Të bëhet çështja Hoti, çështje ndërkombëtare

0
299

Të bëhet çështja Hoti, çështje ndërkombëtare

Desmond Tutu

Shkëlqesi!

Isha i privilegjuar kur më ofruat mundësinë për të mbështetur nismën e Juaj në peticionin për lirimin e Liu Xiaobo nga burgu kinez.

Mirëpo, unë dhe një pjesë bukur e madhe e shqiptarëve, kudo që jetojnë, kemi një breng dhe sinqerisht kërkoj për të na ndihmuar. Në maj të vitit 1994 është burgosur Kryetari i Partisë së Unitetit Kombëtar Shqiptar – Mr. Ukshin Hoti. Për dënimin e tij kemi dërguar një Memorandum, një Peticion nga subjektet politike dhe organizatat joqeveritare që kanë vepruar në Kosovë dhe një Peticion qytetarësh, qendrave të vendosjes ndërkombëtare, por nuk është marrë asnjë hap për lirimin e tij.

Në maj të vitit 1999, gjatë bombardimeve të NATO-s i humbin gjurmët. Është gjetur një dokument për lirimin e tij, një ditë para se të mbaronte vuajtjen e dënimit, por ky dokument na bën për të dyshuar, se në kohën e “lirimit” gjithë Kosova ka qenë në flakë, jo vetëm fshati i tij, por në gjithë rrethin e tij, popullsia është dëbuar jashtë territorit të Kosovës dhe aty kanë qenë vetëm Ushtri Çlirimtare e Kosovës dhe forcat ushtarake e policore serbe. Që atëherë nuk kemi asnjë informatë për te. Kemi kërkuar ne si subjekt politik, ka kërkuar edhe familja e profesorit ndihmesën nga forcat civile (UNMIK) dhe ushtarake (NATO) të vendosura në Kosovë pas lufte, por nuk kemi gjetur mbështetje e tyre.
Regjimi Serb në Beograd di për fatin e tij, por hesht, se nuk po i bëhet asnjë trysni për të ndriçuar fatin e Profesor Ukshin Hotit nga ndërkombëtarët.
Më poshtë po ua përcjell një biografi të shkurtër dhe disa mendime për vizionin politik, që janë përmbledhur në një libër “Filozofia politike e çështjes shqiptare”, (nga i cili libër janë nxjerrë citatet e mëposhtme), që edhe do t’ia vështirësojnë jetën nëpër burgje dhe do t’i humbin edhe gjurmët për afro 14 vjet
Shpresojmë se do të bënin çështjen Hoti, si çështje ndërkombëtare!

Biografi e Profesor Ukshin Hotit

Ukshin Hoti është i lindur në Krushë të Madhe, fshat në komunën e Rahovecit, Republika e Kosovës, në vitin 1943 nga i ati Nazyfi dhe e ëma Fatime, në një familje me gjendje të mesme ekonomike (babai – gazetashitës, ndërsa e ëma -shtëpiake). 4 vjet studime në Fakultetin e Shkencave Politike në Zagreb, 2 vjet studime postdiplomike në Beograd – drejtimi i Marrëdhënieve Politike dhe Ekonomike Ndërkombëtare, pas të cilave specializon për një vit në universitetet amerikane të Çikagos, të Harvardit në Kembrixh – Boston dhe në Washington D.C.
Pas diskutimit të tij në një mbledhje të organizatës bazë partiake të Fakultetit Filozofik, dega Filozofi-Sociologji, në Prishtinë me 19 nëntor të vitit 1981, me ç’rast vihet në mbrojtje të hapur të studentëve, të demonstratave të tyre dhe të kërkesës së tyre themelore për konstituimin e Kosovës në Republikë, arrestohet dhe dënohet me 9 vjet burg, dënim i cili i ulet në 3,6 vjet nga Gjykata Supreme.
Më 1990 angazhohet në Lubjanë (Slloveni) në revistat “Alternativa”, “Republika” dhe në atë me titull “Demokracia Autentike – DEA” të cilën e drejton vetë si ideator politik dhe si kryeredaktor.
Në fillim të vitit 1993 (në muajt mars-prill) e mban edhe dënimin e tij të dytë politik për shkak se një vit më herët kishte organizuar një homazh masiv për dëshmorët e demokracisë në Brestovc. Në vitin 1994 do të angazhohet në Partinë e Unitetit Kombëtar Shqiptar (UNIKOMB).

Qasja shkencore e problemeve politike nga Profesor Ukshin Hoti

“Akademia e Shkencave Serbe në fillim të viteve ’80 e shpalli, ndonëse jo në mënyrë të rregullt, memorandumin e saj të mirënjohur mbi pozitën e Serbisë në federatën jugosllave dhe mbi nevojën për ndryshimin e asaj pozite në raportet federale të Jugosllavisë. Ajo pra, e bëri vetëdijesimin (iluminizmin) e opinionit serb mbi pozitën e supozuar inferiore të Serbisë në ato relacione. Në frymën e botëkuptimeve të theksuara, ajo e bëri krijimin e një të vërtete shkencore me të cilën synohej krijimi i së vërtetës tjetër – ndryshimi i raporteve nacionale në favor të saj dhe në dëm të shqiptarëve.”
Shqiptarët duke e parë një politikë shoviniste të Serbisë: “në vitin 1981, vendosën ta merrnin fatin e tyre në duart e veta, dhe të vetmuar, por të vendosur, u nisën drejt Evropës!”, sepse sikur politika jugosllave “të kishte qenë e suksesshme dhe ta bënte një gjë të tillë lidhur me pozitën e shqiptarëve në shoqërinë jugosllave, nuk do të kishte pasur nevojë që ata të kërkonin republikë”.
Me të drejtë Profesor Hoti do të konstatojë: “Do të thoshim se vitet tjera i ndihmuan akumulimit të proceseve, rritjes së sasisë, por kërcimin cilësor, vetë shndërrimin e sasisë në cilësi, e bëri vetëm viti 1981. Jo se ishte një vit mrekullibërës, por sepse pikërisht në atë vit ishin pjekur të gjitha kushtet, ishin akumuluar të gjitha proceset, ishin arritur të gjitha nivelet për shndërrimin e sasisë në cilësi, dhe rastësisht i ndrydhi subjektet që nuk deshën të pajtoheshin me ndrydhjen. Po të ishin pajtuar me ndrydhjen, viti 1981 do të kalonte njësoj sikurse edhe vitet tjera.”
Profesor Hoti do të nxjerrë përfundimin shkencor, se pse shqiptarët u detyruan të ngriheshin në demonstrim, demonstrim i cili edhe e tronditi gjithë Federatën Jugosllave: “një territor kompakt me 115 mijë km2, nga Kongresi i Berlinit – 1878, gjer më sot, është ngushtuar në 55 gjer 65 mijë km2, në të cilat populli shqiptar tani është në shumicë. Në Konferencën e Ambasadorëve në Londër 1912-13, shteti shqiptar u krijua në një sipërfaqe prej pak më shumë se 28 mijë km2. Dallimi midis kësaj shifre dhe 65 mijë km2, në të cilat jeton sot në shumicë populli shqiptar në trojet e veta historike, duhet të inkuadrohet në shtetin e njësuar shqiptar.”
“Vetëm në mes dy luftërash botërore e lëshuan përdhunisht këtë hapësirë më se 240 000 njerëz”, përmes një marrëveshje xhentelmene në mes të Turqisë dhe Jugosllavisë, që ua ndalonte deklarimin kombëtar – shqiptar, ua ndalonte gjuhën, kulturën, doket dhe zakonet, e cila marrëveshje do të aktivizohet edhe pas Luftës së Dytë Botërore. “Në vitet e pasluftës shkuan dhe 600 000 të tjerë, të cilëve iu bashkuan edhe po aq kosovarë në kohën e sotme, në kohën e ndryshimeve demokratike.”
Ndërsa gjatë viteve të tetëdhjeta do të ndiqeshin “penalisht 1298 veta dhe do të trajtoheshin nga policia, rreth 584.373 veta”. Për një popullatë rreth 2.000.000, kjo shifër është shumë e madhe. “Për këtë shkak lufta për jetësimin e Republikës së Kosovës (Kosova shpallet Republikë në vitin 1991, sh. im: A.M.) në të vërtetë është luftë për ekzistencën e Kosovës, jo si konotacion gjeografik, por politik… Në analogji me këtë konstatim, Republika e Kosovës nuk u konstituua për inat të serbëve e për dhunë të të tjerëve, por se ishte e drejtë e popullit shqiptar në Jugosllavi; kurorëzim i natyrshëm i procesit të rritës në Kosovë dhe rezultat i pritur i proceseve të pjekurisë politike në vend e më gjerë. Në këtë kontekst, Kosova jo vetëm që i ndihmoi proceset integruese të Evropës, por edhe ishte ndër nismëtarët e universalizimit të parimeve dhe të vlerave demokratike në Evropë.”

Pse do të marrë përsipër udhëheqjen e UNIKOMB-it?

Si njohës i mirë i rrethanave politike kombëtare, serbe, panserbe dhe ndërkombëtare, Ai do të vjen në përfundim se: “lufta mund të shpërthejë në qoftë se edhe më tutje do të lejohet thellimi i trendeve të tanishme të situatës politike lidhur me jetësimin e Republikës së Kosovës dhe me zgjidhjen e çështjes shqiptare në tërësi.”
Misionari dhe vizionari i bërjes së politikës kombëtare, për arritjen e rezultatit, pa konflikte ushtarake, detyrë parësore i vë vetës se: “emancipimi është me rëndësi për shkencën politike, e cila duhet t’i vë në dukje kundërthëniet midis nevojave të individit dhe rendit shtetëror ekzistues”, sepse nuk kishte emancipim politik nga asnjëra palë në konflikt, por edhe nga çarqet e vendosjes ndërkombëtare. Ai i druhej përsëritjes së “Golgotës shqiptare”, sepse në fund të fundit: “Popujt nuk mund të detyroheshin dot të luftonin për shkak të konotacioneve ideologjike… dhe kjo është e natyrshme, pasiqë asnjë luftë në histori nuk u zhvillua për interesa ideologjike, por për ato vitale ose jetike. Ideologjia, rëndom, me më pak ose më tepër sukses i artikulon dhe i arsyeton interesat e tilla, por nuk mund të jetë substitucion për to… Ndërkaq, shovinizmi, hegjemonizmi, etj., serbomadh ishin vetëm konotacione ideologjike, pas të cilave fshihej diçka tjetër. Puna ishte të përcaktohej drejt se çka ishte ajo dhe në bazë të këtij përcaktimi të formulohej një politikë adekuate për Kosovën.”
Në platformën politike për Partinë e Unitetit Kombëtar Shqiptar (UNIKOMB-in), do të shprehet “UNIKOMB-i, duke u angazhuar për zbatimin e këtyre parimeve (të vetëvendosjes dhe të kombit/shtet) në rastin e shqiptarëve, i ndihmon njëkohësisht avancimit të proceseve në fjalë të lidhura me bashkimin e Evropës dhe me ndërtimin e rendit të ri ndërkombëtar politik.”
Për këto mendime dhe për angazhimin për të drejtuar këtë parti politike, Mr. Ukshin Hoti do të burgoset në Maj të vitit 1994 dhe do të dënohet me 5 vjet burg të rëndë. Ai kështu do ta zbërthej arsyen e burgosjes në Gjykatën e Qarkut në Prizren “Shkaku i drejtpërdrejtë i këtij arrestimi sigurisht ka qenë frika irracionale e kësaj pjese të alternativës shqiptare se me shkuarjen time në Prishtinë në krye të UNIKOMB-it pas 9 vitesh të ostracizmit dhe të izolimit, do të çrregullohej baraspesha e forcave politike dhe do të krijohej një gjendje e paparashikueshme dhe e pakontrollueshme”
Se sa ishte vizionar është dëshmuar në vitet 1998/99, kur shqiptarët u detyruan të rrokin armët dhe do të vriten e masakrohen në mënyrën më barbare rreth 15 000, të të gjitha moshave dhe dy gjinive, do të dhunohen rreth 20 000 femra, do të digjet rreth 90% e ekonomisë familjare, do t’i dëbojnë nga Kosova mbi 800 000 shqiptarë dhe mu për këtë ka ndërhyrë NATO për të ndalë këtë gjenocid.
Shqiptarët për një shekull rresht do të luftojnë për mbijetesë. Në vitin 1913 Leo Frojndlih (hebrej nga Gjermania), i cili, duke u mbështetur në raportet e luftërave ballkanike, nxjerr përfundimin dhe akuzon fuqitë e kohës “kundër injorimit të një politike të re, e cila krejt hapur para botës bëri rezolutën: (Shqiptarët duhet çrrënjosur)“. Metoda e shfarosjes së kombit shqiptar paraqet diçka të re në historinë e njerëzimit, duke alarmuar që kjo çështje të zgjidhet me urgjencë. Kjo çështje u la në harresë dhe alarmit për “Një soldateskë e egër dhe çnjerëzore kishte bërë kërdi, të cilat nuk mund të përshkruhen. Me dhjetëra e mijëra burra ishin masakruar: gratë ishin dhunuar, pleqtë dhe fëmijët ishin ngulfatur me zënie të frymës. Qindra fshatra ishin djegur, kurse Evropa akoma heshtte” (libri “Golgota shqiptare”)

Legjenda:
1. Territoret shqiptare në prag të Kongresit të Berlinit – 1878, me sipërfaqe 115.000 Km2
2. Që në atë kohë deri në vitin 1913, shtetet fqinje: Greqia, Maqedonia, Serbia dhe Mali i Zi, me ndihmën e shteteve sunduese evropiane, kanë shpopulluar territore shqiptare në mënyrë të dhunshme dhe shlyejnë nga harta gjeografike rreth 55 000 km2.
3. Shqipëria ka 28 000 km2 dhe është i vetmi shtet në Evropë që gjithkah kufizohet me territor të vetin.
4. Kosova e ka shpallur pavarësinë e mbikëqyrur nga ndërkombëtarët, me 17 shkurt të vitit 2008 dhe ka sipërfaqe mbi 10 000 km2. Rreth 30% ende është e pushtuar nga Serbia, me vet fajin e strukturave të UNMIK-ut dhe pjesërisht të NATO-s, edhe pse kjo pavarësi e mbikëqyrur i është hequr në Nëntor të vitit të kaluar.

Me respekt

Afrim Morina, ish – zëvendës i Profesor Ukshin Hotit, si nënkryetar partie (20. 04. 1996 – 02. 04. 2000)

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu