Specialja, në tetor aktakuzat e para

0
294

Gjykata Speciale

Aktakuzat e para për krimet e supozuara të UÇK-së nuk do të mundë të ngrihen para tetorit të vitit të ardhshëm. Kështu bëjnë të ditur burime ndërkombëtare të gazetës “Zëri”, sipas të cilëve, deri në atë kohë pritet të ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme nga ana e institucioneve ndërkombëtare dhe vendore.

Gazeta “Zëri” javë më parë ka raportuar se shumë dëshmitarë të mbrojtur, bashkë me familjarë të tyre, tashmë janë vendosur në vende të ndryshme të Bashkimit Evropian, të cilët pritet të dëshmojnë gjatë muajve në vijim kundër ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), pas funksionalizimit të Gjykatës Speciale. Burime të gazetës “Zëri” bëjnë të ditur se bëhet fjalë për dëshmitarë shumë të rëndësishëm, të cilët kryesisht kanë qenë ish-eprorë të UÇK-së dhe që kanë pranuar të dëshmojnë në proceset gjyqësore të Gjykatës Speciale kundër ish-bashkëluftëtarëve të tyre. Gjykata Speciale pritet të funksionalizohet gjatë vitit 2016 në Holandë, e cila do t’i trajtojë akuzat për krime lufte që burojnë nga raporti i senatorit zviceran, Dick Marty. Qeveria e Kosovës edhe më tutje vazhdon të mos e publikoj marrëveshjen me Holandën dhe madje nuk ka dhënë sqarime as nëse kjo marrëveshje do të shkoj në Kuvend për ratifikim. Gazeta “Zëri” ka kërkuar sqarime rreth kësaj çështje nga Qeveria, por pavarësisht insistimit disa ditore Qeveria nuk është përgjigjur. MST. Opozita pa qëndrim final ndaj funksionalizimit të Speciales Subjektet opozitare ende nuk kanë ndonjë qëndrim të prerë për çështjen e funksionalizimit të kësaj Gjykate. Zëdhënësi i Lëvizja Vetëvendosje, Frashër Krasniqi nuk ka dashur të flas aktualisht për këtë çështje, duke thënë se do të falsin kur kjo temë të jetë në agjendën e Kuvendit. “Në lidhje me këtë çështje do të flasim sapo kjo gjë të vijë në agjendën e Kuvendit”, është përgjigjur shkurt Krasniqi. Kurse zëdhënësi i dhe anëtari i Kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Muharrem Nitaj ka thënë se marrëveshja mes Kosovës dhe Holandës duhet të ratifikohet nga Kuvendi i Kosovës. “Kam përshtypjen se kjo marrëveshje e nënshkruar nga qeveritë respektive, duhet të ratifikohet në të dy parlamentet. Me sa di unë këtë nuk e ka bërë akoma as parlamenti i Holandës”, ka deklaruar Nitaj duke thënë se bllokimi i punës së Kuvendit nuk ndërlidhet me asnjë temë tjetër përveç me dy marrëveshjeve që janë kundërshtuar nga opozita. “Nëse çështja e këtyre marrëveshjeve do të jetë zgjidhur deri në ditën kur do të vijë në rend dite gjykata speciale dhe ligjet që duhet të miratohen në Kuvend, atëherë nuk do të ketë kurrfarë bllokade të Kuvendit. Vota mund të jetë pro, mund të jetë kundër,ose e përmbajtur, kjo varet nga përcaktimi i deputetëve, por s’ka lidhje me bllokimin e seancave”,ka shtuar Nitaj. Kurse sa i përket ngritjes së aktakuzave, anëtari i Kryesisë së AAK-së ka thënë se nuk e dinë nëse do të ndodhë në fillim të vitit të ardhshëm. MST. Korenica: Funksionalizimi i i Speciales pas disa muajsh Fisnik Korenica nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike ka thënë se funksionalizimi i i Gjykatës Speciale do të merr edhe disa muaj pasi sipas tij kanë mbet edhe një varg veprimesh që duhet të ndërmerren deri tek funksionalizimi i saj. “Me këto ngjarjet e reja që kanë ndodhur në raport me mbretërinë e Holandës, por edhe brenda vet BE-së, besoj se do të ketë shtyrje disa mujore derisa të filloj procesi i operacionalizimit të gjykatave. Sepse zgjedhja e gjyqtarëve, prokurorëve, përfundimi i procesit të financimit për gjykatat, por edhe themelimi i saj në kuptimin teknik, janë procese që marrin disa muaj kohë”, ka deklaruar Korenica Ai më tej ka thënë se marrëveshja e nënshkruar javë më parë ndërmjet Kosovës dhe Holandës patjetër duhet të ratifikohet ën Kuvend. Megjithatë ai është shprehur i bindur se numrat në Kuvend nuk do të paraqesin problem, pasi sipas tij partnerët e koalicionit qeverisës i kanë votat e mjaftueshme për të ratifikuar këtë marrëveshje. “Absolutisht që marrëveshja ndërkombëtare me Mbretërinë e Holandës duhet të kaloj nëpër një proces të ratifikimit. Sepse ajo rregullon çështje që hyjnë në kategorinë e çështjeve për të cilat Kushtetuta në mënyrë eksplicite kërkon ratifikim të marrëveshjes ndërkombëtare. Dhe besoj që Qeveria do të sjell për ratifikim sepse e ka plotësisht të qartë një procedurë të tillë”, ka theksuar Korenica. Edhe profesori universitar, Mazllum Baraliu ka thënë se marrëveshja ndërmjet Kosovës dhe Holandës duhet të ratifikohet ndërmjet në Kuvend. Ai gjithashtu ka thënë se funksionalizimi i Speciales dhe ngritja e aktakuzave të para mund të shkoj deri në fund të vitit të ardhshëm. “Mund të ketë shtyerje deri në vjeshtën e vitit të ardhshëm apo edhe më vonë… për shkaqe burokratike ose edhe politike, ose edhe njëra edhe tjetra. Kështu Bashkësia Evropiane po dalin joserioz sepse është dashtë që më 1 janar të vitit të ardhshëm të filloj aktivitete ajo Gjykatë”ka thënë ndër të tjera Baraliu.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu