Vetëvendosje: Më 30 mars tubim protestues në Mitrovicë

0
334

Prishtinë, 23 mars – (E plotësuar) Lëvizja Vetëvendosje do të organizojë tubim protestues në Mitrovicë, me datën 30 mars, në ora 13.00, në sheshin ”Mehë Uka”. Ky tubim ka si synim kundërshtimin e fuqishëm të cilësdo marrëveshje dhe cilitdo kompromis të ardhshëm, si dhe t’u bëjë të qartë të gjithë faktorëve relevantë vendorë e ndërkombëtarë se gjithçka që është kundërshtim me vullnetin politik të qytetarëve të Kosovës, për një shtet sovran e të pavarur, do të jetë e papranueshme për Vetëvendosjen në cilëndo formë dhe cilëndo mënyrë.Vetëvendosje u bën thirrje  të gjithë qytetarëve të Kosovës, por dhe të gjithë shqiptarëve në të gjitha trevat ku jetojnë të na bashkëngjiten në Tubimin Protestues në Mitrovicë”, thuhet në kumtesën e Vetëvendosjes, pas konferencës së sotme në lidhje me pasojat e dialogut që po zhvillohet në Bruksel dhe për tubimin protestues në Mitrovicë që do te mbahet me 30 mars.
Asociacioni i Komunave është forma përmes së cilës edhe komunat tjera më shumicë serbe po shkojnë kah veriu. Fondi për veriun, apo buxheti paralel, përveç që është i pazëvendësueshëm për funksionalizimin e asociacionit, praktikisht ia betonon autonominë kësaj pjese, pra e realizon de facto ndarjen.
Mesa duket përveç çfarë kanë përfituar nga Plani i Ahtisaarit si privilegje shtesë, tanimë po kërkohet që pasi komandantët e policisë i zgjedhin vetë kryetarët e komunave me kuvendin komunal ata do të kenë të drejtë të bashkërendohen dhe brenda Asociacionit, thuhet në komunikatën e VV.
Hapi tjetër për të cilin mesa duket po përpiqen që të merren vesh është që në Mitrovicë, në atë të cilën ata e quajnë të veriut të jetë e vendosur Gjykata e apelit, përbërja e së cilës do të reflektojë përbërjen etnike të Asociacionit, pra gjykatë vetëm për serbët.
Deri tash e kemi parë që Serbia përmes Daçiqit ka pasur pozicion të qartë rreth asaj se çfarë do. Ndërkohë që Thaçi ka lëvizur vazhdimisht. Aktualisht, pra në fund të procesit, Thaçi më shumë flet për atë që e refuzon kategorikisht, pra Republikën Serbe, brenda Kosovës, se sa për atë se çfarë kërkon. Pra, Thaçi nuk është duke e kërkuar më të mirën për Kosovën, por, të paktën deklarativisht, po e lufton më të keqen për të, Republikën Serbe.
Nisur nga kjo, dhe bazuar në deklaratat pas takimit të fundit se ka përafrim të qëndrimit të palëve, konkludimi mund të jetë vetëm një: në Kosovë po tentojnë të ngjizin një territor autonom (asociacioni), me buxhet të vetin (fondi për veriun) dhe me kompetenca të stërzgjeruara në të gjithë sektorët e aparatit shtetëror (polici, gjyqësi, telekomunikim, energji, infrastrukturë, etj.)
I tërë procesi i deritashëm negociator ka qenë i përqendruar rreth veriut, dhe më saktësisht Mitrovicës. Prandaj edhe është i domosdoshëm një tubim protestues në Mitrovicë, që qytetarët e këtij qyteti të cilit po i legalizohet dhe thellohet ndarja t’i thonë jo kësaj ndarjeje.
Duke pasur parasysh konceptin politik me të cilin është udhëhequr Kosova në këto dy mandate, pra atë të dialogimit të vazhdueshëm me Serbinë, si rezultat e kemi një shtet jofunksional, një shtet të kontestuar vazhdimisht nga strukturat ilegale dhe kriminale serbe si në veri, ashtu edhe në pjesë tjera të Kosovës. Kjo Qeveri në këto dy mandate vetëm sa e ka rritur varfërinë dhe papunësinë e në të njëjtën kohë e ka pasuruar dhe e ka kriminalizuar klasën politike në pushtet.
Ky koncept e ka prekur në mënyrë të drejtpërdrejtë veriun dhe popullsinë shqiptare atje,  e cila është e rrezikuar si në aspektin e sigurisë e po ashtu edhe në aspektin ekonomik e social.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu