Turqi – Siri, a jemi në prag lufte?

0
292

Kur në vitin 1999, kryetari i Partisë Komuniste Kurde, Abdullah Oçalan, i papranuar nga gjysma e shteteve europiane për shkak të presioneve turke, kërkonte strehim në Siri, Shefi i Shtabit i ushtrisë turke kërcënoi se “nëse Oçalan, nuk linte urgjentisht territorin sirian, brenda dy ditësh do hante drekë në Damask”. Asadi plak nuk vonoi ta përcillte pa shumë ceremoni mikun e bezdisur, për ta çuar indirekt pas pak kohësh nën kthetrat e shërbimit sekret turk, MIT. Në 2007-ën, aviacioni izraelit bombardoi impiantin bërthamor sirian, duke prishur ëndrrën atomike siriane. Nën shembullin e të atit, Bashar e gëlltiti goditjen pa u ndjerë. Sa më sipër janë shembuj se pavarësisht problemeve të brendshme, udhëheqja politike siriane ka ruajtur maturinë në marrëdhëniet ndërkombëtare në njëzet vitet e fundit, duke treguar njohje të forcave dhe kapaciteteve të veta. Goditja në qershor nga mbrojtja kundërajrore siriane e një avioni patrullues turk, i pretenduar se kishte hyrë në hapësirën siriane, kaloi me një kërkesë faljeje nga autoritetet e Damaskut dhe mbyllje të syrit nga Turqia, e cila testoi nëse NATO e kishte ende virtytin e solidaritetit. Ndërkohë, ka ndodhur një ngjarje jo e zakonshme: Nga territori sirian është goditur një fshat turk, duke shkaktuar pesë viktima. Pyetjet që lindin janë të shumta. Përgjigjet duhet të hamendësohen. Është goditje e ardhur nga një komandant sirian në terren, të cilit i janë lodhur nervat? Në qoftë e vërtetë, atëherë do kalohet me kërkesë ndjese nga Damasku zyrtar. Është provokim nga vetë rebelët sirianë për të ndezur luftë ndërshtetërore si ndihmë për të mbaruar konfliktin që nuk i duket fundi? Nëse kjo provohet, rebelët kanë humbur entuziazmin e përkrahjes së një miku të afërt si Turqia. Apo është paralajmërim nga pala siriane, për ndërprerje të përkrahjes ndërkombëtare ndaj rebelëve, e cila kalon nëpër korridoret turke? Nëse ka ndodhur, Asadi realisht ka humbur gjakftohtësinë dhe ka rrezikuar t’i hapë vetes një konflikt që do përfundojë me kokën e tij në tepsi. Por problemi shtrohet edhe më gjerë: A mund të shërbejë ky incident si një rast i artë për ndërhyrje të Perëndimit në Siri? Dhe këtu fillon dhe ndërlikohet zgjidhja. Natyrisht që opinioni evropianoperëndimor është lodhur nga pamjet e masakrave në Siri, ashtu siç dhe nuk është i gatshëm të paguajë kostot e një lufte, të cilën nuk mund ta fitojnë pa amerikanët. Por këta të fundit nuk duket se ia kanë ngenë, ndërkohë që janë në prag zgjedhjesh elektorale dhe duhet të mbajnë nën fre Izraelin, që ka muaj me gishtin në këmbëz për të goditur Iranin. Pa ndihmën amerikane, europianët mbetën në batak me një beduin si Gadafi, deri në momentin që Rasmusen kërkoi haptas ndihmën e Daj Samit me dronë që bombardonin natën. Në Siri, me një ushtri të armatosur relativisht mirë dhe pjesërisht të motivuar për shkak të përkatësisë së njëjtë alavite të radhëve të saj elitë, me atë të Asadit, nuk do jetë e lehtë të fitohet beteja, me NATO-n nga ajri dhe rebelët nga toka. Prezenca ruse në portin e Latakias, si dhe e këshilltarëve ushtarakë të Moskës, do të thotë ndihmë në përdorimin e sistemeve kundërajrore moderne, çka bën që një ndërhyrje nga ajri të mos jetë pa kosto. Atëherë kërkohet ndërhyrja e Turqisë. Dhe në këtë rast Ankaraja do t’i bëjë llogaritë mirë. Në ndryshim nga Siria që ka një diplomaci të ndryshkur, shërbime sekrete të metodave antike dhe ushtri tashmë të deklasifikuar si kompetitive për përplasje me homologet e saj, Ankaraja është krejt ndryshe: Diplomaci bashkëkohore, shërbime sekrete eficiente, ushtri të klasit të parë, si dhe ekonomi në lulëzim. Në këto kushte dihej se nga do anonte fitorja. Por problemet do fillonin më pas. Me rënien e Asadit, valët e refugjatëve do vërshonin në territorin turk. Megjithëse me dhunë çnjerëzore, Damasku është ende një interlokutor dhe ka një derë ku diplomacia mund të trokasë. Nëse regjimi bie, vendi kthehet në një konglomerat etnish dhe sektesh fetare, të gjitha në luftë me të gjithë, ku do mbizotërojnë zotërit e luftës, trafiqet e ndryshme, dhe organizatat terroriste do kenë terrenin ideal për lulëzimin e tyre. Për paqtimin e vendit pas Asad, Ankarasë do t’i duhet të impenjojë trupa ushtarake, resurse ekonomike dhe peshë politike, ndërkohë që nuk është beteja e saj, dhe në qoftë e tillë, në kuadër të vlerave njerëzore dhe paqes në rajon, vështirë se ka vullnet ta mbajë e vetme. Ashtu si edhe në rastin e rrëzimit të avionit ushtarak, Davutoglu si ministër i Jashtëm, do testojë dëshirën e NATO-s që të ndërhyjë ushtarakisht, duke qenë i vetëdijshëm se peshën kryesore në rast lufte do ta mbajë Turqia, por duke kërkuar si kompensim që në Sirinë e pasluftës, melodia në Damask të luhet me dirigjentë të zgjedhur nga Turqia. Dhe kjo do jetë minimalja. Nuk është çudi që të kërkojë edhe vendin në BE. Kuptohet, nëse u ka mbetur ende dëshirë pas krizës që po kalon kjo organizatë. Përndryshe, vendi mjaft e ka një palestër ku ushtria turke trajnohet përditë, siç është ajo me kurdët e PKK-së. Nuk i duhet edhe një front tjetër. Vështruar në një kuadër më të gjerë rajonal, revolta siriane, si e fundmja nga ato të Pranverës Arabe, duket se do zgjasë shumë. Ka sjellë lodhje, shkatërrim, dhe siç ndodh kur betejat zgjaten, është kthyer në arena të përplasjes së fanatikëve dhe mënjanimit të idealistëve. Mungesa e një programi të kryengritësve, si në Siri, ashtu edhe në gjithë Afrikën e Veriut ku kaloi Pranvera Arabe, ka shkaktuar frikëra në perëndim. Por meqenëse demokracia është proces dhe jo sistem që mund të imponohet me një të rënë të lapsit, ndoshta është mirë që arabët të ndihmohen që ta kuptojnë dhe aplikojnë, qoftë edhe nëse kjo kërkon luftë dhe zgjatje të procesit, por jo t’iu jepen zgjidhje të gatshme. Duke vënë kështu në jetë mësimin që, në vitin 1917 në ‘Buletinin Arab’, jepte Lawrenci i Arabisë, kur shkruante: “Përpiquni mos t’i fusni shumë duart. Është e këshillueshme që arabët t’i bëjnë gjërat mjaftueshmërisht mirë, se sa ta bëni ju perfektshmërisht. Kjo është një luftë që ju duhet t’i ndihmoni, dhe jo ta fitoni për hesap të tyre”.

 

Nga Dritan Hila

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu