S’ka bashkim në LDK – LDD

0
102

Partia e Isa Mustafës (LDK) dhe ajo e Nexhat Dacit (LDD), nuk pritet që edhe për një kohë të gjatë të jenë pjesë e një blloku të ardhshëm politik, por që do të vazhdojnë të mbesin subjekte rivale. Afrimi apo edhe ribashkimi i Lidhjes Demokratike të Dardanisë dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, duket se po vazhdon të mbetet vetëm një ide e disa zyrtarëve të të dyja partive politike, edhe pse në praktikë thuhet se është vështirë e realizueshme.

Por, thirrjet e Lidhjes Demokratike, drejtuar anëtarësisë së Dardanëve për t’iu bashkuar LDK-së, shihen si lojëra politike nga zyrtarët e partisë së Nexhat Dacit. Megjithatë, drejtuesit e kësaj të fundit, janë deklaruar edhe publikisht në favor të bashkimit me partinë që dikur para sa vitesh kanë qenë pjesë të saj.

Besa Gaxherri, nënkryetare e LDD-së, ka deklaruar hapur se nëse këto dy subjekte vazhdojnë të ekzistojnë të ndara, LDK kurrë nuk do të arrijë të bëhet partia numër një në skenën politike të vendit, ndërsa për LDD-në ka deklaruar se do të funksionojë me shumë vështirësi.

“LDK-ja dhe LDD-ja duhet të shikojnë se a ka nevojë që këto dy subjekte politike të bashkohen. Nëse ka nevojë, duhet lënë egot tona, duhet ta sakrifikojmë egon personale dhe duhet të veprojmë. Po shihet se ka nevojë që LDK-ja të forcohet, pasi që s’mund të forcohet pa LDD-në. LDK-ja s’mund të dalë e para pa LDD-në, por as LDD-ja s’mund të funksionojë kështu siç është sot”, ka thënë Gaxherri.

Mirëpo, Eqrem Kryeziu është skeptik, se kreu i LDD-së, Nexhat Daci do të arrijë ta mund egon e tij për të kërkuar zyrtarisht nga LDK bashkimin.

“Personalisht nuk besoj që Daci do të bëjë ndonjë ofertë, edhe pse vazhdimisht janë përpjekur që t’i sensibilizojë gjërat për bashkimin e këtyre dy partive. Por, të them të drejtën isha i hendikepuar që të flisja personalisht me Dacin, për shkak të zhvillimeve të atëhershme”, ka thënë Kryeziu.

Megjithatë, sipas tij, partia e Isa Mustafës është e disponuar për të integruar LDDnë në LDK, në mënyrë që në të ardhmen të jenë një bllok i fortë.

“Dihet se një pjesë e madhe e anëtarësisë së LDD-së tashmë ka kaluar në LDK, por po them se është shumë e rëndësishme që edhe liderët e LDD-së të vijnë me vullnetin më të mirë në LDK. Kjo ka rëndësi të madhe, në mënyrë që të shërohet ajo ndërgjegjja eventuale e njerëzve. Pra, po e përsëris se është shumë e rëndësishme që të liderët të deklarohen publikisht për domosdoshmërinë e bashkimit”, është shprehur Eqrem Kryeziu, i cili në kohën kur LDK përjetoi thyerjet mes krahut të Fatmir Sejdiut dhe të Nexhat Dacit, ishte personi kyç në LDK.

Ndonëse tashmë është vetëm anëtar i Kryesisë së LDK-së, ai thotë se e gjithë struktura dhe anëtarësia e LDD-së i kanë dyert e hapura për t’u kthyer në “shtëpinë”e vjetër, dhe për këtë Kryeziu ka pohuar se ekziston thirrja tash e tre vjet e gjysmë.

Megjithatë, ai ka pranuar se nuk ka asnjë komunikim mes drejtueseve të LDK-së me ata të LDD-së. Kryeziu thotë se LDK nuk mban inat, pavarësisht deklarimeve të Dacit, i cili partinë e Isa Mustafës e ka quajtur subjekt “trafikantësh”.

Mirëpo, Shefki Gashi i LDD-së, i cili ia ka vënë vetes mision për bashkimin e dy partive si motra, e pranon se afrimi apo bashkimi i LDD-së me LDK-në është mjaft problematik. Ai konfirmon se nuk ka asnjë komunikim mes drejtuesve të dy partive që tashmë janë rivale, por që synojnë të jenë pjesë e një blloku të ardhshëm politik.

Nga ana tjetër, analisti Behxhet Shala ka thënë se LDD po shkon drejt zhdukjes si subjekt politik.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu