The Conversation: Rritja e madhe e Vetëvendosjes që iu kushtoi PDK’së e LDK’së

0
71

Rezultatet e zgjedhjeve të fundit të përgjithshme në Kosovë befasuan të gjithë: Vetëvendosje, deri tani një e parti e vogël opozitare, fitoi 32 vende duke u bërë partia më e madhe në parlament. Kjo gjë i dha fund të papritur politik dy partive dominante në Kosovë, PDK dhe LDK, nën sundimin e të cilave vendi ra pre e korrupsionit të vazhdueshëm dhe stagnimit ekonomik, shkruan media ndërkombëtare “The Conversation”.

Vetëvendosje u dha fund këtyre viteve të dëshprimit, ndërsa Albin Kurti, kandidati për kryeministër nga kjo parti tha se do t’ju japin njerëzve kurajë.

Media ndërkombëtare “The Conversation” përveç rritjes së madhe e të papritur të Vetëvendosjes, shkruan edhe për procesin e formimit të Qeverisë në Kosovë.

Ajo përmend vendimin që Gjykata Kushtetuese morri më 2014, se e drejta për formimin e Qeverisë i takon partisë apo koalicionit që mori më së shumti vota në zgjedhje, transmeton Periskopi.

“Në këtë rast, Qeverinë do të tentojë ta formojë koalicioni i partive (PDK-AAK-NISMA) të ashtuquajtura “Krahu i Luftës”, të cilat kolektivisht fituan 39 vende dhe tani po përpiqen me tërbim të formojnë qeverinë. Për ta bërë këtë, do të kenë nevojë për mbështetjen e partive të ndryshme të vogla që përfaqësojnë komunitetet e pakicave të Kosovës”, e vazhdon shkrimin e saj “The Conversation”.

Gazeta shkruan edhe për mundësinë e dështimit të PAN’it gjatë procesit të formimit të Qeverisë. Andaj, përmend mundësinë që Lëvizja Vetëvendosje ta drejtojë Qeverinë e ardhshme, ndonëse si parti ambasadat e huaja në Kosovë tentuan ta shmangin.

Media ndërkombëtare “The Conversation” shkruan se përfaqësuesit perëndimorë në Kosovë kritikuan vazhdimisht taktikat që VV përdori për kundërshtim në Kuvend, veçanërisht gazin lotsjellës, transmeton Periskopi.

Më tej, përmenden takimet dhe diskutimet që liderët e Vetëvendosjes patën me ambasadorë të huaj në Kosovë, ku u diskutua plani qeverisës i tyre.

“Kjo paraqet një ndryshim dramatik të ndjeshmërisë nga ana e bashkësisë ndërkombëtare”, e vazhdon shkrimin e saj gazeta.

Ngritja e Vetëvendosjes

“The Conversation” përmend faktin se Vetëvendosje u krijua në vitin 2004, ndërsa më pas krijoi armiq të shumtë politikë.

“Grupi u angazhua në organizimin e protestave në rrugë dhe pengimin e procedurave parlamentare, për të kritikuar hapur aleancën mes elitës korruptive politike të Kosovës dhe partnerëve të saj ndërkombëtarë. Këto përpjekje për të mbajtur komunitetin ndërkombëtarë të përgjegjshëm për bashkëpunim në kriminalitet, bën që krijohen përshtypje negative për partinë”, shkruan më tej gazeta, transmeton Periskopi.

Gazeta më tej përmend faktin se Vetëvendosje nuk ishte partia e vetme në Kuvend që përdori gazin lotsjellës. Po ashtu, gazeta shkruan edhe për kundërshtimin që Vetëvendosje i ka bërë vazhdimisht Marrëveshjes së Asociacionit të Komunave Serbe, e njohur si “Zajednica”. Por, Vetëvendosje sqaroi se ajo marrëveshje do të rriste ndikimin serb në Kosovë andaj edhe po e kundërshtonte, transmeton Periskopi.

Citohet deklarata e kandidatit për kryeministër nga Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili kishte thënë se po bëhet bosnjizimi i Kosovës.

“Ajo që po ndodh në Kosovë është i njëjti proces që ka ndodhur në Bosnjë në fillim të viteve 1990, që çoi përfundimisht në njohjen formale të Republikës Serbe. Ne e kundërshtojmë këtë erozion të sovranitetit të Kosovës nga Serbia” citon gazeta Kurtin.

Sipas gazetës, ndërkombëtarët nuk e deshën Vetëvendosjen për shkak të kritikave të vazhdueshme që u bënte kjo Lëvizje misioneve të tyre.

“Vetëvendosje vazhdimisht ka kritikuar shtetet dhe trupat ndërkombëtare ende të pranishme në Kosovë-të ashtuquajturit “ndërkombëtarët”-për kompetencat e tyre të papërgjegjshme, ndërhyrjen e tepruar në politikën e brendshme dhe veçanërisht mosveprimin e tyre kundër kriminalitetit të kryer nga elita politike e Kosovës”, citon gazeta.

Por, përmendet edhe një raport i Këshillit të Evropës, sipas të cilit bashkësia ndërkombëtare toleroi aktivitetet mafioze e kriminale në Kosovë, gjë të cilën e kishte potencuar e kundërshtuar vazhdimisht Vetëvendosje.

“Suksesi i Vetëvendosjes duhet të mirëpritet nga ata që mbështesin fuqinë dhe përparimin e njerëzve në Kosovë. Zgjedhjet e fundit kanë bërë të qartë se epoka e apatisë është e mbaruar dhe se margjinalizimi i Vetëvendosjes nuk është më opsion” e përfundon shkrimin e saj gazeta “The Conversation”.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu