Takimi me Mao-n, na dha 3 uzina ushtarake

0
114

Timonieri Mao nuk e rrudhi dorën kur ra fjalë për ndihmat që “Lindja e Kuqe” duhet t’i jepte vendit të vogël komunist të Ballkanit. Jo vetëm oriz e pambuk, por dhe armatim e uzina të rëndësishme ushtarake do të udhëtonin nga portet e lindjes së largët për në zemër të Shqipërisë… …Menjëherë pas “divorcit” me Bashkimin Sovjetik dhe vetë Traktatin e Varshavës, Shqipëria do të dërgonte në Kinë një nga delegacionet më të rëndësishme ushtarake ku kryesinë e tij Enver Hoxha ia kishte besuar njeriut të tretë të shtetit shqiptar Beqir Ballukut, i cili në ato vite mbante postet e zv/kryeministrit, të ministrit të mbrojtjes, e njëkohësisht ishte dhe anëtar i Byrosë Politike. Vatosh Voshtina, për shumë vite me radhë kryeinxhinier i Flotës Luftarake Detare, njeriu që përgjigjej për anët teknike të mjeteve lundruese dhe për riparimin e tyre, gjatë një interviste për “Shekullin” rrëfen se çfarë u tha në pritjen që i bëri Mao Ce Duni delegacionit ushtarak shqiptar:

Pas prishjes me BS, si do vazhdonin ndihmat në ushtri?

Këto ndihma do të merreshin nga Kina, marrëdhëniet me të cilën u përmirësuan mjaft pas vitit ‘61. Në fund të shtatorit të vitit 1963 nga Shqipëria për në Republikën Popullore të Kinës u nis për në Pekin një delegacion solid i MMP i kryesuar nga Ministri i Mbrojtjes Gjeneral Kolonel Beqir Balluku. Unë kam qenë pjesë e këtij delegacioni të rëndësishëm që udhëtoi për në Pekin.

Ç’përbërje kishte delegacioni?

Në këtë delegacion bënin pjesë shefi i drejtorisë operative të ushtrisë Gjeneral-leitnant Vaskë Gjini, Komandanti i Artilerisë së ushtrisë Shqiptare Gjeneral-leitnant Todi Naçi, komisari i mbrojtjes kundër ajrore Gjeneral Halim Ramohito, komandant i aviacionit Kolonel Edip Ohri, shefi i Drejtorisë së ndërlidhjes kolonel Perikli Pani, zv shefi i xhenios kolonel Pandi Dushku. Zv. Shefi i Prapavijës së ushtrisë kolonel Nuçi Çobani, Zv. Drejtor i kimisë nën kolonel Dhori Gjoni, zv. Drejtor i tankeve nën kolonel Asti Gajga dhe shefi i drejtorisë së riparimit të armatimit të Flotës Luftarake Detare inxhinier kapiten i rangut të III-të Fatosh Voshtina dhe grupi shoqërues. Delegacioni ynë u vendos në vilat qeveritare të destinuara për delegacionet e niveleve të larta të demokracive popullore, ose si quheshin atëherë vendet që ndërtonin socializmin. Çdo ditë bëheshin takimet në ambientet e vilave, ku nuk mungonte asgjë. Me shokët kinezë sipas sektorëve, bisedimet zhvilloheshin në gjuhën ruse.

Cilat ishin kërkesat tuaja për palën kineze?

Në kërkesat tona përfshiheshin të gjitha nevojat për plotësimin me gjithçka i nevojitej ushtrisë tonë në atë periudhë. Në kërkesat e Flotës që unë përfaqësoja ishin listat me pjesë ndërrimi për të gjitha llojet e shërbimeve, të navigimit, radiolokatorit, silurës, ndërlidhjes e të shërbimit motorik, hidraulik, pajisjeve të sistemit të ajrit, si dhe një listë me 21 makineri të ndryshme që na mungonin. Përfshi këtu një torno 12 metra për ratifikimin e aksit të elikave të nëndetëseve, që do të plotësonin parkun e makinerive të Ofiçinës së Riparimit të Anijeve.

A u takuat me drejtuesit më të rëndësishëm të shtetit?

Pas 15 ditëve të mbërritjes sonë njoftohemi se jemi ftuar në takim me kryetarin Mao. Ky ishte një sihariq i gëzueshëm, që u vlerësua si shumë pozitiv nga delegacioni ynë, që kryesohej nga gjeneral kolonel Beqir Balluku që mbante jo vetëm postin e ministrit të Mbrojtjes, por ishte edhe zëvendësi i parë i kryeministrit dhe anëtar i By- rosë Politike, pra ishte personi i tretë pas Enver Hoxhës në hierarkinë shtetërore e politike të Shqipërisë.

Çfarë kujtoni nga takimi me Mao Ce Dunin?

Në orën 10 u futëm në selinë e kryetarit Mao Ce Dun. Ishte një dhomë e madhe e thjeshtë me mobilim modest dhe në krahun e majtë të Mao Ce Dunit me karrige të vendosura në formë harku ishin ulur Lju Shao Ci kryetari i Asamblesë Popullore Kineze, Çu En Lai Kryetari i shtetit Kinez, Ten Siao Pin sekretari i Partisë Komuniste Kineze, E Llun marshalli i Kinës “Dragoi me dy koka” dhe Lju Zhi Ci gjeneral armate, shefi i shtabit të përgjithshëm të ushtrisë. Ky ishte prezantimi i bërë nga Mao Ce Duni, por kur mbërriti te Ten Siao Pini tha, ky është i vogël në trup, po kështu është edhe floriri, por vlerën e ka të madhe. Dhe kur prezantoi shefin e shtabit bëri një parantezë se Lin Biao, që në atë kohë ishte Ministër i Mbrojtjes tha, se Lin Biao ishte i sëmurë duke justifikuar mungesën e tij.

Po delegacioni shqiptar nga cilët përfaqësohej në takim?

Në anën tjetër të tavolinës pranë kryetarit Mao vinin karriget në formë harku të vendosura për delegacionin tonë ku vinin me radhë, Beqir Balluku, Vaskë Gjino, Todi Naço, Halim Ramohito, Edip Ohri, Perikli Pani, Pandi Dushku, Nuçi Cobani, Dhori Gjoni, Asti Gajda, Fatosh Voshtina dhe Qemal Caka, punonjës në kryeministri që kishte ardhur për të mbajtur protokollin e bisedimeve, si sekretar i delegacionit.

Çfarë u tha në bisedimet mes delegacioneve?

Biseda zhvillohej midis kryetarit Mao dhe ministrit të Mbrojtjes Beqir Balluku gjithë të tjerët ishin dëgjues dhe asgjë më shumë. Kryetari Mao u drejtua: “Mirësevini shokë shqiptarë, kini bërë një rrugë të gjatë dhe ndoshta jeni lodhur. Ndërsa ne, Kina, i ngjan një gamile që duhet të hedhë hapa të matura dhe të sigurta, Ju i ngjani një tigri që duhet të përballojë vështirësitë dhe përpjekjet e armiqve që u rrethojnë”. Mao Ce Duni iu drejtua Beqir Ballukut që ta njihte me situatën e lëvizjes komuniste në Europë, i cili i dha sqarime për këtë. Pyetja e dytë ishte si po shkojnë bisedimet e delegacionit me shokët kinezë dhe Beqiri u përgjigj pozitivisht. Kryetari Mao iu drejtua Ten Siao Pin-it se si po zbatoheshin kërkesat e shokëve shqiptarë dhe: “a jua ke bërë të njohur porosinë time shokëve të Ministrisë së Mbrojtjes”. Teni, ashtu në këmbë si ishte iu përgjigj; “Po”. Mao Ce Duni vazhdoi, “Porosia është që kërkesat tuaja jo vetëm të plotësohen të gjitha, por edhe disa prej tyre të shtohen aty ku mendohen për t’u thelluar”.

Si u ndatë nga ky takim?

Pas takimit ne mbetëm shumë të kënaqur jo vetëm se u takuam me Kryetarin Mao Ce Dun, por edhe se fjalët dhe porositë e tij ishin një inkurajim për ne që detyra jonë do të kurorëzohej me sukses. Kjo dhe për faktin se kohë pas kohe gjatë bisedave që çdo grup vazhdonte në takimet e bëra ne merrnim porosi nga Ministri që të mos ngulnim shumë këmbë në kërkesa të fryra. Pas takimit me Mao Ce Dunin ministri organizoi një konsultë me ne ku u vendos që për aviacionin, flotën dhe tanket të kërkojmë ndërtimin e uzinave riparuese për këto lloje mjetesh luftarake. Për këtë Ministri i Mbrojtjes, Beqir Balluku kërkoi një takim me Ten Siao Pinin ku i parashtroi kërkesën tonë.

Ndihma e rusëve për ofiçinën e anijeve

Ndërtimi i Ofiçina e Riparimit të Anijeve (O.R.A) filloi menjëherë me ndërtimin e bazës detare për nëndetëset në Pashaliman që kryhej nga repartet xheniere të ushtrisë me projekte të përpunuara në bashkëpunim me specialistët sovjetikë, të cilët siguruan dhe prunë të gjitha materialet, pajisjet, makineritë dhe atrecaturat e domosdoshme dhe të nevojshme për një funksionim normal të punës. O.R.A. u vu në shfrytëzim në vitin 1958 dhe filloi punën me plan. O.R.A-s ju dha numri repartit ushtarak 4220/1.

Zbarkojnë 127 kinezë për riparimin e teknikës

Duke folur për ndërtimin e Kantierit të Riparimit të Anijeve të flotës, Voshtina kujton: “KRAF-in për ndërtim ju ngarkua ndërmarrjes së ndërtimit “Perlat Rexhepi” në Vlorë ku drejtor ishte Et’hem Shehu. Menjëherë u morën masa dhe filloi ngritja e kantierit për ndërtimin e objekteve tokësore e ato ajrore për molin e dokut lundrues dhe shkallën për nxjerrjen e anijeve në tokë. Viti 1965 ishte viti i fillimit të punimeve për këtë objekt të rëndësishëm si dhe organizimi për ngritjen e grupit të punës për riparimet e mesme të nëndetëseve. Për grupin kinez, i cili përbëhej prej 127 vetësh me specialistë shumë të kualifikuar ishin marrë të gjitha masat për pritjen strehimin, ushqimin dhe caktimin e vendeve për punë. Kinezët me vete sollën nëpërmjet detit pajisjet, pjesët e ndërrimit, disa makineri dhe agregate midis tyre dhe një vinç 16 tonësh me goma. Për strehimin e shokëve kinezë, për fjetje, argëtim, gatim, dhe mencë u përdorën ndërtesat dy katëshe të ngritura për ekuipazhet e nëndetëseve që kaluan në ndërtesën e re të ngritur pranë bankinës. Për përballimin e riparimit të nëndetëseve dhe ndjekjen e punimeve të ndërtimit të objekteve dhe montimin e pajisjeve e makinerive si dhe vënien e tyre në punë për shfrytëzimin sipas etapave të përfundimit të tyre u miratua kjo strukturë organizative e KRAF-it dhe grupit të riparimit si dhe ju dha numri 9093

” Kolapsi pas prishjes me Sovjetikët

Prishja me Bashkimin Sovjetik solli një pjesë të kolapsit në furnizimin me armatime të ushtrisë Shqiptare. Por kjo nuk do të zgjaste shumë. I menjëhershme do të ishte konkretizimi i ndihmës kineze. Kontingjentet e para të armatimeve të rënda do të mbërrinin në portin e Durrësit të mbuluara me thasët e orizit rifuxho. Por një ndihmë të madhe shteti kinez dha edhe në potencialin njerëzor. Specialistë nga më të mirët në fushën ushtarake erdhën në Shqipërinë “motër”, duke i dhënë kështu mundësi ushtrisë shqiptare që të shndërrohej në një mekanizëm gjigant, që zor se mund ta mbanin këllqet e veta, sidomos në vitet kur gjithçka u shndërrua në një ekonomi tregu.

Hysni Kapo e Beqir Balluku vizituan Pashalimanin

Duke kujtuar ceremoninë për inaugurimin e Kantierit të Riparimit të Anijeve, Fatosh Voshtina thotë: “Falë punës së palodhur të kuadrove specialistëve, punëtorëve, detarëve dhe ndërmarrjes “Perlat Rexhepi” më 29 Maj 1969 në një atmosferë gëzimi dhe krenarie festohet në mënyrën madhështore inaugurimi i K.R.A.F-it me një fjalim të shkurtër të mbajtur nga unë si drejtor, u hodh në ujë nga shkalla kateri i parë me krahë pas riparimit kapital të tij. Në këtë ceremoni merrte pjesë Hysni Kapo, Beqir Balluku, Myslym Peza, Rrahman Perllaku, Abdi Mati, atasheu ushtarak i Republikës Popullore të Kinës në Shqipëri, personalitete nga Partia dhe pushteti i Vlorës, kuadro të brigadës së nëndetëseve. Kuadrot dhe personeli inxhiniero-teknik punëtorë detar shokët kinezë dhe ndërtuesit e uzinës së ndërmarrjes Perlat Rexhepi. Festa kaloi ashtu si ishte parashikuar në një atmos atmosferë gëzimi dhe krenarie për punët e bëra. Pas kësaj repartet e K.R.A.F-it i filluan kryerjen e detyrave në një mobilizim të madh për të shfrytëzuar në maksimum kapacitetet e projektuar duke realizuar edhe detyra të pa parashikuara në projektet e K.R.A.F-it Mbi të gjitha duhej të sigurohej dokimi në shkallën e uzinës së Dokut lundrues, i cili dokimet dhe riparimet i bënte në Itali në kantieret e Triestes duke shpenzuar sasi të mëdha valute dhe jo vetëm këtë, por mbante me vete edhe rreziqe gjatë lundrimit, pasi doku nuk kishte motorra e elika për lundrim ai rimorkiohej nga rimorkiatori kështu mund të krijoheshin situata të vështira gjatë lundrimit nga stuhi detare të paparashikuara. Këtë detyrë personeli inxhinieroteknik i K.R.A.F-it në bashkëpunim dhe me shokët kinezë e zgjidhën. Me këtë detyrë të rëndësishme u morën kryeteknologu i Uzinës inxhinier Ymer Bejko që bëri përllogaritjen e vendosjes së skemës së takove kudo të mbështetej doku mbi karelat e shkallës. Jo vetëm këtë, por u kryen dhe punime nën ujë për të rritur gjatësinë e relsave si dhe zgjatjen e shkallës për të përballuar gjatësinë e madhe të dokut që kalonte të 100 metrat. Puna e kryer nga inxhinier Ymeri, polumbari Ismail Demiri dhe përgjegjësi i shkallës Hysen Serjani dhe punëtorët e tjerë u kurorëzua me sukses. Kjo hapi rrugë edhe për nxjerrjen e anijes cisternë të naftës “Patosi të cilën e përllogariti inxhiner Ymer Bejko me stafin e kantierit

 

Nga Leonard Veizi

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu