Thaçi siguron Ban Ki moon-in: Gjykata Speciale, në janar

0
178
Hasjim Thaqi gjatz Intervistes
Hasjim Thaqi gjatz Intervistes

Pavarësisht pengesave që po u shkaktohen në krijimin e institucioneve të reja Gjykata Speciale për krime lufte do të funksionalizohet më së largu deri në janarin e vitit të ardhshëm. Kështu kanë deklaruar përfaqësuesit e subjekteve politike dhe analistët politikë, reagime këto pas kërkesës së Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki- moon, që institucionet e Kosovës të punojnë, që më së largu deri në janar të vitit 2015 të funksionalizohet Gjykata Speciale për krime lufte. Ndërsa, i vetmi subjekt politik, që kundërshton këtë Gjykatë është Lëvizja “Vetëvendosje”, e cila e vlerëson si të dëmshëm për vendin krijimin e saj.

Kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi, ka thënë se ngërçi politik nuk do të ndikojë fare në funksionalizimin e Gjykatës Speciale.

“Nuk është duke ndikuar fare në këtë drejtim ngadalësimi i krijimit të institucioneve. Kuvendi i Kosovës ka marrë vendimin për krijimin e Gjykatës Speciale, kështu që Kosova do t’u përgjigjet obligimeve të veta dhe kërkesave të Bashkësisë Ndërkombëtare. Kam besim të plotë se skena politike kosovare edhe në këtë drejtim do të jetë unike”, ka deklaruar Thaçi, në një intervistë për DW.

Ai ka garantuar se institucionet e Kosovës do të kryejnë përgjegjësitë e tyre rreth kësaj çështjeje. “Një gjë mund të siguroj: Institucionet e Kosovës do t’i kryejnë të gjitha obligimet e veta karshi këtij procesi të rëndësishëm”, ka shtuar Thaçi.

Në anën tjetër, anëtarja e Kryesisë së LDK-së, Lirije Kajtazi, ka thënë se funksionalizimi i Gjykatës Speciale mund të shtyhet për shkak të vonesave që po shkaktohen në formimin e institucioneve të reja.

“Vonesat që po shkaktohen në formimin e institucioneve shkaktojnë vonesa edhe në çështje të tjera e në këtë rast edhe në formimin e Gjykatës, kështu që domosdoshmërisht duhet të themi se çdo gjë mund të shtyhet”, ka thënë Kajtazi. Sipas saj, meqenëse janë krijuar këto komplikime, disa çështje mund të shtyhen për një kohë, “por unë besoj që në momentin e parë që të fillojmë punën, ne do të fillojmë t’i plotësojmë të gjitha ato minuse që i ka shkaktuar kjo qeverisje”

 Analistët: Nuk ka arsye për vonesa

 Analistët politikë kanë vlerësuar se institucionet kosovare do t’i kryejnë obligimet e veta rreth formimit të Gjykatës Speciale dhe sipas tyre kjo Gjykatë do të funksionalizohet deri në fillim të vitit të ardhshëm.

Publicisti, Halil Matoshi, ka thënë se funksionalizimi i kësaj Gjykate do të jetë prioritet i qeverisë së re, pa marrë parasysh se cilat subjekte politike do të jenë në pushtet.

“Mendoj që funksionalizimi i kësaj Gjykate është prioritet i secilës konjukturë politike që do të vije në pushtet, pra pa marrë parasysh se cila palë do ta formojë qeverinë e re. Kjo madje nuk është prioritet vetëm i Qeverisë, pro do të jetë edhe një test për funksionalitetin e shtetit të Kosovës dhe për faktin që vetë Kosova e ka marrë përsipër para faktorit ndërkombëtar që ta jetësojë një mekanizëm të tillë”, është shprehur Matoshi. Ndërsa profesori universitar, Mazllum Baraliu, ka thënë se nuk ka arsye që institucionet e reja të vonohen në funksionalizimin e kësaj Gjykate, pasi që sipas tij Kuvendi i Kosovës tashmë është pajtuar për krijimin e saj.

“Nuk ka arsye të marrë shumë kohë, por besoj që duhet të përfundohet në fund të këtij viti ose më së largu në fillim të vitit të ardhshëm, përveç nëse edhe ndërkombëtarët do të kenë tjera premisa të  veprimit e tjera të planifikimit. Por, nuk ka arsye që të ketë vonesa në këtë çështje”, ka deklaruar Baraliu.

LVV-ja: Kundër Gjykatës edhe në pushtet

Lëvizja “Vetëvendosje” do të jetë kundër krijimit të Gjykatës Speciale për krime lufte, pasi që vlerëson se kjo Gjykatë e njollos luftën për liri të popullit shqiptar.

Qëndrimi i Lëvizjes “Vetëvendosje” karshi krijimit të Gjykatës Speciale tashmë dihet botërisht. Ne si subjekt politik kemi kundërshtuar fuqishëm krijimin e Gjykatës, e cila njollos luftën e drejtë të popullit shqiptar për liri. Në vazhdën e kësaj, ne nuk do të mbështesim funksionalizimin e kësaj Gjykate, sepse lufta e UÇK-së ka pasur karakter mbrojtës dhe ka qenë luftë e drejtë për çlirim dhe për liri”, ka thënë anëtarja e “Vetëvendosjes”, Albulena Haxhiu. Haxhiu ka bërë  të ditur se “Vetëvendosje” do ta kundërshtojë funksionalizimin e kësaj Gjykate pa marrë parasysh se a do të jetë pjesë e qeverisë së re, apo jo?

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu