Thaçi: Disa herë u takuam me Tadicin

0
240

Kryeministri Hashim Thaçi, nuk ka mohuar se ka pasur takime me presidentin serb, Boris Tadic. Për më tepër, ai thotë se nuk kanë qenë vetëm dy takime, ashtu siç raportonte Wikileaks, por sipas tij ka pasur më shumë. Po ashtu, në pjesën e dytë të intervistës së Thaçit me “Kosova Sot” ai ka folur edhe për riformatimin e mundshëm të Qeverisë së Kosovës, për mësimbesimin dhe për historinë.

“E vërteta është se nuk kanë ndodhur dy takime, por shumë më shumë takime në konferencat e ndryshme ndërkombëtare edhe në Vjenë, edhe në Bruksel edhe në Nju Jork dhe vende të tjera. Ato kanë qenë konferenca ndërkombëtare ku nuk kanë munguar as dorshtrëngimi. Prandaj ne duhet të sillemi si burrështetas e jo si qyqar. Nuk ka çka të fshihet, nuk jemi të vetmit që jemi takuar me presidentin Tadic. Kemi pasur edhe dreka, edhe darka tërë delegacioni kosovar”, ka thënë Thaçi në një intervistë për Kosova Sot.

Tutje Thaçi ka folur edhe për debatin mbi lëndët fetare dhe për koalicionin qeverisës që sipas tij nuk është lëkundur. “Qeveria është shumë stabile, mazhoranca është shumë funksionale, debatet në parlament janë shumë dobiprurëse për shoqërinë e Kosovës”, ka thënë kryeministri.

Duke folur për riformatimin e mundshëm të Qeverisë, Thaçi ka thënë se pas gjashtë muajve do të bëhen edhe vlerësimet për çdo ministër. “Do të vijë koha që do të kemi vlerësim real, konkret dhe profesional, politik edhe vlerësim përgjegjës për ekzekutivin të secilit dikaster përkatës”.

Kryeministri ka thënë po ashtu se ka marrëdhënie shumë të mira me presidenten Jahjaga, me të cilën thotë se ka raporte të shkëlqyera. “Janë raporte institucionale, por edhe personale. Raporte të ndërtuara mbi bazën kushtetuese dhe ligjore, që i vlerësoj si mjaft pozitive”, ka thënë ai.

Duke folur për historinë, pasi që edhe vet është historian, Thaçi ka thënë se “deklarimet e askujt nuk mund t’i prezantoj si qëndrime të ndonjë shteti dhe kërkesa e tillë nuk ka ardhur as nga Turqia. “Historinë nuk e shkruajnë qeveritë, por historianët. Kështu që në asnjë rrethanë nuk lejoj politizimin e historisë. Historia është ajo që ka qenë. Natyrisht ndonjëherë është shkruar apo ndikuar prej politikës. Por, historia është shkencë që nuk duhet të jetë e ndikuar nga politika, apo në kuptimin e njëanshmërisë etnike”, ka thënë kryeministri Thaçi.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu