TIVARI ËSHTË VARRI MË I MADH MASIV I SHQIPTARËVE

0
221

 berat luzhaIshte viti i madh 1945. Lufta Nacionalçlirimtare apo Lufta e Dytë Botërore sapo kishte përfunduar edhe në Kosovë. Populli shqiptar, i gjendur dhe i rivendosur pa dëshirën e tij në kreaturën shtetërore të quajtur Jugosllavi, megjithatë shpresonte se gjendja e tij do të ndryshonte rrënjësisht në krahasim me paraluftën. Shpresonte për bashkimin me shtetin amë dhe shpresonte për lirinë e fituar në luftë me gjak. Por, në vend se ta gëzonte lirinë e fituar, regjimi serb kishte planifikuar e realizuar masakra masive kudo. Pranvera e atij viti kishte ardhur e zezë si nata, skëterrë. Numëroheshin njëra pas tjetrës masakrat, vrasjet masive, burgosjet dhe plaçkitjet e një populli të lodhur nga lufta, nga varfëria dhe nga robëria e gjatë.

Në dimrin e ftohtë të vitit 1945 “çlirimtarët” jugosllavë iu kishin vërsulur nga të gjitha anët Kosovës dhe viseve tjera shqiptare për t’i gëlltitur ato. Kurse, për ta bërë gllabërimin më të lehtë, njësitë vendore partizane, si aradhat, çetat, batalionet e brigadat, ishin dërguar në frontet e luftës jashtë vendit, kudo nëpër Jugosllavi, gjoja për t’i plotësuar njësitë partizane të Ushtrisë Naconalçlirimtare të Jugosllavisë. Pos kësaj, regjimi i ri jugosllav kishte mobilizuar dhunshëm edhe dhjetra mijëra shqiptarë të tjerë për t’i dërguar ata në frontet e luftës në Dalmaci, në Srem e kudo nëpër Jugosllavi. Por, në vend se në frontet e luftës, në muajt mars – prill 1945, shovinistët serbë, maqedonas e malazez kryen vrasje monstruoze e masakra të papara mbi ushtarët – rekrutët duarthatë shqiptarë.

Regjimi serb – jugosllav më 8 shkurt 1945 vetëm në Kosovë kishte vendosur administratë ushtarake, e cila udhëhiqej plotësisht nga ushtarakët serbo – malazezë. Me urdhër të veçantë të kreut ushtarak jugosllav, kishte filluar edhe mobilizimin e dhunshëm të shqiptarëve. Të mobilizuarit ishin ndarë në dy pjesë; një pjesë u dërgua në Frontin e Sremit, kurse pjesa tjetër në Frontin e Adriatikut (mbi 22 mijë ushtarë). Pjesa e dytë e të mobilizuarve apo e rekrutëve shqiptarë u grumbulluan fillimisht në Prizren, ku qëndruan disa ditë, ku u çarmatosën dhe ku u ndanë në eshalone e njësi tjera ushtarake. Pastaj vazhduan rrugën drejt Tivarit, nëpër Kukës, Fushë-Arrës, Pukë e Shkodër, por me komandën serbe të Divizionit 46-të të Serbisë. Gjatë rrugës këmbë e nëpër të ftohtë, pa ushqim dhe duke mos lejuar ta shuanin etjen, u vranë disa qindra ushtarë shqiptarë. Me të arritur në Tivar, më 1 prill 1945, pasoi një masakrim masiv i ushtarëve – rekrutë shqiptarë. Aty janë vrarë, pa asnjë shkak, sipas disa shënimeve, mbi katër mijë ushtarë. Më 18 prill, me një metodë tjetër, atë të ngulfatjes me gaz helmues, në Raguzë (Dubrovnik), janë vrarë edhe 1300 shqiptarë të tjerë. Në qytetin e Tregurit (Trogirit) në Dalmaci u mbytën në det, pas fundosjes me një anije, së paku 29 shqiptarë – ushtarë rekrutë. Numri i saktë i ushtarëve – rekrutëve shqiptarë të vrarë gjatë rrugës nëpër territorin shqiptar, në qytetet e Tivarit, të Raguzës e të Tregurit, asnjëherë nuk është mësuar.

Politika e pushtetmbajtësve të rinj serbë – jugosllavë nuk ndryshonte thuajse aspak nga politika shfarosëse e regjimeve serbe të paraluftës. Shqiptarët akuzoheshin padrejtësisht. Ndaj tyre udhëheqja politike e ushtarake serbe, malazeze e maqedonase kishte krijuar një qëndrim tendencioz dhe disponim thellësisht armiqësor, që reflektonte më vonë, gjatë të gjitha zhvillimeve politike për Kosovën, me veprime të padrejta, me veprime shoviniste e fashiste; duke e “zhvlerësuar” Rezolutën e Bujanit, duke vendosur administratë ushtarake, duke e manipuluar e dhunuar votën në Konferencën e Prizrenit, duke dërguar në Kosovë njësi ushtarake nga Serbia e nga Maqedonia për të bërë krime, duke e çarmatosur popullsinë vendore, duke bërë arrestime të shumta, duke hapur dosje për secilin intelektual dhe shqiptar patriot, duke i eliminuar shqiptarët nga pushteti dhe administrata, duke e bërë mobilizimin e dhunshëm vetëm të shqiptarëve, duke masakruar ushtarët – rekrutët e mobilizuar, por edhe popullsinë duarthatë, duke i dërguar shqiptarët nëpër frontet e luftës jashtë Kosovës e për t’i përdorur ata si “mish për top”, duke i detyruar të shpërnguleshin në Turqi…

Ishte thënë se mobilizimi po bëhej për plotësimin e njësive ushtarake të Armatës Popullore të Jugosllavisë për pjesëmarrje në operacionet çlirimtare. Por, të mobilizuarit shqiptarë nga Kosova dhe pjesa shqiptare e Maqedonisë nuk u dërguan në frontet e luftës, as në operacionet për çlirimin e Jugosllavisë. Ata, në vend se në frontet e luftës, u vranë nga eprorët e tyre, nga komanduesit e tyre, duke përjetuar golgotën e vuajtjeve të pambarim e të vrasjeve të pashembullta në histori, si gjatë rrugëtimit “për në frontet e luftës”, ashtu edhe në vendet (e planifikuara) për vrasjen masive të tyre; në Tivar, në Raguzë, në Tregur…

Të mobilizuarit shqiptarë – rekrutët e çarmatosur kishin mbetur rrugëve, kishin mbetur nën komandën dhe nën mëshirën e eprorëve dhe të ushtarëve serbë. Ata ishin të këputur e të lodhur, të uritur e të etshëm, pa ushqim, pa kujdes dhe në kushte tepër të vështira. Prandaj, vrasjet masive në Tivar, në Raguzë e në Tregur kishin përmasa të krimeve të papara e tepër monstruoze, kishin përmasa të masakrave e të gjenocidit. Këto vrasje nuk mund të cilësohen ndryshe, pos si shfryrje të epsheve shoviniste e fashiste të kreut ushtarak e politik jugosllav, e veçanërisht të kreut serb, malazez dhe maqedonas, përgjegjës të drejtpërdrejtë të këtyre ngjarjeve tragjike.

Shqiptarët marshojnë drejt vdekjes – Tivarit (fundmars 1945)

Këto masakra monstruoze duket se janë harruar nga kujtesa jonë kolektive dhe sidomos nga shkenca e historisë. Mijëra shqiptarë, viktima të një regjimi të ri shovinist e fashist, i cili sapo kishte marrë pushtet, na bëhet sikur janë mbuluar nga harresa jonë. Por, ata kanë ekzistuar; kanë lindur e kanë jetuar në të njëjtin vend kemi lindur e ku jetojmë edhe ne. Janë vrarë në moshën e tyre më të mirë për fajin e vetëm, pse ishin shqiptarë! Regjimi serb – jugosllav ishte kujdesur shumë që viktimat e tij, të vrarët të harroheshin përgjithmonë, në mënyrë që për ta të mos dihej, të mos shkruhej e të mos mësohej kurrë. Kurse, në anën tjetër, ky regjim shqiptarëve u bënte premtime mashtruese, u paraqitej si çlirimtar e si shpëtimtar, u paraqitej sikur atyre ua kishte dhuruar lirinë dhe të gjitha të drejtat njerëzore, politike e kombëtare.

Është koha e fundit që shkenca e historisë ta thotë fjalën e vet meritore për këto ngjarje ende të pastudiuara sa duhet. Është detyrë e historianëve të merren më shumë e më me përkushtim për zbardhjen e këtyre ngjarjeve të pashembullta në histori. Me këtë rast duhet përgëzuar përçapjet e para në këtë drejtim të Prof. Muhamet Pirrakut, të Prof. Hakif Bajramit, të Prof. Zekeria Canës, të Sheradin Berishës e të ndonjë tjetri. Veçanërisht duhet përgëzuar përjetuesit e masakrës, Bajram Golën, autorin i një fejtoni me dëshmi dhe Azem Hajdinin – Xanin, autorin e disa librave me dëshmi e kujtime për masakrën e Tivarit. Azem Hajdini ishte përjetues i drejtpërdrejt i tërë kalvarit dhe njëri nga dëshmitarët e shumtë autentik, i cili me përkushtim të pashoq po punon qe disa dekada për zbardhjen e ngjarjeve tragjike – masakrave mbi ushtarët shqiptarë në Tivar, në Raguzë e në Tregur.

Por, historiografia shqiptare ende nuk e ka thënë fjalën, nuk e ka kryer detyrën e vet për këto ngjarje historike të tragjedisë sonë kombëtare.

Shkruan: Berat Luzha

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu