Të akuzuarit e qeverisë Berisha

0
278

Ambasada Amerikane thjesht habitej: si ka mundësi që zyrtarë të akuzuar, apo me precendentë të padenjë për të qenë funksionarë të rëdësishëm u ishin besuar detyra të larta. Dy vite pas tragjedisë së Gërdecit, ambasadori amerikan, Uidhërs, sipas kabllove të “Wikileaks” vërente se ish-ministri nuk ishte përgjigjur para drejtësisë. Në rastin e ish-ministrit të Kulturës, Ylli Pango shfletohej e shkuara e tij dhe pyetej se si kishte mundësi që ai ishte bërë ministër në qeverinë Berisha, edhe pse kishte patur pikëpyetje mbi integritetin moral dhe profesional. Një tjetër drejtor vijonte punën në administratë, edhe pse në gjyq, ai akuzohej si urdhërues për tortura dhe zhdukje personash. Ambasada amerikane ndalej këtu, por jo karriera e emrave të përmendur apo e të tjerëve zyrtarë që patën fate të ngjashme me ta. Dhe asnjëri nuk ishte fatkeq, sepse edhe pse të akuzuar, edhe pse me dosje korruptive në prokurori, edhe pse vizitorë të rregullt të gjyqeve dhe përballjes me akuzuesit, ata u ricikluan në qeveri nga kryeministri Berisha, në mos në ato poste që kishin, në vende më të mira. Ministrat u ribënë ministra, ose drejtorë të lartë dhe drejtorët mbajtën postet e tyre, ose në pozicione më të rëndësishme të qeverisjes.

 

Ministrat

Të paktën tre ministra ishin të akuzuar publikisht për afera. Fatmir Mediu ishte ministër i Mbrojtjes dhe njëri prej hartuesve të bazës ligjore për operimin dhe funksionimin e bazës së demontimit të municioneve në Gërdec të Tiranës, ku në 15 mars 2008, u vranë 26 njerëz, mbi 300 u plagosën dhe u shkaktuan dhjetra milionë euro dëme në bizneset familjare apo private. Mediu dha dorëheqjen në 19 mars 2008, duke marrë përsipër përgjegjësinë politike për tragjedinë. Por prej asaj dite ai nuk u përgjigj para drejtësisë, edhe pse prej tre vitesh vijon një proces gjyqësor. Atij iu hoq mandati i deputetit, por e rifitoi atë bashkë me imunitetin e hequr nga Kuvendi, pas zgjedhjeve të 28 qershorit 2009. Jo vetëm kaq. Në qeverinë e re të dalë pas zgjedhjeve parlamentare të dy viteve më parë, Mediu u emërua Ministër i Mjedisit dhe vijon të jetë një bashkëpunëtor i ngushtë politik i Berishës, si kryetar i Partisë Republikane.

Lulzim Basha ishte Ministër i Transporteve, kur në 2006 nisi rruga dhe tuneli Rrëshen-Kalimash, një investim që i ka kapërcyer 1 miliard eurot. Segmenti pa projekt dhe kosto fillestare iu besua konsorciumit amerikano-turk “Bechtel-Enka”, duke mënjanuar nga gara firma të tjera. Dosja e rrugës përfundoi në prokurori, dhe akuza konfirmoi një dëm prej rreth 220 milionë eurosh të shkaktuar nga vendimet abuzive

të ish-ministrit të MPPTT-së Basha. Por pas dorëheqjes së së ish-ministrit të jashtëm Mustafaj iu u emërua si kreu i diplomacisë. Gjatë kësaj kohe institucioni që drejtonte ishte pjesë e negociatave mes Shqipërisë dhe Greqisë për ndarjen e ujërave dhe të shelfit kontinental, ndërsa para zgjedhjeve të vitit 2009, Basha firmosi paktin detar, i cili u rrëzua në janar 2010 nga Gjykata Kushtetuese si antikushtetues.

Por edhe pse vazhdonte gjyqin në shkallët e gjyqësorit, Basha u emërua ministër i Brendshëm në qeverinë “Berisha 2” dhe falë procedurave arriti të mbyllë dosjen me prokurorinë për rrugën e Kombit. Ndërsa aktualisht, pas marrjes së mandatit të kryetarit të bashkisë së Tiranës, përmes një procesi të dyshimtë dhe me vendim të Kolegjit Zgjedhor dhe të KQZ-së, ai është bashkëpunëtori më i afërt i kryeministrit Berisha.

Ylli Pango, është një “fenomen” që i lë pa gojë amerikanët.  Kabllogrami i Ambasadës së SHBA-së në Tiranë në mars 2009, pas skandalit seksual, tregonte atë që dinin shumë prej shqiptarëve, sigurisht edhe kryeministri Berisha për të shkuarën problematike të Pangos kur ishte pedagog dhe më pas ministër, si abuzues me postin dhe me fondet për OJF-në që drejtonte. Por megjithëse berisha e shkarkoi për 6 minuta ministrin, “syrgjynosja” e tij nuk zgjati shumë, edhe pse mallkimet më të zeza ishin bërë për të në sallën e kuvendit, kur unanimisht i ishte hequr mandati i deputetit. Në shkurt 2010 me propozim të kryeministrit Berisha Pango emërohet Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë së Kërkimit, Teknologjisë e Inovacionit (AKTI), fillimisht me 15 punonjës, e cila ka për mision që të vlerësojë, të financojë, të monitorojë dhe të administrojë programet dhe projektet në fushën e Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit në Shqipëri.

 

Berisha ricikloi drejtorët e akuzuar për krim dhe korrupsion

Në 13 maj 2008, ish-ambasadori amerikan Uidhers informonte për akuzimin e Drejtorit të përgjithshëm të Tatimeve Arben Sefgjini, nga prokuroria për rrëmbim torturim me pasoja të rënda, në kohën kur ishte  drejtor i Shërbimit informativ Kombëtar në Tiranë dhe Berisha ishte president. Edhe pse akuza dha masën arrest shtëpie, kryeministri Berisha nuk pranoi të largonte nga posti i drejtorit të tatimeve Sefgjinin edhe pse për diplomatin amerikan, refuzimi i kryeministrit ishte vendim i diskutueshëm politik dhe ai inkurajonte prokurorinë për të arrestuar Sefgjinin. Ndodhi e kundërta. Pas mbarimit të arrestit shtëpiak, Sefgjini emërohet nga Berisha, drejtor i përgjithshëm i Shërbimit të Provës, instyitucion në vartësi të ministrisë së Drejtësisë, dhe që përgatit raporte vlerësimi para dhe pas gjykimit si dhe realizon mbikëqyrjen e të dënuarve me dënime alternative  me qëllim mbrojtjen e interesave publike dhe parandalimin e kryerjes se veprave penale. Ky gradim i tij bëhej edhe pse në gjykatë vijonin dëshmitë për rrëmbimin e Ziso Kristopulit, Avdyl Loshajt dhe Remzi Hoxhës dhe ku njëri prej të pandehurve, Avni Koldashi akuzonte Sefgjinin se e kishte urdhëruar ta merrte po në bisedë operative shtetasin shqiptaro-maqedonas, Remzi Hoxha, që ende rezulton i zhdukur, prej tetorit 1995.

Kur Prokuroria e Përgjithshme mbushi dosjen voluminoze të rrugës “Durrës-Kukës”, e sidomos për financimet në ndërtimin e segmentit Rrëshen-Kalimash, bashkë me ministrin Basha ishin edhe zyrtarët e tjerë si Armand Teliti apo Andi Toma. I pari ishte zëvendësministër i Transporteve, gjatë kohës që u firmos ndërtimi i rrugës, ndërsa i dyti ishte drejtor Juridik. Pas mbylljes së dosjes për “procedura”, Teliti, u emërua drejtor i Përgjithshëm i Gjendjes Civile, post që vijon ta mbajë edhe sot, ndërsa Toma, u bë drejtor në Drejtorinë e Rrugëve.

 

Drejtorë me “dosje”

Ambasada Amerikane nuk ka arritur t’i përfshijë të gjithë emrat e zyrtarëve të sotëm që ishin të akuzuarit të djeshëm. Shumica drejtorë që sot veprojnë në emër të shtetit ligjor, por që mëse një dekadë më parë sulmonin shtetin, apo e braktisnin detyrën. Bie fjala gjeneral Agim Shehu. Ai ishte drejtor i Policisë së Shtetit në vitin 1997 dhe largimit nga vendi u akuzua për dezertim. Pas më shumë se 9 vitesh ekzil në Gjermani me statusin e azilantit, ish-zëvendës-ministri i Rendit dhe drejtor i përgjithshëm i Policisë u rikthye në Tiranë pas ardhjes së Berishës në pushtet dhe në dhjetor 2006, Gjykata e Lartë  pushoi akuzat ndaj tij dhe vendimin e Gjykatës Ushtarake të Apelit, që e kishte dënuar 8 vite burg me akuzat për “dezertim” dhe “dëmtim të armatimit”. Ai është prej dy vitesh drejtor i Hetimit Tatimor në Drejtorinë e Tatimeve.

Si puna e Shehut janë edhe shumë drejtorë që sot janë në funksione të rëndësishme në drejtori edhe pse emrat e tyre janë aktivë në dosjet e gjykatës për grushtin e shtetit dhe trazirat e 13-14 shtatorit 1998, me të cilat Berisha tentoi të vinte në pushtet me dhunë.

 

 

Kuliçaj, ish-truproja e Berishës që nuk preket nga askush

Zyrtari që gëzon mbrojtjen më të madhe nga kryeministri Berisha është ish-truproja e tij personale dhe sot zv. drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Agron Kuliçaj. I akuzuar nga Ambasada Amerikane në Tiranë, institucionet e BE-së në vendin tonë, ish-ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti dhe nga vetë kreu i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, Kuliçaj qëndronë në detyrë sepse shkarkimi i tij mund të bëhet vetëm nga Berisha. Ja çfarë thotë kabllogrami i Ambasadës Amerikane në Tiranë që mban datën 25 nëntor 2009:

 

“…Gjithsesi, ambasada mbetet e shqetësuar në lidhje me drejtorin e Inteligjencës, Agron Kuliçaj, i cili nuk është prekur nga kjo rokadë. Burimet thonë se Kuliçaj është i korruptuar dhe donatorët ndërkombëtarë refuzojnë që të ndihmojnë policinë shqiptare për shkak të prezencës së tij. Ambasadori i ka shprehur shqetësimet e tij në lidhje me korrupsionin në nivelet e larta të policisë shqiptare ministrit Basha ndërsa përfaqësuesi i ambasadës në ICITAP ka shprehur shqetësimet konkrete për Kuliçajn tek Burgaj. Burgaj i ka thënë se Kuliçaj është i lidhur ngushtë ,e kryeministrin Berisha dhe çdo përpjekje për të larguar ose detyruar atë që të dorëhiqet duhet të vijë nga zyra e kryeministrit… Jo vetëm që praktikat korruptive të Kuliçajt janë shumë të njohura, or ka fjalë se ai mund të jetë i implikuar në shpartallimin e policisë gjatë operacionit për arrestimin e Dritan Dajtit në gusht. Dajti kishte marrë një spiunim nga brenda dhe disa oficerë policie humbën jetën gjatë shkëmbimit të zjarrit. Njerëz brenda policisë besojnë se Kuliçaj mund të ketë ndihmuar Dritan Dajtin ti shpëtojë tentativave të mëparshme për ta arrestuar. Sipas burimeve policore, zyrtarë të lartë të policisë vendosën të ndërhynin kundër Dajtit në gusht të këtij viti sepse në atë Kuliçaj ishte jashtë Shqipërisë dhe teorikisht nuk kishte mundësi të informonte Dajtin. Javën e kaluar ICITAP foli me Burgajn për shqetësimet konkrete për Kuliçajn. Burgaj i tha se ai vetë kishte probleme me Kuliçajn dhe se zyrtarë të tjerë të policisë ishin të shqetësuar për lidhjet dhe përfshirjen e tij në krimin e organizuar. Burgaj saktësoi se ai nuk kishte fuqinë për të transferuar ose shkarkuar Kuliçaj për shkak të lidhjeve që ka me kryeministrin Berisha, pasi ka qenë truproja i tij. Burgaj sugjeroi që nëse Ambasada kishte shqetësime, duhet të ngrinte ato tek Berisha sepse vetëm ai mund të marrë vendime në lidhje me detyrën e Kuliçajt…”.

 

6 deputetët e lidhur me krimin

Në një kabllogram të 13 gushtit 2009 të titulluar “Kriminelët bëjnë ligjin në parlamentin shqiptar”, Ambasada Amerikane në Tiranë i dërgon Uashingtonit një informacion të detajuar për gjashtë deputetë shqiptarë të dyshuar si të lidhur me krimin e organizuar. Më poshtë pjesë nga kabllogrami:

 

“…Tom Doshi, një deputet i PS-së në Shkodër. Doshi, i përmendur në raportin e Qendrës për të Drejtat e Njeriut për sulmin fizik ndaj një gazetari në Hotel Sheraton, është një nga figurat kryesore që financon përpjekjet e Partisë Socialiste. Ai njihet si deputeti më i pasur, me një pasuri të deklaruar më të madhe se 15 milionë dollarë dhe i dyshuar për trafik narkotikësh. Doshi ishte në parlamentin e kaluar si deputet i PD-së dhe ndryshoi krah vetëm pak përpara zgjedhjeve.

 

Lefter Koka: Përfaqëson LSI-në në Durrës. Koka është një anëtar i atij që ndoshta është familja kriminale më e njohur në Shqipëri me lidhje me trafikun e narkotikëve, qenieve njerëzore dhe aktivitete të tjera ilegale.

 

Sokol Olldashi: Olldashi është momentalisht ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit. Deputet i PD-së nga Fieri dyshohet për kontrabandë mallrash dhe lëndësh narkotike. Rrethanat lidhin Olldashin dhe F.K. në Fier me ministrin e Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj në një skemë për të liruar të burgosur nga burgu për të vepruar si “të fortë” në zgjedhje.

 

Lulzim Basha: Sipas një burimi në PS, ministri i Jashtëm Basha, i cli përfaqëson PD-në në Elbasan, është përfshirë në lirimin e një krimineli të famshëm në Elbasan në këmbim të mbështetjes së familjes së tij. Kushërinjtë e kriminelit premtuan se “do të organizonin” njerëzit në Elbasan që të mbështesnin Bashën. Krimineli u lirua më 29 qershor, një ditë pas zgjedhjeve.

 

Paulin Sterkaj: Deputeti 48-vjeçar i PD-së nga Shkodra është një ish-mundës profesionist me pak ose aspak edukim. Sterkaj ka qenë më parë në PS dhe është akuzuar nga një ish-shoku i tij se ka vrarë një politikan në Shkodër disa vjet më parë. Sterkaj pretendon se ka interesa biznesi në naftë, restorante dhe ndërtime, por shumë pak dihet për aktivitetin e tij.

 

Gramoz Ruçi: Deputet i PS-së dhe Sekretar i Përgjithshëm. Ruçi ka lidhje afatgjata me trafikantë narkotikësh dhe krimin e organizuar. Ruçit i është ndaluar hyrja në SHBA që nga viti 2005 pasi nuk ka të drejtë të marrë vizë të përhershme…”

 

Shkruan: Arben Rrozhani

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu