Thirrje për protestë ditën e ratifikimit të Marrëveshjes Thaçi-Daçiç

0
88

Në konferencën e mbajtur sot për media, nga Glauk Konjufca dhe Visar Ymeri u paralajmërua  organizimi i Protestës gjithëpopullore në kundërshtim të ratifikimit të marrëveshjes me Serbinë, po qe se kjo sillet në Kuvend nga Qeveria.

Lëvizja VETËVENDOSJE! i bën thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës që të bashkohen në këtë protestë në ditën që Hashim Thaçi do ta sjellë për ratifikim në Kuvend marrëveshjen.

Nuk ka më dyshim se marrëveshja me Thaçi-Daçiç është e dëmshme për sovranitetin dhe ndërtimin e shtetit të Kosovës. Me të hidhen themelet e autonomisë territoriale etnike serbe brenda Kosovës. Prej saj Asociacionit të Komunave serbe të Kosovës i jipen kompetenca të tilla që konstituojnë një trup politik me organizim institucional të ndryshëm nga pjesa tjetër e Kosovës.

Me qeverisjen e kësaj Qeverie, Kosova përfundimisht ka hyrë në fazën e ndarjes së brendshme, duke u pajtuar që pushteti i Beogradit të ketë edhe zyrtarisht legjitimitet ndërkombëtar në ushtrimin e ndikimit dhe pushtetit në një pjesë të shtetit tonë.

 

Vetë zonja Ashton para 2 ditësh tha se serbëve të veriut iu është dhënë autonomi. Përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës e kanë për obligim t’ua shpjegojnë popullit deklaratat e baroneshës Ashton, sepse ishin vetë këta zyrtarë qeveritarë që thanë se veriut nuk i është dhënë autonomi. Ata duhet të dalin t’ia shpjegojnë popullit se cila deklaratë është e vërtetë, kjo që po thotë zonja Ashton, se veriut i është dhënë autonomi, apo kjo që përgjatë gjithë këtyre javëve dhe muajve është thënë nga zyrtarët qeveritarë se në atë pjesë të Kosovë nuk do të ketë kurrfarë lloj autonomie.

 

Marrëveshja me Serbinë i legalizon strukturat kriminale të Serbisë dhe  amniston bartësit e posteve antikushtetuese e të paligjshme të përfaqësuesve të Beogradit që veprojnë në Kosovë. Në anën tjetër, kjo ia ka mundësuar Serbisë që një pjesë më të vogël të strukturave të saj kriminale t’i akomodojë brenda institucioneve të Kosovës, sipas pikës 8 të marrëveshjes, kurse pjesën tjetër më të madhe do ta mbajë gjithnjë aktive dhe nuk do ta shpërbëjë.

Të mendosh se Serbia vetvetiu do t’i shuajë strukturat e saj paralele dhe të paligjshme në Kosovë nuk është asgjë tjetër veçse maskim i pamundësisë dhe mosgatishmërisë së Qeverisë për veprim konkret drejt shpërbërjes së këtyre strukturave antikushtetuese dhe të paligjshme në Kosovë.

 

Me këtë marrëveshje, në aspektin e sigurisë, policisë dhe drejtësisë, fillojnë çarjet e para të një sistemi shtetëror që sipas Kushtetutës sonë definohet si unik dhe i pandashëm. Kjo është  mënyra sesi në Kosovë po na krijohen dy hapësira të ndryshme të organizimit institucional. E para, është Kosova deri të lumi Ibër e cila do të qeveriset dhe organizohet sipas Planit të Ahtisaarit, kurse e dyta do të jetë pjesa e veriut të Kosovës e cila do të qeveriset dhe organizohet sipas Marrëveshjes me Serbinë.

 

Nëpërmjet marrëveshjes me Serbinë, Qeveria e Kosovës me në krye Hashim Thaçin ia ka lidhur duart dhe këmbët shtetit ligjor për shtrirjen e ligjit në veri. Deri dje, çfarëdo ndërhyrje në veri për goditjen e strukturave kriminale dhe krimit të organizuar ka qenë jo vetëm e ligjshme, por edhe obligim kushtetues. Pas kësaj marrëveshjeje me Serbinë, çfarëdo veprimi sado i vogël që do të mund të ndodh apo që e kanë plan të ndodhë nuk do të mund të paramendohet pa miratimin e Beogradit.

 

Kosova nuk do të guxojë të veprojë sipas obligimeve të saj ligjore e kushtetuese, sepse ato nga Serbia gjithnjë do të interpretohen si qëllimkëqija dhe me synim të sulmit të serbëve atje. Mishërimi më i qartë i këtij nënshtrimi është pranimi që trupat e FSK-së të mos kenë të drejtë të jenë prezent edhe në atë pjesë të territorit të Republikës së Kosovës. Kjo do të thotë që Qeveria jonë e trajton veriun e Kosovës sikur të mos ishte pjesë e saj.

Marrëveshja që përmban të tilla pasoja për shtetin e Kosovës pritet që të sillet në Kuvend e Republikës për t’u ratifikuar. Nëse kjo do të ndodhë në javën e ardhshme apo në javën tjetër ende mbetet e paqartë për shkak se nuk ka datë të saktë.

Ne mendojmë që atë ditë domosdoshmërisht duhet të protestohet kundër ratifikimit të kësaj marrëveshjeje.

Duhet ta kemi të qartë se ratifikimi i një marrëveshjeje ndërkombëtare në Kuvendin e Kosovës me votën e 2/3 së deputetëve e fiton peshën ligjore përmbi Kushtetutën dhe përmbi të gjitha ligjet tjera të Kosovës. Pra, nëse marrëveshja ratifikohet, atëherë Kosova do të jetë vend i definuar nga marrëveshja e jo më nga Kushtetuta e vet apo nga ligjet pozitive që i ka këtu. Të gjitha këto pastaj do duhej domosdoshmërisht të ndryshohen për t’u përputhur me pikat dhe parimet e marrëveshjes së ratifikuar.

Po ashtu, përveç protestës qytetare që do ta organizojmë atë ditë kur pritet të ratifikohet kjo marrëveshje, ne i bëjmë thirrje edhe deputetëve të Kuvendit të Kosovës, veçanërisht atyre të LDK-së, që tash pasi që po dihet botërisht që kjo është marrëveshje për autonomi për veriun, dhe është marrëveshje që del nga suazat e Kushtetutës së Kosovës, logjikës së sovranitetit dhe ushtrimit të kontrollit e integritetit territorial, atëherë e kanë rastin që me kundërshtimin e ratifikimit të saj të mos e lejojnë që kjo marrëveshje të bëhet dokumenti që e përcakton të tashmen dhe të ardhmen e Kosovës.

Pra, 12 deputetë të VETËVENDOSJE!-s, natyrisht që do të jenë kundër. Edhe dy të LB-së e kanë kundërshtuar. Nëse ia shtojmë edhe 27 deputetë të LDK-së, kjo marrëveshje nuk e kalon procesin e ratifikimit. Objektivisht, LDK e ka mundësinë që ta ndal ratifikimin dhe zbatimin e kësaj marrëveshjeje.

Është momenti kur deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk duhet t’i nënshtrohen asnjë presioni tjetër, përveç trysnisë së interesit të përgjithshëm dhe vullnetit të përgjithshëm qytetar të Kosovës, e që është një Kosovë republikane, unike territorialisht, sovrane politikisht, dhe e lirë të vendos për fatin e vet.

 

28 prill 2013

Lëvizja VETËVENDOSJE!

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu