Thaçi premton autostradë për Llapin sa herë që ka zgjedhje

0
97

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka vazhduar me premtimet në Podujevë në fushatën paraelektorale që ka filluar më herët nëpër Kosovë për zgjedhjet parlamentare që do të mbahen sivjet.

Ai në mbrëmjen e së premtes në Podujevë ka premtuar se do të investohen mbi 5 milionë euro gjatë këtij viti në këtë qytet. Gjatë këtij tubimi me zyrtarë të PDK-së nga qendra dhe me ata të Degës në Podujevë, kryeministri Thaçi ka zënë në gojë edhe një herë çështjen e autostradës për këtë pjesë të Kosovës.

Edhe pse në zgjedhjet lokale të vitit të kaluar ai kishte premtuar dy autostrada për Llapin, në këtë qytet nuk ka ardhur as Rruga e Kombit, që ishte planifikuar të vinte nga Vërmica deri në Merdar. Të premten, kryeministri i Kosovës ka thënë se me rishikimin e buxhetit do të fusin projektin e ndërtimit të autoudhës nga Prishtina në Podujevë.

“Unë ndihem mirë që kanë ardhur mbi 50 milionë euro investime nga qeverisja e PDK-së. Kjo ka ardhur si rezultat i punës tuaj të mirë, prej lobimit të deputetëve dhe ministrave që vijnë nga kjo anë… Investimet në Podujevë do të rriten gjatë mandatit të tretë. Edhe kompleksi ‘Zahit Pajaziti’ do të përfundojë së shpejti, edhe shtatorja e Zahir Pajazitit do të vijë në fund të prillit ose majit, ende nuk është caktuar data. Ne do të investojmë në rritjen e mirëqenies sociale”, ka thënë Hashim Thaçi.

Kryeministri i Kosovës ka premtuar se nëse marrin edhe mandatin për të udhëhequr Qeverinë do të ketë rritje për çdo vit nga 25 për qind të pagave.

“Të tjerët që po bëjnë zhurmë edhe sonte u themi se ne ato që premtojmë i mendojmë mirë dhe i realizojmë premtimet, ndërsa zhurma e tyre ka qenë e paplanifikuar. Të paktën le t’iu gëzohen rritjes së pagave. Me rishikimin e buxhetit do të fusim edhe autoudhën Prishtinë-Podujevë”, është shprehur ai. Të gjitha këto Thaçi i ka bërë sikur në një tubim elektoral.

“Sivjet do të mbahen zgjedhjet. Kërkoj angazhim sikur ato zgjedhje të mbahen shumë shpejt. Edhe për mandatin e tretë do të fitoj përkrahje edhe më të gjerë. Në këtë zgjedhje edhe Podujeva meriton fitoren e PDK-së”, ka theksuar Thaçi.

Ai ka thënë se si parti e qendrës së djathtë pas zgjedhjeve do të shohin se me kë do të bëjnë koalicion, por, sipas tij, në zgjedhje do të garojnë vetëm duke shpresuar në fitore.

Ndërkohë, kryetari i Degës së PDK-së, Muhamet Latifi, ka përmendur investimet që janë bërë në Podujevë nga Qeveria qendrore dhe ato që janë planifikuar të realizohen sivjet. Latifi ka thurur lavde për shefin e tij të partisë për udhëheqje të mirë gjatë këtyre dy mandateve. Fjalë të mira ka folur edhe anëtari i Kryesisë së PDK-së, Rrustem Mustafa.

© KOHA Ditore

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu