Skënder Çeku kishte besim në SHP të UÇK-së (19)

0
283

“E vërteta për luftën në Loxhë” (19). Ish-ushtari i UÇK-së, Gani Elezaj, në pjesën e dytë të këtij fejtoni ka folur rreth plagosjes së tij dhe të Skënder Çekut, për trajtimin që i është bërë në spitalin e Prapaqanit, për bisedën me Ramush Haradinajn, me Tahir Zemajn, për takimin në Tiranë me Xhavit Halitin dhe Azem Sylën. Po ashtu, ka shpalosur kujtime nga çastet e fundit me Skënder Çekun.

“Epoka e re”

Gani Elezaj ka treguar se rreth orës 02:00 të natës së 14 gushtit të vitit 1998 i kishin vërejtur disa lëvizje të armikut. “Kemi parashikuar se mund të sulmohemi të nesërmen. Dhe ashtu doli. Rreth orës 60:00 kanë ardhur disa aeroplanë dhe helikopterë. Së pari i kanë sulmuar shtëpinë e Haxhi Salihut dhe të Mehmet Morinës. Me siguri kanë pasur informata pasi, fatkeqësisht, ka pasur njerëz që kanë qenë argatë të dreqit. Pasi aeroplani i është afruar shtëpisë së Haxhi Salihut, e ka goditur Skenda. Pas tij edhe disa ushtarë të tjerë. Më vonë kemi dëgjuar se ai aeroplan ishte dëmtuar”, ka treguar Elezaj. Ai ka thënë se Skënder Çeku në vazhdim i ka urdhëruar ushtarët të dalin nëpër pozicione. “Kurse mua më ka dërguar në Raushiq, për t’u koordinuar me ushtarët. Por, kur shkova te Buqolltë e Vegjël, në vend të ushtarëve të UÇK-së, e pashë ushtrinë serbe duke ecur para autoblindave. Si duket me marrëveshje të dikujt ushtarët e UÇK-së ishin tërhequr, sepse aty disa në Raushiq kanë pasur lidhje me Prapaqanin. Unë kam gjuajtur në drejtim të ushtarëve serbë dhe jam nisur në drejtim të Loxhës. Gjatë rrugës jam takuar me Skedën, i cili, pasi i kishte dëgjuar të shtënat, i kishte marrë me vete mortajën e dorës dhe mitralozin. U gëzua kur më pa. Së bashku kemi shkuar dhe jemi futur në istikamin përballë shtëpisë së Paviqit, kurse pas pak më ka thënë t’u tregoj edhe ushtarëve të tjerë, sepse mund t’i befasonin forcat serbe. Pasi janë futur ushtarët në istikam në oborrin e Haxhi Salihut, jam kthyer në istikamin ku isha më herët”, ka deklaruar ai.
Elezaj ka thënë se në istikam e ka pasur një mitraloz, kurse Skënder Çeku një zollë dhe një automatik. Ai ka treguar se rrugën e kishte minuar disa javë me herët Skënder Çeku. “Gjatë luftimeve helikopter na gjuante vazhdimisht. Skenda e hetoi se po ia japin komandën nga shtëpia e Paviqve dhe më tha të gjuaj në drejtim të saj. Kur kam gjuajtur, helikopteri është larguar për rreth një orë, sepse më siguri i ka humbur komanda”, ka thënë Elezaj, duke shtuar se Skënder Çeku vazhdimisht gjatë luftimeve u ka dhënë moral të gjithë ushtarëve. “Na thoshte: ‘Jemi të fortë. Nuk kanë çka na bëjnë. Do të luftojmë jo vetëm në Loxhë, por ku të është nevoja, deri në çlirimin e plotë të Kosovës’”, i kujtohen Elezaj fjalët e Skënderit.
Elezaj ka treguar se pasi ushtarët e UÇK-së po rezistonin fuqishëm, rreth orës 11:00 përsëri janë aktivizuar helikopterët. “ Për një moment papritmas një granatë na është futur brenda në istikam, ku isha me Skendën. Jemi thirr në mes vete… dhe kemi dalë së bashku jashtë. Mitralozin na prishi granata. Skendës ia kam afruar automatikun dhe kam shkuar t’i lajmëroj shokët. Kur më ka pa Skenda se sa jam i plagosur rëndë, më ka thënë: ‘Shpejt shko në shtëpinë e Haxhi Salihut. Rrugës jam takuar në shokë. Besnik Shala ma ka lidh plagën, kurse Adnan Spahiu pas pak me një veturë ka tentuar të na largojë nga lagjja e Morinëve. Por, gjatë rrugës helikopteri gjuante vazhdimit, kështu që kemi bërë ndeshje me veturë, me ç’rast kemi marrë lëndime edhe më të rënda”, ka thënë ai. Elezaj ka treguar se Spahiu e ka marrë një veturë tjetër dhe së bashku me Habibe Morinën i ka dërguar në spitalin e Krushecit.
Ramushi na tha: ‘Për hair burra plaga!’, kurse Zemaj: ‘Nuk më intereson për ata djem e as për ju’”

Në Krushec, Elezaj ka thënë se janë takuar me komandantin e Zonës Operative të Dukagjinit, Ramush Haradinaj. “Ramushi e ka futur kryet në veturë dhe na ka thënë: ‘Për hair burra plaga! Qenkeni plagosur shumë’”, ka deklaruar ai. Elezaj ka thënë se në atë moment i ka kërkuar Ramush Haradinaj të shkojë për t’u dalë në ndihmë ushtarëve të Loxhës. “Ashtu siç na premtoi, Ramushi kishte pas shkuar në Loxhë, kishte luftuar derisa ishte plagosur një ushtar i tij”, ka thënë Elezaj. Pasi në Krushec nuk kishte mjekë, të cilët thuhet se kishin ikur për shkak të gjendjes së luftës, Elezaj ka treguar se e kanë çuar në Prapaqan. “Mua më vonë më kanë çuar në Prapaqan, sepse e kam pasur gjendjen më keq. Më është afruar një mjek, nuk e di kush ka qenë, m’i ka dhënë disa udhëzime, por jo ndihmë. Aty e kam takuar edhe Tahir Zemajn. I kam treguar se jam Gani Elezaj, ushtar i UÇK-së, i plagosur në Loxhë. Zemajt i kam thënë t’i marrë djemtë dhe të shkojë të luftojë në Loxhë, pasi ushtarët kanë mbetur vetë, por ai me cinizëm ma ktheu: ‘Nuk më intereson për ata djem e as për ju’. Aty i kemi ndërruar edhe disa fjalë. Pas kësaj bisede më është afruar një djalë i veshur me uniformë dhe më ka thënë: ‘Ku do me të çu?’. I kam thënë në Krushec, sepse aty e kam edhe komandantin e plagosur, Skënder Çekun. U largova nga spitali i Prapaqanit, pasi nuk ma është dhënë asnjë ndihmë, edhe pse i kishin mundësitë”, ka rrëfyer ai. Në vazhdim Elezaj ka thënë se kur është kthyer në Krushec, Ramushi i ka urdhëruar ushtarët ta gjejnë mjekun Abdyl Krasniqi për t’u dalë në ndihmë të plagosurve. “Abdyli ka ardhur, na ka lidh plagët, kurse në mbrëmje na kanë dërguar në Breshanc të Therandës (ish-Suharekës). Në gjysmë të rrugës ka dalë Fatmir Limaj me disa ushtarë dhe na ka marrë. Me urdhër të Skendës i kemi marrë me vete edhe Besnik Shalën dhe Adnan Spahiun, për të na shoqëruar, pasi ishte kohë lufte”, ka deklaruar ai.
Elezaj ka treguar se edhe në spitalin e Breshancit kishte pasur mungesë të mjekëve dhe të gjërave të tjera të nevojshme mjekësore, kështu që operimi i Skënder Çekut ishte shtyrë deri më 17 gusht, ku pas pesë orë sa kishte zgjatur, nuk kishte mundur të zgjohet nga opiumi. “Me ta marr vesh lajmin për Skendën, kanë ardhur Fatmir Limaj, Gafur Elshani dhe Shukri Buja. Fatmiri më kanë thënë: ‘Si doni me ia ba tash?’ I thash se do të ishte mirë ta varrosim me nderime ushtarake në varrezat e dëshmorëve, siç më kishte thënë. Fatmiri u pajtua dhe më tha se dëshmorët po i varrosin në Semetishtë. Jam bërë i fortë, e kam shkruar një fjalim për Skendën dhe e kemi varrosur me nderime ushtarake”, ka rrëfyer Elezaj. Ai ka treguar se pasi i është përmirësuar gjendja dhe për shkak të rrezikut për rënien e territoreve të lira, ushtarët e Fatmir Limajt i kanë përcjellë të plagosurit deri në Baran. “Pastaj kam shkuar në Gllogjan për ta takuar Ramushin. Por, pasi ishte luftë, unë dhe Gëzim Ademaj nga Loxha jemi takuar me Shkëlzen Haradinaj dhe me Idriz Balaj-Togerin. Në atë takim ata më kanë sugjeruar të dal jashtë vendit për shërim. Atëherë i kam çuar fjalë familjes që ka qenë në Radavc. Kanë ardhur vëllai Hajrush Elezaj, djali i axhës, Tasim Elezaj, të dy tash dëshmorë dhe disa djem të tjerë, më kanë marrë mua dhe disa të plagosur dhe kemi kaluar andej nga fshatrat tona. Për dy javë për mua është përkujdesur mjeku Muhamet Haliti. Pas disa javësh, me ndihmën e Hajrush e Tasim Elezaj, kam kaluar në Tuz, nga aty përmes liqenit të Shkodrës kam shkuar në Tiranë. Por, para se të shtrihem në spitalin ushtarak të Tiranës, ku jam shëruar, jam takuar me Xhavit Halitin dhe Azem Sylën, të cilëve ua kam sqaruar se si kemi luftuar në Loxhë. Xhavitit ia kam përcjellë edhe fjalët e fundit të Skënder Çekut”, ka thënë Elezaj.
Skenda ma la armën amanet për Albanin. Disa porosi për Xhavit Halitin
Gani Elezaj ka treguar se Skënder Çeku para se të hyjë në sallën e operacionit në spitalin ushtarak në Breshanc ia ka lënë një amanet dhe disa porosi. “Para se Skenda të futet në sallën e operacionit kemi biseduar për të gjitha. Ai e ka pasur një armë me vete, të cilën ma ka dhënë, duke m’u drejtuar me këto fjalë: ‘Merre këtë armë dhe ia dërgon djalit, Albanit (i cili në atë kohë ka qenë 15 vjet). Po ta lë armën amanet për Albanin dhe burrërinë’. Po ashtu, më ka thënë: ‘Përshëndete Xhavit Halitin! Thuaj krejt çka kam mundur të bëj me ushtarë për çlirimin e Kosovës kam bërë. Por, pasna pasur fat të keq, u plagosa herët. Thuaj Xhavitit që kam besim në të, në SHP e UÇK-së dhe në ushtarët e tjerë, se do ta vazhdojnë luftën deri në çlirim të plotë të Kosovës’”, ka deklaruar Elezaj.
NË NUMRIN E ARDHSHËM FLASIN TË TJERË PROTAGONISTË TË LUFTËS NË LOXHË.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu