Sot në mbrëmje Berisha-Rama, ja çfarë hidhet mbi tryezë

0
462

Sot në mbrëmje do të zhvillohet takimi i shumë përfolur midis kryesocialistit Edi Rama dhe kryeministrit Berisha. Burime nga dy kampet bëjnë të ditur se kanë qenë të djathtët të cilët i kanë dërguar një ftesë PS-së për të zhvilluar një takim në mjediset e Kuvendit në orën 20:30. Gjatë tre ditëve, dy negociatorët e mandatuar nga partitë e tyre, Gramoz Ruçi për PS-në dhe Astrit Patozi për PD-në kanë vijuar diskutimet në rrugë private për të përcaktuar detajet dhe axhendën e takimit. Ndërkaq burime nga LSI thanë se Meta do të jetë pjesë e takimit qoftë në përgatitjet e axhendës, qoftë në propozimet për këtë tryezë.

Platformat e negociatave

Partia socialiste nuk ka asnjë ndryshim në strategjinë e saj për bisedimet. Nga stafi i ngushtë i PS-së mësohet se lideri socialist do të shtrojë për diskutim paketën me katër kushte të opozitës. Krahas procesit të zgjedhjes së Presidentit, të majtët do e kushtëzojnë zgjedhjen e presidentit me përfundimin e reformës zgjedhore, asaj parlamentare dhe me heqjen e imunitetit për zyrtarët e lartë. Demokratët që do rihedhin në tavolinë propozimin për anëtarin e Gjykatës Kushtetuese, Xhezair Zaganjori. Nga ana e tyre, socialistët janë duke diskutuar për emrat e mundshëm që do të kenë me vete, por koha e ngushtë nga ora e fillimit të negociatave deri te fillimi i seancës, e bën thuajse të pamundur diskutimin konkret me emra.

Kandidatët e PS-së

Opozita do t’i përgjigjet me të njëjtën monedhë demokratëve duke propozuar kandidatura nga fusha e drejtësisë. Burime nga selia rozë bëjnë të ditur se në takimin e sotëm, kreu i PS-së nuk do të paraqesë emra. Gjithsesi nëse kryeministri Berisha do të kërkojë me ngulm për të diskutuar për emra, PS do të ketë gati edhe emrin që pritet të jetë po nga gjyqësori. Fillimisht socialistët do të tentojnë që të sigurojnë konsensusin me demokratët duke propozuar një kandidat jashtë politikës. Por, emrat nga politikanët e PS-së nuk do të mungojnë nëse do të tentohet që në raundin e katërt dhe të pestë të zgjidhet një kandidaturë me profil politik. Të pyetur për mbledhje të kryesisë apo të organeve të tjera drejtuese, deputetët theksojnë se nuk kanë ende asnjë lajmërim, por janë në pritjeje për të zyrtarizuar edhe kandidaturat që do t’i paraqiten demokratëve deri në votimin në seancë plenare. Ajo që është e sigurt, është rrëzimi i kandidaturës së Xhezair Zaganjorit. Të majtët shprehen se nuk do të votojnë kurrsesi një kandidat i cili nuk ka dalë nga negociatat ndërmjet PD-së dhe PS-së. Sipas tyre, për sa kohë që nuk është shtruar për diskutim me opozitën emri, nuk do të votohet asnjë kandidaturë e tillë.

 

Shegushe Ligori:

Anëtarja e Komisionit të Ligjeve, Shegush Ligori, thekson për gazetën “Shekulli” se nga bisedimet ndërmjet mazhorancës dhe opozitës mund të dilet me një emër konsensual. “Unë kam besimin e plotë që nëse do të ndërtohet një proces siç BE-ja e kërkon, përmes Komisionerit për Zgjerim Setafan Fule që është shumë i qartë për këtë pikë, atëherë padyshim mund të arrihet një president konsensual. Natyrisht është një proces kombëtar në radhë të parë”, tha ajo.

Vlerësimet për kandidatët

Situata politike dhe kandidaturat e mundshme që po qarkullojnë në media, nuk kanë kaluar pa u komentuar dhe nga deputetët e Kuvendit në profilet e tyre në rrjetet sociale. Deputeti Eduard Shalësi ka komentuar disa prej emrave të cilët janë propozuar, duke filluar nga kandidatura e Zaganjorit dhe gjer në atë të ish liderit të PS-së Fatos Nano për insistimin e tij për të garuar për President. “Shumëkush ka intencion, disa insistojnë, ka që e injorojnë, të tjerë filluan të interesohen, dhe pakkush është indiferent mbi të qenit President”, thuhet në mesazhin e postuar nga nënkryetari i PS-së, Shalësi.

Shoqëruesit

Gramoz Ruçi dhe Astrit Patozi janë dy prej negociatorëve të cilët do të shoqërojnë kryeministrin Berisha dhe liderin e opozitës Edi Rama në takimin e sotëm. Kryetarët e dy grupeve parlamentare janë mandatuar që në fillim për të negociuar për gjetjen e një emri konsensual, raporte që pritet të vazhdojnë deri në votimin e Presidentit të ri.

Roli i LSI-së

Edhe pse nuk do të jetë e pranishme fizikisht në takimin që do të realizohet sot, LSI-ja ka negociuar për zhvillimin e takimit midis dy liderëve kryesorë. Kreu i kësaj force, Ilir Meta ka mundësuar takimin zhvillimin e  bisedimeve, ndërkohë që vetë ka propozuar edhe kandidatin Zaganjori për të cilin PS-ja është shprehur kategorikisht kundërt.

PD me Zaganjorin deri në fund të procesit

Ministri Genc Pollo deklaron se PD-ja do t’i shkojë deri në fund të procesit me kandidaturën e Xhezair Zaganjorit. Deputeti i Partisë Demokratike, deklaroi në “Ora-News” se kandidati Zaganjori ka të gjithë integritetin e duhur që nuk mund të kundërshtohet nga asnjë prej partive politike. Nëse kjo do të ndodhë, sipas Pollos, mazhoranca do ta zgjedhë President me shumicë të thjeshtë.“Nuk mendoj që ky është apo duhet të jetë rasti. Mazhoranca nuk bën dot lojëra taktike me çështje teknike. Nuk ka arsye për të bërë ndryshime në raundin e 4 e 5. Mendoj që do t’i shkohet deri në fund kandidaturës Zaganjorit, është rruga më e mirë për të gjithë. Edi Rama ka një inkoherencë në qëndrimet dhe deklaratat e tij. Në rast të një mosarritje të konsensusit me PS do ta zgjedhim me votat e mazhorancës. Mazhoranca bëri një hap me kandidaturën e ofruar përtej politikës, opozita e komplikoi me çështje të tjera. Rama mund të bëhet pjesë e procesit nëse do të bëhet, por në fund duhet të marrë një vendim”, u shpreh Pollo. Ministri për Inovacionin në kabinetin e kryeministrit Berisha, e shikon pozitiv takimin midis dy liderëve duke kërkuar që të negociata të flitet edhe për emra konkretë. Për deputetin e PD-së, kandidatura e ish kryeministrit Fatos Nano mund të jetë një opsion për opozitën për ta paraqitur në takimin e sotëm. “Berisha ka thënë se është i gatshëm të presë Ramën. Nëse do diskutohet vetëm për Presidentin, po, por nëse do i shtohen dhe katër çështjet e tjera, atëherë nuk do të ishte rezultative. Janë çështje të ndara. PS ka zgjedhur të bllokojë këto ligje pa të cilat nuk merret statusi, për t’i faturuar përgjegjësinë mazhorancës. PS e ka paguar për këtë fakt edhe në zgjedhjet që lamë pas, dhe vetë Rama me humbjen e bashkisë së Tiranës. Do të ishte e mrekullueshme edhe nëse ajo vjen me një kandidaturë , edhe me të zotit Nano. Do kishim dy kandidatura përballë njëra -tjetrës, ku vota e fshehtë do të zgjidhte kreun e shtetit. Nano është një kandidaturë serioze, nëse propozohet nga partia e tij gara do të bëhej më interesante”, tha ai. Gjatë gjithë këtij procesi, demokratët janë shprehur se në rast të dështimit të negociatave për të gjetur një emër konsensual, janë të gatshëm për të votuar një kandidaturë nga radhët e koalicionit qeveritar. “Këtë vit PD ka një marrëveshje me Lëvizjen Socialiste për Integrim, marrëveshje  e cila përcakton në një nen të saj se Presidenti i ardhshëm i republikës do të zgjidhet me konsensusin e PD dhe LSI-së. Kjo është marrëveshja, kjo do të zbatohet dhe në asnjë rrethanë ne nuk imagjinojmë që të grisim një marrëveshje kaq të rëndësishme për vendin. Bazuar në këtë marrëveshje ne bëmë takimin  e parë me aleatët tanë dhe nuk diskutuam për asnjë emër, diskutuam për fushat” deklaroi Berisha. Pika e përbashkët midis mazhorancës dhe opozitës janë fushat prej nga mund të zgjidhet Presidenti si politika, diplomacia, drejtësia.

 

Nga Luis Tanushi

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu