. Motrat dëgjohen duke bërtitur për historitë që ia humbasin njëra tjetrës, ndërsa ka të tilla që edhe ankohen se po “maltretohen” me shumë angazhim nga doktorët kryesorë të ditës, këta të vërshuar nga pyetjet e shumta të familjarëve e pacientëve.

Vetë QKUK-ja justifikohet me vetëm disa kuti, ku mund të adresohen ankesat e qytetarëve.

“Çdo pacient që ka ankesa, pakënaqësi, apo shqetësime në lidhje me trajtimin dhe mjekimin e tyre dhe gjithçka që ndërlidhet me kartën e të drejtave të pacientëve, shqetësimet e tyre mund t’i shprehin në kutitë e ankesave që janë të vendosura në kuadër të Klinikave të QKUK-së, apo t’i sjellin ankesat e tyre me shkrim apo në mënyrë gojore në drejtorinë e QKUK-së, apo drejtoritë e Klinikave” ka thënë për “Zëri” Shpend Fazliu, përgjegjës i marrëdhënieve me publikun në kuadër të QKUK-së.

“Mos ma kallxo ti punën teme”

Në Qendrën Infektive brenda QKUK-së megjithatë ekziston një sigurim i cili herë lejon e herë jo hyrjet. Duke marrë parasysh natyrën e saj dhe të pacientëve në reparte, këtu nuk respektohet as orari i vizitave, i cili megjithatë ekziston por jo për sigurimin. Kur gazeta ka pyetur njerëzit jashtë saj se sa herë hyjnë e dalin brenda ditës, ata kanë treguar se nuk kanë ndonjë limit kohor dhe duhet t`u rrinë afër pacientëve.

Por sigurimi është sjellë ndryshe me disa të tjerë dhe madje ka kërcënuar gazetën se nuk do të hyjnë dhe se nuk duhet “të ma tregoni punën time, e di unë. Nuk ka vizita hiq në këtë repart, s`mundeni me hy”.

R.S ka vazhduar më pas mjekimin në Qendrën e Mjekësisë Urgjente, ndërsa edhe aty thotë se në gjysmë orën e parë ka marrë injorim total nga ekipi. Qendra e cila nuk gjendet në kompleksin e QKUK-së ka një atmosferë të qetë, e megjithatë sipas R.S për pak minuta nuk është parë asnjë njeri pranë dhomës ku ai është vetëakomoduar.

Fazliu nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës ka vazhduar të tregojë se drejtoria e QKUK-së tanimë ka formuar një komision i cili merret me hapjen e këtyre kutive.

“Ky komision do të analizojë një nga një të gjitha ankesat, të cilat deri tani kanë qenë në numër të vogël. Nëse  pas analizës vërehet se ankesa e pacientit ka qenë  e drejtë do të merren masa ku lëndët do të procedohen në komisionin disiplinor dhe atë etiko-profesional për të vërtetuar nëse ka pasur shkelje disiplinore. QKUK fton të gjithë pacientët që kanë pakënaqësi ti paraqesin ato në kutitë e ankesave duke shfrytëzuar këtë të drejtë ligjore” ka shtuar Shpend Fazliu.

E në repartin e Gjinekologjisë, gjërat funksionojnë ndryshe. Sipas burimeve të brendshme, ekipi i motrave medicinale është i ndarë në dy pjesë, ato “të mirat” dhe ato tek të cilat duhet drejtuar vetëm në rast se nuk ka zgjidhje tjetër.

“Motër, unë deri tash nuk kam ardhë me marr një qetësues sepse më tregun që ka qenë ajo tjetra, për ty po thojnë që je ma e mirë, ajo po bërtet edhe po na traumatizon”. Këto kanë qenë fjalët që i janë thënë nga një paciente në këtë klinikë njërës prej punëtorëve në Gjinekologji, derisa kjo e fundit është tmerruar nga një raport i tillë i krijuar brenda vetë personelit e më pas edhe transmetimit tek pacientet shtatzëna.

Dy javë më parë, Edita ka pasur një pickim nga rriqrat. Destinacioni i saj i parë ka qenë emergjenca, ndërsa rrëfimi i saj i trishtë përfshin edhe sjelljet e dobëta të punëtorëve.

“Unë kam bërë pak panik, sepse nga lajmet kohëve të fundit kam kuptuar se rriqrat janë bo çështje serioze. Kam pasë shtrëngim te këmba ku jam pickuar” tregon Edita. Bashkë me motrën e saj ajo thotë se ka marrë një mori ngritje zërash nga dy-tri motra që kanë punuar atë ditë në Emergjencë, diku rreth orës 15:00.

“Kadale mos e bo t`madhe se veç rriqën osht, nuk tbon kurgjo. Kështu më kanë thënë mu e motra është nervozu, por megjithatë nuk kemi pas çka me bo, jemi kon nzor” tregon Edita.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu