Vetëvendosje kërkon shtyrjen e regjistrimit të popullsisë

0
209

Lëvizja Vetëvendosje kërkon nga institucionet e vendit që ta shtyjnë procesin e regjistrimit të popullsisë derisa të ndryshohet baza ligjore me të cilën do të mbahet ky regjistrim.

Në një konferencë për media të enjten Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar që regjistrimi i popullsisë duhet të reflektojë kontekstin politik, ekonomik, social dhe historik të Kosovës.

Sipas Vetëvendosjes procesi i regjistrimit do të bazohet edhe në Pakon e Ahtisarit, sipas të cilës, në nenin 14, pika 1, thuhet se regjistrimi i popullsisë do t’i nënshtrohet vëzhgimit ndërkombëtar dhe se i lejohet Serbisë dhe vendeve tjera përreth të autorizojnë regjistrimin përmes një agjencie ndërkombëtare të refugjateve dhe personave të zhvendosur, që dëshirojnë të kthehen ne Kosovë.

“Ky nen paraqet standard të dyfishtë në raport me pjesën tjetër të popullsisë së Kosovës dhe në kundërshtim me Ligjin për regjistrimin e popullsisë. Sipas këtij ligji, në kuadër të popullsisë rezidente futen vetëm individët që kanë jetuar në Kosovë për një periudhë kohore më shumë se 12 muaj para ditës së regjistrimit. Kjo ua mohon të drejtën e regjistrimit si rezident të gjithë bashkatdhetarëve tanë e e njëjta nuk vlen edhe për serbët që nuk jetojnë në Kosovë. Si rrjedhojë të gjithë serbët që regjimi i Millosheviqit i pat zhvendosur në Kosovë gjatë luftërave në Kroaci e në Bosnje iu jepet mundësia që të regjistrohen si banorë të Kosovës. Krejt kjo është në funksion të rritjes përqindjes së pakicës serbe në Kosovë”, thuhet në komunikatë.

Për Lëvizjen Vetëvendosje është e papranueshme çfarëdo forme e udhëheqjes së proceseve nga organizma ndërkombëtarë, për të cilat janë përgjegjëse institucionet tona dhe pasi që kjo e cenon rëndë pavarësinë e këtyre institucioneve dhe mund të dëmtojë seriozisht procesin e regjistrimit.

“Nëse regjistrimi mbahet në prill vetëm në Kosovë, dhe serbët e bojkotojnë, atëherë i krijohen kushte Serbisë që ajo të regjistrojë edhe serbët e Kosovës gjatë regjistrimit të popullsisë në Serbi.

Lëvizja Vetëvendosje kërkon nga institucionet përkatëse të vendit që ta shtyjnë procesin e regjistrimit të popullsisë derisa të ndryshohet baza ligjore me të cilën do të mbahet ky regjistrim, të definohet pronësia e procesit, të përfshihet çështja e regjistrimit të bashkatdhetarëve, të krijohen kushtet e përshtatshme organizative dhe teknike të nevojshme për një regjistrim të drejtë në tërë territorin e vendit i organizuar nga institucione vendore të specializuara dhe të bazuara në norma ndërkombëtare.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu