Vëllezërit xhihadistë nga Skenderaj

0
409

Nga pesë djem sa kishte Shaban Musliu nga Tushila e Skënderajt, nga e diela kanë mbetur edhe katër. Njëri prej tyre, i katërti me radhë, Valoni, është vrarë në Falluxha të Irakut, të dielën gjatë një shkëmbimi zjarri me forcat e sigurisë së Irakut. Valoni, vëllai i tij, Musliu që gjithashtu ka shkuar në Siri si dhe një grup luftëtarësh, ishin zhvendosur përkohësisht nga Siria në Irak por kishin hasur në forcat irakiane të sigurisë dhe kishin shkëmbyer zjarr, në të cilin i riu nga Tushilla e Skënderajt kishte mbetur i vrarë.

Valoni, 21-vjeç, i cili ka mbaruar medresenë në Prishtinë, u ishte bashkuar grupeve të armatosura në Siri për të luftuar kundër forcave qeveritare të presidentit sirian Bashar Al Assad, para më shumë se një viti. Pas tetë muajsh pjesëmarrjeje në luftë në Siri, ai ishte kthyer në Tushilë, ndërsa Turqia ia kishte ndaluar për pesë vjet të kthehet atje.

Anëtarët e familjes së Valonit dhe familja e gjerë Musliu, e cila ka hapur të pame në Tushilë, thonë se nuk mërziten për vrasjen e Valonit pasi që sipas tyre, ai ka vdekur për Zotin. Muhameti, vëllai i madh, thotë se Valoni ishte kthyer në Tushillë, por sërish, para një muaji, ishte kthyer atje dhe me vete kishte marrë edhe vëllanë tjetër, Musliun i cili është dy vjet më i moçëm se Valoni.

“Ne kemi qenë pesë vëllezër, tani kemi mbetur katër. Valoni është vëllai i ynë i katërt.

I treti është Muslia, i cili ka shku atje me Valonin pasi që ai kishte këmbëngulur që të kthehet dhe tani Muslia është atje. Ai na e ka dhënë lajmin se Valoni ka shku me u taku me Zotin”, thotë Muhameti, krenar për heroizmin e vëllait të tij, në luftën me forcat qeveritare në Siri e Irak. Muhameti ka sqaruar se ndonëse e kishte të ndaluar pesë vjet që të kthehet në Siri përmes të territorit të Turqisë, “Zoti ia ka hapur të gjitha rrugët për të shkuar atje”.

“Vëllai ynë ka dhënë jetën për Zotin, Zoti ia ka hap rrugën për t’u kthyer në Siri. Edhe pse Turqia ia ka ndaluar kthimin për pesë vite. Shkoi para një muaji edhe me vëllain tjetër, Musliun, i cili na e dha lajmin se Valoni ka shkuar të takohet me Zotin”, thotë mes tjerash Muhamet Musliu, vëllai i madh i Valon Musliut, nga Tushila e Skënderajt, i cili u vra në Falluxha në Irak, të dielën në orët e mëngjesit.

Muhameti thotë se lajmin për vrasjen e Valonit, familjes ia ka dhënë vëllai tjetër, Musliu, i cili gjithashtu ndodhet atje për të luftuar kundër forcave qeveritare të Sirisë.

Muhameti e as familjarët tjerë nuk e dinë se si ka ndodhur që Valoni të vritet në Falluxha të Irakut, pasi që ai ka shkuar për t’i luftuar forcat qeveritare të presidentit sirian Bashar Al Assad, por shpreh mendimin se atje, në Siri “janë përzier dorëzat”.
“Qysh na ka thënë vëllai, Muslia, Valoni ka ra shehit gjatë një aksioni në Falluxha të Irakut. Atje në Siri janë përzier dorëzat. Po them edhe një herë, Valoni ka vdekur për Zotin. Çka thotë Zoti edhe bahet, Zoti ia ka çelë rrugën Valonit me shku atje. Ka dhënë shpirt atje për Zotin dhe nuk duhet të merzitemi hiç”, përsëriste ai.

Muhameti ka rrëfyer edhe fjalët e fundit, të cilat Valoni i kishte thënë, një ditë para se të vritej. “Valoni ka fol të shtunën me këtë vëllain e dytë, me telefon. Ai ka thënë se është shumë mirë. Bile i ka thënë vëllaitt ‘ngate o Zot se ma mirë nuk ban hiq’. Por, të dielën në mëngjes ka ndodh një aksion dhe në këtë aksion Valoni u vra. Muslia na ka thirrë edhe na e ka dhënë lajmin”, tregon Muhameti.

Në Tushilë thonë se familja e Shaban Musliut ka bërë jetë të vështirë dhe se gjithmonë ka jetuar në varfëri. Ata kanë ndërtuar një shtëpi, ndaras nga fshati, me ndihmën e shoqatave të huaja humanitare, menjëherë pas lufte. Por Muhameti, i cili është kreu i shtëpisë, thotë se janë bërë “idare”, pasi që kanë punuar.

“Unë punoj në një kompani ndërtimore ‘Asllani’ në Drenas, dy vëllezërit tjerë merren me bagëti. Kemi 40 krerë dele por marrin edhe social nga 80 euro në muaj. Kryesore, bëhemi idare”, thotë Muhameti, i cili për fund, ka rekomanduar që të mos flitet më për këtë.

“Nuk ka nevojë, as me fol më për këtë punë. Fotografi të Valonit nuk kemi”, ka qenë i prerë Muhamet Musliu, vëllai i madh i Valon Musliut, i cili të dielën është vrarë në Falluxha të Irakut.

 

Nga: Kajtaz Gecaj


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu