Turp kombëtar: U marrin 7 mijë $ ushtarëve që shkojnë në Irak e Afganistan

0
231

Xhemal Gjunkshi është emëruar pak kohë më parë në postin e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë shqiptare dhe pse emri i tij shfaqet në një nga dosjet më të shëmtuara të korrupsionit në historinë e Shqipërisë. Ai është akuzuar nga ushtarët e tij se i kërkonte para oficerëve që dërgoheshin me shërbim në Irak dhe Afganistan. Oficerët rrezikonin jetën e tyre në dy zonat më të rrezikshme të botës për të përfituar në formë dietash shumën e 14 mijë dollarëve amerikanë në gjashtë muaj. Gjysma e kësaj shume duhet ti paguhej Xhemal Gjunkshit. Një kabllogram i publikuar nga Wikileaks tregon detajet e skandalit që solli largimin e Shqipërisë nga misioni në Irak.

 

Titulli: Shqipëria, korrupsioni vazhdon në stafin e ushtrisë

Datë 14 nëntor 2008

Dërguar nga Ambasada Amerikane në Tiranë

Merr Departamenti Amerikan i Shtetit

Firmosur: Ambasadori Xhon Uidhers

Klasifikuar si Material konfidencial/ deklasifikohet më 11/12/2018

 

“Ministri i Mbrojtjes ishte i zhgënjyer kur mësoi se misioni në Irak do të përfundojë në dhjetor pasi Shqipëria nuk ndodhet në listën e vendeve të Koalicionit që qeveria e Irakut i ka kërkuar të qëndrojnë. Një nga arsyet mund të jetë praktika e vazhdueshme e korrupsionit nga oficerët që zgjedhin ushtarët që do të marrin pjesë në mision. Kjo praktikë nuk është e re dhe mendohet se është zvogëluar disi që kur qeveria amerikane shprehu shqetësimin e saj. Por ata pranojnë se kjo praktikë ekziston ende dhe e bën të vështirë bashkërendimin e reparteve. Ambasadori Uidhers do të ngrejë këtë shqetësim gjatë takimit që do të ketë javën e ardhshme me ministrin e Mbrojtjes, Oketa.

Sipas burimeve jozyrtare, komandantët kërkojnë ryshfet deri në 7.000 dollarë amerikanë nga një ushtar që kërkon të shkojë në Irak ose Afganistan. Kjo shumë është sa gjysma e dietës që ai ushtar do të marrë gjatë gjashtë muajve qëndrim, duke llogaritur një dietë mesatare 80 dollarë në ditë. Shumë nga oficerët nuk mund ta paguajnë këtë shumë përpara nisjes dhe iu kërkohet të marrin borxh, të cilin mund ta paguajnë gradualisht duke dërguar mbrapsht gjysmën e ditës mujore.

Por edhe pas këtyre pagesave, shuma e parave që ata përfitojnë bën që shumë oficerë të jenë të gatshëm të shkojnë. Por ka pasur edhe ankesa. Në tetor, një grup ushtarësh nga regjimenti i Komandove i dërguan një letër të pa firmosur krerëve të qeverisë shqiptare dhe një kopje ambasadës, duke pretenduar se kolonel Xhemal Gjunkshi, komandanti i regjimentit, kërkon ryshfet dhe është i përzierë në skema të tjera. Ata kërcënojnë se këtë letër do ia dërgojnë gazetës “Nju Jork Times”.

Rotacioni i fundit në Irak nisi në shtator, që do të thotë se nuk do të zgjasë gjashtë muaj dhe ushtarët nuk do të kenë mundësi të paguajnë borxhin. Kjo mund të jetë një nga arsyet pse Ministria e Mbrojtjes po shqyrton mundësinë e ridërgimit të kësaj kompanie nga Iraku në Afganistan, menjëherë pas ardhjes. Kështu ushtarët mund të përfundojnë misionin 6 mujor dhe të paguajnë borxhet…

 

 

Kush është Xhemal Gjunkshi

Gjeneral Brigade Xhemal Gjunkshi ka marrë zyrtarisht detyrën e shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, më 8 gusht të vitit 2011. Ceremonia e marrjes së detyrës së Gjunkshit do të zhvillohet në ambientet e Ministrisë së Mbrojtjes në praninë e ministrit Arben Imami. Emërimi i Gjeneral Brigade Xhemal Gjunkshi në këtë detyrë erdhi pas kërkesës së kryeministrit, Sali Berisha drejtuar presidentit Topi për lirimin nga detyra të shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, Gjeneral Brigade Maksim Malaj, pasi i kishte mbaruar mandati i tij në këtë detyrë. Gjeneral Brigade Maksim Malaj, shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, për arsye të mbarimit të mandatit, më datë 28.7.2011, të lirohet nga kjo detyrë. Në vend të tij të emërohet Gjeneral Brigade Xhemal Gjunkshi – thuhet në propozimin e Berishës drejtuar presidentit.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu