Sovjetikët: Hoxha nuk na bind, Xoxe udhëheqës i fortë

0
531

Jetëshkrimi

Koçi Xoxe (1917 — 11.6.1949) ish-Ministër i Brendshëm gjatë periudhës prill 1946 – nëntor 1948.

 


Themelues dhe kryetar i parë i Grupit Komunist të Korçës.
Pjesëtar i mbledhjes themeluese të Partisë Komuniste Shqiptare. Anëtar i Byrosë Politike dhe KQ të saj që nga krijimi.

 

Në vitin 1941 dhe 1942 burgoset si antifashist nga italianët.
Nga 10 korriku i vitit 1942, anëtar i Shtabit të Përgjithshëm.
Në 24 maj 1944 gradohet gjeneral-leitnant në Kongresin e Përmetit.
Në shkurtin e vitit 1945 emërohet kryetar i Gjykatës së Lartë.
Në vitin 1945, nënkryeministër dhe ministër i Brendshëm.
Në vitin 1945 merr pjesë në legjislaturën e parë si deputet i Kuvendit Popullor.
Në vitin 1945 bëhet Sekretar Organizativ i Komitetit Qendror të PKSH-së.
Në vitin 1948, ministër i Industrisë dhe Minierave.


I dekoruar “Hero i Popullit” dhe me medaljet më të larta në Shqipëri.
I dekoruar dhe me shumë medalje të larta nga Bullgaria, Jugosllavia, Bashkimi Sovjetik etj.
Në 28 nëntor 1948, arrestohet.


Në maj të vitit 1949 dënohet me vdekje dhe pushkatohet në moshën 38-vjeçare. Ishte i martuar dhe kishte gjashtë fëmijë. Akoma dhe sot nuk i dihet ku ndodhet varri i tij.

Ambasadori sovjetik në Tiranë, Çuvahin i raportonte Moskës për një takim me Koçi Xoxen, ku i njoftonte atij se Moska, tani për tani nuk e quan të përshtatshme vizitën e tij në BS.


Sipas protokollit i takonte Enver Hoxhës të shkonte i pari për vizitë zyrtare në Bashkimin Sovjetik, por ishte Tito ai që e pengonte këtë vizitë dhe ishte pikërisht puna e insistimi i Beogradit që Koçi Xoxe do të ishte i pari nga drejtuesit e partisë dhe shtetit shqiptar që do të planifikohej të vizitonte zyrtarisht Moskën


Duke gjykuar nga materialet e arkivave ruse, dhe sipas vlerësimit të disa studiuesve rusë që janë marrë me çështjet shqiptare të asaj periudhe, në kuadrin e marrëdhënieve shqiptaro-jugosllavo-sovjetike, krijohet bindja se për një kohë të gjatë Koçi Xoxe ka qenë njeriu më i preferuar dhe i besuar i Moskës në radhët e udhëheqjes shqiptare.


Rezulton se ai ishte i vetmi nga udhëheqja shqiptare që ishte ftuar për pushime në Bashkimin Sovjetik (madje disa herë), çka është shfrytëzuar për bisedime e konsultime në KQ të PK të BS-së, si përfaqësues i PK-së dhe Qeverisë Shqiptare


ARKIVAT RUSE/ Roli i Moskës dhe Beogradit në zhvillimet politike në Shqipërinë e pasluftës. Si e shikonin drejtuesit sovjetikë dhe diplomatët e tyre në Tiranë udhëheqësin e ardhur nga klasa punëtore dhe që kish vuajtur në burgjet fashiste. Bashkëbisedimet mes drejtuesve jugosllavë dhe atyre sovjetikë për njëriun kishte autoritet sa Enver Hoxha


Kohët e fundit doli në qarkullim libri “E vërteta e fshehur e një procesi” që përmban proces verbalet e mbajtura gjatë zhvillimit të gjyqit kundër Koçi Xoxes, Pandi Kristos etj. Pavarësisht se shumë prej këtyre materialeve janë të njohura, botime të kësaj natyre janë me vlerë për historianë, studiues e më gjerë.


Mendoj se botimi i këtyre lloj materialesh duhet nxitur e inkurajuar dhe jo vetëm të asaj periudhe, por edhe të periudhave të tjera, sepse shumë ngjarje dhe zhvillime te rëndësishme përgjatë historisë tonë, deri edhe ngjarjet tragjike të vitit 1997, mbeten të errëta e shpesh errësohen edhe më shumë nga disa njerëz që ndjekin qëllime të caktuara….


Në disa materiale e intervista është thënë e vazhdon të thuhet se dënimi i Koçi Xoxes është bërë me urdhër të Moskës e personalisht të Stalinit.


Po ashtu, si para viteve ’90-të, edhe tani, në shumë materiale, gjyqi dhe dënimi i Koçi Xoxes, trajtohet njëlloj si gjyqet e dënimet e Kostovit në Bullgari, Rajkut në Hungari, Sllanskit në Çekosllovaki etj. madje jo radhë tek ne, ata janë quajtur “Koçi Xoxet” e këtyre vendeve.


Duke qenë se në Rusi dhe në vendet e tjera të Europës Lindore, janë botuar shumë materiale arkivore të asaj periudhe, si dhe libra e materiale të tëra studimore rreth këtyre ngjarjeve, duke u bazuar vetëm në këto materiale, (sigurisht që ka ende shumë materiale të tjera të pabotuara) do të përpiqem të hedh dritë mbi disa probleme për marrëdhëniet e Partisë Komuniste Shqiptare me Moskën e Beogradin (gjithmonë lidhur me Koçi Xoxen dhe rolin e tij në gjithë këto zhvillime, deri në momentin e dënimit të tij).


Po ashtu, bazuar në këto materiale, do të flas shkurtimisht (për krahasim) edhe për dënimet e “grupeve armiqësore” në vendet ish komuniste dhe rolin e Moskës për këto dënime, nga të cilat lexuesi mund të nxjerrë vetë përfundimet.


Nga materialet arkivore, e studimet e shumta që janë botuar vitet e fundit në Rusi për ne, veçanërisht lidhur me zhvillimet në Kosovë, bie në sy se, që me vendosjen e marrëdhënieve midis Moskës e Tiranës, emri i Koçi Xoxes, përmendet shpesh, e në mjaft raste krahas atij të Enver Hoxhës, dhe jo radhë, pothuajse si i barabartë me të. Në ketë periudhë ai shpesh herë paraqitet dhe flet si përfaqësues i partisë dhe Qeverisë Shqiptare.


Që në dokumentin e parë zyrtar të datës 14.05.1946 “Për gjendjen në Shqipëri” përgatitur nga i dërguari i posaçëm i Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, P. Mançha, në emër të Byrosë Politike të PKSH-së dhe Qeverisë Shqiptare fliste Koçi Xoxe.


Pak ditë më vonë, më 12 qershor, ambasadori sovjetik ne Tiranë, Çuvahin i raportonte Moskës për një takim me Koçi Xoxen, ku i njoftonte atij se Moska, tani për tani nuk e quan të përshtatshme vizitën e tij në BS (sipas protokollit i takonte Enver Hoxhës të shkonte i pari për vizitë zyrtare në Bashkimin Sovjetik, por ishte Tito ai që e pengonte këtë vizitë dhe ishte pikërisht puna e insistimi i Beogradit që Koçi Xoxe do të ishte i pari nga drejtuesit e partisë dhe shtetit shqiptar që do të planifikohej të vizitonte zyrtarisht Moskën).


Sipas një materiali të Drejtorisë së Jashtme të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, të datës 13.7.1946, drejtuar sekretarit të KQ të PK të BS-së, Zhdanov, ishte Koçi Xoxe ai që, në emër të PKSH-së informonte Moskën dhe dërgonte materiale atje për gjendjen në Shqipëri dhe në udhëheqjen e saj.


Siç shihet nga raportimet e ambasadorit sovjetik për Moskën, në shumë prej tyre, ai shkruante për takime e biseda me Koçi Xoxen, ose shpesh herë përmendte emrin e tij. Madje edhe në materialet e KQ të PK të BS-së, emri i Koçi Xoxes në mjaft raste përmendej krahas emrit të Enver Hoxhës, dhe si i barabartë me të.


Është shumë kuptimplotë takimi i sekretarit të KQ të PK të BS-së, A. Zhdanov me Enver Hoxhën e Koçi Xoxen në Moskë, me 23 korrik 1947, ku për të gjitha problemet e diskutuara, Zhdanovi i drejtohej të dyve me pyetje e përgjigje, duke theksuar për çdo rast emrat e Enver Hoxhës dhe Koçi Xoxes bashkërisht, pa i ndarë asnjëherë dhe si të barabartë.


Në mënyrë të veçantë bën përshtypje letra e një zyrtari të lartë të KQ të PK të BS-së, e datës 10 nëntor 1947 drejtuar Sekretarit të KQ të PK të BS, Susllov, me shënimin “tepër sekret” ku flitej për takimin e Koçi Xoxes në Drejtorinë e Jashtme të KQ të PK të BS-së në Moskë, ku ai, si përfaqësues i PKSH-së, kishte diskutuar me sovjetikët për probleme tepër të rëndësishme, si për përgatitjet e Kongresit të Parë të PKSH-së, për legalizimin e saj, për qëndrimin e ndaj mbledhjes së nëntë partive komuniste që do të mbahej në Varshavë, për statutin e PKSH-së etj.


Duke gjykuar nga materialet e arkivave ruse, dhe sipas vlerësimit të disa studiuesve rusë që janë marrë me çështjet shqiptare të asaj periudhe, në kuadrin e marrëdhënieve shqiptaro-jugosllavo-sovjetike, krijohet bindja se për një kohë të gjatë Koçi Xoxe ka qenë njeriu më i preferuar dhe i besuar i Moskës në radhët e udhëheqjes shqiptare.


Rezulton se ai ishte i vetmi nga udhëheqja shqiptare që ishte ftuar për pushime në Bashkimin Sovjetik (madje disa herë), çka është shfrytëzuar për bisedime e konsultime në KQ të PK të BS-së, si përfaqësues i PK-së dhe Qeverisë Shqiptare


Sigurisht që për këtë ka disa arsye. Së pari, udhëheqësit jugosllavë, e personalisht Tito, që në takimet e para zyrtare me sovjetikët, kur diskutoheshin problemet e PKSH-së apo të Shqipërisë, ata përpiqeshin të reklamonin e nxirrnin në plan të parë Koçi Xoxen.


Kështu gjatë vizitës së Titos në Moskë, në fund të muajit maj 1946, në takimin me Stalinin, ky i fundit u interesua të dinte hollësira mbi gjendjen në PKSH-së, në se kishte fraksione brenda saj, kush ishte dhe ç’përfaqësonte Enver Hoxha etj. Dialogu i zhvilluar gjatë këtij takimi nuk ka nevojë për komente.


“Stalini pyet Titon: – A e njihni ju Enver Hoxhën? Çfarë njeriu është ai? A është komunist?A kanë ata probleme të brendshme midis tyre? Çfarë informacionesh keni ju për këto?


J. Tito: Unë nuk jam takuar me Enver Hoxhën. Ai është një djalë i ri, gjatë luftës ka fituar popullaritet…Në përgjithësi, në udhëheqje të Shqipërisë janë njerëz të rinj. Me sa dimë midis tyre nuk ka probleme të veçanta.


A. Rankoviç: Ata nuk kanë probleme të mëdha, me përjashtim të faktit se shokët e Byrosë Politike, nuk e konsiderojnë Enver Hoxhën partiak të fortë, prandaj përpiqen që gjithmonë të dërgojnë Koçi Xoxen me të, si anëtari më i vjetër i Byrosë Politike…”


Tepër kuptimplote është letra e Popoviçit (ambasadori jugosllav në Moskë) që në emër të udhëheqjes jugosllav, i shkruante Sekretarit të KQ të PK të BS-së, Zhdanov me dt.6.10.1947 lidhur me “Pozicionin e grupit të Nako Spirus”. Ndërmjet tjerave ai duke akuzuar Nako Spirun theksonte se: “Duke zhvilluar një luftë sistematike për eliminimin e punëtorëve nga KQ i Partisë Komuniste Shqiptare, si Koçi Xoxe, që në fakt është themeluesi i Partisë Komuniste Shqiptare…”


Duke qenë se për Titon e udhëheqjen jugosllave Koçi Xoxe ka qenë njeriu më i përshtatshëm për të qenë në krye të udhëheqjes shqiptare, ata janë përpjekur në mënyra të ndryshme të bindnin sovjetikët, madje duke kërkuar edhe ndihmën e tyre për ta realizuar këtë.


Kështu sipas raportit sekret të ambasadorit sovjetik Llavrentiev në Beograd të dt.14-15 gusht 1947 lidhur me takimin që kishte pas me Titon, ky i fundit duke folur për marrëdhëniet jugosllavo-shqiptare ka thënë se “Titoja nuk mendon se Enver Hoxha sillet me dy fytyra, por, sipas përshtypjes së tij (Titos), ai mund të bjerë lehtë nën ndikime të ndryshme. Udhëheqës më të fortë dhe më konseguent Tito konsideron Xoxen”.


Por, siç del nga këto dokumente, krahas ndikimit nga jugosllavët e sidomos nga Tito, edhe vetë udhëheqja sovjetike nuk ishte fort e bindur për Enver Hoxhën, mbasi sipas saj, ai “rridhte nga një familje e pasur, ishte shkolluar në Perëndim, ishte lidhur vonë me lëvizjen komuniste” etj. ndërsa “Koçi Xoxe vinte nga klasa punëtore, ishte kalitur në radhët e saj, kishte qenë në burgjet e fashizmit” etj.


Që me vendosjen e marrëdhënieve midis dy partive, Moska ka qenë në dijeni të luftës së brendshme që zhvillohej brenda udhëheqjes shqiptare, si nga raportimet e E. Hoxhës, K. Xoxes, N. Spirus, apo nga të dhënat që merrte nga Beogradi.

Tërheq vëmendjen fakti se që në takimet e para me përfaqësues të Moskës, Enver Hoxha në një mënyrë apo tjetrën është përpjekur ta paraqesë Koçi Xoxen si njeri të jugosllavëve, që me ndihmën e tyre ai ka marrë drejtimin e partisë, si njeri të pa aftë për punë të mëdha etj.


Kështu sipas raportit sekret të ambasadorit sovjetik në Tiranë, Çuvahin të datë 20 maj 1946, Enver Hoxha i ka thënë atij se “Mbas Konferencës së Beratit ai (Enveri) ishte mënjanuar nga udhëheqja aktive e punëve të partisë, megjithëse formalisht ai kishte mbetur Sekretar i Parë.


Sipas fjalëve të tij, udhëheqja e partisë i kishte kaluar Komisionit të kuadrove me në krye Koçi Xoxen…”. Më poshtë Enver Hoxha krahas akuzave për përfaqësuesit jugosllavë në Shqipëri Stojniç e Dizdareviç, ka thënë për Koçi Xoxen, se ai “me veprimtarinë e tij ka ndihmuar jugosllavët”.


Më poshtë, ai vinte në dyshim aftësitë e Koçi Xoxes qoftë për të drejtuar punët për përgatitjen e Kongresin të Parë të Partisë, qoftë për të përfaqësuar PKSH-në dhe Shqipërinë gjatë vizitës që ai (Koçi) përgatitej të bënte në Moskë.


Siç raportonte ambasadori në këtë material “Mbas bisedës me Enver Hoxhën krijohet përshtypja se marrëdhëniet brenda Byrosë Politike dhe sidomos midis Enver Hoxhës dhe Koçi Xoxes nuk janë krejt të shëndosha dhe se Enver Hoxha trembet se në kongresin e ardhshëm të partisë, Koçi Xoxe do të mundohet të përgatisë kundër tij diskutimin përkatës”.


Nga ana tjetër N. Spiru në takimet me sovjetikët ankohej për Koçi Xoxen. Kështu sipas raportit të ambasadorit sovjetik të dt. 13 shtator 1946 për takimin me Nako Spirun, ky i fundit krahas tjerave, i ankohej atij, se për problemet e shumta që kanë lindur, fajtor ishte Koci Xoxe, deri edhe për “tharjen e kënetës së Maliqit”, faji ishte i tij.


Megjithë ankesat e E. Hoxhës apo N. Spirus për K. Xoxen, Moska vazhdonte ta mbështeste atë, mbasi siç shkruajnë për atë periudhë studiuesit rusë Vollokotina etj. në librin “Moska dhe Evropa Lindore 1949-1953” (Moskë-2002) : “Atëherë nuk ngjallte shqetësim vija e hapët pro jugosllave e Xoxes.


Për më tepër se në KQ të PK të BS-së faktikisht e pranonin “patronazhin” e Jugosllavisë mbi Shqipërinë dhe e konsideronin të mundshme influencën e drejtpërsëdrejt, mbi PKSH-në, nëpërmjet “shokëve jugosllavë”.


Një qëndrim i tillë i Moskës ka vazhduar deri në vetëvrasjen e Nako Spirus. Kjo ngjarje solli pështjellim në udhëheqjen sovjetike dhe krijoi një situatë të re në raportet dhe marrëdhëniet në trekëndëshin Moskë-Tiranë-Beograd.


Moska me kohë e dinte nga shumë burime (diplomatike, të zbulimit, nga udhëheqës shqiptarë e jugosllavë) se në radhët e udhëheqjes shqiptare kishte kontradikta e mosmarrëveshje parimore midis dy grupimeve qe kryesoheshin nga Koçi Xoxe dhe Nako Spiru, por njëkohësisht e dinte mirë se Xoxe e grupi i tij përkrahej fort e mbështetej për gjithçka nga Beogradi, siç e dinte se ky grup mbështeste për gjithçka Beogradin.


(Vijon)

Situata në Shqipëri në dhjetor 1947 dhe marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave në takimin Stalin-Tito

Vetëvrasja e Nako Spirus, Stalini në krye të dyshuesve

Pavarësisht nga vlerësimet që ishin bërë në rrugë partie, mbas vetëvrasjes së Nako Spirus dhe megjithë vendimet e udhëheqjes shqiptare për dënimin e tij dhe vendosjen e lidhjeve më të ngushta me Jugosllavinë, udhëheqja sovjetike shfaqte dyshime dhe nuk bindej, sepse dyshonte se vetëvrasja ishte e lidhur me shumë probleme e prapaskena të tjera.


Ajo kërkonte të dhëna të tjera, më të hollësishme e më bindëse për Spirun, mbasi, ajo nuk e kishte hallin tek personi i tij (sikur sovjetikët të donin, mund ta shpëtonin Nakon, sepse gjatë takimit të Spirus me dt.10 nëntor 1948 me të Ngarkuarin me punë a. i. të BS-së në Tiranë, Gagarinov, para mbledhjes së Byrosë Politike, ai krahas tjerave kishte shprehur frikën për rrezikun që i kanosej.


Madje diplomati sovjetik, pavarësisht me udhëzim të Moskës apo jo, nuk denjoi as ta priste atë për herë të dytë). Moska dyshonte se mbas këtij akti, zhurmës dhe kthesës së madhe që bëri Tirana për afrim të mëtejshëm me Beogradin, fshihej diçka e madhe, dhe kryesorja, terreni që po fitonte Jugosllavia në Shqipëri binte ndesh me interesat dhe planet e saj……


Aq shumë dyshonte Moska për këtë vetëvrasje, sa vetë Stalini u angazhua për këtë problem. Siç del nga materialet e arkivave sovjetike, situata në Shqipëri dhe marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave mbas vetëvrasjes së Nako Spirus, u bënë objekt diskutimi midis Stalinit dhe Titos, dhe siç ranë dakord ata të dy, me dt. 4 dhjetor 1947 sekretari i KQ të PK të BS-së, Zhdanovi priti në një takim të posaçëm ambasadorin jugosllav në Moskë, Popoviç, ku ai i kërkoi jugosllavit shpjegime të hollësishme për këtë ngjarje dhe situatën në Shqipëri.


Është interesant fakti se gjatë takimit, ambasadori jugosllav i kërkoi Zhdanovit që “të organizohej në Beograd një mbledhje me udhëheqësit e PKSH-së për të diskutuar situatën në PKSH si dhe për të marrë masat e duhura për shëndoshjen e situatës së krijuar nga “veprimtaria antiparti e Nako Spirus dhe të tjerëve”.


Guximi i jugosllavëve arriti deri aty sa ambasadori, me porosi të Titos i kërkoi Zhdanovit largimin e specialistëve sovjetikë nga Shqipëria, për shkak të “tendencave të vërejtura në Shqipëri, për kundërvënie nga ana e specialistëve sovjetikë ndaj atyre jugosllavë, dhe mbi këtë bazë, të tendencave, për të prishur rregullin e marrëdhënieve të vendosura midis Shqipërisë dhe Jugosllavisë”.


Për të shmangur Moskën dhe për t’i treguar asaj se Shqipëria, në të ardhmen do të jetë pjesë e Jugosllavisë, pak ditë më vonë, me dt. 13 dhjetor, gjatë takimit me ambasadorin sovjetik në Beograd, Tito e vinte Moskën para faktit te kryer, kur i thoshte se: “siç duket, do të duhet që Shqipërinë ta përfshijmë në planin pesëvjeçar jugosllav, dhe mbajtjen e ushtrisë shqiptare ta përfshijmë në buxhetin e ushtrisë jugosllave”.


Për udhëheqjen sovjetike po bëheshin gjithnjë e më të qarta qëllimet e jugosllavëve, për tu ngulur një herë mirë në Shqipëri, çka binte ndesh me interesat e qëllimet e sovjetikëve, jo vetëm në Shqipëri por më gjerë, në Ballkan e Europë. Shtruarja e problemeve shqiptare në këtë mënyrë nga jugosllavët, siç kanë shkruar studiues rusë vitet e fundit, e kishte nervozuar Stalinin aq shumë, sa me 23 dhjetor në një letër që i dërgonte Titos, i kërkonte që “duke pas parasysh që kanë dalë probleme të reja, Ju dërgoni në Moskë një shok me përgjegjësi, Gjilasin ose ndonjë tjetër, të informuar mirë për situatën në Shqipëri”.


Me porosi të Titos, me Gjilasin shkoi në Moskë një delegacion mjaft i rëndësishëm, të cilët u pritën menjëherë nga Stalini. Gjatë takimit që u zhvillua në Kremlin më dt.9 janar 1948, qëndrimi dhe toni i Stalinit, ishte i ashpër dhe ai e filloi bisedën me fjalët: “Atje, tek ju, në Shqipëri po vriten anëtarë të Komitetit Qendror.


Kjo është keq, shumë keq” e që mbas shpjegimit të Gjilasit se “Nako Spiru kundërshtonte lidhjet e Shqipërisë me Jugosllavinë….” dhe përgjigjes së Stalinit se “ne nuk kemi interesa të veçanta, dhe se ju mund ta gëlltisni Shqipërinë…” edhe tani, mbas shumë dekadash, vazhdon të ngjall komente e diskutime.


Kështu, në një intervistë të Gjilasit dhënë “Zërit të Kosovës” me dt. 9 shkurt 1991, ai thoshte se “Në takimin e parë me mua, Stalini tha se Jugosllavia mund ta gëlltisë Shqipërinë, por unë mendoj se ai nuk mendonte ashtu, por dëshironte të shihte reagimet e mija..”. Studiues rusë, duke gjykuar nga shumë dokumente të tjera, kohët e fundit janë shprehur se “ky ishte një provokacion që Stalini u bënte jugosllavëve, sepse në të vërtetë ai mendonte ndryshe”.


Është tepër domethënës fakti se në këtë periudhë, për të gjitha këto takime të nivelit të lartë, bisedime e shkëmbime letrash midis Moskës e Beogradit për Shqipërinë, udhëheqja shqiptare nuk dinte asgjë.


Dhe kjo ndodhte pikërisht në atë periudhë kur tensioni në marrëdhëniet sovjeto-jugosllave po rritej dhe gjithçka fliste për një prishje të shpejtë midis tyre.


Pavarësisht, pretekst apo shkak për këtë prishje, shërbeu çështja shqiptare dhe konkretisht kërkesa e Titos për vendosjen e trupave ushtarake jugosllave në jug të Shqipërisë, me pretekstin e përballimit të një sulmi grek kundër Shqipërisë. Dhe të gjitha këto, Tito i bënte pa dijeninë e Moskës, mbasi siç do të deklaronte Stalini per ketë ngjarje, mbas një viti, me 23 mars 1949 “ne e kemi marrë vesh rastësisht nga Enver Hoxha qëllimin e jugosllavëve”.


Gjatë periudhës janar-mars 1948, krahas letrave e mesazheve, janë zhvilluar disa takime sovjeto-jugosllave për problemet shqiptare, ku ndërmjet tjerave tërheqë vëmendjen ai i zhvilluar në Kremlin me dt.10 shkurt, midis Stalinit dhe përfaqësuesve më të lartë të udhëheqjes jugosllave, Kardelit, Bakariçit, Gjilasit etj. si dhe atyre bullgarë me ne krye Dimitrovin, (në takim ishte ftuar Tito, por sipas disa autorëve jugosllavë e rusë, ai per t’ju shmangur çdo të papriture nuk shkoi, duke u hequr si i sëmurë), që ishte dhe takimi fundit i këtij niveli para prishjes.


Qëndrimi i Stalinit ishte kategorik. Ai duke folur për politikën e jugosllavëve në Shqipëri, u shpreh shumë qartë se “…Disa qarqe detyruan njërin nga udhëheqësit shqiptarë të vriste veten, ndërsa Enver Hoxhën duan ta eliminojnë….”


Pikërisht në ketë kohë, me datë 1 mars 1948, në Beograd zhvillohej mbledhja e Byrosë Politike të KQ të PK-së Jugosllave, ku mbas raportimit të Titos për acarimin e marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik, çka sipas tij kishte filluar për problemet që lidheshin me Shqipërinë, ai ishte përqendruar në marrëdhëniet me Tiranën.


Sipas tij, ftohja e marrëdhënieve me Shqipërinë, kishte ardhur për faj të Nako Spirus, por siç deklaronte ai dhe udhëheqës të tjerë jugosllavë që e morën fjalën “Shqipërinë do ta mbajmë fort”.


Madje sipas Kardelit, (ndër figurat kryesore në udhëheqjen jugosllave) “Ne kemi të drejt të kontrollojmë çfarë bëjnë shqiptarët”.
Në këtë kohë, në Tiranë vazhdonte fushata për dënimin e Nako Spirus dhe afrimin me Jugosllavinë.


Madje, sipas një informacioni të ambasadorit sovjetik në Tiranë të dt. 16 mars 1948, pra pak ditë mbas plenumit të KQ të PKSH-së, ku ishte dënuar Nako Spiru e grupi i tij, dhe ishte vendosur për një afrim të mëtejshëm me Jugosllavinë, gjatë një takimi me Enver Hoxhën e Koçi Xoxen, këta të dy i kanë folur gjatë për veprimtarinë “armiqësore” të N. Spirus.


Kjo ndodhte dy ditë para se Drejtoria e Jashtme e KQ të PK të BS-së, nëpërmjet një materiali të gjatë, tepër sekret, përgatitur për sekretarin e KQ të PK të BS-së, Susllov “Mbi qëndrimet antimarksiste të udhëheqësve të PK Jugosllave për problemet e politikës së jashtme dhe të brendshme”.


Në këtë material tërheq vëmendjen vlerësimi për veprimtarinë e jugosllavëve në Shqipëri, ku ndërmjet tjerave thuhej: “Pavarësisht nga nënshkrimi i Traktatit të Miqësisë dhe Ndihmës reciproke me Shqipërinë, gjatë një viti të tërë qeveria jugosllave nuk i ka zbatuar pikat e saj, dhe nuk i ka dhënë ndihmë ekonomike Republikës së Shqipërisë.


Udhëheqësit e PK Jugosllave e shohin me zili që Shqipëria synon të ketë lidhje të drejtpërdrejta me Bashkimin Sovjetik. Sipas mendimit të tyre, Shqipëria duhet të ketë lidhje me Bashkimin Sovjetik vetëm nëpërmjet qeverisë jugosllave. Përfaqësuesit jugosllavë sillen në atë vend si në koloninë e tyre…”.


Moska, e dinte mirë qëndrimin e Koçi Xoxes dhe përkrahësve te tij ndaj politikës se Beogradit, dhe duke ditur pushtetin e madh që ai kishte përqendruar në duart e veta (për çka ajo kishte kontributin e vet) me qellim që të mbante me çdo kusht me vete Shqipërinë, filloi të mbështeste Enver Hoxhën, (çka, krahas tjerave, del qartë edhe nga qëndrimi i mësipërm i Stalinit) i cili menjëherë mbas letrës së KQ të PK të BS-së dërguar KQ të PKJ, të dt. 28 mars dhe Rezolutës së Byrosë Informative, u solidarizua plotësisht me to.


Në këtë kohë, Moska e kishte kristalizuar mendimin e vet për Koçi Xoxen i cili, sipas saj si “Anëtar i Byrosë Politike, Sekretar organizativ i KQ të PKSH-së dhe Ministër i Brendshëm, ishte ithtar i afrimit të gjithanshëm, deri në bashkimin e Shqipërisë me Jugosllavinë dhe që kishte qenë një nder kritikët më të zellshëm të “veprimtarisë anti jugosllave” të Nako Spirus”.


Pavarësisht se me vonesë, Moska e kishte kuptuar se kishte gabuar ne rastin e Nako Spirus, çka e shprehte qartë Molotovi ( figura e dytë mbas Stalinit) në takimin e datës 24 qershor 1948, me Enver Hoxhën në Varshavë, kur i thoshte se: “Ne kemi krijuar përshtypjen se me personin e Nako Spirus, Shqipëria humbi një kuadër të aftë dhe një mik të BRSS-së”.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu