Vetëvendosje!: Mustafa dhe Thaçi duhet të udhëtojnë “menjëherë” në Hungari!

0
75

levizja-vetevendosje-logo

Ka reaguar edhe Lëvizja VV! për rastin e shqiptarit që vdiq në Hungari nga ngricat. Në kumtesë  VV! pos që akuzon qeverinë e kaluar dhe këtë tashti për ikjet masive të qytetarëve nga vendi kërkohet nga Mustafa a Thaçi që urgjentisht të udhëtojnë në Hungari… Në vijim komunikata e plotë e VV!

Lajmi që morëm mbrëmë, e për të cilin të gjithë shpresojmë të jetë i pavërtetë, për vdekjen e një bashkatdhetarit tonë nga acari ndërsa kapërcente kufirin e Hungarisë me Serbinë, ka qenë thellësisht tronditës për ne, ashtu siç do të ketë qenë për cilëndo qenie që e përjeton njerëzisht dramën që po luan mjerimi në Kosovë.

Varfëria është ulur këmbëkryq mes nesh, dhe bëhet edhe më e padurueshme karshi pasurisë të pamasë dhe të pajustifikueshme të një grushti uzurpatorësh, banditësh e kriminelësh, të cilët fatkeqësisht janë në qeveri.

Në këto momente Lëvizja VETËVENDOSJE! dëshiron sinqerisht t’i gjendet pranë familjarëve të të ndjerit, të vetëdijshëm që nuk ua pakësojmë dot dhimbjen e tyre, por me dëshirën për t’i ndihmuar sadopak, me mundësitë tona modeste. Megjithëse, aktualisht të gjitha familjet e të mërguarve rishtas nga Kosova janë në ankth, pasi që ende nuk dihet emri i të vdekurit të ngrirë.

Tej kësaj, është e domosdoshme të përmendim se përgjegjësinë direkte për këtë ngjarje tragjike e mban Qeveria. Së pari për arsyen se gjendjen në këtë pikë e kanë sjellë pikërisht ato forca që e përbëjnë këtë qeveri “të re”, pasi janë të njëjtat që kanë qenë në secilën qeveri të vjetër. Së dyti për arsyen se, me perspektivën që paraqiti së fundmi në buxhetin e saj, nuk ka mbërritur të ngjallë asnjë fije shprese për përmirësim. Fajtorët për mungesën e zhvillimit ekonomik dhe të punësimit, për mosluftimin e varfërisë dhe pabarazisë në shoqëri, tashmë janë bërë bashkë dhe haptazi janë zotuar se do ta trashin zullumin!

Edhe gjatë okupimit të Serbisë, madje edhe gjatë luftës, ne si popull kemi pasur më shumë informata, më shumë interesim dhe më shumë përkujdesje për refugjatët e për azilkërkuesit nga Kosova, krahasuar me sot. Sot me sa duket, qeveria i ka vënë vetes vetëm detyrën e rojës kufitare, që përpiqet të ndalojë njerëzit të dalin prej këtij kampi të varfërisë, që është bërë Kosova.

Humbja e jetës së një qytetari në kushte e në rrethana të tilla është çmimi më i shtrenjtë që populli i Kosovës paguan për orientimin e gabueshëm të parave tek asfalti i shtrenjtë i Bechtelit, apo edhe për reklamat e shtrenjta të Saatchi&Saatchi në të cilat vihemi në lojë vetë ne. Ky orientim i gabuar, së bashku me korrupsionin e përmasave të mëdha që e shoqëron, shkakton situatën ku gjendemi sot. Një orientim i drejtë, i fokusuar te punësimi e te prodhimi vendor, si dhe një qeverisje me moral, me etikë e me patriotizëm do ta kishte shmangur këtë mjerim ekstrem.

Lëvizja VETËVENDOSJE! kërkon prej kryeministrit Isa Mustafa dhe prej ministrit të jashtëm Hashim Thaçi që të udhëtojnë menjëherë për në Hungari, të vizitojnë kampet me refugjatë nga Kosova, dhe të interesohen për mirëqenien e tyre pranë institucioneve të shtetit hungarez dhe atyre të Bashkimit Evropian. Po ashtu, kërkojmë nga qeveritarët që të vizitojnë vendkalimet kufitare legale dhe ilegale mes Hungarisë dhe Serbisë, dhe atje le të zbresin gjysmë ore prej xhipave të tyre të rehatshëm, për të përjetuar sadopak atë që ndjejnë nënshtetasit e tyre.

Urgjentisht bëjmë thirrje që qeveritarët të vizitojnë edhe familjet e të mërguarve, dhe të përpiqet t’u ndihmojë atyre familjeve, apo edhe vetë të mërguarve, jo me një konferencë shtypi apo spektakël mediatik, por me një program të matshëm e të prekshëm.

Edhe një herë, ngushëllojmë familjarët, dhe le të organizohemi si qytetarë që t’i ndodhemi sa më pranë asaj familje, por edhe secilës familje që po përballet sot me presionin e tmerrshëm të mbijetesës. Të mblidhemi bashkë për ta përballuar edhe këtë mjerim!

 

7 dhjetor 2015

Lëvizja VETËVENDOSJE!

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu