Thaçi dhe Mustafa bien dakord për zgjedhjet e përgjithshme

0
263

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, dhe Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, sot zhvilluan një takim ku biseduan për reformën zgjedhore dhe për Zgjedhjet e përgjithshme.

Të dy kryetarët u pajtuan për koordinimin e axhendës politike në muajt në vazhdim. Ata u pajtuan që reforma zgjedhore të përfundohet nga Komisoni Parlamentar dhe Qeveria brenda gjysmës së parë të muajit mars ta procedojë për miratim në Kuvend.

Po ashtu, u ra dakord që të bëhen të gjitha përgatitjet për zgjedhje të lira, demokratike dhe të mbikëqyrura nga vëzhgues ndërkombëtarë, për çfarë edhe do të bëhet kërkesë zyrtare në BE, OSBE etj.

Të dy kryetarët kërkojnë që përgatitjet e duhura të kryhen në koordinim me subjektet politike dhe me konsensus të Kuvendit të shkohet në Zgjedhje të përgjthsme në gjysmën e parë të këtij viti. Në ditët në vijim, do të zhvillohen takime edhe me liderët e subjekteve të tjera politike.

Mustafa: Nuk është koha të rrëzohet qeveria

Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, në emisionin “Debat” të RTK-së, ka deklaruar se nuk është momenti për ta rrëzuar qeverinë.

Mustafa, duke folur për zgjedhjet parlamentare, të cilat mendohet se do të mbahen më së largu deri në qershor të këtij viti, ka thënë se nëse në këtë kohë rrëzohet qeveria, do të rrëzoheshin edhe zgjedhjet.

Sipas tij, nuk është lavd nëse dikush ia arrin ta rrëzojë qeverinë në këtë kohë, ndërsa siç tha ai, “lavd është nëse krijojmë kushte të domosdoshme që zgjedhjet të jenë të mira”, transmeton Tribuna.

Mustafa ka thënë se me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës nuk ka pasur bashkërendim rreth nismës së tyre për mocion votëbesimi ndaj qeverisë.

Lideri i LDK-së e ka përmendur edhe datën e mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare, duke theksuar se partia e tij vlerëson se zgjedhjet do të duhej të mbaheshin më 8 qershor.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu