Stipçeviq në 83 vjetorin e tij do të shpallet “Doctor Honoris Causa” nga USHT

0
93

b_951603267Me rastin e 83 vjetorit të lindjes së ilirologut, balkanologut, eruditit me përmasa botërore

Akademik Aleksandër Stipçeviqit me respekt, në vend të urimit, me rastin e 83 vjetorit të lindjes së tij dhe hapërimit në vitin e tij të 84, të jetës, të gjithë ne ndiejmë  obligim moral dhe intelektual për ti paraqitur respektin këtij shkencëtari, me origjinë arbëreshe, këtij ilirologu, arkeologu, balkanologu, albanologu, eruditi,  hulumtuesi  e studjuesi të pashembullt dhe të përkushtuar gjatë periudhës mbi gjysëm-shekullore.

Akademik Aleksandër Stipçeviqi ka dhënë kontribut të madh  në zhvillimin e disa disiplinave shkencore jo vetëm  në Kroaci, Kosovë e Shqipëri, por edhe më gjërë, duke qënë personalitet me një diapazon të gjërë, me karakter të shkencëtarit të madh dhe të pakompromis.

Për këto karakteristika të tija, ai vazhdimisht ka qënë në shënjestër të strukturave e shërbimeve sekrete të MPB-së, UDB-së famkeqe, që nënkupton shërbimeve të sigurimit, vëzhgimit dhe survijimit, por ai, me formatin e tij të madh prej shkencëtari, me urtësinë që ia kanë zili shumë individ e popuj të tjerë, nuk u nënshtrua dhe nuk u përul trysnive e shantazheve të ushtruara ndaj tij. Këtë nuk e bëri as në vitin 1987, kur publikisht dhe haptas u akuzua për teorinë që ai përfaqson për ilirët dhe etnogjenezën e shqiptarëve, duke e quajtur  si bashk-ideolog të “kundërrevolucionit” në Kosovë, bashkë me Ali Hadrin. Ai edhe atëhere qëndroi, por edhe sot qëndron stoik, krenar, dhe me plot dinjitet e mbron ate që ka mbrojtur gjatë mbi gjysëm shekulli të punës së tij shkencore, kërkimore e studimore për ilirët dhe shqiptarët.

Të paktë janë të tillë.

Akademik Aleksandër Stipçeviqi, ka pasë ndjenjën për të pahulumtuarën në fushën e arkeologjisë, ilirologjisë, historisë, etj dhe këtë e ka bërë me përkushtim.

Akademik prof. Dr. Aleksandër Stipçeviqi, në të vërtetë, në saje të eksperiencës së tij dhe famës kombëtare dhe ndërkombëtare, që me punimet e veta në fushën e arkeologjisë, albanologjisë, ilirologjisë dhe bibliografisë, ka arritur të klasifikohet në rangun më të lartë kombëtar e ndërkombëtar, posikur edhe në fushën e historisë së librit dhe bibliotekës  dhe sociologjinë e librit.

 

Është emri  më i njohur në fushën e ilirologjisë që e ka bërë të njohur anekënd botës ndër studjuesit dhe bibliografët jo vetëm të rajonit tone. Emri i Aleksandër Stipçeviqit, është shumë i madhë, jo vetëm në botën shqiptare dhe jo vetëm në qarqet akademike të Ballkanit e mesdheut, por edhe më gjërë.

Veprat e tij të botuara edhe në kroatisht, janë përkthyer në shumë gjuhë të botës, duke filluar nga italishtja, anglishtja e deri tek gjuhët arabe dhe farsi (persishten e vjetër dhe iranishten e sotme).

 

Vepra e Aleksandër Stipçeviqit, “Ilirët”,  është shkruar në mënyrë të përkryer për ilirët dhe ate fillimisht në gjuhën kroate, që është përkthyer edhe në gjuhën shqipe, e botuar në Kosovë, dhe e ribotuar në Shqipëri, me disa intervenime kryesisht gjuhësore, me ndihmën e Akademik Muzafer Korkutit, një nga arkeologët më të shquar që ka Shqipëria dhe ndër më të njohurit  në botën e shkencës së arkeologjisë.

 

Vetë Akademiku Aleksandër Stipçeviqi thotë: “Historia e shoqërisë njerëzore  fillon me librin. Libri është forma më universale e komunikimit, informimit dhe edukimit të një shoqërie në të gjitha epokat”.

 

Ai, për fat të mirë tonin, në të gjitha konferencat ku ka marë pjesë, në të gjitha publikimet, prononcimet publike në të gjitha rrethanat politike e ka filluar me fjalët:”Unë jam shqiptar, arbëresh, nga Shqipëria, nga arbëreshët e Zarës. Këto fjalë ia shtojnë vlerat figurës së madhe të Akademik Aleksandër Stipçeviqit, krahas vlerave që ka dhënë ai në fushën e arkeologjisë, e sidomos për periudhën e ilirëve.

 

Stipçeviqi është pa dyshim ilirologu më i madhë që ka bota shqiptare , rajoni dhe bota, me studimet që ai ka bërë për ilirët. Këtë e dëshmon fakti se libri “Ilirët” është botuar e ribotuar nëntë herë në italisht, shqip, kroatisht e gjuhë të tjera”.

Për punën e tij në fushën e arkeologjisë, ilirologjisë, balkanologjisë e shumë fusha të tjera shkencore, Akademik Aleksandër Stipçeviqi është nderuar pos tjerash edhe nga presidenti i Shqipërisë, me Urdhërin “Naim Frashëri i Artë”, që para më shumë se pesë vjetëve.

 

Që si student ai e ka bërë të qartë pozicionin dhe përcaktimin e tij me fjalët: ”Me ilirët kam vendosë të merrem që si student i arkeologjisë nga fakti se nuk mund të studjohet e kaluara e Ballkanit, pa e njohur elementin ilir. Çdo gjë në Ballkan fillon me ilirët”.

Në veprimtarinë e Aleksandër Stipçeviqit janë dy binarë kryesor, e ato janë: arkeologjia dhe bibliografia, që është shumë vështirë të ndashë se ku mbaron njëra e ku fillon tjetra, sepse janë të ndërlidhura mes veti.

 

Aleksandër Stipçeviqi është një autoritet i shkencës që ia ka dhënë një jetë të tërë dhe një dimension të veçantë ilirologjisë. Ilirologjia është politizuar tej mase më 1981, e sidomos vazhdimësia iliro-shqiptare, kur u zhvilluan edhe debate të mëdha që arritën deri në komitetet qëndrore të ish sistemit dhe jorastësisht duke imponuar se shqiptarët nuk kanë preajrdhje nga ilirët.

 

Shqiptarët e sotëm, falë edhe Akademik Stipçeviqit, ndihen të sigurtë si pasardhës të vetëm të ilirëve. Ai thot: “Ilirët nuk janë zhdukur prej Ballkanit as në kohën e dyndjeve të mëdha të sllavëve, e as pas vendosjes së tyre në këto vise”. Këto formula duhet ti dije çdo pasardhës i ilirëve, çdo shqiptar.

 

Në shënimet e tija biografike, vetë Akademik Aleksandër Stipçeviqi, mes tjerash shprehet:” Kam lindur në Arbënesh, që asokohe ishte afër Zarës, ndërsa që nga 1954 është pjesë e Zarës. Më vonë, do të dëshmohet, se vendlindja ime do të luaj një rol të rëndësishëm në jetën time, në rend të parë për shkak se kam mësuar pa vështërsi dhe pa pagesë një gjuhë, që më vonë gjatë shkollimit tim në arkeologji, isha i vetmi student në këtë degë, që kam mundur të shfrytëzoj literaturën shkencore për Ilirët, të shkruar në gjuhën shqipe. Gjatë tërë jetës time, kam mbajtur dhe mbaj një amulet (hajmali-talisman), që më ka shërbyer si amulet i vërtetë, sipas besimit iliro-shqiptar.

 

Për AkademikAleksandër Stipçeviqin, prof. Dr.  Zef Mirdita do të shprehej: “I magjepsur me ilirologjine dhe albanologjinë”.

 

Shandri, (Aleksandër Stipçeviqi), ky shkencëtar më famë botërore, për  arbëreshët e Zarës, shokët,  miqët dhe të gjithë ata që e njohin, mbetet Shandri, i përafërt, modest, komunikativ, i përkushtuar për respekt,  ndërkaq,  për qarqet kuazishkencore, që përpiqen të hedhin teza të paqëndrueshme dhe të rreme mbi origjinën e shqiptarëve, siç ndodhi viteve  të fundit me të ashtuquajturin pamflet të ASHAM, “Enciklopedinë maqedonase”,   është po ai Aleksandër Stipçeviqi, i ashpër,  i rreptë, dhe i prerë, që shprehet në gjuhën amtare arbëreshe: “Falë Zotynit, unë jom gjollë (falë të Madhit Zot, unë jam akoma gjallë)”, me mesazh të qartë, që derisa Akademik Aleksandër Stipçeviqi të jetë gjallë, mos pretendoni të ndryshoni historinë e shqiptarëve.

 

Për të gjithë atë kontribut në shumë disiplina shkencore, në veçanti të ilirologjisë, balkanologjisë, albanologjisë, publicistikës, ju jemi mirënjohës që nderuat veten, arbëreshët, shqiptarët kudo qofshin, keni nderuar shkencën, keni nderuar ilirët e shumçka tjetër.

 

Në hapërimin tuaj në vitin e 84 të jetës tuaj, ju  dëshirojmë të gëzoni shëndet të plotë, jetë të gjatë dhe rezultate të mëtejmë në fushat që keni grumbulluar materialin dhe jeni duke punuar për të dalë në dritë. Ke qënë dhe je udhërrëfyes dhe ylli ndriçues i shumë brezave të studjuesve në fushën e arkeologjisë, ilirologjisë etj.

 

Për të gjitha këto që u tha më lartë dhe për veprat e tija konkrete, Universiteti Shtetëror në Tetovë, duke vepruar në bazë të Statutit të Universitetit, në shenjë mirënjohjeje dhe faleminderimi për punën dhe krijimtarinë e tij shkencore, do të propozojë Organeve të Universitetit që Akademik Aleksandër Stipçeviqi të nderohet me titullin  e nderit, “Doctor Honoris Causa”!

 

Në  arsyetimin e këtij propozimi, të nënshkruar nga Rektori i Universitetit Shtetëror të Tetovës, prof. Dr. Vullnet Ahmeti, -që më 5 tetor iu dorëzua personalisht Akademik Aleksandër Stipçeviqit, mes tjerash shkruan: “Në bazë të arritjeve Tuaja kolosale në fushën mësimoro-shkencore me një shtrirje më të theksuar në fushën e albanologjisë dhe dhe historisë së albanologjisë, jo vetëm në nivel lokal, por edhe në nivel ndërkombëtar, kemi nderin dhe kënaqësinë që me propozim të Kolegjiumit të Rektoratit dhe të Këshillit të Rektoratit si organ më i lartë i Universitetit Shtetëror të Tetovës, se Universiteti ynë ju ka propozuar për titullin e nderit “Doctor Honoris Causa”.

 

Biografia  e Akademik prof.Dr. Aleksandar Stipçeviqit

 

Akademik, prof. Dr. Aleksandër Stipçeviqi, arkeolog, bibliolog, bibliograf, albanolog, ilirolog, balkanolog, bibliotekist dhe eseist arbëresh, ka lindur në Arbëresh (Arbanasi), afër Zarës, më  10. tetortë vitit 1930. Në Zarë ka mbaruar shkollimin fillor dhe gjimnazin, ndërsa studimet i ka vazhduar në Fakultetin filozofik të Universitetit të Zagrebit, ku është diplomuar më 1954, në degën e arkeologjisë.

Pasi përfundoi studimet pasuniversitare në Fakultetin filozofik në Zarë, mbrojti me sukses disertacionin e doktoraturës me temën “Simbolizmi religjioz tek ilirët” Për një kohë të shkurtër punoi në Muzeun arkeologjik në Zarë dhe në Institutin e shkencave të historisë në Zarë, ndërsa në vitin 1957,kaloi në Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare në Zagreb, në detyrën e kryeshefit të degës së librit të botuar. Më 1974, mer drejtimin e Bibliotekës së ASHAJ (sot ASHAK), ndërsa kah fund ii 1983, kalon në Entin e athershëm leksikografik “Mirosllav Krlezha”, duke ushtruar detyrën e kryeredaktorit të Leksikonit biografik kroat.

Në dhjetor të vitit 1987, pas daljes nga botimi të librit të dytë, kalon në Fakultetin Filozofik, të Universitetit të Zagrebit-Dega e shkencave informatike: katedra e bibliotekarisë, ku ligjëron këto lëndë: “Historia e librit dhe bibliotekave”, “Bibliografinë” dhe “Sociologjia e librit dhe bibliotekave”. Në muajin shkurt të vitit 1978, merr titullin e këshilltarit të bibliotekarisë dhe po atë vit, ASHAJ e zyrtarizon titullin e këshilltarit shkencor  të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Jugosllavisë nga fusha e shkencave të historisë.

Në vitin 1990, është zgjedhur me titullin e këshilltarit shkencor në fushën e shkencave informative. Nga viti 1970-1973, në cilësinë e ligjëruesit të lartë, si bashkëpunëtor i jashtëm, ka ligjëruar “Hyrje në arkeologji”  në Fakultetin filozofik në Prishtinë.  Kah fund ii vitit 1971 është zgjedhur ligjërues për lëndën “Hyrje në histirinë e librit dhe të bibliotekave” në studimet pasuniversitare (postdiplomike) për bibliotekari, dokumentacion dhe shkencat informative të Universitetit të Zagrebit. Më 1978, është zgjedhur profesor inordinar honorarist në katedrën e sapoformuar  për bibliotekari të Fakultetit filozofik të Universitetit të Zagrebit, ndërsa më 1987, është zgjedhur për professor të rregullt po në këtë fakultet. Është oensionuar në vitin 1997.

Nga viti 1987-1996, ka qënë shef i Katedrës së bibliotekarisë, në Degën e shkencave informative, ndërsa nga 1992-1995, kryeshef i Degës së shkencave informative në Fakultetin filozofik në Zagreb. Në organizatat e bibliotekarisë ka ushtruar shumë detyra: nga 1967 deri më 1973, ka qënë kryetar i Shoqatës së bibliotekistëve të Kroacisë, ndërsa nga 1967-1969, kryetar i Shoqatës së bibliotekistëve të Jugosllavisë.

Nga viti 1992-1997, ka ushtruar detyrën e kryetarit të Këshillit për bibliotekat në Republikën e Kroacisë. Në periudhën nga 1993-1996 ka qënë anëtar i Këshillit për të Drejtat e Njeriut dhe të Drejtave të Bashkësive dhe Pakicave Etnike, të Dhomës së deputetëve të Parlamentit të Republikës së Kroacisë.

Nga 1973 deri më 1999, ka qënë anëtar i Këshillit botues të edicionit

”Annual Bibliography of the History of the Printed Books and Libraries”, që botohej në  Den Haag. Më 1968. inicon veprimtarinë botuese të Shoqatës së bibliotekistëve të Kroacisë. Ka qënë  kryeredaktor të botimeve shoqërore të Shoqatës së bibliotekistëve të Kroacisë deri më 1984. Redaktor professional i botimeve të Entit Leksikografik “Mirosllav Krlezha” (botimi i dytë i Enciklopedisë së Jugosllavisë, Leksikoni biografik kroat, Enciklopedia e Kroacisë).

Nga viti 1983 është anëtar (jashtë përbërjes  punuese)  të Akademisë së Shkencave dhe arteve të Kosovës, ndërsa nga viti 2001, anëtar nga jashtë shteti i  (Socio straniero) Accademia Marchigiana di Scienze, Lettere ed Arti në  Ancona të Italisë. Është anëtar i PEN Qendrës së Kroacisë nga viti 1985, si dhe të Shoqatës së Arkeologëve të Kroacisë nga viti 1962.

Për punën e tij është nderuar me shumë mirënjohje: më 1983 ka marë çmimin e “Kukuleviqit”  për punën e tij në profesionin e bibliotekarisë, ndërsa më 1998 është nderuar me “Rendin e Yllit të Kroacisë, me figurën e Marko Maruliqit”. Çmimin e qytetit të Zagrebit e ka marë më vitin 2004. Po të njëjtin vit edhe Çmimin e qytetit të Zarës, për vepër jetësore. Dekoratën e artë, “Naim Frashëri”, të cilën ia dorëzoi president i Republikës së Shqipërisë, Rexhep Mejdani, “për kontribut në zbardjen e historisë së ilirëve” e ka marë më vitin 2001.

Ka marë pjesë në shumë tubime shkencore në vend dhe nëpër botë. Ka qënë në udhëtime studimore dhe stipendi në Itali, Gjermani, Angli, Korejë, Jordani, Turqi, Danimarkë, Shqipëri dhe në shumë vende tjera.

Merret me artin dhe religjionin e ilirëve antic, bibliografi, historinë kombëtare-nacionale dhe ate të përgjithshme të librit si dhe me çështje të censurës dhe në përgjithësi fatin në shoqëri. Ka shkruar sintezën e parë mbi artin e ilirëve dhe sintzën mbi ilirët e cila deri më tani ka përjetuar nëntë botime në katër gjuhë (kroatisht, anglisht, shqip dhe italisht). Ka shkruar shumë libra dhe punime mbi arbëreshët e Zarës. Ka botuar më shumë se 200 punime shkencore dhe profesionale në gjuhët: kroatisht, italisht, shqip, anglisht dhe në frengjisht dhe ate në publikimet nacionale dhe ndërkombëtare. Viteve të fundit më së shumti shkruan për historinë e librit kroat dhe bibliotekat kroate.

Ka botuar këti tituj:Arte degli Illiri, Milano 1963. (botimi anglisht  1963),Dorracak për rregullimin e diskotekave, Zagreb 1964. (në bashkëpunim me  Lela Caniq dhe  Janko Zhivkoviq), Gli Illiri, Milano 1966. (përkthyer në shqip  1967), Bibliographia Illyrica, Sarajevë 1967. (suplementet janë botuar  1974., 1978. dhe 1984), Iliri – povijest, kultura, život, Zagreb 1974, 1989, 1991. (përkthyer në anglisht  1977. dhe në shqip  1980, 1990. i 2002), Bibliografja e arkeologjisë antike në  Jugoslavi 1-2, Sarajevë 1977., Kultni simboli kod Ilira, Sarajevë 1981. (botimi në shqip 1983., 1990. i 2002), Historia e librit, Zagreb 1985. (botimi në shqip 1988. i 2000., në arabisht  1993. dhe në persisht  1994), Cenzura në biblioteka, Zagreb 1992., Mbi censorin e përkryer, Zagreb 1994. (botimi në shqip  2002), Interpretime albanologjike, Shkup 1994., Si ti shmangemi censorit, Zagreb 1997., Tregimi mbi Leksikonin biografik kroat, Zagreb 1997., Fat ii librit (Sudbina knjige), Lokve 2000., Historia sociale e librit tek kroatët (Socijalna povijest knjige u Hrvata), – (tani për tani janë botuar dy prej tri librave të planifikuara), Zagreb 2004. dhe  2006).

Libri i fundit i Aleksandar Stipçeviqit është pikërisht për arbëreshët e Zarës, të cilët më në fund e pritën dhe përjetuan librin gjithëpërfshirës mbi kulturën dhe historinë e tyre afro 300 vjeçare, me titull “Kultura tradicionale e arbëreshëve të Zarës”.

Libri, mjaft voluminoz dhe vërtetë gjithëpërfshirës, në 450 faqe,  “Kultura tradicionale e arbëreshëve të Zarës”, që doli ga shtypi më 2011 u promovua më 6 shtator 2011 në vendlindjen e vet, në Arbëresh-Zarë, më konkretisht në ambijentet e Bibliotekës së Qytetit të Zarës.

 

Akademik Aleksandër Stipçeviq, ka shkruar e botuar numër të madh të artikujve dhe librave, numër që arrinë në mbi 230, në shtypin vendas dhe të huaj revista, dhe përmbledhje të ndryshme dhe shumë e shumë libra.

Libri  prej 450 faqe, përmes tre kapitujve të mëdhenj, sjell përshkrim të shterrur deri në fund të jetës dhe traditës së arbëreshëve të Zarës.

Kapitulli i parë flet për jetën dhe traditën e arbëreshëve të Zarës, ku autori, edhe vetë arbëresh në mënyrë të përkryer na flet për jetën dhe traditën familjare të arbëreshëve, për muzikën, valet, sportin, karnevalin si dhe për gjuhën-të folmen e arbëreshëve të Zarës.

Në kapitullin e dytë, bëhet fjalë për besimët popullore, ku flitet për të ndjerët, për varret dhe varrezat, për kafshët e llojllojshme, për botën e amshueshme, (botën dhe jetën pas vdekjes), për ekzorcizmin (përbetueshmërinë), zotimet-përgjërimet, ose edhe për disa simbolizma.

Në kapitullin e tretë, në mënyrë të shkurtër flet për lëtersinë popullore, duke sjellur një pasqyrë të këngëve nga ato fetare, nëpërmjet këngëve të dasmave-krushqive, deri tek ato të luftës. Poashtu, aty janë edhe disa tregime, anegdota dhe tregime për jetën si dhe fjalët e urta që janë përdorur dhe përdoren në komunitetin e arbëreshëve të Zarës.

Në parathënien e këtij libri, recenzentë të cilit janë Akademik prof. Dr.Radosllav Katiçiq dhe prof.Dr. Zef Mirdita, Akademik Katiçiqi thotë:

Lexuesi duhet të jetë i vetëdijshëm  se ka në dorë dhe është duke shfletuar një libër të veçantë. Aleksandër Stipçeviqi, dhe libri i tij  “Kultura tradicionale e arbëreshëve të Zarës” ( Tradicijska kultura zadarskih Arbanasa), në bibliografinë tonë ka vend të posaçëm.

 

Nga Mehmet Latifi

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu