Sulmohet policia serbe në Dobrosin

0
350

Një polic serb është plagosur të enjten në mëngjes në pikën kufitare në Dobrosin nga të shtënat me armë zjarri në drejtim të punktit policor në hyrje të këtij lokaliteti kufitar, njofton Policia e Serbisë.

Sipas kësaj të fundit, rreth orës 04:20 të mëngjesit, nga persona të panjohur është sulmuar me disa lloj armësh automatike punkti i policisë, ndërsa lehtë është plagosur polici Branisllav Markoviq nga Bujanoci.

Policia serbe apriori ka akuzuar shqiptarët e Kosovës, duke i apostrofuar si “terroristë” .

“Nga territori i Kosovës ka ndodhur një sulm terrorist në pikëkontrollin e policisë multietnike, në të cilin është plagosur lehtë një polic”, ka thënë për Tanjug zëdhënësi i policisë së Vranjës, Dragan Stamenkoviq.

Burime nga Dobrosini kanë konfirmuar për gazetën “Zëri” se në mëngjes kanë dëgjuar breshëri automatiku, por nuk kanë qenë në dijeni të perceptojnë se nga cila anë kanë ardhur të shtënat. Policia e Serbisë ka thënë se ato kanë ardhur nga ana e Kosovës, ndërsa kanë akuzuar autoritet në Prishtinë për mosruajtje të rendit dhe qetësisë në kufij.

Po ashtu burime nga Dobrosini kanë thënë se pas këtij incidenti policia serbe ka mbyllur hyrje-daljet nga ana e Kosovës në drejtim të fshatit Pogragjë, duke paralizuar në tërësi këtë fshat kufitar, që rëndom ka qenë i lidhur me Kosovën.

Policia e Serbisë dhe njësitet speciale të xhandarmërisë, sipas të njëjtave burime, kanë shtuar tej mase kontrollin në këtë lokalitet. Ky është sulmi i dytë brenda dy muajve që ka ndodhur në të njëjtën pikë. Herën e parë përveç dëmeve materiale, nuk u raportua për të vrarë apo të plagosur.

Në fshatin Dobrosin, ku raportohet se ndodhi incidenti, në vitin 2000 ishte themeluar Ushtria Çlirimtare e Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc (UÇPMB), një strukturë ushtarake që luftoi për më shumë të drejta të shqiptarëve në zonë.

Kjo strukturë guerile u shpërbë pas një marrëveshjeje paqe që ndodhi më 21 maj 2001 në Konçul me ndërmjetësimin e faktorit ndërkombëtar. Marrëveshja ndërkaq nuk u realizua nga pala serbe, ndërsa të drejtat e shqiptarëve, me shumë pak ndryshime, mbetën ato të kohës së ish- diktatorit Sllobodan Milloseviq.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu