Turisti rrahet dhe plaçkitet nga policia malazeze

0
202

Për herë të parë dhe me shumë kureshtje për Ulqinin nisi pushimet në bregdetin e këtij qyteti. Por, kosovari nga Gjilani me shtetësi kanadeze, Fejzall Hajrullahu, u prangos dhe u maltretua nga policia e Malit të Zi, që i shkaktoi lëndime të rënda trupore.

Me akuzën se kishte prishur rendin publik, ai u arrestua bashkë me shokun e tij që po e shoqëronte atë në orën 13:30, derisa po ecnin rrugës së shetitores përgjatë plazhit. Hajrullahu të shtunën ka kërkuar sërish ndihmën mjekësore, për shkak të lëndimeve të rënda që ka marrë nga dhuna policore e ushtruar mbi të dy ditë më parë.

“Policia malazeze na ka arrestuar pa pasur ndonjë fakt. Ne nuk kemi prishur qetësinë publike, nuk kemi bërë ndonjë veprim që bie ndesh me ligjin. Ashtu siç kemi qenë duke ecur vetëm na kanë arrestuar, gjë që na befasoi pasi na erdhi papritmas dhe pa bërë ndonjë gjë. Kishim ardhur vetëm në pushime si gjithë turistët tjerë. Unë me shumë qejf kisha nisur ditën e parë në Ulqin, pasi po e vizitoja për herë të parë këtë bregdet”, ka rrëfyer për “Zërin”, natën e arrestimit Hajrullahu, duke bërë të ditur se akuza që e kishin njoftuar se ka shkel ligjin ka të bëjë me prishjen e rendit(qetësisë) publike.

Mirëpo, ai thekson se kjo ishte diçka e montuar dhe pabazë. Këtë e bazon duke pohuar se nuk ka bërë veprim që të prishë rendin publik, qoftë ai apo shoku i tij që ndodhej në ato momente me të, por gjithashtu duke treguar dhe raportin që iu ka dhënë pas lëshimit nga stacioni policor, ku i bëhet me dije se “është ndaluar për shkak se ka vozitur i pirë veturën”, gjë që Hajrullahu e demanton të ketë ndodhur.

Ai thotë se akuza me të cilën është arrestuar dallon shumë me atë që i është shkruar në raportin e lëshimit dhe sipas tij, është edhe një fakt që “tregon qartë se ne nuk shkelëm ligjin, por na u montua”.

“Në stacion policor na kanë maltretuar rëndë. Goditjet na kanë ardhur jo vetëm me grushte. Janë përdorur dhe shkopinj, me të cilët më kanë qëlluar dhe në kokë. Po ashtu jemi fyer dhe maltretuar në mënyra tjera që kishin për synim ofendimin tonë”, ka thënë ai, duke bërë me dije se lëndime ka marrë nëpër gjithë trupin, por pjesa mbrapa kokës vazhdon t’i qëndrojë e enjtur.

Përveç maltretimeve që i quan çnjerëzore, Hajrullahu tha se policia edhe e ka plaçkitur atë. “Me vete kam pasur 1400 franga, Iphon 4s. Ata më nuk m’i kthyen. Po ashtu edhe pantollonat që kisha veshur m’i zhveshën dhe m’i morën gjithashtu, pastaj dola nga stacioni vetëm në të brendshme (brekë)”.

Ndërsa bën të ditur se nga lëndimet e marra ai dhe shoku i tij janë kthyer të premten në Kosovë, pa guxuar të kërkojnë ndihmë mjekësore në ndonjë qendër spitalore në Mal të Zi. Të vetmen ndihmë mjekësore dhe të parën e kanë marrë në spitalin e Gjilanit.

Hajrullahu tha se këtë dëshmi e ka dhënë dhe në Ambasadën Kanadeze në Prishtinë, duke e njoftuar për ngjarjen, shtetas i të cilit vend dhe është. Prej orës 14:00 në mbrëmjen e së enjtes, e deri tek ora 08:00 në mëngjes ai ka qëndruar në stacionin policor të Ulqinit. Për rastin ka dhënë dëshmi edhe në stacionin policor të Gjilanit.

 

Redaksia

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu