Vendimi i Ramës, lajmi në mediat botërore

0
104

Vendimit të kryeministrit Rama për të mos pranuar shkatërrimin e armëve kimike të Sirisë në Shqipëri i kanë dhënë jehonë edhe mediat e huaja.

“Shqipëria nuk do të shkatërrojë armët kimike të Sirisë”, raporton agjencia britanike e lajmeve Reuters, duke theksuar se Shqipëria ka hedhur poshtë kërkesën e SHBA-së për të pritur çmontimin e armëve kimike të Sirisë. Kryeministri i një vendi të NATO-s tha: “Është e pamundur për Shqipërinë të përfshihet në një operacion të tillë”, raporton kjo agjenci.

Ndërkaq, lajmit i ka dhënë jehonë në kohë reale edhe ABC News, duke shkruar se Kryeministri ka kundërshtuar kërkesën e SHBA-së që të shkatërrojë armët kimike.

“Shqipëria i thotë JO shkatërrimit të armëve kimike”, shkruan Corriere della Sera.

BBC po ashtu shkruan se Shqipëria shmangu shkatërrimin e armëve kimike të Sirisë.

Refuzimi i Shqipërisë, reagon Ambasada Amerikane

“E respektojmë vendimin e Kryeministrit. Shtetet e Bashkuara e vlerësojnë faktin që Qeveria e Shqipërisë e shqyrtoi seriozisht mbështetjen e përpjekjes ndërkombëtare për të eliminuar materialet luftarake kimike të Sirisë në mënyrë të sigurt”, thuhet në një reagim të Ambasadës Amerikane në Tiranë menjëherë pas vendimit të kryeministrit Rama për të refuzuar shkatërrimin e armëve kimike në Shqipëri, transmeton Panorama.

Ambasada thekson se Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria kanë një miqësi të fortë dhe jetëgjatë, duke shtuar se SHBA-ja do të vazhdojnë të mbështesë qeverinë dhe popullin e Shqipërisë teksa punojnë për të ndërtuar një shoqëri më të drejtë dhe më demokratike

“Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të punojnë me aleatët dhe partnerët si dhe me ONAK dhe Kombet e Bashkuara për të siguruar eliminimin e programit të armëve kimike të Sirisë. Mbetemi besimplotë se do ta përfundojmë eliminimin e programit brenda afatit për të cilin është rënë dakord”, thuhet në fund të deklaratës.

Rama: Në parim i thash “PO”, por s’kemi kapacitete

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në një deklaratë para mediave ka thënë se Qeveria e Shqipërisë parimisht ka pranuar që të bëhet shkatërrimi i armëve kimike të Sirisë në territorin shqiptar.

Ai ka thënë se asnjëherë nuk do të rrezikonte jetën e qytetarëve të Shqipërisë, duke marrë përsipër rreziqet që i sjell ky shkatërrim.

Rama ka thënë se oferta për shkatërrimin e armëve kimike, do të ndihmojë që të gjitha zonat e mëhershme të kontaminuara të pastrohen, duke mos lejuar që asnjë gram të mbetet në Shqipëri!

Ai ka akuzuar opozitën për instrumentalizimin e gjendjes dhe propagandën histerike të saj.

Rama ka theksuar se “pa Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), shqiptarët dhe Shqipëria nuk do të ishin në këtë gjendje ku janë sot”. Ai ka thënë se është i pakuptueshëm “antiamerikanizmi” i cili është trumbetuar gjatë këtyre ditëve.

“SHBA-të nuk vrasin njerëz, por njerëzit e SHBA-ve janë në frontet e luftës për të mirën e njerëzimit”, ka thënë Rama.

Rama ka theksuar që është shumë i lumtur që protestuesit shprehin pakënaqësinë e tyre në mënyrë të lirë dhe jo siç ka ndodhur në të kaluarën – nën tytat e pushkëve!

Megjithatë, ai në fund refuzoi të përfshihet në këtë proces.

“Po në parim jemi të gatshëm. Por, nuk kemi asnjë kapacitet të brendshëm. Gjithçka lidhet me transportin, ekspertizën dhe teknologjinë duhet të marrin përsipër vendet e tjera”, deklaroi Rama. “Shqipëria e ka të pamundur të përfshihet në këtë proces”.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu