TETË SHKURTI 1984 – NJË DITË E PËRGJAKUR!

0
92

Përkujtim në 27 vjetorin e rënies së Dëshmorit të Kombit Bajram Bahtiri – Besniku

As një nga ditët e kalendarit për ne shqiptarët nuk është një ditë e thjeshtë. Ato janë ditë të qëndresës, të lavdisë dhe të krenarisë kombëtare. E tillë është edhe kjo ditë e 08 shkurti 2011. Është kjo përvjetori i njërës prej epopeve tona të shumta të qëndresës , heroizmit, krenarisë dhe të lavdisë tonë kombëtare.

Është përvjetori i rënies heroike në lulen e rinisë, të Bajram Bahtirit, njërit prej Lajmëtarëve të Çlirimit dhe të Ribashkimit të Shqipërisë Natyrale, të coptuar pamëshirshëm nga mujsharët e Evropës Plakë, dhe të robëruar nga këlyshët e “Ariu të Sibirit”.

 

Kush ishte Bajram Bahtiri-Besniku?

Bajrami ishte njëri nga ata të rinj shqiptar, të cilët që në moshën jo madhore u përcaktuan për t’u rreshtuar në radhët e veprimtarëve aktiv për çlirimin dhe ribashkimin e trojeve shqiptare. Ky përcaktimi i tij patriotik fillon të konkretizohet gjatë Demonstratave të përgjithshme popullore shqiptare, të paraprirë nga rinia studentore dhe të njohura si Pranvera’81.

Nuk bënë pa u theksuar, se në kohën kur shpërthyen këto demonstrata Bajrami ishte i ri për nga mosha, por, (jo pa udhëzimet e vëllait të tij më të madh, Rrahmanit, njërit prej drejtuesve të Frontit për Çlirimin Kombëtar, më vonë Frontit Nacional Çlirimtar), ai diti të rreshtohej drejt, aty ku i rezistohej regjimit të pushtuesit dhe ku kjo rezistencë paguhej edhe me jetë,. Por, ky ishte çmimi që duhej paguar, por kjo e vlente sepse ishin në pyetje  interesat e shenjta të çlirimit dhe të ribashkimit, të më shumë se gjysmës së Atëmemëdheut,  të robëruar dhe aneksuar nga pushtuesit hegjemonist sllavo-grek.

Me ndihmën e vëllait të tij më të madh Rrahmanit, jo vetëm Bajrami por edhe motra e tij Zethanja e kuptuan drejt,  plotësisht dhe shpejt, se së bashku me bashkëveprimtarët e tyre do të kryenin një mision, sa të rëndësishëm po aq të rrezikshëm-atë të luftëtarëve popullorë, dhe se ky mision kërkonte vendosmëri të pa luhatshme, sepse po e lypi nevoja edhe duhej sakrifikuar çfarë është e domosdoshme, pa as hezitimin më të vogël.

Njëzetë e shtatë vjet më parë, me tetë shkurt të vitit 1984, në “Kodrën e Trimave”,  pa u përmbushë as një muaj i plotë nga rënia heroike e dy rrëfyesve, të rrugës së vetme dhe të sigurt, drejt lirisë, që duhet të ndjekin shqiptarët, Dëshmorëve të Kombit Rexhep Malaj dhe Nuhi Berisha, në përpjekje të pabarabartë luftarake kundër kohortave të specializuara nga serbomëdhenjtë dhe shërbëtorët e tyre për terrorizimin dhe vrasjet e shqiptarëve, bie për të mos vdekur kurrë, një djalosh trim, Dëshmori i Kombit Bajram Bahtiri.

Qëndresa e Bajramit e bënë që kjo datë të lakuriqësojë edhe një dështim të turpshëm të “specialcave” të Beogradit dhe të këlyshëve të tyre besnik shqipfolës, për të kapur edhe një djali besnik, për të vetmin faj të tij, pse i ndiente me terë qenien rënkimet nën robëri të popullit që e lindi dhe që ishte betuar para Flamurit Kombëtar, se do të jep çfarë lypset prej tij për çlirimin!

Qysh gjatë venjes së rrethimit, jo vetëm përreth shtëpisë së Bacë Hajrush Bahtirit, por të terë lagjes, në vijën Përroi i Zatriqit – Bunari i Hajratit, ishte fillimi i këtij dështimi të turpshëm të UDB-s dhe falangave të tyre, shumica shqipfolëse.

Bajrami falë vigjilencës së tij prej guerilasit dhe mësimeve taktike që kishte marrë nga vëllai i  tij më i madh Rrahmani ( i cili aso kohe po u qëndronte me stoicizëm torturave sistematike dhe në vazhdimësi që ushtroheshin ndaj tij nga shpirtkazmat nëpër lokalet e policisë politike), nuk ra pre e hutimit për as edhe një çast, por hidhet në veprim për të çarë rrethimin.

Falë shkathtësisë dhe breshërisë së zjarrit nga pistoleta e tij e vjetër Steyer të cal.9 mm (kujtim nga babagjyshi), arrin të çanë rrethimin. Tërhiqet drejt gurorës së vjetër, jo larg shtëpisë, në vendin e quajtur “Majdeni i Salih Bullakut”, ku edhe strehohet. Aty pozicionohet i vendosur për të vazhduar rezistencën e armatosur, pasi që përballët me zjarrin e kryqëzuar drejt tij nga pozicionet e “specialcave” të ardhur nga Hajvalia, shumica prej tyre shqipfolës, që përbënin rrethin e dytë, i cili sa vinte e ngushtohej.

Në pa mundësi për të ri-shpërthye rrethimin, Bajrami do të rezistojë pa iu trembur syri, deri në momentin kur do të goditet për vdekje nga predhat e snajperëve në duart e hienave me fytyrë njeriu, në shërbim të hasmit shekullor. Bajrami ra heroikisht duke e paguar shumëfish veten e tij.

Bajrami u varros nga rrethi familjar dhe një numër modest i miqve, nën rrethimin e dendur policor dhe nën masa të rrepta të vëzhgimit të zbuluesve të hasmit serbomadh. Në ballë të kortezhit  qëndronin me stoicizëm dhe ballë lartë Bacë Hajrushi dhe Nënëloke Nailja.

Si në shkrimet e më hershme edhe kësaj radhe, nuk bënë pa e veçuar momentin ndarjes së fundit të Nënlokës nga i biri Dëshmor, moment ky që pasqyron më së miri stoicizmin e nënëlokeve tona:

Para se t’ia dorëzonte Tokës Nënë eshkën e zemrës, Nënëloke Nailja e puthi në ball, duke iu drejtua me këto fjalë:

“Biro, nëna ka pritur që të përcjell dhëndër, por po të përcjell në Përjetësi!

Bajram bir, nëna nuk po derdh lot, sepse Ti nderove familjen, shokët e idealit dhe kombin. Hallall të qoftë gjiri që të dhashë!

Nëpër shtigjet që qelën  Bajrami dhe dëshmorët tjerë, duke shkrirë jetën e tyre të njomë, marshoi Famëmadhja UÇK. Nëpër këtë itinerar do të marshojnë Ata që do të përpiqen me vendosmëri për të jetësuar të plota dhe të papërlyera frytet e luftës çlirimtare; Ata që nuk do të lejojnë, që nga kushdo qoftë të shkelet mbi gjakun e Dëshmorëve  dhe Martirëve të Kombit! Nëpër këto shtigje do të vazhdojnë marshimin shtresa liridashëse e popullit, të vendosura për të sakrifikuar çfarë është e domosdoshme për jetësimin e Amanetit të Dëshmorëve të Kombit. Për të gjithë ata që mendojnë dhe jetojnë shqip, ky Amanet nënkupton diçka të shenjët: se nuk duhet kursyer asgjë për të arritur përbashkimin e terë potencialit tonë mendor dhe veprues, me një synim të qartë për të arritur në cakun e ëndërruar me shekuj të tërë nga populli -ribërjen e Shqipërisë Natyrale.

 

Vetëm kur ta bëjmë Atëmemëdheun tonë, ashtu siç e deshën dëshmorët e kombit, atëherë mund të themi se e kemi kryer me besnikëri Amanetin e tyre!

Me 08 02 2011

Prishtinë/Shqipëri Natyrale

 

Shkruan: Sejdi Veseli

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu