Vetëvendosje akuzon qeveritë pse s’po bëjnë padi për krimet e Serbisë në Kosovë

0
304
Gjykata Speciale kunder Kosovës
Lëvizja Vetëvendosje thotë se 16 vjet pas kur Kosova dhe lufta e drejtë e UÇK-së po rrezikohen seriozisht nga përpjekja për krijimin e Gjykatës Speciale, krimi sistematik nga forcat serbe përgjatë viteve 1998-2000 është duke u heshtur dhe në një mënyrë duke u amnistuar.
 “Qeveritë e Kosovës deri më tani zyrtarisht nuk përgatitën asnjë mjet juridik me të cilin do të fajësohej Serbia për gjenocidin e kryer në luftën e fundit. Vetëm në vitin 2013, Qeveria Thaçi II themeloi Institutin për Krime të Luftës, institucion i cili deri më sot nuk ka njoftuar për ndonjë ndërmarrje serioze në këtë drejtim”, thotë Vetëvendosje nëpërmjet një komunikate për media.

Për LVV-në është pak të thuhet papërgjegjësi kjo sjellje e qeverive të pasluftës duke përfshirë dhe këtë aktualen.

“Për vetëm 15 muaj në Kosovë u vranë rreth 14 mijë persona, u dhunuan 20,400 gra dhe vajza shqiptare, 128,000 mijë shtëpi e mbi 360 objekte shkollore u dëmtuan tërësisht, rreth 900 mijë shqiptarë u dëbuan dhunshëm për të vazhduar me shkurtin e vitit 2000, kur u vranë 11 persona dhe u dëbuan 11,364 shqiptarë nga shtëpitë e tyre në Mitrovicë. Të gjitha këto ishin krime të organizuara, sistematike, në formën e spastrimit etnik, të ekzekutuara nga formacionet e rregullta dhe ato paramilitare të Serbisë së Millosheviqit”, thuhet në komunikatë.

“Strategjia e tokës së djegur, duke shkatërruar gjithçka ishte shqiptare, si dhe vrasja, dhunimi e dëbimi i popullsisë civile janë figura të plota të veprës penale të gjenocidit. Nuk ka rajon në Kosovë që nuk ka përjetuar masakrimin e popullatës. Edhe pse e pabesueshme nga pikëvështrimi i çlirimit të Kosovës, por ende sot nuk asnjë padi për Prekazin, Krushën, Reçakun, Mejën, Studimen, Dubravën”.

Vetëvendosje ka kujtuar se në vitin 2010, kur u publikua raporti i senatorit Dick Marty, ish-kryeministri Hashim Thaçi paralajmëroi përgatitjen e një padie për shpifjet dhe fabrikimet që iu vunë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për krime lufte e thyerje të zakoneve të luftës.

“Por ndodhi e kundërta, ish-kryeministri Thaçi nuk e parashtroi kurrë padinë kundër Dick Martyt, por u orientua kah negociatat e marrëveshjet me ish-kryeministrin e Serbisë, Ivica Daçiq, mes tyre dhe për Ligjin e Amnistisë. Ashtu siç veproi para miratimit të rezolutës së Këshillit të Evropës rreth raportit të Dick Martyt, njëjtë po vepron edhe para themelimit të Gjykatës Speciale, pra veç paralajmërim për përgatitje të padive kundër Serbisë për krimet e kryera në Kosovë dhe asnjë padi e dorëzuar”, thuhet më tej.

Edhe pse Qeveria e Hashim Thaçit dhe tash kjo e Isa Mustafës po e falin Serbinë duke u thirrur si përfaqësues të popullit të Kosovës, është e sigurt se populli i Kosovës nuk do t’i falë as ata dhe as Serbinë.

“Drejtësia është kusht i patjetërsueshëm i cili pret të përmbushet. Krimi në esencë nuk vjetërsohet asnjëherë, kjo vlen formalisht sidomos për krimet e luftës, me theks të veçantë për gjenocidin, si formën më të rëndë të krimit të luftës”.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu