Stërvitja “Biza”, skandali i shpartallimit të ushtrisë

0
449
ALBERT KOTINI

Janë me dhjetëra stërvitje të mëdha që në opinion u propaganduan suksese e fitore, ndërsa e vërteta bluhej brenda zyrave të KQ të PPSH për dështimet radhazi të tyre. Pikërisht, për ta argumentuar këtë fakt, më duhet që nga arkivi personal i Mehmet Shehut (AQU. Fond i Zbulimit. Tepër sekret. Kutia 1. Dhoma 13) të shkëpus vetëm materialin për stërvitjen “Biza”.Në këtë arkë metalike, për kohën e destinuar si tepër sekret të rëndësisë së veçantë, M. Shehu , me shënime personale deri më 1981, kishte merak të vetëm e të veçantë për Kosovën (Janë në blloqet e tij, fortifikimin, zbulimin dhe MPB. Mendoj se në kohën e duhur do të publikohen, ngaqë ngarkesa e spekulimeve, në veçanti nga ata që kanë qenë “afër” Mehmetit, janë shkruar pa përgjegjësi dhe mjaft subjektive. M. Shehu, si rrezik kryesor e të vetëm për Shqipërinë shihte drejtimin jugosllav dhe për këtë u përkushtua më shumë… Në asnjë vend nuk gjen ide të tij për ta “çliruar” Kosovën, por që në rast sulmi e tërë Kosova, sipas tij, “do të bëhej barrikadë e pakalueshme” etj. Pa dalë nga çështja në fjalë, le ta mbartim dështimin e stërvitjes “Biza”, që në sytë e opinionit u mbulua me fletë dafine… Shoku Mehmet Sipas porosisë që i kishit dhënë Stelës, po ju dërgoj një fotokopje të konkluzioneve të mbledhjes së Këshillit të Mbrojtjes të datës 23 mars 1979, si dhe një fotokopje të diskutimit që bëtë ju në këtë mbledhje.

Shoku Mehmet Shehu: Këshilli i Mbrojtjes dhe Komiteti Qendror i partisë janë shqetësuar me të drejtë për ngjarjen e hidhur që na ndodhi, dështimin e plotë të stërvitjes së fundit të Brigadës së Parë të këmbësorisë. Tashti ka shumë rëndësi çështja që ne ta kuptojmë pse ndodhi ky dështim dhe të marrim masa që një ngjarje kaq e rëndë si kjo të mos përsëritet më. Kjo na ndodhi në kohë paqeje, se, po të na ndodhë në kohë lufte, mund të na shkaktojë një situatë katastrofike për mbrojtjen tonë. Shoku Enver Hoxha: Zogu hyri me forcë nga qafa e Tujanit, kurse kjo brigadë iku nga Tirana dhe doli në Qafën e Priskës. Shoku Mehmet Shehu: Duke e përfytyruar këtë stërvitje të kohës së paqes në kohë lufte, po të ndodhte që ushtarët e fundit të Brigadë së Parë, duke braktisur frontin në kaptinën e Martaneshit, atëherë, sapo të kishin mbërritur ata në Tiranë, armiku, po në të njëjtën kohë do të kishte kapur Qafën e Priskës dhe Tirana do të vihej në rrezik nga shpina…Në radhë të parë e mbi të gjitha,përgjegjësinë e kemi ne gjashtë kuadrot kryesore: katër zëvendësministrat, unë vetë që drejtoj Ministrinë e Mbrojtjes, si dhe shoku Gafur. Nuk është këtu çështja që “të na vrasë ndërgjegjja” për këtë që ndodhi, pse edhe për një gabim të vogël, kur bëjmë, neve duhet tëna vrasë ndërgjegjja Personalisht, si ministër dhe anëtar i Byrosë Politike që drejtoj Ministrinë e Mbrojtjes, unë kam bërë tre gabime në këtë çështje. Pavarësisht se kanë gabim të rëndë edhe shokët që përmenda, ndaj të cilëve nuk kam ndër mend të heq asnjë fije përgjegjësie e do të flas konkretisht edhe për ta, unë nuk duhej t’i lejoja vetes që këtë stërvitje t’ua lija vartësve në mirëbesim, t’ia lija, me një fjalë, spontanitetit dhe të drejtonin vetëm zëvendësministrat, sipas direktivave që u kisha dhënë disa muaj më parë, jo si stërvitje të Brigadës së Parë, po të cilësdo njësi që të ishte, sepse ishte e para stërvitje e këtij lloji që do të zhvillohej në kushte shumë të vështira.

Ky ishte gabimi i parë nga ana ime. Unë nuk veprova siç bëra më pas me Brigadën e Lushnjës, që thirra në ministri komandën e Grupimit të kësaj Brigade dhe tok me shokët i dëgjuam si ishin përgatitur, gjykuam për ato që duheshin bërë dhe u bëmë korrigjimet përkatëse masave që nuk ishin të plota. Po të ishte vepruar kështu, ato që ndodhën në Brigadën e Parë mund të ishin evituar. Veç kësaj, unë gabova përsëri në lidhje me qëndrimin që mbajta kundrejt efektivit të Brigadës së Parë në mbarim të stërvitjes. Kur shkova e mora kontakt me efektivin, kam folur rëndë, më rëndë nga ç’duhej. Ky qe një gabim tjetër nga ana ime. Edhe këtë gabim e ndiej dhe do ta korrigjoj duke bërë autokritikë përpara efektivit kur ky ta përfundojë stërvitjen. Unë s’duhej të flisja përpara kësaj brigade me gjuhën që fola, aq më tepër nuk duhej të flisja si ish-komandant i Brigadës së Parë Sulmuese të Luftës Nacionalçlirimtare, se kështu fola, për t’i dhënë efektivit të kuptonte se duhet të ecë në shembullin e kësaj brigade, mirëpo kjo që bëra unë ushqen kultin e Brigadës së Parë.

Dhe ky ishte gabimi i tretë nga ana ime. Nuk dua të shfajësoj veten, por dëshiroj të them se dështimin e stërvitjes “Biza” e mora vesh rastësisht, kur po kaloja një ditë nga Priska dhe mora kontakt me elementë të shpartalluar të stërvitjes. Të nesërmen, kur e pyeta Veliun si shkoi kjo, ai më tregoi se Brigada qe shpartalluar dhe punët nuk kishin shkuar mirë gjatë tetë ditëve. Atëherë urdhërova menjëherë Velinë që të mblidheshim ne, të 5 shokët, për këtë problem.

Shoku Enver Hoxha: 8 ditë me radhë vazhdoi e shthurur stërvitja dhe këta nuk të informuan asgjë?

Shoku Mehmet Shehu: Hiç fare, shoku Enver, të tërë zëvendësministrat, përveç Llambit që vazhdonte mësimet në Akademi e nuk vepronte si zëvendësministër. Thirra në zyrën time, veç kuadrove kryesore të ministrisë edhe komandantin e sekretarin e Komitetit të Partisë të Grupimit, se komisari ishte në shkollë, komandantin dhe sekretarin e Komitetit të Partisë të Grupimitsi dhe shokun Simon Stefani dhe sekretarin e Komitetit Qendror, detar Avdinë. I pyeta ç’kish ndodhur dhe ata filluan të më informojnë, por të tërë i kishte vrarë ndërgjegjja dhe e kishin humbur toruan. Komandanti i Brigadës qante, sekretari i Komitetit të Partisë të Brigadës ankohej se nuk i kishin dhënë oficerët rezervistë që duhej t’i jepnin, Bejto Isufi propozonte që të largoheshin nga Brigada punëtorët dhe në vend të tyre të kompletohej me fshatarë.
Veliu, i mbështetur nga Detari, propozonte të bëhej përsëri stërvitja. Pasi i dëgjova pa i ndërprerë, më në fund u fola rëndë. Kjo atyre mund t’u ketë bërë përshtypje, por u detyrova të mbaja këtë qëndrim, se e pashë veten “të vetmuar”, në kuptimin që nuk qëndroi të paktën njëri prej tyre në pozita të drejta, prandaj i kritikova, u thashë: “të tërë ju që nuk e keni bërë detyrën dhe jeni kthyer në qaramanë!” Problemi i dështimit të stërvitjes së Brigadës së Parë, u thashë, nuk zgjidhet duke qarë, partia s’na mëson kështu, prandaj “shkoni mblidhni brigadën, se do të vij të flas vetë me efektivin e saj dhe ta rregullojmë situatën”. Ndoshta s’duhej t’u kisha folur aq rëndë shokëve, por u detyrova, se pashë që e kishin humbur fare toruan dhe nuk po më jepnin asnjë sugjerim se sit a ndreqnim gjendjen. Për gjithë këtë situatë që u krijua, në radhë të parë, kam unë përgjegjësi që nuk kam punuar sa duhet dhe si duhet që kjo të mos krijohej, por kanë gjithashtu përgjegjësi edhe shokët zëvendësministra. Ajo që më rëndon më shumë mua është që, si anëtar i Byrosë Politike, në funksionin që më është caktuar si ministër i mbrojtjes, nuk kam luftuar si duhet për të zhdukur nga rrënjët te kuadrot e ushtrisë mbeturinat e koncepteve të huaja të trashëguara nga puçistët dhe pasojat e tyre. Duket qartë që përpjekjet e mia në këtë drejtim nuk kanë qenë në shkallën e duhur, sidomos prej një viti e gjysmë e këtej, për arsye se në dy vjetët e para kam punuar më me intensitet me shokët zëvendësministra dhe me kuadrot kryesore të aparateve të Ministrisë së Mbrojtjes dhe mendoj se gjatë asaj kohe kam dhënë një kontribut diçka më të madh. Më vonë, duke e vlerësuar, në përgjithësi drejt punën e shokëve zëvendësministra, të cilët në fakt kanë pasur një ngritje, dhe për këtë ju kam raportuar edhe juve, shoku Enver, se ata nuk ishin më si në stadin fillimtar nga pikëpamja e ngritjes profesionale, gjithashtu edhe se në pikëpamje partishmërie kishin bërë hapa përpara, e mbivlerësova ngritjen e tyre dhe, si rrjedhim, ndihmën që duhej të vazhdoja t’i jepja më pas, nuk ua kam thënë në masën që duhej.

Shoku Hysni Kapo: Po ti ua ke sinjalizuar kushedi sa herë në vit këto çështje.

Shoku Mehmet Shehu: Jo, nuk është çështja se s’ua kam thënë këto, bilé edhe me shkrim ua kam përmendur, edhe në raporte në njërin apo në tjetrin rast. Çështjen e kam kryesisht në drejtim të koncepteve, për të cilat do të flas, siç folën shoku Hysni dhe shoku kadri, siç bën fjalë edhe raporti. Luftën kundër koncepteve të huaja unë duhet ta kisha zhvilluar akoma më me forcë, sikurse kam vepruar, për shembull, në drejtim të fortifikimit. Problemine fortifikimit, me aq sa mundem, mendoj se e kam në dorë, ndërsa në disa drejtime të tjera nuk kam vepruar si më parë, siç veprova në vitet 1974, 1975, 1976. kjo më vë detyrën që t’i qepem përsëri punës me të njëjtin intensitet siç iu qepa që në fillim, kur u ngarkova ta marr në dorë drejtimin e punëve të Ministrisë së Mbrojtjes, pse këto janë rrënjësor për mbarëvajtjen e ushtrisë. Unë jam plotësisht dakord me raportin, si edhe me diskutimet që bënë shoku Kadri dhe shoku Hysni dhe mendoj se shkaqet e dështimit të stërvitjes të Brigadës së Parë kanë karakter subjektiv organizativ, kanë të bëjnë me drejtimin, ato kanë ardhur nga moszbatimi i rregullave e rregulloreve, megjithëse nuk mund të përjashtohet në këtë rast edhe puna armiqësore. Siç e thashë, me gjithë kthesën e bërë në ushtri, siç u vu në dukje edhe në plenumin V të Komitetit Qendror (e kam fjalën në drejtim të koncepteve) atje ka akoma gjurmë të së kaluarës. Ç’janë këto koncepte? Konceptet liberale. Liberalizmi në zbatimin e detyrave, që ka lulëzuar në atë kohë, ka lënë rrënjë akoma edhe sot në të gjitha kuadrot drejtuese të ushtrisë aktive dhe kjoreflektohet pastaj edhe në kuadrot poshtë. E dyta, koncepti i ushtrisë së kazermës.
Edhe ky koncept nuk është çrrënjosur akoma. Jo se kuadrot e ushtrisë nuk e dënojnë këtë koncept. Me fjalë këtë e dënojnë të tërë, por në realitet ky ekziston akoma te kuadrot e ushtrisë aktive dhe herë në mënyrë të kamufluar, herë në mënyrë të pandërgjegjshme, vërehet se ata rendin më tepër pas përgatitjes së ushtarëve aktivë, kurse përgatitjen e rezervistëvee nënvleftësojnë.
Rrjedhim i këtij koncepti të huaj është edhe moskapja si duhet pas Shkollës së Lirë Ushtarake, që është një institucion i krijuar për herë të parë te ne. Shkolla e Lirë është institucion bazë i arsimit ushtarak në vendin tonë. Edhe qëndrimi nënvleftësues që mbahet ndaj Forcave Vullnetare është, gjithashtu, rrjedhim i këtij koncepti në praktikë. Dhe ç’ndodh? Asnjëherë nuk na ka ardhur me iniciativë të kuadrove kryesore të ushtrisë propozimi që në kolegjumin e Ministrisë së Mbrojtjes të merret në shqyrtim problem ii Forcave Vullnetare. Duhet të mendoj unë që t’u them atyre për këtë çështje, të cilën tashti kemi vendosur ta marrim në analizë. Që venë poshtë shokët zëvendësministra e drejtorë të Ministrisë së Mbrojtjes, kjo është e vërtetë. Ata shkojnë shpesh në bazë dhe bëjnë punë, bile mund të them punë të frytshme, por, ama, nuk ka shkuar ndonjëri në ndonjë Shkollë të Lirë dhe, kur të kthehet, të na raportojë se “isha në filan Shkollë të Lirë Ushtarake, qëndrova dy ditë, pashë se si veprohet, konstatova atje këto të meta e boshllëqe dhemora këto ose ato masa për përmirësimin e gjendjes”. Këtë nuk e them kot, por të bazuar në fakte. Kam pyetur si Veliun, edhe Maliqin: Keni qenë ju në shkollat e lira ushtarake? Jo, s’kemi qenë, janë përgjigjur ata. Epo këta duhet të venë me domosdo, se po nuk shkuam ne, nuk do të interesohen për këtë institucion as kuadrot poshtë. Këto janë sëmundje të vjetra, shokë, që na e kanë fermentuar dhe, si pa kuptuar, na kanë përgatitur këtë situatë që na solli deri në ngjarjet që u vërtetuan në stërvitjen e Brigadës së Parë. Nuk mund të konceptohet ndryshe ai qëndrim nënvleftësues ndaj Forcave Vullnetare përveçse me këto koncepte, pse, të nisesh për stërvitje, të kalosh rrethin e Tiranës në atë të Burrelit, pastaj në rrethin e Peshkopisë dhe të Librazhdit, domethënë në katër rrethe, dhe të mos marrësh kontakt me këto forca, kjo nuk ka si shpjegohet ndryshe. Në çdo rregullore ushtarake edhe në Artin tonë ushtarak popullor janë shkruar këto gjëra e, megjithatë, kur njësia u hodh “në sulm”, asnjë Forcë Vullnetare nuk pati përkrah saj që të zinte pozicionet e Brigadës etj. Ky qëndrim, pra, shpjegohet vetëm me ekzistencën e këtyre koncepteve. Kështu qëndron çështja, shoku Veli, dhe jo si të thuash se “e kam unë 80 për qind të përgjegjësisë”. Nuk kemi 80 për qind të përgjegjësisë unë e ti, por qind për qind. Mbani parasysh shokë të Ministrisë së Mbrojtjes, se këto që zura në gojë tashti, nuk janë thënë për herë të parë, Partia këto na i ka theksuar shumë kohë përpara dhe me dhjetëra herë, por nuk janë zbatuar si duhet nga ne. Prandaj duhet të punojmë seriozisht që t’i zbatojmë si duhet. VIJON

Dëshmia e Veli Llakajt: Biza, ngjarje e rëndë për ushtrinë

Sipas Veli Llakajt, ish-shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë “Biza” ishte një ngjarje e rëndë dhe e rrallë për ushtrinë. Dëshira për të qenë sa më shpejt në Tiranë për të parë ekipin e futbollit “Dinamo” dhe të njohurin Haxhi Ballgjini, bënë që në dimrin e ashpër dhjetëra rezervistë të inkuadruar në Brigadën e Parë (pasuese e njësisë të njohur në luftë), shumica punonjës të televizionit shtetëror, të braktisin pa realizuar detyrën luftarake. Nga ky shpartallim që ndodh 100 km larg Tiranës, shënohet edhe një viktimë. Por përballë një situate të tillë, ndër më të rrallat në njësitë e ushtrisë në atë kohë, vdekja e një rezervisti sikur mbetet në “hije”, përballë këmbënguljes së Enverit e Mehmetit për të nxjerrë shkaqet dhe ndëshkuar fajtorët. Të parët ndëshkohen disa rezervistë, punonjës të televizionit, ku për dy propozohet heqja e titullit të oficerit rezervist e për disa të tjerëve i rekomandohet institucionit që t’i heqë nga puna. Ndërsa titullarët e Grupimit të Tiranës (komandant, komisar, sekretar partie) dhe ata të brigadës, shkarkohen nga detyra. Pa ndëshkim nuk mbeten edhe Veli Llakaj e Maliq Sadushi, dy zëvendësministrat, që paralajmërohen për shkarkime nga detyra. Në analizën e shpartallimit të Brigadës së Parë gjatë marshimit, bërë në Këshillin e Mbrojtjes, dalin në pah edhe përplasjet apo kritika e Enverit ndaj Mehmetit, gjë që në praktikën e kohës nuk kishte ndodhur të shfaqeshin në publik.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu