Sqarim rreth deklaratës së AAK’së

0
347


Pjesë nga Raporti i Kryetarit të Tribunalit të Hagës, Patrick Robinson, të cilit iu ka referuar Express.

Sqarim i Gazetës Express rreth deklaratës së AAK’së ku thuhet se janë të pasakta “shkrimet e publikuara në media” për gjykimin e z. Ramush Haradinajt.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës – përmes një komunikate për media – ka reaguar ndaj “shkrimeve në media” rreth gjykimit të Ramush Haradinajt, që në fakt është botuar vetëm në Gazetën Express, e që është cituar gjatë ditës nga portale të ndryshme.

“Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) njofton opinionin se raportimet e disa mediave që pohojnë se rigjykimi i pjesshëm i z. Ramush Haradinaj do të mund të zgjasë për 13 muaj, janë të pasakta”, thuhet në reagimin e AAK’së.

“Informacioni që ne si AAK e posedojmë, i demanton ato raportime si një mbivlerësim qenësor në lidhje me periudhën dhe kohëzgjatjen e procesit. Ne besojmë që rigjykimi i pjesshëm duhet të përmbyllet në kuadrin e disa javëve, por ekziston mundësia që do të nevojiten disa muaj, deri në shpalljen e verdiktit final”, vazhdon reagimi i kësaj partie.

Por, pohimet e AAK’së demantohen nga Raporti i Kryetarit të Tribunalit të Hagës, Patrick Robinson, për të cilin është debatuar të hënën në një seancë të hapur të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Gazeta Express, duke cituar pjesë të këtij raporti, shkruan se Prokuroria e Hagës synon t’i thërras 57 dëshmitarë në gjykimin ndaj Ramush Haradinajt, derisa parashikon që gjykimi mund të zgjasë rreth 13 muaj.

Gazeta ka kontaktuar dje me zyrtarë të AAK’së, por ata nuk kanë dashur ta japin qëndrimin e tyre rreth këtij raporti.

Më poshtë po japin linkun ku mund të gjendet raporti i plotë i publikuar në faqen e internetit të OKB’së dhe të Tribunalit të Hagës.

http://www.icty.org/x/file/About/Reports%20and%20Publications/CompletionStrategy/completion_strategy_18may2011_en.pdf

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu