Vetëvendosje, do të ankohet të John Kerry

0
175

Philip Reeker(E plotësuar)

Zëvendës-ndihmës sekretari amerikan i Shtetit, Philip T. Reeker, duke komentuar veprimet e fundit të Lëvizjes Vetëvendosje, në Kuvendin e Kosovës, ka thënë se palaçot duhet të din se ato veprime nuk janë të mira për vendin.

Sekretari organizativ i Lëvizjes Vetëvendosje, Dardan Molliqaj, duke komentuar këtë deklaratë, ka thënë se ky epitet u takon subjekteve tjera.

“Jo të gjithë anëtarëve të atyre subjekteve, por atyre që ndërrojnë qëndrimin brenda dite”, ka thënë Molliqaj për Klan Kosova, transmeton Telegrafi.

Sipas tij, javën tjetër VV do t’i dërgojë një letër Sekretarit John Kerry.

“Është kjo një gjuhë jodemokratike. Nuk ndërtohet autoriteti amerikan mbi ofendimin e një subjekti politik”, ka thënë Molliqaj.

Reeker e quan Vetëvendosjen palaço

Zëvendës-Ndihmësin Sekretarin Amerikan të Shtetit, Philip T. Reeker sjelljet e Lëvizjes Vetëvendosje javën e kaluar, në ditën e ratifikimit të marrëveshjes Kosovë-Serbi, i ka quajtur palaço dhe me sjellje nihiliste, që sipas tij janë të papranueshme në shekullin e XXI në Evropë. Ai këto komente i bëri pas një takimi me kryeministrin e vendit, Hashim Thaçi, ku këtë të fundit ka përgëzuar për punën e bërë.

Zëvendës-Ndihmës Sekretari Amerikan, Reeker ka thënë se SHBA-të dënojnë veprat e dhunshme që janë parë nga ato parti të cilët thjeshtë duan të shtrembërojnë procesin.

Sipas tij ato parti dëshirojnë të tregojnë vetëm mungesë të respektit për institucionet, përfshi edhe Kuvendit dhe diplomatët e bashkësisë ndërkombëtare.

Por i pyetur përse nuk takohen zyrtarët amerikane dhe ambasadorja e SHBA-së në Kosovë me drejtuesit e Lëvizjes Vetëvendosje, Reeker ka qenë mjaft i ashpër duke i quajtur palaço drejtuesit e këtij subjekti politik.

Palaçot që dojnë të luajnë dhe të jenë të dhunshëm duhet të mendojnë dy herë se çka po bëjnë pjesës tjetër të vendit dhe mendoj se gjithë qytetarët mendojnë rreth kësaj. Sepse kjo sjellje nihiliste është e papranueshme në shekullin e 21 në Evropë dhe në rajon. Kjo porosi është shumë e qartë ne jemi për tu takuar me përfaqësuesit e Vetëvendosjes kur ata sillen mirë si njerëz normal, në një botë bashkëkohore me demokraci bashkëkohore. Ne do të angazhohemi në mënyrë të përshtatshme me ta. Kjo është e vërtet kudo nëpër rajon dhe kudo nëpër botë”, ka theksuar Reeker.

Tutje diplomati amerikan ka përgëzuar kryeministër dhe tërë popullin e Kosovës për përparimin e arritur në Marrëveshjen për Stabilizim Asocim me Bashkimin Evropian, që sipas tij, ky është një hap shumë i jashtëzakonshëm dhe Shtetet e Bashkuara janë krenare për përparimin e arritur dhe mbështetjen që i ka dhënë lehtësuesve të dialogut nga BE-ja.

Ai ka shtuar se përparimi që është parë përmes dialogut dhe zbatimi i marrëveshjes është një hap i madh për Kosovën, për rajonin, për tërë Evropën dhe shumë i rëndësishëm edhe për Shtetet e Bashkuara.

Reeker ka përgëzuar edhe punën e Kuvendit të Kosovës për ratifikimin e kësaj marrëveshje, por ka kërkuar që tash kjo marrëveshje të zbatohet në teren.

“Dua të përgëzoj edhe Kuvendin që përfaqëson popullin e Kosovës mbi ratifikimin e marrëveshjes javën e kaluar. Ky është një hap i rëndësishëm tjetër për zbatimin e marrëveshjes, sepse fundja zbatimi është çelësi kryesor dhe për këtë shpresojmë që edhe kryeministri dhe ekipi i tij do të punoj dhe për këtë po punojnë ekipet çdo ditë në Bruksel. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin këtë proces”, ka theksuar Reeker.

Ndërkohë, duke folur për Ligjin për amnisti, ai ka thënë se është shumë mirë që Kuvendi dhe Qeveria po vazhdojnë për të përmbushur përgjegjësitë e tyre, pasi që është një hap thelbësor në zbatimin e marrëveshjes.

Ai ka thënë se Ligji i amnistisëka dal përmes dialogut në Bruksel, duke shtuar se ka qenë i mbështetur edhe nga ekspertiza e SHBA-së dhe BE-ja.

Ndërkohë, në lidhje me atë se a do të integrohen serbët e veriut në institucionet e vendit, zyrtari i lartë amerikan ka thënë se zgjedhjet në nëntor janë shumë të rëndësishme, sepse ofrojnë një mundësi për të gjithë kosovarët, për të gjithë njerëzit në Kosovë që ti përfaqësojnë interesat e tyre, që është baza e funksionimit të qeverisjes.

Ai ka kërkuar nga kryeministri i vendit, Thaçi që të komunikoj me të gjithë qytetarët edhe me ata në veri që të kuptojnë se çka do të thotë marrëveshja.

Ndërkohë shefi i ekzekutivit të vendit, Hashim Thaçi ka siguruar Reekerin që do të punohet në implementimin e kësaj marrëveshje.

Qeveria e Kosovës, do të vazhdojnë të punojnë këmbëngulësisht duke respektuar në plotëni agjendën në periudha kohore të implementimit. Ne sa po kemi ratifikuar marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë, në të njëjtën kohë kemi diskutuar edhe një debat interesant për Ligjin e amnistisë. Pas sqarimit që ka ndodhur edhe sot në mes të spektrit politik kemi vendosur si Qeveri të riprocedojmë dhe si skenë politike të kalojmë këtë çështje bashkërisht që ndërlidhet drejtpërdrejt me marrëveshjen e arritur”, ka thënë kryeministri Thaçi.

Ndërkohë kryeministri nuk beson që do të ketë shtyrje të takimit mes tij dhe kryeministrit Ivica Daçiq për arsye të mos miratimit të Ligjit për amnisti.

Një takim i tillë është paraparë të mbahet me 8 korrik në Bruksel.

Zëvendës-Ndihmësin Sekretarin Amerikan të Shtetit, Philip T. Reeker, pas takimit me kryeministrin Thaçi, ka zhvilluar një takim edhe liderët e opozitës./Kosovapress/

Jahjaga e Reeker vlerësojnë domosdoshmërinë e zbatimit të marrëveshjes

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, priti sot në takim zëvendës-ndihmës sekretarin e shtetit të SHBA-së, Philip Reeker, me të cilin bisedoi për proceset në Kosovë, për marrëveshjen e arritur për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe për praninë e Kosovës në nismat rajonale dhe ndërkombëtare.

Duke folur për marrëveshjen e arritur në Bruksel për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet shtetit të Kosovës dhe atij të Serbisë, Presidentja Jahjaga tha se zbatimi i saj është i një rëndësie të veçantë dhe e siguroi Reekerin se institucionet e Kosovës janë të përkushtuara për të zbatuar atë dhe për të marrë përgjegjësitë që u takojnë.

Ajo tha se me shpalljen e datës së zgjedhjeve për 3 nëntor të këtij viti, në gjithë territorin e Kosovës, njëkohësisht, është dhënë një mesazh i mirë për të gjithë qytetarët dhe vlerësoi se tani duhen përgatitje të mira për të pasur zgjedhje të lira, të drejta dhe demokratike.

Jahjaga theksoi se Kosova është shndërruar në një faktor të rëndësishëm paqeje dhe stabiliteti dhe përfshirja e saj në të gjitha nismat rajonale, në mënyrë të barabartë me pjesëmarrësit e tjerë, do të mundësojë dhënien e kontributit për çështjet e përbashkëta dhe hap një kapitull të ri në marrëdhëniet ndërmjet shteteve të rajonit.

Zëvendës-ndihmës sekretari amerikan i Shtetit, Philip Reeker, theksoi rëndësinë e arritjes së marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe gjithashtu rëndësinë e zbatimit të saj, meqë kjo mundëson relaksimin e raporteve ndërmjet dy vendeve.

Ai tha se Kosova dhe rajoni i Ballkanit kanë shënuar përparime në rrugën e integrimeve dhe vlerësoi se është me rëndësi pjesëmarrja e Kosovës në nismat rajonale dhe kontributi i saj në këto nisma.

Presidentja Jahjaga me këtë rast uroi zëvendës-ndihmës sekretarin Reeker për 237 vjetorin e pavarësisë së SHBA-së duke theksuar se SHBA-të janë promotor i paqes dhe stabilitetit dhe garantues i të drejtave dhe lirive të popujve kudo në botë.

Reeker në Kosovë

Zëvendës-ndihmës Sekretari i Shtetit Philip T. Reeker po qëndron në Kosovë, ku sot pritet të takohet me përfaqësues të lartë të institucioneve.

Gjatë vizitës në Kosovë, Zëvendës-ndihmës Sekretari Reeker pritet të takohet me përfaqësuesit e institucioneve kosovare, si me kryeministrin Hashim Thaçi, presidenten Atifete Jahjaga, ministrin e Jashtëm Enver Hoxhaj si dhe krerët e partive opozitare të LDK-së dhe AAK-së.

Vizita e Reeker e cila fillojë të enjten, do të zgjasë deri me 6 korrik.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu