UNMIK-u ia fali Manastirit tokën e Deçanit

0
85

Rreth 25 hektarë prona të dy ndërmarrjeve deçanase, Hotelit “Iliria” dhe ndërmarrjes bletare “Apiko” ka shumë mundësi që të kalojnë në pronësi të Manastirit ortodoks të Deçanit. Kjo bartje e patundshmërisë që i ka shqetësuar në masë të madhe deçanasit dhe jo vetëm ata, mund të ndodhë si pasojë e një procesi gjyqësor i filluar disa vjet më parë e që nga shumëkush po konsiderohet si proces politik.

“Gjithçka rreth kësaj prone ka filluar në vitin 1993, kur ish-ndërmarrja e dhunshme ‘Slloga’ sot ‘Iliria’ kishte vendosur që pronën që e administronte dhunshëm t’ia falte manastirit të Deçanit. Kjo ka vazhduar edhe në vitin 1997, kur me një tjetër vendim të këtij lloji, qeveria e Serbisë përpos kësaj kishte vendosur që edhe një pjesë tjetër të pronës së ndërmarrjes Bletare “Apiko” t’ia falte po Manastirit të Deçanit.

Të dyja këto vendime të asaj kohe ishin në kundërshtim me ligjet e atëhershme, e madje në kundërshtim edhe me ligjet diskriminuese të Serbisë”, ka thënë avokati Dukagjin Povataj, i cili tash e sa vjet po e përfaqëson komunën e Deçanit në një proces gjyqësor, që aktualisht po mbahet në Dhomën e Veçantë të Gjykatës Supreme të Kosovës.

Ndërkohë, me një vendim të ditëve të fundit, kjo Dhomë ka vendosur që nga çështja në fjalë ta largojë komunën e Deçanit si palë e përfshirë, me arsyetimin se ajo pronë duke qenë pronë shoqërore, është administruar nga Agjencia Kosovare e Mirëbesimit.

Por, sipas juristëve të përfshirë në këtë proces, është pikërisht kjo pika e cila është totalisht e jashtëligjshme dhe në të cilën janë shkelur në mënyrë drastike të gjitha ligjet e Kosovës, përfshirë këtu edhe Kushtetutën e vendit.

Përfaqësuesi i UNMIK-ut, që në këtë proces e përfaqëson ish-AKM-në, në vend që t’i mbrojë interesat e ndërmarrjeve në fjalë, ka vendosur të dalë kundër tyre, duke e arritur një marrëveshje me Manastirin, me të cilën e njeh të drejtën e pronësisë së këtij institucioni fetar mbi pronën kontestuese.

“Këtu është bërë shkelja më e madhe, pasi UNMIK-u nuk është bartëse e të drejtave dhe detyrimeve të ish-AKM-së, por të njëjtat janë bartur te pasardhësi që në këtë rast është AKP-ja e sotme. Në fakt, UNMIK-u duke folur në emër të ish-AKM-së, në kundërshtim me të gjitha ligjet e aplikueshme, ka vendosur t’i falë pronat e këtyre dy ndërmarrjeve, duke e vazhduar kështu atë që është nisur nga regjimi në vitet 93 dhe 97”, ka thënë avokati Teki Bokshi, i cili në këtë proces e përfaqëson Hotelin “Iliria”.

Bokshi, por edhe avokati tjetër Povataj, kanë shprehur bindjen se Dhoma e Veçantë e Gjykatës Supreme nuk do ta pranojë këtë marrëveshje të arritur në mes të UNMIK-ut dhe Manastirit, ndonëse, sipas tyre, në praktikat gjyqësore, marrëveshjet e arritura në mes palëve janë të pranueshme edhe për gjykatën.

Ndërkohë, lidhur me këto zhvillime që kanë bërë jehonë të madhe në komunën e Deçanit, ka filluar edhe organizimi i një peticioni të qytetarëve në kundërshtim të faljes së pronës, ndërsa të hënën është mbajtur edhe një mbledhje e jashtëzakonshme e Asamblesë komunale. Pas një diskutimi disa orësh, Asambleja ka dalë me disa rekomandime, të cilat u janë drejtuar institucioneve më të larta të vendit, e përmes të cilave shprehet brenga për humbjen dhe tjetërsimin e pronës publike.

“Kuvendi Komunal i Deçanit u rekomandon institucioneve të Republikës së Kosovës duke filluar nga Presidenca, Parlamenti dhe Qeveria, që të mos e lejojnë që ky të jetë kompromisi i radhës në dëm të pronës shoqërore dhe private dhe interesit ekonomik ne këtë rast të Deçanit, në të kundërtën do të mbajnë përgjegjësi për pasojat eventuale me veprimin apo mosveprimin e tyre”, thuhet në njërin prej 7 rekomandimeve të dala nga Asambleja komunale.

Lidhur me këto zhvillime, ka reaguar edhe kryetari i komunës së Deçanit, Rasim Selmanaj, i cili duke thënë se të gjitha përgjegjësitë e këtij rasti bien mbi institucionet qendrore, vendore e ndërkombëtare, ka apeluar te zyrtarët e Manastirit që të mos e vazhdojnë traditën politizimit të çështjeve.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu