Veliu: Lufta e UÇK’së duhet pastruar

0
119

Kryetari i Komunës së Podujevës dhe njëherësh anëtar i Kryesisë së LDK-së, Agim Veliu, duke komentuar arrestimet dhe dënimet e ish-komandantëve të UÇK-së për rajonin e Llapit, ka pohuar se nëse ka pasur lëshime në luftën e UÇK-së, ajo luftë e drejtë duhet të pastrohet nga personat që kanë bërë vepra të kundërligjshme.

Veliu, ka pohuar për Kosovapress se lufta e Ushtrisë Çlirimtare e Kosovës, ka qenë e drejtë, mirëpo, nuk ka përjashtuar mundësinë që individ të caktuar të kenë bërë vepra të cilat bien ndesh me ligjin.

I pyetur nga Kosovapress, se si e sheh shqiptimin e dënimit nga ana e EULEX-it, për Rrustem Mustafën-Remin, ish-komandantin e Zonës Operative të Llapit dhe ish-komandantëve të kësaj zone; Latif Gashin dhe Nazif Mehmetin, i pari i Komunës së Podujevës i është shmangur pyetjes nëse besonte në pafajësinë apo të kundërtën – fajësinë e këtyre tre emrave për çfarë janë akuzuar dhe shpallur fajtorë.

“Lufta e UÇK-së ka qenë luftë e drejtë. Në atë luftë kanë marrë pjesë njerëz të vullnetit të mirë që kanë qenë në gjendje ta japin edhe jetën për ideale, për liri për pavarësi, mirëpo, nëse në mesin e tyre ka pas njerëz që kanë kryer vepra të liga, sigurisht ata duhet të dënohen dhe ajo luftë të pastrohet dhe të jetë e drejtë dhe e pastër”, ka thënë ai.

Tutje kryetari i Podujevës, Agim Veli, ka kërkuar që edhe vrasjet e pasluftës që kanë ndodhur në Kosovë, e të cilat, sipas tij, kanë qenë të drejtuar kundër figurave politike të LDK-së, të zbardhen dhe kryesit e atyre veprave dhe urdhër dhënësit të vihen para drejtësisë.

“Ne jemi dëshmitarë që edhe pas luftës kanë ndodhur disa vepra që kryesisht kanë qenë të drejtuara kundër aktivistëve të ndryshëm politik. Njëri prej tyre jam edhe unë që kam pësuar, dhe ato vepra duhet të ndiqen dhe të zbardhen, që kryesit e atyre veprave dhe ata që kanë dhënë urdhër për kryerjen e tyre të dënohen definitivisht”, ka thënë ai.

Ndryshe, ditë më parë, një trup gjykues i përbërë prej gjyqtarëve të EULEX-it dhe të Kosovës i shpalli fajtorë Rrustem Mustafën, Latif Gashin dhe Nazif Mehmetin për krime të luftës kundër popullatës civile.

Të tre të pandehurit në këtë rast akuzoheshin për urdhërimin dhe marrjen pjesë në rrahjen dhe torturimin e civilëve shqiptarë të Kosovës të cilët gjatë periudhës 1998/1999, sipas akuzës, ishin ndaluar në mënyrë të kundërligjshme në qendrën e ndalimit në Llapashticë.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu