Traditat e përbashkëta ndërfetare në rajonin e Ujmirit

1
508
Shën Jeronimi ilir (populli i ka thënë Shën Gjera, Shën Gjëri…Emri Gjerë ëshë tradicional

Ujëmiri paraqet një qendër lokale e një bashkësi lokale specifike dhe interesante në gjithë Kosovën. Nëpër të kalon lumi Klina. Përmendet në krisobulat e Manastirit të Deçanit që më 1330, kurse përgjatë gjithë shekujve të pushtimit osman, përmendet në defterët turk. Duke qenë vazhdimisht një qendër lokale, aty gravitojnë fshtrat Çabiq, Dobërdol, , Siqevë, e Shtaricë dhe deri vonë edhe Ceroviku, Zabergja e  Gjurgjevik i Madh.

1. Ritet e festat e moçme, të përbashkëta

Meqenëse tërë Gadishulli i dikurshëm ilirik përmendej si hapësirë e lashtësisë ekumenike, kur bashkëjetonin politeizmi dhe monoteizmi, dhe të tilla gjurmë hasim edhe sot në rajonin e Ujëmirit, si me bashkëjetesën e kremtimit a të shënimit ritual të festave të gjera popullore të shën Gjergjit, Shmitrit, Shën Markut, Vitit të Ri etj e të cilat festime ruajnë gjurmë pagane. Kështu, ende edhe sot festohet sipas dy kalendarëve të vjetër të krishterë: më 23 prill:festohet Shën Gjergji tek banorët e ritit islam, kurse më 6 maj tek ata të riti katolik. Kjo festë e motmotit,  tërheq më vete një varg ritesh magjike të karakterit pagan, me shprehje poetike në trajtë formulash, dhe këngë që janë me interes për folkloristikën. Është një nga shenjtorët më të njohur, simbol i triumfit mbi të keqen dhe kasnec i pranverës dhe tek shqiptarët ndërlidhet edhe me emrin e Gjergj Kastriotit Skënderbeut. Për jevgjit kjo festë është kremtja kryesore. Ritet dhe këngët kanë të bëjnë me ndjelljen e begatisë, shëndetit dhe gjelbërimit: e përcjellë me kurora në kokat e fëmijëve, apo me kurbane, mbledhja e grirja e barishteve të mbledhura nëpër fusha e male, për t’i ushqyer bagëtinë herët në mëngjes, i uronte me vargjet me karakter solemn e ritual:

Sikur bari që rihet

Qashtu ju u përtrifshi

Sikur bari që shtohet

Qashtu ju u shtofshi!

Kisha e Shën Pjetrit në Ujëmirë (Klinë, Kosovë), e dokumentuar më 1330 -apsida sipas ritit perendimor…

Me këtë rast, me lojëra, rite e këngë rituale  etj festonin edhe vajzat, meshkujt e pleqtë. Këngë rituale dikur këndej këndoheshin edhe me rastin e festave të tjera këtilla me orgjinë pagane, si Rusicat (festa e luleve ose rosalia), Dordolecët si kult i hyjnisë ë pjellorisë në kohën para shën Lazrit, e që ndërlidhen me ritet e ndjelljes së shiut, këngët e punës, këngët e bletës, këngët me motive pune nga bujqësia,, blegtoria etj. Do thekuar se për çdo 8 maj, te varrezat e Zabërgjes, te Tyrbja, mblidhen  mijëra e mijëra të rinj për Shmark (Shën Mark), për t’u takuar e festuar; aty vijnë edhe hallexhinj të  tu lutur që të kenë fëmijë, lënë nezre (blatim, dhuratë) për mirëqenie etj.

Pikërisht te kjo tolerancë e dikurshme dëshmohet edhe me artin ekumenik ballkanas, te bashkëjetesa ekumenike krishtere-islamike, te tradita kanunore shqiptare e 12 fiseve që korrespondon me Simbolin e Besimit të 12 apostujve etj. Ekumenizmi është prirja e dikurshme e Perandorisë romake, për t’i afruar besimet. At Anton Harapi thotë: “Shpirti i Shqiptarit, me gjithë besimet e ndryshme, e ndien fuqishëm se një Zot i vërtetë është Zot i muhamedanëve, Zot i Ortodoksëve dhe Zot i katolikëve.” Së këndejmi, edhe te ky rajon është ndërtuar dukuria universale e gjeotolerancës, kësaj radhe, e përkufizuar në këtë sesion shkencor me emrin Lugu i Drinit me rrethinë. Për sa  i përket fesë, shqiptarët kanë dhe një të vërtetë të shkëlqyeshme, ata kurrë nuk patën vëllavrasje fetare midis tyre. Kjo ndërlidhje tolerenca e bashkëjetese vëllazërore kombëtare, rrjedh që nga thellësia e shekujve XVI, tek autorët e Letërsisë sonë të Vjetër Shqipe, Pjetër Budi, Pjetër Bogdani, Frang Bardhi etj, tutje tek rilindësit në shekullin XIX e deri në ditët tona. Budi, i cili thuhet se ka kaluar në këto anë, që më 1621, kur kishte filluar një islamizim i dhunshëm në këto anë, thoshte te Letra e tij e njohur kardinal Gocadinit: “Kur u nisa prej këtyre vendeve, fort m’u lutën ata kryetarë fisesh, si dhe disa kryetarë myslimanë,  që t’ia shfaqja Papës ose ndonjë princi tjetër këtë dëshirë të tyre e t’u lutesha që të na sigurojnë mbrojtje e ndihmë … për t’u çliruar. Dhe jo vetëm të krishterët, por edhe të parët e myslimanëve… Të gjithë duan të dalin një herë e mirë prej kësaj gjendjeje të mjeruar ose të vdesin me armë në dorë.”

2. Lashtësia e historia e përbashkët

Kisha e Shën Pjetrit në Ujëmirë (Klinë, Kosovë), e dokumentuar më 1330, e bombarduar nga forcat serbe gjate luftes ne Kosove, me 4 maj 1999

Dëshmi të kësaj trashëgimie të përbashkët ndërfetare, janë edhe kishat e vjetra, varrezat, fortifikatat etj. Në Ujëmirë është e njohur Kisha e Shën Pjetrit (në literaturë e  njohur me emrin Kisha e Petrovicës, kurse në popull me emrin Kisha e Malit), si monument i shekujve XIII-XIV. Sipas supozimeve të dijetarëve, kur serbët erdhën në Ballkan, atë kishë edhe e përvetësuan. Tash kjo kishë është e braktisur, por e ruajtur nga ana e jashtme. Pos kishës së ndërtuar me gur, me kupolë guri, përreth gjenden gjurmë varrezash e gjurmë vreshtash dhe kopshti. Pleqtë dëshmojnë se Kishën e patën “vizituar” ekipe nga Beogradi , morën me vete shumë ekzemplarë dhe relikte dhe kishën e lanë në mëshirë të stihisë, ani se ekzistonin institucione për mbrojtjen e trashëgimisë. Ndërkaq, është konstatuar edhe dëshmia e një fortifikate të kohës antike të vonë, sepse në malin e Kishës së së Shën Pjetrit vërehen themele të vjetra dhe pjesë arkitektonike mbi kishë, dëshmi kjo se ky vendbanim i vjetër autokton ishte i banuar me popullatë ilire. Shtoji kësaj qendrën muncipium romake, Dërsnikun e sotëm, që nuk është larg nga Ujëmiri, si dhe fortifikimet tjera antike në vendbanimet tutje, si në Pogragjë, Jashanicë, Gjurgjevik etj. Ndërkaq, sipas dëshmive të mësipërme, Ujëmiri i takon Mesjetës së hershme. Sipas shënimeve nga terreni, janë evidentuar themele kishash; një kishë është evidencuar afër  objektit të shkollës fillore në Ujëmirë, kurse afër Kishës së Malit është evidencuar  një kishë e vogël. Po ashtu, e evidencuar është edhe  Kisha e Çelisë në Siqevë., e cila ka vetëm do gurë, dhe, supozohet, një kishë romake po në vendbanimin Siqevë (e përvetësuar nga regjimet sllave) etj. Edhe për nga toponimia, ndër të tjera, dëshmi të tilla janë emërtimet Mali i Ujëmirit, Lugi i Kishës, Luginat e Kishës, Lugi i Martinit, Pitrovica, Llazet, etj. Vendbanimi i dikurshëm i Ujëmirit ishte i organizuar në formë tarracash, në shpatin jugperëndimor të Ujëmirit të sotëm e ku gjendet rrafshnalta, e njohur me emrin Rrafshet, Mali i Rrafsheve,  si nga banorët e Ujëmirit, ashtu edhe nga ata të Çabiqit. Dëshmi të vjetërsisë së këtij vendbanimi, janë edhe varret e vjetra, si varrezat në oborrin e Kishës, varret të Lugu i Kishës, dhe varret te Kroni i Baldushit. Ndërkaq te dalja e fshatit, toponim me emrin Daliqe, vërehen gjurmë të rrugës së karvanëve që kalonin këndej. Sipas pleqve, dikur këtu ka qenë një han, te vendi i quajtur Gumuri. Vendbanime të vjetra janë edhe Ceroviku (Çarravik, i përmendur në vitin 1200 e 1454, kurse sot andej gjenden toponime që ndërlidhen me emrat e kishave, si Llugat e Kishës. Çabiqi përmendet në Krisobulat e Manastirit të Deçanit në vitin 1330 e në defterët turk, dhe gjurmë kishash e varrezash hasen gjithandej.  Gjurgjeviku i Madh. I përmendur në vitin 1200, në krisobulat e Derçanit e tutje, fshati Gjergjeviku i Madh i ka pasur vetëm katër shtëpi, me katër familje, me katër kisha të vjetra, të cilat i kanë edhe sot themelet e tyre. Deri vonë rreth këtyre themeleve ndizeshin kandilat e natës, ku flakërojnë dritë, sepse aty ka me siguri drunj të varrezave iliro – shqiptare që ende kalben nën tokë ose diçka tjetër. Dita e festave të Zojës së Berishës, festë kjo e urdhëruar, bjen për çdo vitë më 15 gusht, të vitit kalendarik.

3. Lidhjet e përbashkëta ndërfamiljare

Do theksuar, po ashtu, edhe një dukuri tjetër e që është bërë pjesë e traditës së përbashkët e rrënjëve të përbashkëta dhe pjesë e procesit të formimit të vetëdijesimit kolektiv kombëtar të popullit shqiptar, siç janë lidhjet e përbashkëta familjare dhe ruajtja e këtyre lidhjeve në mnes familjeve me përjatësi të ndryshme religjioze. Kështu, fshati Gjergjevik i Madh, me fshatin Dobërdol dhe Siçevën e sotme, janë fshatra prej një familjeje të madhe të Racit të Siçevës, atëherë familje e krishterë katolike e Hajdin Racit; e cila familje në atë kohë ka jetuar së bashku me familjen e Dodë Racit, Deli Malës Racit (Pren Delisë). Pren Delia dhe Deli Mala vazhdimisht mbajnë kontaktet me kushërinjtë e tyre të fshatit Dobërdol, të cekur më lart dhe me kushërinjtë e tyre të fshatit Siçevë. Pa dallim feje, shkojnë te njëri tjetri dhe në dasma ia mbajnë njëri tjetrit (bajrakun)- flamurin. Ndërsa brenda vetë fshatit Dobërdol lidhjet familjare janë të shumta… Të gjitha familjet, si në dasma, në festa e edhe në ahengje të tjera, shkojnë njëri te tjetri pa dallim feje, duke e ruajtur këtë traditë deri më sot. Në Siçevë gjenden disa themele të kishave, të cilat i kanë ndërtuar familja e Hajdin Racit, kisha që i ruajnë themelet e tyre deri te Mali i Murgës dhe që quhet Kisha e Murgës, në të cilën kanë shkuar me u lutë i tërë fshati i Ujëmirit të sotëm, familjet Shala dhe Millaku. Sot familja e Shaljanëve- Millajve, kanë nipa e stërnipa në familjet shqiptare të krishtera, në Gjurakoc e në Çabiq. Në Dobërdol, në shek XIX, Brahim Uka kishte emrin katolik Prekë Uka dhe tërë kohën, pas kalimit në fenë islame, ka mbajtur baraspeshën fetare, duke i mbajtur dy fetë dhe duke kaluar në fenë islame e duke lënë farefisin e tij në fenë katolike dhe dajët e tij të familjes së Can Lacit, kurs lidhjet familjare ruhen edhe sot. Brahim Uka ka qenë dhëndër i familjes katolike të Sali Çunve të Jagodës së Klinës, sikurse edhe Kaj Novosella nga Berisha e Drenasit, ka qenë mik i Brahim Ukës dhe dajë i Bardhec Dodës, Tafil Dodës, Avdyl Dodës, Prekë Dodës dhe dajë i Dan Racit dhe Mal Racit. I  tërë fshati Çabiq ka qenë i fisit Gash, i besimit shqiptar – katolik. Shqiptarët e besimit islam të fshatit Çabiq, i kanë dajët e tyre dhe nipat (katolikë) në fshatin Gurakoc, komuna e Burimit të sotëm (Istog). Familja e Brahim Rexhës me fisin Gash, nga Çabiqi, i kanë nënat motra e që janë në besimin katolik me banorë që jetojnë në fshatin Gjergjievik i Madh. Këso lidhjesh shënohen edhe në fshatin Cerovik e në fshtarat përreth deri në Plloçicë, Mleqan e Kravnasari, Pogragjë, e në shumë fshatra tjera. Familjet e krishtera shqiptare nga këto anë shpesh kanë mbajtur emra të besimit mysliman, dukuri që shënohet jo vetën në fshatin Dobërdol, po edhe në disa vendbanime të Lugut të Drinit.

Nga, Prend Buzhala

 

1 Koment

  1. Kurr nuk esht quajtur kisha e petrovices,por esht quajtur dhe duhet te quhet kisha e Rrezes se madhe.
    Pastaj kisha e Vogel ne anen e ´Millakve,,KIKA,,dhe kisha e Vogel ne aren e Demush Prekes ne Ujmirë afer stacionit te trenit afer lumit.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu