Veriu, jashtë kontrollit

0
72

Për gati tri vjet të qeverisjes së PDK-se dhe LDK-se, ndërtimi i shtëpive të shqiptarëve në veri është ndërprerë krejtësisht, shumë familje shqiptare janë detyruar t’i shesin banesat e tyre të uzurpuara nga serbët, veriu nuk ka paguar as edhe një cent për rrymën dhe ujin e shpenzuar, ura e Ibrit nuk është hapur, strukturat paralele nuk janë shuar, gjyqësori në veri nuk është funksionalizuar, transmeton zeri.info. 

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, i cili është rrëzuar me një mocion mosbesimi në Kuvendin e Kosovës të mërkurën pikerisht per shkak te Demerkacionit dhe zajednices, për gati 3 vjet të qeverisjes së tij nuk ka shkelur  asnjëherë në veri të Kosovës, përveç në një rast kur është dashur ta përuronte një urë të ndërtuar nga KFOR-i në Grabovc të Zveçanit dhe mezi kishte “shpëtuar” kokën, pasi që serbët i kishin dalë në pritë.

ndërkohë që ministrat serbë Dalibor Jevtiq, Lubomir Mariq e Aleksandër Jabllanvoviq, më përpara edhe zëvendëskryeministri Branimir Stojanoviq, kanë qenë më së paku anëtarë të kabinetit qeveritar të Isa Mustafës.

Para çdo vendimi që do ta merrte Qeveria e Kosovës ministrat serbë në kabinetin e Mustafës dhe vetë zëvendëskryeministri Branimir Stojanoviq paraprakisht kanë shkuar tek Vuçiqi në Beograd, nga i cili përherë kanë marrë instruksione se si duhet të veprojnë. Me ta kaluar urën kryesore të Ibrit fitohet përshtypja se je në mes të Serbisë, diku në Shumadi. Muzika e zhurmshme serbe, flamuj dhe simbole të shtetit të Serbisë, afishe të vendosura të politikanëve serbë, shtatore e buste të ngritura të mbretërve serbë, Car Llazarit, mbretit Millutin, të kanxhallozit rus Shqerbin dhe të tjerëve ta zënë frymën.

Për ndërtimin e shtëpive të shqiptarëve vendosën Jevtiq e Mariq

Para se të vinte në pushtet Qeveria e Isa Mustafës dhe Hashim Thaqit, ndërtimi i shtëpive të shqiptarëve në lagjet veriore bëhej, ndonëse me vështirësi, pasi që serbët e veriut pengonin punimet. Por deri atëherë një pjesë e madhe e shtëpive të shkatërruara gjatë luftës nga serbët ishin rindërtuar. Por me zgjedhjet lokale të nëntorit të vitit 2013 dhe ato nacionale të vitit 2014, gjendja kishte ndryshuar rrënjësisht.

Derisa shqiptarëve nuk u lejohej ndërtimi i shtëpive, serbët ndërtonin objekte të larta banimi në lagjet e banuara me shqiptarë dhe ato i popullonin me serbë të zhvendosur nga anë të ndryshme të Kosovës. Fillimi i ndërtimit të një shtëpive të një shqiptari në lagjen “Kroi i Vitakut” kishte ngritur serbët e veriut në këmbë, të cilët kishin bllokuar rrugën dhe madje kishin sulmuar punëtorët.

Kishte ndërhyrë edhe Policia si dhe dy kryetarët, Agim Bahtiri dhe Goran Rakiq. Ata ishin marrë vesh që punët të ndërpriten edhe nga ana e shqiptarëve, edhe nga ana e serbëve, derisa ishte formuar një komision me serbë dhe shqiptarë, pjesë e të cilëve ishin edhe dy ministrat në Qeverinë e Isa Mustafës, Dalibor Jevtiq dhe Lubomir Mariq. Ishte thënë se edhe serbët e edhe shqiptarët duhet paraprakisht të pajisen me leje ndërtimi. Por derisa serbëve u ishin dhënë lejet për të ndërtuar, shqiptarëve u ishte mohuar kjo e drejtë, në mënyrë që asnjë shtëpi e tyre më nuk është rindërtuar. Madje ish-ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Lubomir Mariq, një serb i Kroacisë, i cili si fëmijë kishte ardhur me familjen e tij nga Knini dhe ishte vendosur në veri të Mitrovicës, kishte thënë se nuk do t’i lejojë shqiptarët të ndërtojnë në veri, me supozimin se atje duan të ndërtojnë shqiptarët që nuk kanë jetuar kurrë në veri të Mitrovicës.

Shqiptarët nuk janë lejuar as të kthehen në banesat e tyre në veri të Mitrovicës. Mbi 400 banesa janë mbajtur të uzurpuara në veri të Mitrovicës nga serbët e atjeshëm, pas dëbimit të mbi 12 mijë shqiptarëve nga pjesa veriore e Mitrovicës, gjatë luftës dhe në shkurtin e vitit 2000, kur ishin vrarë 10 shqiptarë, ndërsa 25 ishin plagosur dhe mbi 100 që ishin keqtrajtuar nga serbët e asaj pjese. Duke parë se kthimi i tyre në banesat e veta në veri të Mitrovicës është i pamundur, familjet shqiptare janë detyruar t’i shesin banesat me çmime tepër të ulëta.

Halit Barani, kryetar i QR-së të KMDLNJ-së në Mitrovicë, ka thënë se posedon një listë me emrat e të gjithë uzurpatorëve serbë, por me kohë gjendja ka ndryshuar, ndërsa tani kanë mbetur edhe një numër i vogël i banesave që nuk janë shitur. Kryetari i Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri, i kishte kërkuar Qeverisë së Kosovës që t’i blejë shtëpitë, pronat dhe banesat e shqiptarëve, por të mos lejuar që ato t’i blejë Serbia, e cila ka ndarë shuma të mëdha të mjeteve për blerjen e pronave të shqiptarëve, por kërkesa e tij nuk ishte përfillur. Këshilli i Veriut, që përbëhet nga përfaqësues të lagjeve shqiptare në veri të Mitrovicës, disa herë kishte akuzuar Qeverinë e Kosovës se nuk bën asgjë për t’i mbrojtur shqiptarët, pronat dhe pasurinë e tyre në atë pjesë.

Serbët harxhojnë ujë e rrymë, shqiptarët paguajnë

Në veri të Kosovës rrymën dhe ujin edhe më tutje nuk e paguajnë as shqiptarët e as serbët. Në fakt, dy kompanitë që furnizojnë veriun me rrymë dhe me ujë, KEDS-i, përkatësisht Ujësjellësi Rajonal Mitrovica, nuk kanë arritur asnjëherë t’ua faturojnë qytetarëve, ndërmarrjeve dhe bizneseve, rrymën dhe ujin e harxhuar në pjesën veriore të Kosovës.

Deri para se furnizimin me energji elektrike ta merrte KEDS-i, borxhi vjetor i harxhimit të energjisë elektrike në veri të Kosovës ka qenë 20 milionë euro, ose 160 milionë euro që nga paslufta, ndërkohë KEDS-i shpërndan rreth 5,3 për qind të totalit të energjisë elektrike në veri të Kosovës, ose rreth 7 milionë euro, të cilat trajtohen si humbje komerciale. Më përpara KEK-u, e tani edhe kompania që ka privatizuar distribucionin, “Limak-Çelik”, e njohur si KEDS, nuk kanë qasje në pjesën veriore.

Madje këta të fundit nuk dinë saktësisht sa është borxhi i mëparshëm si dhe për borxhet që i ka veriu pas ardhjes së tyre. Burime të “Zërit”, të cilat nuk kanë mundur të konfirmohen edhe zyrtarisht, flasin për një borxh prej 160 milionë eurosh që veriu i Kosovës ia ka KEK-ut për rrymën e shpenzuar në atë pjesë që nga përfundimi i luftës. Gazeta ka mësuar gjithashtu se rryma e shpenzuar në veri të Kosovës u faturohet qytetarëve të Kosovës dhe kjo madje është një diçka që është lejuar edhe nga Qeveria e Kosovës. Veriu i Kosovës i ka borxh shtetit të Kosovës 12 milionë euro për ujin e shpenzuar, i cili nuk u faturohet fare shpenzuesve në veri të Kosovës. Për shpenzimet e ujit të serbëve të veriut paguan Qeveria e Kosovës, respektivisht qytetarët e Kosovës.

Qeveria e Kosovës herë pas here ka subvencionuar Ujësjellësin Rajonal Mitrovica për ujin e harxhuar në pjesën veriore të Kosovës dhe nga 12 milionë euro sa është borxhi total i veriut, deri më tani ka mbuluar vetëm rreth 300 mijë euro. Veriut i faturohet uji me çmimin prej 18 centësh, gati trefish më ulët se që është çmimi aktual për një metër kub ujë (45 centë) veriut të Kosovës për çdo muaj i dërgohen rreth 377 mijë metra kub ujë nga fabrika për përpunimin e ujit në Shipol të Mitrovicës. Për 377 mijë metra kub ujë veriut të Kosovës i faturohen 69.225 euro, ose rreth 800 mijë euro në vit. Faturimi nuk bëhet me qëllimin që të mblidhen mjetet për ujin e shpenzuar në atë pjesë, pasi që inkasomi në anën përtej Ibrit është i pamundshëm, por ai bëhet vetëm sa për ta ditur se sa metra kub ujë i dërgohen pjesës veriore. Qeveria e Isa Mustafës si dhe qeveritë e mëhershme vetë kanë lejuar që serbët të mos paguajnë për ujin e shpenzuar dhe për të mos ua prishur atyre rehatinë kanë vendosur që vetë ta paguajnë. Por, para pak ditëve kryetari i Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq, i ka kërkuar Zyrës së BE-së në Prishtinë që t’i paguajë shpenzimet për ujin e harxhuar në pjesën veriore të Mitrovicës dhe në Zveçan, pasi që as Qeveria e Kosovës nuk i ka mbuluar shpenzimet e ujit të komunave veriore të Kosovës.

Qeverisja e veriut me komunat paralele

Përveç organizatës ilegale të sigurisë “Civilna Zastita” asnjë nga strukturat tjera paralele në veri të Kosovës nuk është shpërbërë. Serbia, e cila veriun e Kosovës e konsideron territor të vetin, qeveris komunat veriore nëpërmes të komunave paralele, të cilat njihet si Organe të Përkohshme. Kryetarët paralelë, Aleksandër Spiriq (Mitrovicë e Veriut), Zoran Todiq (Leposaviq), Ivan Teodosijeviq (Zveçan), të cilin Isa Mustafa së fundi e ka emëruar ministër të Administrimit të Pushtetit Lokal si dhe Stevan Vulloviq (Zubin Potok), i cili njëkohësisht është edhe kryetar i komunës së Zubin Potokut, me sistemin kosovar të qeverisjes janë njerëzit që “vrajnë dhe kthjellin” në veri të Kosovës. Kur kësaj i shtohet edhe fakti se Goran Rakiq, kryetar i Mitrovicës së Veriut, Dragan Jabllanoviq, kryetar i Leposaviqit dhe Vuçina Jankoviq, kryetar i Zveçanit, qeverisin sipas instruksioneve të Qeverisë së Serbisë, atëherë Serbia me të drejtë vlerëson se veriu është i saj. Pjesëmarrja në bisedimet në Bruskel e kryetarit të Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq, si pjesë e delegacionit të Serbisë, ka treguar pafuqinë e Qeverisë së Isa Mustafës dhe rrënimin e autoritetit të tij në raport me ministrat serbë në Qeverinë e tij dhe me kryetarët e komunave veriore.

Por megjithëkëtë Qeveria e Kosovës nuk e ka rrudhur fare dorën për t’u dhënë buxhet kryetarëve të komunave veriore, të cilët janë kryetarët më të privilegjuar në gjithë Kosovën, pasi që ata marrin buxhet edhe nga Qeveria e Serbisë si dhe nga Fondi për Zhvillimin e Veriut, në të cilin derdhen mjetet nga të hyrat doganore në pikat kufitare në veri. Në vitin 2017 edhe zëvendësministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Bajram Gecaj, ka financuar disa projekte në Mitrovicën e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok. Në mesin e kryetarëve të komunave veriore me ndërhyrje në punët e Qeverisë është shquar ai i Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq. Ai ka kohë që është duke i penguar punimet në revitalizimin e urës së Ibrit, ndërkohë që tani ka urdhëruar që të ndërpriten krejtësisht, vetëm që ura të mos hapet në kohën që është paraparë me Marrëveshjen e Brukselit. Edhe mosfunksionalizimi i gjyqësorit në veri të Mitrovicës i paraparë gjithashtu me Marrëveshjen e Brukselit, e që do të duhej të zbatohej nga dhjetori i vitit 2016, pohohet të jenë rezultat i ndërhyrjeve të tij.

Fajësojnë kryeministrin në largim

Për këtë gjendje në veri të Kosovës shqiptarët e  Mitrovicës, të Veriut dhe të Jugut, e fajësojnë tashmë ish-kryeministrin Isa Mustafa, i cili sipas tyre nuk ka bërë asgjë që gjendja e shqiptarëve të përmirësohet. Florent Azemi, asamblist në Kuvendin e Mitrovicës së Veriut, thotë se Qeveria ka gjithë fajin për gjendjen e rëndë në të cilën ndodhen shqiptarët e pjesës veriore. Ai ka thënë se edhe ngjarjet e fundit kur serbët kanë tentuar t’i djegin objektet institucionale të Qeverisë së Kosovës në veri, siç janë ambulanca dhe barakat-shkollë në lagjen “Kodra e minatorëve” janë pasojë e paaftësisë së Isa Mustafës për t’u përballur me problemet e shumta të shqiptarëve. Ai e ka fajësuar gjithashtu Isa Mustafën se nuk ka qenë në gjendje për gati 3 vjet t’i vizitojë lagjet shqiptare në veri dhe t’i dëgjojë hallet e tyre.

“Fajin për gjendjen e ka Isa Mustafa dhe Qeveria e Kosovës që nuk kanë qenë në gjendje të vijnë dhe të shohin se në çfarë gjendje janë shqiptarët, t’i dëgjojnë problemet që kanë në vazhdimësi”, ka thënë Azemi.

Shqiptarët e Mitrovicës e fajësojnë Qeverinë e Kosovës dhe kryeministrin Isa Mustafa, edhe pse nuk ka qenë në gjendje ta pengojë fillimin e ndërtimit të vendbanimit të ashtuquajtur “Lugina e diellit” në Zveçan, një projekt kolonizues i Qeverisë së Serbisë, me të cilin parashikohet vendosja e mbi 1500 serbëve nga Serbia, e për të cilin projekt Qeveria e Serbisë ka ndarë mbi 5 milionë euro.

 

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu