Tensioni në ushtri natën e vetëvrasjes së Mehmet Shehut

0
178

m shehu i vdekur ne krevat

Rrëfimi i ushtarakut për natën e 18 dhjetorit 1981, udhëzimet për trajtimin e ngjarjes së rëndë dhe pastrimin e literaturës nga fjalimet e tij si dhe incidenti me xhirimet e një stërvitjeje ku shfaqej ish-kryeministri

Ka qenë një kohë shumë e vështirë për shumicën e shqiptarëve, të privuar nga shumë gjëra elementare të jetës. Por këto vështirësi ishin edhe më të mëdha për ushtarakët dhe familjet e tyre.

Një jetë e kaluar nën uniformë, larg familjes, nën terrorin e gatishmërisë luftarake, sulmeve që priteshin nga armiqtë, grupeve armiqësore që goditeshin sistematikisht nga udhëheqja komuniste e drejtuar nga Enver Hoxha. Të tilla histori dhe situata janë të shumta në rrëfimin e ish-ushtarakut Pali Nito, në monografinë e sapo nxjerrë në treg “Rruga e jetës sime”.

Në një rrëfim të thjeshtë njerëzor, Nito e nis rrëfimin e tij që nga vendlindja, fshati Strum i Fierit, në rrugën e vështirë të karrierës dhe mbijetesës si familjar dhe ushtarak, për ta përfunduar me rënien e sistemit komunist dhe mbylljen pa lavdi të rolit të komisarit politik të ushtrisë, por jo të ushtarakut, që si ai me mijëra sakrifikuan gjithçka për të qenë në shërbim të atdheut, pavarësisht se ishin viktima të doktrinës komuniste.Në pjesën e parë të rrëfimit të Nitos, vjen nata e vetëvrasjes së Mehmet Shehut, alarmin që shpërtheu në vend dhe aksioni për spastrimin e gjithçkaje që kishte mbetur prej tij në literaturë dhe mesin e ushtrisëAlarmi i radhës që na u dha vonë në mbrëmjen e ditëve të fundit të Dhjetorit e që të jem i saktë në mbrëmjen e 18 Dhjetorit të vitit 1981, ishte krejt ndryshe, e për tjetër arsye, ishte një alarm tronditës, befasues, tragjik e tepër shokues.Edhe tani, ndonëse kanë kaluar 25 vjet, akoma e përjetoj atë ngjarje të pakëndshme e të jashtëzakonshme. S’kisha veçse pesë muaj që kisha përfunduar studimet në Akademinë ushtarake “Mehmet Shehu” dhe isha në detyrën e sekretarit të Byrosë së Partisë në Br54T, në korpusin e parë bregdetar të Fierit.Në mbrëmjen e 18 Dhjetorit sapo isha kthyer në shtëpi nga një mbrëmje ditëlindjeje tek një miku im, dhe po pushoja.

Nuk kaluan disa çaste dhe dëgjova një trokitje në derë, një trokitje kjo, jo e zakonshme dhe jo normale, por kërcënuese, e ngutshme, thirrëse e me doza të dukshme alarmi. U çova menjëherë vrullshëm nga shtrati dhe hapa derën me shpejtësi.

Përballë meje u shfaq ushtari korrier dhe pa më përshëndetur fare e duke marrë frymë me vështirësi më tha: “Shoku sekretar, është dhënë alarmi, ju kërkojnë në korpus urgjent, makina po ju pret poshtë, aty është edhe komandanti me komisarin.”

Vesha kapotën dhe me këpucë të palidhura, duke kapërcyer nga dy shkallë njëherësh u futa në autoveturë dhe pasi i përshëndeta shokët u thashë: “Çfarë ka bërë vaki, burra?”

Ata mu përgjigjën pothuajse njëzëri se nuk dinin gjë, por komandanti mërmëriti: “mbase na e japin zarfin e gatishmërisë atje.”

 

Makina rrëshqiste me shpejtësi në asfalt dhe për pak çaste ne u ndodhëm në komandën e Korpusit. Sapo u futëm në oborrin e Korpusit, vumë re kolegët tanë të njësive të tjera që bisedonin me zë të ulët, grupe-grupe dhe të shqetësuar. I përshëndetëm ata dhe jo pa kureshtje pyetëm: “Pse jemi thirrur në këtë mënyrë të pazakontë?”

Kolegët me përtesë, pa përfillje, të mërzitur e me gjysmë zëri na thanë se ka ndodhur një gjëmë e madhe, kryeministri Mehmet Shehu ka vrarë veten. Ne u shtangëm në vend, u befasuam, u shqetësuam, na pushtoi një pështjellim total në tërë qenien tonë, shkurt u shokuam.

Ndërsa prisnim me ankth e padurim në ambientet e jashtme të komandës së Korpusit, akoma nuk po na mblidhnin e të na shpjegonin arsyen pse na thirrën.

Me sa dukej, i deleguari i Komitetit Qendror të partisë diskutonte, sugjeronte dhe u jepte këshilla e udhëzime shokëve kryesorë të Korpusit se si duhej vepruar në këtë situatë.

Nuk vonoi shumë dhe na bënë komunikimin zyrtar për vetëvrasjen e kryeministrit, e cila sipas komunikimit ishte kryer në gjendjen e një krize nervore.

Në vijim të sqarimeve, na u tha se partia e dënon aktin e vetëvrasjes pavarësisht arsyeve, shkaqeve dhe motiveve përse është kryer vetëvrasja.

Në përfundim të sqarimeve të nevojshme u urdhëruam të shkonim në reparte e të sqaronim efektivat për gjatë gjithë natës, ndonëse ora po afronte 24:00. Ne dolëm dhe u larguam nga salla e mbledhjes duke i tërhequr këmbët zvarrë dhe u futëm nëpër makina.

Një situatë vërtet alarmante, kur në mes të natës me dhjetëra autovetura dolën zhurmshëm e me shpejtësi nga parkimi dhe u shpërndanë nëpër njësi e reparte me kuadrot kryesore, në tërë gjerësinë dhe thellësinë e korpusit që përfshinte tre rrethe kryesore Fier, Vlorë, dhe Lushnjë.

Brigada e tankeve i kishte afër repartet, dhe ne pas 15-20 minutash u ndodhëm nëpër batalionet përkatëse. Unë shkova në batalionin e parë të tankeve.

Sapo u futa në territorin e batalionit më raportoi komandanti i repartit dhe më shoqëroi për në klasën e edukimit, ku na prisnin të përgjumur ushtarët. Komandanti dha komandën “Çohu” dhe nisi formulën e zakontë të raportimit.

Pa e zgjatur bëra komunikimin e ngjarjes së rëndë që kishte ndodhur dhe ndërkohë konstatova në mimikën e ushtarëve se edhe ata po përjetonin në vetvete po atë ndjenjë tronditëse, shqetësimi e stresi që sapo kisha përjetuar edhe unë.

Por, kur unë po vijoja sqarimet e mëtejshme dhe kur nënvizova se Partia e kritikon dhe e dënon aktin e vetëvrasjes, si për çudi, krejt papritur efektivi shpërtheu në brohoritje e duartrokitje të zjarrta për Partinë dhe Enver Hoxhën, duke përsëritur sloganin e njohur “Parti, Enver, jemi gati kurdoherë”. Salla u elektrizua aq shumë saqë duartrokitjet nuk reshtnin derisa ne u detyruam të bënim me shenjë të ndalonin.

Kur unë sipas porosive që kisha marrë nga eprorët e mi, u thashë se në këtë situatë duhet të forcojmë gatishmërinë luftarake, menjëherë u ngritën agjitatorët dhe sekretarët e rinisë, dhe ndërmorën nisma e zotime konkrete për ecurinë e mëtejshme të objektivave të përgatitjes e të gatishmërisë luftarake.

Tani, kur i kujtoj këto episode interesante, mendoj se sa shumë ishte e doktrinuar ushtria jonë në atë kohë nga ideologjia dhe politika e partisë në pushtet.

Mbas përfundimit të sqarimeve të rastit dhe meqenëse nata po thyhej shkova në zyrë, në shtabin e Brigadës për të pushuar dy-tre orë por, situata ishte me të vërtetë e ndezur dhe s’ishte kohë për të pushuar.

Sapo u shtriva të pushoja ra zilja e telefonit. Më morën në telefon nga komiteti i partisë së Korpusit dhe më thanë të përgatitesha për diskutim, thelbi i të cilit duhet të ishte kritik dhe në formë zotimesh se çfarë duhet të bëjmë e si duhet të veprojmë në këto momente.

Diskutimi duhet të përgatitej sa më shpejt sepse në orën nëntë të datës 19 Dhjetor vinte i deleguari i Komitetit Qendror të partisë, shoku Kadri Hazbiu, për të sqaruar kuadrot e Korpusit të rrethit.

Me kalimin e kohës, gjërat u diskutuan dhe u analizuan më me intensitet e sidomos në qendër ku me supozime, studime, e me “prova e fakte” u arrit në përfundimin nga Enver Hoxha se Mehmet Shehu ishte agjent në shërbim të disa agjenturave dhe përfundimisht ai u shpall poliagjent i Shqipërisë, pra në krye të piramidës së të gjitha grupeve armiqësore në vend qëndronte Mehmet Shehu.

Mbas këtij përcaktimi na u dha urdhër i rreptë që të spastrohej gjithë literatura politike dhe ushtarake nga thëniet, shkrimet dhe fjalimet e Mehmet Shehut. Kjo ishte një punë tepër voluminoze, delikate e mprehtë e me shumë përgjegjësi, pasi nga pakujdesia mund ta pësoje dhe të përfundoje keq.

Nëse do të rezultonte në literaturë qoftë edhe një citat apo një thënie e vetme konsideroheshe si përkrahës dhe mbështetës i Mehmet Shehut dhe në fakt pati nga ata që e pësuan nga kjo pakujdesi duke i përjashtuar nga Partia dhe shkarkuar nga detyrat funksionale. Për ta ilustruar këtë që sapo thashë më sipër po tregoj një episod interesant:

Pas disa vitesh, kur kishte ndryshuar struktura organizative e ushtrisë, nga korpuse kishte kaluar në divizione, në divizionin e Fierit, në shtëpinë e oficerëve po shfaqej një diafilm dhe po demonstroheshin aspekte nga një stërvitje e madhe, e zhvilluar në rajonin e Fierit. Papritur në ekranin e diafilmit u shfaq Mehmet Shehu, që kishte drejtuar këtë stërvitje.

Drejtuesit e divizionit u shqetësuan shumë nga kjo ndodhi e papritur, ata të vrenjtur e të zemëruar urdhëruan ndalimin e diafilmit dhe më pas pushuan nga puna operatorin dhe paralajmëruan për shkarkim nga detyra oficerin që mbulonte problemet e edukimit e të propagandës.
(Vijon)

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu