Spahiu: Koalicioni PDK-së me LDK-në, është më afatgjatë, por jo më i miri

0
121

kreshnik-spahiu

Aleanca Kuq e Zi e mbështet marrëveshjen e arritur në Kosovë midis Hashim Thaçit dhe Isa Mustafës, sepse kjo i jep fund krizës politike që u krijua në Kosovë, megjithatë kreu i AK-së Kreshnik Spahiu nuk mendon se kjo ishte zgjidhja më e mirë, por e keqja më e vogël për vetë shtetin.

AK priste që Vetëvendosja të ishte partia që do krijonte koalicion me Thaçin, dhe se në këtë drejtim mbeti mbrapa dhe gaboi. Në një intervistë të shkurtër për KosovaPress Kreshnik Spahiu komenton zhvillimet më të fundit në Kosovë, duke thënë se Hashim Thaçi nuk duhet të marrë postin e Kryeministrit por atë të kreut të Kuvendit.

“Çdo lloj formimi i një qeverisje me koalicion me bazë të gjerë absolutisht është më i mirë për Kosovën, imazhin e saj dhe funksionimin e shtetit të pavarur të Kosovës, se sa një krizë e stërzgjatur pa qeveri, pa kuvend, pa një shtet funksional. Në këto kushte që ditën kur Hashim Thaçi ka siguruar vendin e parë në Kuvend, i kemi bërë thirrje kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi që të mos qeveriste i vetëm po të kërkonte një qeverisje me bazë të gjerë nga opozita, nga ato parti të cilat i kishte pasur kundërshtare, dhe besojmë se nuk kishte alternativë tjetër përveçse zgjerimit të qeverisjes me partitë kundërshtare”, tha Kreshnik Spahiu, kreu i Lëvizjes Aleanca Kuq e Zi në Shqipëri.

Më tej Spahiu thotë se kjo vonesë dhe ky ngërç i tejzgjatur i formimit të qeverisë erdhi si pasojë e gabimit të disa partive opozitare të cilat e personalizuan luftën duke parë interesin e karrigeve të pushtetit.

Vonesa në arritjen e një koalicioni të tillë ka qenë një gabim taktik i disa partive opozitare të cilat e personalizuan shumë luftën duke u nxituar që të ndanin karriget e pushtetit që në ditët e para. Kjo e dëmtoi shumë imazhin e Kosovës se demokracitë e brendshme të këtyre partive, dhe sigurisht i hoqi disi moralin partive opozitare në Kosovë. Absolutisht do ishte e papranueshme që Kosova të qeverisej nga një parti e cila kishte 8 apo 9 % të votave. Në asnjë vend të botës nuk mundet që kryeministri të zgjidhet nga një parti e katërt apo e pestë e cila nuk gëzon as 10 % të votave të shqiptarëve. Në këtë kontekst për stabilitetin, paqen, qëndrueshmërinë e Kosovës, një koalicion i PDK-së me LDK-në, është më afatgjatë dhe më i natyrshmi. Pra është e keqja më e vogël mes dy alternativave që kishte Kosova”, tha më tej Spahiu.

Lidhur me partitë e zhgënjyera me të cilat LDK tentoi më herët të bashkëpunonte, Spahiu u shpreh se Vetëvendosja duhet të ishte përgatitur më herët që pas disa muajsh dikush nga partitë apo liderët do të bënin një përpjekje të tillë për tu afruar me PDK-në, dhe se ishte ajo që duhet ta bënte këtë lëvizje.

“Besoj që Vetëvendosja dhe Albin Kurti duhet të ishin përgatitur që pas disa muajsh në mos LDK apo Isa Mustafa, dikush nga partitë apo liderët do të bënin një përpjekje për tu afruar me PDK-në. Dhe jam i sigurt se nëse nuk do ta bënte LDK-ja, do ishin partitë e tjera të frontit opozitar që do të largoheshin dhe do të bënin marrëveshje. Madje do ta quaja gabim taktik të lëvizjes Vetëvendosja e cila ashtu siç u vëllazërua me LDK-në dhe me Isa Mustafën të cilët muaj më parë në zgjedhjet komunale e kishte kundërshtar politik dhe e rrëzoi Isa Mustafën, u vëllazërua dhe u binjakëzua në opozitë me Isa Mustafën dhe nuk gjeti gjuhën e përbashkët me PDK-në, dhe Hashim Thaçin votat e partisë të së cilës e nxorën Shpend Ahmetin, kryetar të Komunës së Prishtinës. Pra si një forcë politike që e shikojmë si më ftohtë atmosferën politike në Kosovë ne kishim pritur që ndoshta Vetëvendosja do kishte qenë në koalicion me PDK-në dhe Hashim Thaçin”, theksoi Kreshnik Spahiu.

Lidhur me ndarjen e posteve, Kreshnik Spahiu thotë se Hashim Thaçi duhet të marrë kreun e Kuvendit ndërsa Isa Mustafa, kryeministër.

“Ky koalicion, i ndërtuar me këto dy parti, ndoshta fillimin e mbarë duhet ta kishte me disa parime qeverisëse dhe jo mbi ndarjen se kush do të jetë Presidenti, Kryeministri, Kryetari i Kuvendit. Ka një uri të madhe të lidervë politikë se cilën karrige duan të marrim dhe jo si do qeveriset Kosova. Mendoj se ndarja më e përshtatshme duhet të ishte që Partia Demokratike të kryesojë Kuvendin e Kosovës, dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, të kryesojë ekzekutivin, pra qeverinë, edhe për një arsye, se Kosova ka nevojë për rinovim dhe do të ishte pak e tepërt që një mandat i tretë përsëri të kryesohej nga Partia Demokratike, ndonëse është parti e parë, ajo duhet të ketë më shumë ministri por jo kreun e qeverisë, ndoshta kreun e Kuvendit, sepse mendoj se Presidenti është shumë larg dhe se Presidenti do të jetë përsëri një zgjidhje e ndërkombëtarëve dhe jo e vullnetit të shqiptarëve”, tha më tej Kreshnik Spahiu.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu