Topi vs Topalli kthehet në Lubonja vs Fevziu (REPLIKAT NË STUDIO)

0
180

Konflikti në studion e emisionit “Opinion” në TV Klan ka lindur pasi Lubonja kundërshtoi mënyrën se si diskutonte njëri nga anëtarët e panelit, deputeti i PD, Strazimiri. Ky i fundit lidhi deklaratat e Topallit me myslimanët shqiptarë, ndërkohë që Lubonja po shprehej se konfliktet lindin kur instrumentalizohet feja dhe kur përdoret si mjet për pushtetin. Strazimiri ca më tej nisi të fliste për mrekullitë e PD-së në Shkodër dhe në këtë moment Lubonja ka kërkuar nga moderatori Fevzi që të mos sillte më në studio militantë. Këtu ka nisur një debat i ashpër mes Lubonjës dhe moderatorit Fevziu. Lubonja e akuzoi atë se me emisionet e tij po polarizon shqiptarët, se është bërë palë dhe se emisionet e tij nuk po bëjnë debat, por tentojnë të “hedhin topin andej”, duke pasur parasysh opozitën. Më poshtë, pjesa e fundit e debatit, kur pas replikave, moderatori Fevzi e mbyll emisionin.

(në panel ishin edhe Migjen Kelmendi, Baton Haxhiu, Afrim Krasniqi, Gent Strazimiri, Fatos Lubonja, Stefan Çapaliku)

 

Fatos Lubonja: Unë jam nga ata që edhe kur flitet për fetë në Shqipëri, që thuhet toleranca shqiptare, unë them: “avash njëherë ta shikojmë a jemi vërtetë tolerantë…”. Sepse po të jemi tolerantë kaq shumë ndaj njëri-tjetrit nuk do të kishim prodhuar regjimin totalitar… Pra, jemi tolerant në thelbin tonë apo nuk është feja e instrumentalizuar? Unë mendoj që nuk është feja e instrumentalizuar… Pasi kur të vijë një moment kur feja të bëhet një instrument për të marrë pushtetin, atëherë befas, fare mirë ajo që quajmë ne tolerancë fetare mund të kthehet në burim konfliktualiteti… Po të vërejmë sot në histori, edhe në botën arabe, do të vëmë re që instrumentalizimi ka një burim politik, janë interesa të tjera që disa diferenca që padyshim ekzistojnë midis feve, – të ndizen… Dhe krijojnë pastaj konfliktin. Në këtë situatë kur Topi hodhi një batutë që duket sikur dëshiron ta instrumentalizojë një diferencë dhe një dallim, duhet pyetur Topi vetë se ku e kishte. Por, kemi një kundërpërgjigje që e bën fare të qartë një diferencë paragjykimi. Haxhi Qamili është përdorur për të demonizuar gjithë ata myslimanë… Në emër të europianizimit… Ashtu sikur Toptani i përpunuar nga historia u përfol nga Berisha. Pra, të gjitha këto ekzistojnë… Por detyra e njerëzve që janë në krye të politikës është të jenë mbi këto dhe të mos e instrumentalizojmë. Pastaj, e gjithë kjo që bëri Jozefina, që ngriti shkodranët…

Blendi Fevziu: E bëri Jozefina apo u ngritën vetë?

Fatos Lubonja: Për mendimin tim është instrumentalizim…

Gent Strazimiri: Besoj që biem në gabime të tjera, nëse identifikojmë myslimanët shqiptarë me Haxhi Qamilin. Ky i fundit s’ka pasur asnjë funksion, por ka qenë një njeri kundër pavarësisë së Shqipërisë dhe mori dënimin e merituar…

Fatos Lubonja: Kjo është historia që di ti.

Gent Strazimiri: Ju na e nxorët që duke folur Jozefina mbi Haxhi Qamilin u fyekan myslimanët shqiptarë.

Fatos Lubonja: Mos na flit si historian që i di të gjitha. Avash një çikë…

Gent Strazimiri: Televizionet po na tregojnë se Bamir Topi është në konflikt me Durrësin, Vlorën, Shkodrën, Tiranën. Do guxim shumë të madh që të vish në një studio dhe të flasësh publikisht për figura të artit, kulturës, sportit, të Shkodrës dhe të thuash që instrumentalizohen nga Jozefina Topalli. Për mua është një guxim shumë i madh… Përveçse është një e pavërtetë shumë e madhe…

Fatos Lubonja: (Qesh) Ore ku jeton ti? Më duket sikur jeton aty ku s’jetojmë ne…

Gent Strazimiri: Zgjedhjet tregojnë se cila është Partia Demokratike për Shkodrën dhe cila është Jozefina Topalli, apo cili është Sali Berisha për Shkodrën.

Fatos Lubonja: Zgjedhjet i merrte edhe Enver Hoxha me 99%.

Gent Strazimiri: Shkodra është tërësisht e rinovuar dhe tërësisht me investime të mrekullueshme, është një qytet që ka ndryshuar faqen gjatë këtyre 5 viteve.

Fatos Lubonja: Ore, po çfarë lidhje ka se s’po flasim për këtë?

Gent Strazimiri: Në këtë prizëm, PD e ka lidhjen natyrshëm me Shkodrën, e djathta shqiptare e ka natyrshëm lidhjen me Shkodrën…

Fatos Lubonja: Nuk thuhet “lidhje natyrore”… Lidhjet janë kulturore… Natyra është tjetër gjë…

Gent Strazimiri: Nuk ka nevojë… Partia Demokratike…

Fatos Lubonja: Ore nuk ka lidhje natyra. Nuk e ka pjellë Partia Demokratike Shkodrën…

Gent Strazimiri: Kemi një fakt dhe e kemi të politikës së fundit, krijuesi i termave më të ndyra dhe më raciste ndër shqiptarët është Edi Rama… Unë shoh të njëjtën gjë tek Bamir Topi….

Fatos Lubonja: Po tek Saliu nuk sheh gjë ti more burrë? (Qesh)

Gent Strazimiri: Topi hapin e parë të politikës e ka ndërmarrë me një sulm personal, e ka bërë me një sulm që bëri lëmsh gjithë dynjanë. Është një veprim që quhet kuqezi. Në fakt të kuqen ia shoh po të zezën s’po ia shoh, ishalla e ka në faqe se tjetërkund s’po ia shoh…

Afrim Krasniqi: Ju lutem shumë… Ne jemi të gjithë zyrtarë dhe jeta është shumë e gjatë… Nuk fyhet Presidenti i Republikës kështu. Nuk ndodh… Në bilancin e përgjithshëm presidencial ky është Presidenti që ka nderuar më shumë personalitete të kulturës, sportit etj,. të të gjitha fushave në Shkodër. Unë kam rastisur që ta shoqëroj 2-3 herë Presidentin atje dhe kam vënë re diçka të çuditshme, edhe përpara se të punoj me Presidentin, por edhe si një njeri i medias..

Është i vetmi qytet ku drejtuesit vendorë kur shkon Presidenti për shkak të urdhrave të caktuar, për shkak të telefonatave që marrin, na marrin në telefon dhe na thonë se na kanë urdhëruar… Na thonë që nuk ju shoqërojmë dot… Që nga prefekti deri tek më i fundit. Kjo ka ndodhur edhe në rastet e fatkeqësive natyrore… Nuk ka lidhje as me 8 majin, as me 21 janarin. Bëhet fjalë përpara 2 vitesh. Pse? Sepse është mentaliteti i një grupi të caktuar që mundohet ta mbaj peng atë qytet.. Shkodra është me e djathtë se e djathta e tanishme.

Fatos Lubonja: O Gent, ti je i vetmi që të ka sjellë ky këtu… Se ti duhet të ishe në debat me ndonjë të PS-së…

Gent Strazimiri: Më ka thirrur drejtuesi i emisionit…

Fatos Lubonja: Të ka thirrur gabim. Ka bërë gabim që të ka sjellë. Ti mund të bëje debat me një të PS-së këtu.

Gent Strazimiri: Taksirat e ke do të më dëgjosh. E vërteta duhet thënë deri në fund…

Fatos Lubonja: E vërteta…? Ke viktimat e Gërdecit… Ke 4 të vrarët e 21 janarit. Ku i ke të vërtetat? Kush dha urdhër që të vriten katër veta? Thuaje pra të vërtetën…

Gent Strazimiri: Mua ky popull më zgjedh, ty jo…

Fatos Lubonja: Thuaje, kush i vrau ato katër veta?

Gent Strazimiri: Unë njëherë në katër vjet dal dhe votohem, ti jo.

Blendi Fevziu: Po mos flisni…

Fatos Lubonja: Jo, do flas, na sillni militant këtu dhe ne jemi gazetarë.

Blendi Fevziu: Meqenëse e more me mua, a të flas unë deri në fund?

(në sallë krijohet zhurmë midis Fatos Lubonjës dhe Genti Strazimirit dhe Afrim Krasniqit)

Blendi Fevziu: Një minutë tani, stop, stop! Zoti Lubonja, e dije ti panelin se kush do të ishte? Thua vij ose s’vij. Mos më thuaj mua…

Fatos Lubonja: Ja dy t’i hoqa unë..

Blendi Fevziu: Si?

Fatos Lubonja: Dy t’i hoqa…

Blendi Fevziu: Gabim kam bërë unë që i hoqa..

Fatos Lubonja: Shumë gabim ke bërë. Kam bërë unë gabim që të vij ty… Me militantë…

Blendi Fevziu: Këtu është një debat…

Fatos Lubonja: Jo, jo, këtu nuk bëhet debat… Po hedhim topin andej…

Blendi Fevziu: Ti më kërkove mua të sillja panelin kështu, s’mund ta bëj patjetër si do ti.

Fatos Lubonja: Ke kohë që bën debate që po polarizojnë Shqipërinë… Ta thashë edhe në fillim. Je në shërbim të një politike … Duhet të mbajmë përgjegjësi edhe ne.

Blendi Fevziu: Bravo! Më fal, si duhet t’i bëj unë debatet?

Fatos Lubonja: Siç i bën gjithë bota. Merr politikanë, por ama ka në dritare ekspertë, njerëz që janë tamam të paanshëm…

(Ndërpret vazhdimisht G.Strazimiri)

Fatos Lubonja: Jo more zotëri jo… Prit ta mbaroj se çfarë desha të them. Pse nuk e thua të vërtetën?

Blendi Fevziu, Strazimirit: Një minutë se e ka me mua dhe s’e ka me ty…

Fatos Lubonja: Muhabeti është këtu… E vërteta nuk mund të qëndrojë vetëm me një palë. Gazetari që kërkon të vërtetën, e kërkon nga bashkëveprimi i palëve… Unë jam nga ata që kam kritikuar Edi Ramën, Sali Berishën dhe të gjithë. Unë tentoj të kërkoj një të vërtetë…

Blendi Fevziu: Stop tani…

Fatos Lubonja: Ti nuk mund të më vendosësh mua këtu…

Blendi Fevziu: Po si të të vendos?

Fatos Lubonja: Unë nuk mund të vij këtu si kundërpalë e këtij Strazimirit, sikur jam i PS-së…

Blendi Fevziu: Por a kemi ne…

Fatos Lubonja: Prit ta mbaroj… Se s’ma le ta them. A ke dëgjuar një të PD-së që më ke sjellë këtu që të bëjë një kritikë të vetme për Sali Berishën?

Blendi Fevziu: Ti ke të drejtë të zgjedhësh, nëse vjen apo s’vjen në emision… Si bëj unë politikanët kështu si do ti…

Fatos Lubonja: Ai është militant, unë jam gazetar. Unë tentoj që të bëj debat, ai s’më le.

Blendi Fevziu: Po mirë atëherë thuaj që nuk vij me politikanë, por thuaj që vij vetëm me gazetarë. Edhe kur është gazetarë thua s’vij se ata janë palë… Kjo s’mbaron kurrë…

Fatos Lubonja: Po palë pra… Se i pari je ti që je palë…

Blendi Fevziu: Me kë do me dalë ti në debat?

Fatos Lubonja: Ore zotëri emisioni ndërtohet…

Blendi Fevziu: Po thuaj emrat… E prish emisionin… Nesër sjell kë do ti. Kë do në debat se e bëj si do ti?

Fatos Lubonja: Ore, varet nga tema kjo… Në temën që ke ti, e kë venë “Topi versus Topalli”. Jam dakord që të sjellësh njerëzit që kërkon ti, por unë si gazetar kërkoj që të mos të bëj polemikun…

Blendi Fevziu: Të mos marr politikan?

Fatos Lubonja: Jo more zotëri, ti ndërtoje…

Blendi Fevziu: Çfarë, si? T’iu them njerëzve që flisni si do Lubonja?

Fatos Lubonja: Bamir Topi ka qenë më i moderuar se të gjithë këta, për shembull, me të gjithë mëkatet që mund të ketë. Ka qenë më i moderuar…

Blendi Fevziu e ndërpret: Spote publicitare dhe ndiqnin pjesën e tretë filmike…

(Emisioni nuk rilidhet më me studion)

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu