“Vetëvendosja” i kërkon Thaçit fakte për akuzat

0
131

Presidenti i Kosovës të shtunën ka akuzuar “Vetëvendosjen” se financohet nga Irani dhe se lideri i kësaj partie Albin Kurti është themelues i organizatës “Syri i Popullit”. Për këto akuza “Vetëvendosja” tani kërkon fakte nga Thaçi, në të kundërtën thonë se do të kërkojnë përgjegjësi ligjore, shkruan sot Gazeta “Zëri”

Një ditë pas akuzave të presidentit të Kosovës Hashim Thaçi karshi lëvizjes “Vetëvendosje”, përfaqësuesit e kësaj partie kanë thënë për gazetën “Zëri” se do të kërkojnë nga presidenti argumentimin e deklaratave të tij.

Kjo parti bën të qartë se nëse Thaçi nuk i argumenton këto akuza do të ndjekin procedurën ligjore ndaj të parit të shtetit.

Madje, sipas anëtarëve të “Vetëvendosjes”, deklarimi i Thaçit kundër kësaj partie është shkelje e Kushtetutës pasi presidenti i vendit duhet të përfaqësojë unitetin e popullit dhe nuk guxon të dalë kundër ndonjë partie politike.

Sipas analistëve politikë, deklaratat e Thaçit kundër “Vetëvendosjes” dhe Albin Kurtit kanë të bëjnë me rivalitetin politik në mes të dy politikanëve.

Ata thonë se nëse këto akuza qëndrojnë, atëherë presidenti duhet t’i dërgojë në Prokurori.

Hashim Thaçi të shtunën gjatë një konference për shtyp e ka akuzuar lëvizjen “Vetëvendosje” dhe liderin e saj Albin Kurti për disa gjëra, ku ndër to ka përmendur edhe financimin e kësaj partie nga Irani, si dhe ka drejtuar gishtin kah Albin Kurti duke thënë se ai është ideatori i themelimit të organizatës “Syri i Popullit”.

“Le t’ju tregojë juve dhe mund ta pyesni kush është ai individ nga Irani, i cili ia financoi partinë. Ai njeri është ideatori me njerëzit e rrethit të tij, të themelimit dhe të veprimit të organizatës terroriste ‘Syri i Popullit’ që ka përpiluar lista për ekzekutimin e njerëzve të politikës në Kosovë, në Maqedoni, në Shqipëri dhe njerëz të shoqërisë civile e të medieve”, ka thënë Thaçi.

Kurteshi: LVV-ja do të kërkojë argumente nga Thaçi

Ushtruesi i Detyrës së sekretarit të lëvizjes “Vetëvendosje”, Ismajl Kurteshi, për gazetën “Zëri” ka thënë se kjo parti do të kërkojë argumente nga presidenti lidhur me këto akuza.

“Ne do të kërkojmë që ai t’i argumentojë ato akuza, në të kundërtën nëse nuk i argumenton atëherë sigurisht që ne nuk do të heshtim dhe do të kërkojmë përgjegjësi prej presidentit qoftë ligjore, por edhe morale sepse është njeriu i parë i një vendi dhe duhet të jetë njeri më i kujdesshëm”, ka thënë Kurteshi.

Kurteshi po ashtu ka shtuar se është shqetësuese se si presidenti i një vendi flet me akuza të pabaza drejtuar një partie.

Kurse anëtari tjetër i “Vetëvendosjes”, Avni Zogiani, ka thënë se presidenti i vendit me këto deklarata ka shkelur Kushtetutën.

“Me deklarimet kundër ‘Vetëvendosjes’ Thaçi është duke e shkelur Kushtetutën. Është president, nuk mund të jetë kundër një partie parlamentare”, ka thënë Zogiani pas deklaratave të Thaçit

Gashi: Akuzat janë të pabaza, përndryshe presidenti t’i dërgojë në Prokurori

Avokati Tomë Gashi ka thënë për “Zërin” se beson që deklaratat e presidentit janë të pabaza, pasi nëse do të ishin të faktuara atëherë Thaçi do të duhej t’i dërgonte në Prokurori.

“Unë besoj që ato deklarata nuk kanë asnjë bazë sepse sikur të ishin të bazuara pa marrë parasysh presidenti a kush thotë këto duhet t’i vërtetojë vetë dhe t’i dërgojë në Prokurori”, ka thënë Gashi.

Kurse analisti politik Blerim Burjani ka thënë se deklaratat e tilla kanë ardhur si rezultat i rivalitetit politik.

“Hashim Thaçi nuk ka hezituar prej fillimi të bëjë deklarata të ashpra edhe ndaj Albin Kurtit, edhe ndaj lëvizjes ‘Vetëvendosje’. Këto kryesisht janë deklarata që janë të natyrshme sepse janë rivalë të fuqishëm politik”, ka thënë Burjani.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu