UDB-ja ka shantazhuar njerëz për të marrë dëshmi për UÇK-në

0
250

Të enjten ka vazhduar rigjykimi ndaj Ramush Haradinajt, Lahi Brahimajt dhe Idriz Balajt, ndërsa dëshmitar ka qenë ish-shefi i sektorit analitik të Shërbimit Informativ serb, Zoran Stijoviq, i cili ka pranuar para Tribunalit të Hagës se UDB-ja shantazhonte për të nxjerrë dëshmi.

Po ashtu dëshmi ka dhënë edhe ish-shefi i Shtabit të UÇK-së, Bislim Zyrapi, i cili do ta vazhdojë dëshminë edhe të premten.

Stijoviq gjatë dëshmisë së tij ka deklaruar para Tribunalit se Shërbimi Informativ shtetëror i Serbisë kishte shantazhuar njerëz për të marrë informacione për veprimtarinë e UÇK-së.

Ndryshe dëshmitar sot ka qenë edhe ish-shefi i Shtabit të UÇK-së, Bislim Zyrapi.

Prokurori Menon ka kërkuar nga Zyrapi të tregojë pse i është falënderuar Ramush Haradinajt në një letër banorëve të fshatit Jabllanicë për ndihmën e dhënë.

“Banorët kanë ndihmuar vazhdimisht UÇK-në me ushqim dhe objekte të tyre për të vendosur UÇK-në. Dhe kjo jo vetëm në Zonën e Dukagjinit apo Jabllanicë, por në përgjithësi në tërë Kosovën”, ka thënë Zyrapi

Mbrojtja ka kundërshtuar disa herë prokurorinë, duke thënë se ka sjellë prova materiale pa njoftuar mbrojtjen. Një ndër to është libri i Bardh Hamzës “Rrëfimi për luftën dhe lirinë”.

Ndërsa Ben Emmerson, avokat i Haradinajt, ka rikujtuar që kjo provë është hedhur poshtë edhe në gjykimin e kaluar.

Ramush Haradinaj, Lahi Brahimaj dhe Idriz Balaj po rigjykohen në Hagë për kinse torturim dhe vrasje të disa personave në fshatin Jabllanicë të Gjakovës në vitet 1998 dhe 1999.

Është hera e parë në historinë 18-vjeçare e Tribunalit të Hagës që një rast të kthehet në rigjykim.

Mbrojtja e Haradinajt e ka quajtur aktakuzën ndaj klientit të tyre si të ngritur nga dosjet e mbledhura nga Shërbimi Informativ serb.

Seanca vazhdon të premten, kur gjithashtu para këtij Tribunali do të paraqitet Shefqet Kabashi, por si i akuzuar për shpërfillje të Tribunalit të Hagës.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu