Strategjia serbe për shkëmbimin e territoreve

0
149

Në hulumtim e sipër, për ta dekoduar strategjinë serbe për shkëmbimin e territoreve, një mik imi, shumë i angazhuar në proceset politike dhe shoqërore në Kosovë, më rekomandoi një studim interesant të Fondacionit për Shoqëri të Hapur në Serbi, me titull “Efektet ekonomike, demografike dhe sociale sipas skenarëve të ndryshëm për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Beogradit dhe Prishtinës”.

Autorë të këtij studimi janë Miladin Kovacevic, Dusan Gavrliovic, Dragan Popovic, Milena B. Stevovic, Ljiljana Sekulic dhe Katarina Stancic.

Në këtë studim autorët parashtrojnë efektet e mundshme të tri varianteve të rregullimit të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë: shkëmbimit të territoreve, zgjidhjes sipas Marrëveshjes së Brukselit të vitit 2013 dhe gjendjes së status quo-s.

Duke analizuar në detale parashikimet demografike, sociale dhe ekonomike, autorët e studimit arrijnë në përfundimin se varianti i shkëmbimit të territoreve është më profitabël se sa Marrëveshja e Brukselit dhe ruajtja e status quo-s. Ata parashohin që katër komunat e Veriut (Mitrovica e Veriut, Zubin Potoku, Zveçani dhe Leposaviqi) të shkëmbehen me vetëm Preshevën, përderisa Bujanovcin dhe Medvegjen i konsiderojnë pjesë të panegociueshme në një proces shkëmbimi. Këtë e arsyetojnë me faktin se, sipas të dhënave të tyre, në Bujanovc ka vetëm një shumicë të thjeshtë shqiptare (rreth 53,4%), kurse në Medvegj shqiptarët përbëjnë vetëm 7,1%.

Në rast realizimi të këtij skenari katër komunat e veriut të Kosovës do të integroheshin në sistemin politik, ekonomik dhe shoqëror të Serbisë, kurse Presheva në atë të Kosovës. Përmes një shkëmbimi të tillë të territorit, Serbia do të shtonte numrin për 12 000 banorë dhe do të rriste territorin e saj për 1 000 km2. Me këtë do të rritej BPV i Serbisë për 90 milionë euro në vit, gjë që në 30 vitet e ardhshme fitimi do të ishte për 2,7 miliardë euro.

Si rrjedhim do të rritej klima ekonomike dhe stabilizohej situata politike, gjë që do të sillte deri te rritja e rejtingut kreditor të shtet serb dhe lehtësimin e depërtimit të kapitalit të huaj në Serbi, borxhi i jashtëm do të zvogëlohej nga 24,1 miliardë euro në vitin 2017 në 14,8 miliardë euro në vitin 2030. Në kuadër të këtij varianti studiuesit serb e këshillojnë Qeverinë e Serbisë që të ketë kujdes për të mos lëshuar pe në lidhje me pronësinë mbi Kombinatin “Trepça”, “Feronikel”-in dhe termocentralin KEK në Obiliq, edhe pse janë të vetëdijshëm se “është e vështirë që të sigurohen 100 % të pronësisë së shtetit serb mbi to”.

Varianti i normalizimit të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë sipas Marrëveshjes së Brukselit të vitit 2013, sipas autorëve të këtij studimi, do të kishte efekte pozitive për Serbinë, sepse do të mundësohej Bashkësia e Komunave Serbe me një sistem autonomie dhe vetëqeverisjeje brenda territorit të Kosovës, ani që komunat veriore të Kosovës do të mbeteshin de fakto jashtë sistemit ekonomik dhe politik të Serbisë. Ky variant do ti sillte humbje buxhetit të shtetit serb për 47 milionë euro deri në vitin 2030 për të paguar Zyrën Serbe për Kosovën.

Autorët e këtij studimi konstatojnë se varianti i status quo-s është më i dëmshëm se sa dy variantet e normalizimit të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë. Ata shkruajnë se në rast të ruajtjes së status quo-s, pritet që numri i përgjithshëm i popullsisë do të bie në mënyrë drastike për 44% deri në vitin 2060 gjë që do të rezultonte me një balancë të re demografike në rajon.

Numri i banorëve të Serbisë pritet të ulet nga 7 095 381, sa ishin në vitin 2015, në 3 957 523 në vitin 2060, koeficienti i të moshuarve do të rritet në mënyrë drastike, kurse fuqia punëtore do të zvogëlohet ndjeshëm. Në territoret e veriut të Kosovës do të rrjedh një proces emigrimi i të rinjve dhe në këtë rajon do të qëndrojnë vetëm njerëz të moshuar, gjë që do të sjell deri te depopullimi drastik i rajonit. Humbjet për Zyrën Serbe për Kosovën në këtë rast do të ishin rreth 1,4 miliardë euro, do të zvogëloheshin ndjeshëm rezervat devizore, investimet direkte dhe do të rritej ndjeshëm papunësia.
Bazuar në këto të dhëna këtij studimi, autorët konstatojnë se Serbisë i konvenon në rrafshin demografik, ekonomik, social dhe strategjik shkëmbimi i territoreve.

Të dhëna e parashikimeve të studiuesve serb përputhen në plotëni me deklarimet publike të presidentit serb se “në rast se nuk e zgjidhim tani çështjen e Kosovës do të detyrohemi më vonë të bisedojmë për Vranjën” dhe se “Serbia me marrëveshjen e re do të fitojë më shumë se sa ka shpresuar”. Në fakt fjalitë e tilla pasqyrojnë drojën serbe par zhvillimet demografike në Serbi dhe ngutin e tyre për të përfunduar çështjen me shqiptarët gjatë kësaj faze të raporteve në rajon dhe Evropë, të cilat udhëheqja serbe i gjykon si të volitshme.

Por, cilat janë interesat e Kosovës? Cila është strategjia e Kosovës? Cili është varianti më profitabël për Kosovën? Institucionet shtetërore të Republikës së Kosovës, legjislative dhe ekzekutive, duhet të angazhojnë urgjentisht studiuesit në proces: të analizojnë paanshëm rezultatet e marrëveshjeve të deritanishme të Brukselit, të hulumtojnë të dhënat empirike dhe të parashikojnë zhvillimet e ardhshme demografike, ekonomike dhe sociale, të japin mendimin e tyre dhe propozimet konkrete mbi strategjinë dhe realizimin e interesave të vendit. Politika duhet kthyer kokën drejt studiuesve dhe shkencëtarëve, nëse dëshiron të mos futet në qorrsokak.

Nga: Sabri Kiçmari

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu