Spastrim etnik në veri përmes blerjes së pronave të shqiptarëve

0
201

Veriu

Shitja e pronave të shqiptarëve në veri të Mitrovicës ka vazhduar me intensitet të shtuar dhe ka alarmuar qytetarët shqiptarë dhe autoritetet komunale të komunës jugore.

Në veri të Mitrovicës, janë shpeshtuar rastet e blerjës së pronave të shqiptarëve, jo nga individët, por në mënyrë të organizuar dhe me mjetët që ndan shteti i Serbisë. Pronat e shqiptarëve në veri të Mitrovicës po vazhdojnë të shiten për shuma marramendëse të mjeteve, të cilat i ndan shteti i Serbisë, ndërsa në Mitrovicë thonë se ato shiten me ndërmjetësim të matrapazëve dhe të avokatëve.

Për situatën, ka alarmuar edhe i pari i Mitrovicës së jugut, Agim Bahtiri, i cili ka kërkuar nga institucionet më të larta të vendit që të ndërmarrin masa të menjëherëshme që të ndërpritet shitja e pronave të shqiptarëve. “Serbia nuk po ndalet së pastruari etnikisht lagjet veriore të qytetit të Mitrovicës, tani jo me largim të dhunshëm të shqiptarëve nga atje, por duke ndarë mjete të mëdha për blerjen e pronave të tyre, duke krijuar fonde të posaçme për këtë. Kjo tendencë e shtetit të Serbisë duhet të ndërpritet menjëherë. Duke qenë se institucionet lokale nuk mund ta bëjnë këtë, kërkoj nga Qeveria e Kosovës, Kuvendi i Kosovës dhe institucionet tjera të nivelit qendror, që të angazhohen seriozisht për të ndërprerë këtë tendencë të shtetit të Serbisë”, ka thënë kryetari Bahtiri. Ai ka shtuar se nëse këto veprime qëllimkëqija të shtetit të Serbisë nuk mund të ndërpriten ndryshe, atëherë do të duhej që edhe Qeveria e Kosovës të sigurojë një fond të posaçëm, në mënyrë që të blihen këto prona (shtëpi) dhe në to të vendosen ato familje shqiptare që nga ekstremistët serbë me dhunë janë dëbuar gjatë dhe pas lufte nga lagjet veriore, numri i të cilave vërtetë është i madh, pasi që jetojnë në kushte të vështira në pjesën jugore të qytetit dhe gjetiu nëpër Kosovë.

Në anën tjetër, qytetarët e Mitrovicës së veriut ka kohë që kishin shprehur shqetësimin e tyre për shitjen e pronave të shqiptarëve, shumë nga vetë pronarët, të cilët nga shteti i Serbisë kanë pranuar të marrin shuma të mëdha të mjeteve. Sipas tyre, matrapazë dhe përfitues janë duke e shfrytëzuar gjendjen për përfitime të majme nga ndërmjetësimet e shitjes së pronave shqiptare.

Njëri prej përfaqësuesve të shqiptarëve të veriut, Adem Mripa, pati tërhequr vërejtjen shumë kohë më përpara, se disa grupe njerëzish që kanë kontakte me serbët dhe me strukturat e atjeshme janë duke përfituar para të majme nga ndërmjetësimet e shitjes së pronave shqiptare, apo edhe ndërrimit të pronave në veri me ato në jug. Ai kishte akuzuar, se braktisjes dhe shitjes së pronave shqiptare është duke i kontribuar edhe një numër avokatësh shqiptarë, të cilët janë në kontakt të vazhdueshëm me veriun e qytetit dhe me gjykatën, ku kryhen procedurat formale. Sipas tij, për një ndërmjetësim, ofrim kontakti ndërmjet blerësit dhe shitësit avokati përfiton prej 5 deri në 10 për qind të shumës së përgjithshme. “Jemi në dijeni edhe për emra konkretë të avokatëve që bëjnë kësi lloj marifetesh, por njëherë përnjëherë nuk do t’i publikojnë emrat e tyre”, pati thënë Mripa, duke shtuar se pronat shqiptare, edhe pse kontraktohen në emër të individëve, blihen nga Qeveria e Serbisë, e cila vazhdon t’i financojë strukturat paralele dhe ta blejë veriun e Mitrovicës.

Ndërkaq, vetë avokatët shqiptarë hedhin poshtë dyshmet e përfaqësuesve shqiptarë të lagjeve veriore, se ata janë përfshirë në shitblerjet e pronave të shqiptarëve. Ata thonë se gjithë puna bëhet me ndërmjetësimin e avokatëve serbë. Ata sqarojnë se në rrethanat e tanishme, kur pronarët nuk kanë qasje të lirë në pronat e tyre dhe nuk mund ta shfrytëzojnë pronën, atëherë nuk ka më vullnet të lirë, pasi që çmimi përcaktohet nga blerësi.

Në anën tjetër, ka qytetarë në veri, të cilët pronën e tij nuk do ta shisnin as për milidarda euro. Një prej tyre është Ali Kadriu nga “Kodra e Minatorëve”, të cilit qeveria e Serbisë, përmes ndërmjetësuesve i kishte ofruar mbi 1 milion euro për pronën e tij në atë pjesë, por ai kishte refuzuar. E në anën tjetër, Qeveria e Kosovës, e ka ndihmuar Kadriun me vetëm 10 mijë euro për ta rindërtuar shtëpinë e tij në këtë lagje. Shtëpia e tij, e ndërtuar në formë të kullave binjake, pati tmerruar serbët e pjesës veriore, të cilët ishin përpjekur që ta ndalojnë ndërtimin.

E derisa Serbia po vazhdon të ndajë shuma marramendëse të mjeteve për t’i blerë pronat e shqiptarëve në veri, Qeveria e Kosovës dhe as institucionet tjera kosovare, nuk janë në gjendje të ndajnë as aq mjete, sa për t’i riparuar shtëpitë e shqiptarëve, të djegura dhe të rrënuar gjatë luftës, por edhe pas lufte.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu