Të jetosh me gjakmarrjen

0
128

Një kryq në hyrje të fshatit Marmull të komunës së Gjakovës, i cili simbolizon religjionin të cilit i takojnë banorët e këtij fshati, kryqëzon edhe rrugët e dy familjeve në hasmëri, asaj Nokaj dhe Allaku. Këto dy familje të cilat kishin dhe miqësi, tash e 13 vjet u bënë armiku më i madh i njëra-tjetrës.

Muaji korrik i vitit 2000 ishte tragjik për familjen Nokaj. Djali i tyre, Engjëlli, u vra në pikë të ditës nga djali i familjes Allaku, Antoni.

Kujt t’i falet gjaku?!

Pse dhe si u vra Engjëlli, djali i tyre, familja Nokaj nuk e kanë të qartë as sot e kësaj dite.

Gruaja e tij, Ageja, në kohën kur iu vra burri ishte vetëm 32 vjeçe dhe tash si e vejë po rrit pesë fëmijët jetimë, 3 vajzat dhe dy djemtë. Ajo përkujton ditët e vitet e vështira që ka kaluar dhe thotë se aq shumë sa ka përjetuar ajo nuk do të mjaftonin ditë të tëra për t’i shpjeguar. Ndihma e vëllezërve të burrit të saj për t’i rritur fëmijët nuk kishte munguar në asnjë moment.

Për një vepër të tillë Anton Allaku, vrasësi i Engjëllit, ishte burgosur por për një kohë të shkurtër, sipas Ages, ai është liruar dhe për këtë ajo e familja e burrit të saj kanë humbur besimin në drejtësi.

Duke mos mbetur me kaq, hasmëritë e këtyre dy familjeve u thelluan edhe më shumë, katër vjet më vonë me një krim tjetër.

Vëllai i të ndjerit Engjëllit, Anton Nokaj, në vitin 2004 kishte dalë për të marrë hak duke nxjerrë dyfish gjakun e vëllait. Ai vrau dy meshkuj të familjes Allaku, Dedën dhe Tomën, të cilët fajin e vetëm e kishin se ishin vëllezër të dorasit dhe nuk kishin marrë pjesë në vrasjen e Engjëllit.

Tragjedia e dytë, me dy të vrarë nga familja e hasmit, nuk u prit mirë as nga familja Nokaj. Ageja thotë se e kishin përjetuar shumë rëndë këtë. “Edhe pse nuk e dimë shkakun se përse mu vra burri im, ne nuk kishim dëshirë që kjo të ndodhte. Ne jemi që të bëhet mirë, nuk duam gjak”, vazhdon ajo. Ageja nuk dëshiron të flasë shumë për këtë ngjarje dhe hasmërinë prej shumë vitesh me këtë familje pasi thotë se krejt çfarë duan tani është që të mbyllet kjo çështje.

Tash e nëntë vjet, Anton Nokaj, i cili vrau dy burrat e familjes Allaku, po vuan dënimin në burg, 25 vjet sa ishte dënuar. Bashkë me të në burg janë edhe dy kushërinj të tij, të cilët thonë se kishin marrë pjesë në vrasjen e Dedë dhe Tomë Allakut.

Familja Nokaj edhe pse është në hasmëri nuk është plotësisht e izoluar. Fëmijët, ndonëse me drojë të madhe, kanë vazhduar shkollën. “Fëmijët janë provokuar shumë herë nga njerëz të familjes Allaku, mirëpo shkollën e kanë vazhduar”, ka thënë Ageja.

Rreth kësaj hasmërie provuam të bisedojmë edhe me palën tjetër, por familjarët Alloku nuk gjendeshin në shtëpi.

Kushëriri i tyre, Nikollë Allaku, nuk ka dashur të flasë për ngjarjen pasi që, siç thotë, në këtë punë kanë hyrë edhe priftërinjtë për t’i pajtuar, por ende nuk kanë marrë një vendim.

“Sa ka qenë plaku gjallë (babai i tyre) ka thënë se nuk e di se kujt t’ia falë gjakun kur askush s’e pranon fajin”, ka thënë Nikolla. Për dy të ndjerët, Dedë dhe Tomë Allakun, thotë se nuk kishin fare gisht në këtë punë, pasi që ata jetonin në Kroaci, ndërsa në kohën kur u vranë kishin ardhur për pushime në vendlindje.

Misioni i Don Marjanit

DonMarjani, prift në Kishën e Bishtazhinit, është një nga ata që kanë tentuar disa herë t’i pajtojnë këto dy familje.

Ardhja e tij, para tre vjetëve për të shërbyer në këtë kishë, thotë se kishte për synim edhe këtë gjë.

“Unë jam tash e tre vjet këtu. Saktësisht se çka e si ka ndodhur nuk e di, por është një problem i madh. Ardhja ime këtu ka qenë një synim që këto dy familje të pajtohen, sepse pa pajtim nuk ka ardhmëri të sigurt dhe duke pasur parasysh se tash rinia jonë është gjithherë e më shumë jashtë, mund të eskalojë situata dhe të ketë probleme edhe më të mëdha. Kam shkuar vërtet shpesh te këto familje por ende pa rezultat”, thotë Don Marjani.

Ai thotë se të dy familjet kanë pasur një miqësi të madhe mes vete. Ndërkohë, çka ndodhi askush nuk e di, por nga ajo miqësi aq e madhe ka kaluar në diçka ekstreme. Ndoshta kjo, sipas tij, u dhemb edhe më shumë sepse nuk e dinë për se bëhet fjalë.

“Allakët në një mënyrë nuk janë për atë që të hakmerren, sepse Nokajt e kanë marrë dënimin nga drejtësia. Dy meshkuj janë në burg dhe nuk janë të interesuar besoj që të nxjerrin gjak, por edhe nuk kanë forcë morale t’ua falin. Meqë baba i tyre ka qenë gjallë dhe nuk ka pranuar që të pajtohen, tash edhe mbi fëmijët bie më shumë përgjegjësi”, thotë ai.

Sa i përket izolimit të familjeve në hasmëri, Don Marjani thotë se kjo nuk manifestohet shumë në atë anë. “Ndoshta dalin pak me drojë por nuk janë të izoluar. Gjithsesi kjo është një ngarkesë e madhe psikike tek njerëzit, diçka që mbjell një të keqe në zemrën e të rinjve sepse megjithatë ai është i vetëdijshëm se është hasëm me dikë”, thotë prifti.

Gjatë këtyre tre viteve që shërben në Kishën e Bishtazhinit, Don Marjani ka pajtuar tri familje që ishin në hasmëri. “Unë kam arritur t’i pajtoj tri familje në këto tri vjet sa jam këtu. Kjo është një vepër e mirë, nuk është lehtë, unë mundohem të hyj nën lëkurën e tyre, u them se lehtë nuk e kanë por duhet t’ia lëmë Zotit, ai le ta japë verdiktin e fundit”, thotë ai.

Këtë fenomen Don Marjani nuk e vlerëson si të përmasave siç ka qenë vite më herët. Sipas tij, këto punë tani duhet lënë drejtësisë dhe Kanuni të mos zbatohet më. “Nëse i ndjekim me gjak këto gjëra ardhmëria e popullit tonë nuk është e sigurt. Derisa unë kam etje për gjak dhe për hakmarrje, atëherë nuk jam vetvetja. Ne nuk kemi pas shtet dhe për këtë arsye ka funksionuar ligji i Kanunit. Tash kemi shtet dhe nuk do të duhej të funksionojë në këtë mënyrë. Kanuni tash duhet të mbetet një thesar për të cilin mund të flitet e të shkruhet por në asnjë mënyrë të mos zbatohet më”, përfundon ai.

Sa janë të ngujuar, askush s’e di

Ndonëse dihet se nuk janë të pakta familjet që janë në hasmëri në Kosovë, institucionet shtetërore të Kosovës, por edhe organizatat joqeveritare nuk kanë të dhëna të sakta për numrin e familjeve këtyre familje. Sidomos për ata që, për shkak të gjakmarrjes nuk kanë arritur “të nxjerrin besë”.

Se sa familje janë të ngujuara si pasojë e gjakmarrjes, dhe se sa fëmijë nuk mund të vijojnë shkollën për këtë shkak, nuk ka të dhëna as Agjencia e Statistikave e Kosovës. “Më vjen keq por këto të dhëna ne nuk i kemi në ASK”, ka thënë shkurt për “Zërin”, Hazbije Qeriqi, përgjegjëse për komunikim dhe informim të publikut në Agjencinë e Statistikave.

Organizatat për të drejtat e njeriut kërkojnë angazhim të përgjithshëm të institucioneve, sidomos lidhur me ngujimin e fëmijëve.

Kryetari i KMDLNJ-së, Behxhet Shala, ka thënë se ky këshill, sikurse edhe çdo institucion tjetër në Kosovë, nuk ka të dhëna të sakta për rastet e ngujimit të fëmijëve për shkak të gjakmarrjes. Ai thotë se duhet angazhim institucional por edhe me ekipe të pajtimit që ky problem të zgjidhet. Ai e sheh të nevojshme që në këtë rast të ndërhyjnë patjetër edhe institucionet qendrore.

Një fenomen i tillë më tepër është i përhapur në Shqipëri, sidomos në pjesën veriore ku gjakmarrja është ringjallur menjëherë pas viteve të demokracisë. Aktualisht në Shqipëri zyrtarisht konsiderohet se rreth 250 familje janë të ngujuara dhe si shkak i kësaj 109 fëmijë nuk vijojnë shkollën.

Ndonëse në Kosovë nuk ka të dhëna institucionale për këtë, ajo që dihet është se çdo komunë pothuajse e ka përjetuar këtë plagë të shoqërisë.

 

Nga: Saranda Rama

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu