Vdes historiani Muhamet Pirraku

0
102

Historiani i mirënjohur kosovar , Muhamet Pirraku ka vdekur sot. Prof. Dr. Muhamet Pirraku lindi në fshatin Flamuras të Drenasit (në Drenicë), më 12 tetor 1944.

Shkollën fillore tetëklasëshe e mbaroi në vendlindje dhe në Bushat, Shkollën e Mesme Bujqësore në Prishtinë, ku e mbaroi edhe Fakultetin Filozofik – Degën e Historisë. Studimet pasuniversitare i kreu në Universitetin e Zagrebit dhe magjistroi në tezën “Rinia përparimtare e Kosovës 1919-1941”, më 29 tetor 1976. Gjashtë muaj specializoi në fushë të historisë së kulturës në Institutin e Romanistikës-Gjermanistikës së Universitetin e Vjenës, më 1979/80, kurse pas shumë krajatave politike, doktoroi, më 29 dhjetor 1988, në Degën e Historisë së Universitetit të Prishtinës, në tezën: “Kultura shqiptare prej viteve 70 të shekullin XVIII deri në vitin 1878”. Interesim për krijimtari letrare shfaqi nga viti i dytë i shkollës së mesme, ndërkaq shkrimin e parë nga fusha e historisë së kulturës e botoi si absolvent në histori, më 7 prill 1968.

Për aktivitet politik antijugosllav u përcaktua më 10 shtator 1960, kur u betua para veprimtarit politik, Fazli Graiçevcit: “Betohem se prej sodit jetën do t’ia kushtojë lirisë së Kosovës dhe ribashkimit të Shqi¬përisë Etnike…!” Me 10 tetor 1960 organizoi tri klasat e dyta të Shkollës Bujqësore, të bojkotonin mësimin në gjuhën serbo-kroate, u priu në Këshillin Ekzekutiv të Krahinës së Kosovës dhe mbrojti kërkesën e nxënësve: “Mësimet në Shkollë të zhvillohen në gjuhën shqipe…!” Nga tashti do të shquhet me aktivitet disident në lëmë të edukimit politik kombëtar shqiptar në mjediset ku jetoi e veproi. Nga mesi i vitit 1964 i përkiste grupit të intelektualëve në formim e sipër, të njohur si “Çeta e Bajo e Çerqiz Topulli”, të cilët e koordinonin aktivitetin politik shqiptar të Ilegales patriotike shqiptare me disidentizmin në veprimtarinë politike, kulturore, arsimore, publicistike e shkencore legale.

Pirraku do të shquhet si përhapës i literaturës beletristike, filozofike e historiografike të botuar në Tiranë dhe nga Mërgata shqiptare në Evropë dhe SHBA dhe si gjurmues e studiues i frytshëm me ndikim të madh nga viti 1968. Nga mesi i viteve të ’70 dhe në vitet e‘80-ta, për shkaqe politike antijugosllave, mbi 15 vjet pati ndalesa e pengesa për botim e veprimtari shkencore, prej të cilave dhjetë vjet me ndalesë të plotë. Prej 4 gushtit 1981 deri më 4 gusht 1982 u mbajt në burgjet e qarkut të Prishtinës, të Mitrovicës dhe të Sarajevës, kurse jashtë Institutit Albanologjik deri më 13 dhjetor 1983. Me rastin e burgosjes iu konfiskuan rreth dhjetë mijë faqe në dorëshkrim: shënime të kujtesës historike, punime shkencore, ditarë dhe rreth tridhjetë mijë vargje poetike si dhe literaturë historiog¬rafike, politike e filozofike.

Nga vjeshta e vitit 1982 deri në dimrin e vitit 1983 punoi mjeshtër, murator e projektues, në Ndërtimtari të lartë. Nga kjo kohë deri në fillim të vitit 1990, për të ndikuar në rrjedhat politike e historiografike, në një anë, dhe për ta ushqyer shpirtin krijues, në anën tjetër, u detyrua t’i botojë, pa emrin e tij, disa trajtesa, studime dhe dy vepra, ndër më emblematiket për Isa Boletinin dhe për Hasan Prishtinën.

Edhe në rrethana të tilla, nga lëmi i publicistikës, i kulturës dhe i shkencës historiografike, deri tashti, M. Pirraku botoi mbi 477 zëra bibliografikë – artikuj, trajtesa, recensione, kritika, fejtone, studime në mbi 810 numra të shtypit ditor, javor e mujor dhe në revista shkencore. Dhjetëra nga këta zëra bibliografikë kanë madhësinë voluminoze të veprave monografike për probleme të veçanta të kulturës dhe të historisë shqiptare.

Veprat e tjera, të botuara me emër dhe mbiemër të tij, janë:

Historia për klasën VII (bashkautor S. Rizaj), Prishtinë,1975,178;

Kultura Kombëtare Shqiptare deri në Lidhjen e Prizrenit, Prishtinë, 1989, 604;

Salih Gjukë Dukagjini: Shkrolaria e shqypes (nga osmanishtja: dr. Feti Hehdiu, mr. Mehdi Polisi), Prishtinë, 1991, 188;

Ripushtimi jugosllav i Kosovës 1945, Prishtinë, 1992, 196;

Kalvari i shqiptarësisë së Kosovës, TIVARI 1945, Prishtinë, 1993, 74;

Mulla Idris Gjilani dhe Mbrojtja Kombëtare e Kosovës Lindore 1941- 1951, Prishtinë, 1995, 710;

Albania e Konicës, Prishtinë, 1995, 135;

Feja, kultura dhe tradita islame ndër shqiptarët (bashkautor dhe Kryeredaktor), Prishtinë, 1995, 575;

Lidhja Shqiptare “Besa-Besën” në burimet serbe 1892-1902, Prishtinë, 1996, 72;

Lëvizja Gjithëpopullore Shqiptare për Faljen e Gjaqeve 1990-1992. Kronikë, Prishtinë, 1998, 472; Për kauzën shqiptare 1997 – 1999, Prishtinë, 2000, 286;

Dritë e re për kryetarin e parë të Shqipërisë Etnike (bashkautor dhe redaktor), Prishtinë, 2002, 207;

Jo katedrale në emër të shqiptarisë së imagjinuar, Prishtinë, Prill 2003, 192. (Botim i Dytë, i zgjeruar, Qershor 2003, fq. 199).

“Myderriz Ymer Prizreni – Ora, Zemra dhe Shpirti i Lidhjes Shqiptare 1877-1887, Prishtinë, 2003, 522;

Arrestimet e Pjesëtarëve të TMK-së – Ç’është kjo?! (bashkautor dhe redaktor), Prishtinë, 2004, 96;

Masakra në Burgun e Dubravës 19-24 maj 1999 (bashkautor dhe redaktor), Prishtinë 2005, 200; Për kauzën e UÇK-së, Prishtinë, 2006, 390.

Prof. Dr. Muhamet Pirraku, duke iu përgjigjur Ftesës së ndërgjegjes së vetë, pati rol të rëndësishëm në Lëvizjen për Pajtimin Gjithëshqiptar (përmes faljes së gjaqeve dhe të hasmërive) – 2 shkurt 1990- 17 maj 1992 dhe fuqimisht e mbështeti aktivitetin luftarak dhe politik çlirimtar të UÇK-së, në tri Shfaqjet e saj 1993-2001. I përcolli me kujdes trendët politike kombëtare dhe ndërkombëtare lidhur me statusin politik shtetëror të Kosovës nën administrimin e UNMIK-ut dhe me kohë bëri analiza historiografiko-politike në mbështetje të kauzës së shqiptarësisë dhe të shtetësisë së Kosovës.

Prof. Dr. Muhamet Pirraku së fundi ishte këshilltar shkencor i Institutit Albanologjik të Prishtinës.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu