Vetëvendosje: Procesi për themelimin e Speciales, jo-transaprent

0
232

UCK-ja

Lëvizja Vetëvendosje nuk ka ndërruar qëndrim rreth themelimit të Gjykatës Speciale, ndërkohë që përfaqësuesit e këtij subjekti kanë ripërsëritur arsyet e tyre pse janë kundër formimin e kësaj Speciales. Ata thonë se përveç tjerash procesi për themelimin e kësaj gjykate është jo-transparent.

“Që nga muaji shkurt i këtij viti, kur ministri i drejtësisë ishte ftuar në raportim pranë Komisionit parlamentar për Legjislacion, kanë qarkulluar materiale të ndryshme me mungesë të autenticitetit të qartë se kush kishte marrë pjesë në hartimin e këtyre akteve. Madje këto materiale që i ishin dërguar komisionit parlamentar për legjislacion nga ministria e drejtësisë, ishin klasifikuar si materiale konfidenciale, gjë që është tërësisht në kundërshtim me Ligjin për verifikimin dhe klasifikimin e dokumenteve zyrtare”, ka deklaruar këshilltari ligjor në Vetëvendosje, Armend Shkoza, i cili më tej ka thënë se njëjtë është edhe çështja e cila është duke ndodhur tani, pasi sipas tij gjatë gjithë kohës është manipuluar me materiale të ndryshme, shkruan Zeri.info

“Njëjtë edhe çështja e miratimit të projektligjit mbrojtje juridike dhe mbështetje financiare të personave të dyshuar në proceset gjyqësore pranë dhomave të specializuara. Në fakt kjo nuk është gjë tjetër veçse një farsë e qeverisë, e cila po merr guximin që ta udhëheq një proces kaq të dëmshëm për Kosovën, si në aspektin e qenies shtetërore ashtu dhe për nga dëmi i pariparueshëm historik. Qeveria e Kosovës më mirë do të ishte po ta kishte shpenzuar mundin për miratimin projektligjeve që i ka paraparë në strategjinë legjislative, të cilën sa i përket këtij gjashtë mujori, as për së gjysmën e kësaj strategjie nuk e ka përmbushur”, është shprehur më tej Shkoza.

Ndërsa sa i përket deklarimeve të qeveritarëve se tani pas heqjes së termit “gjenocid” ligji është i pranueshëm dhe se nuk ka arsye për t’u kundërshtuar formimi i Speciales, Shkoza ka thënë se largimi i këtij termi nuk e bënë aspak më të pranueshme këtë gjykatë.

“Mospërdorimi i termit “gjenocid” nuk e bënë këtë gjykatë as më shumë e as më pak të pranueshme. Kjo sepse një prokurorë nga zyra e prokurorit të specializuar nuk e pengon që të nis ndjekjen penale edhe për veprën penale të gjenocidit.

Kjo sepse vepra penale e gjenocidit është e sanksionuar me Kodet që ishin në fuqi në kohën për të cilën do të jetë e themeluar kjo gjykatë(1998-2000 – në këtë periudhë kanë qenë në fuqi dhe të aplikueshme deri në vitin 2003, Kodi Penal i RSFJ-së dhe Kodin e KSAK-së) por edhe me Kodin penal në fuqi – shih Nenin 148 të Kodit penal. Sanksionimi i veprës penale të gjenocidit është trend bashkëkohor që e kanë akceptuar pothuaj se të gjitha kodet bashkëkohore penale”, ka shtuar Shkoza, shkruan Zeri.info

Sipas tij  kundërshtimi i Lëvizjes Vetëvendosje për themelimin e këtij mekanizmi paralel janë kundërshtime përmbajtjesore, e jo kamufluese dhe kozmetike.

“Pra janë dy arsye themelore pse ne e kundërshtojmë themelimin e kësaj gjykate: e para se kjo gjykatë nuk ka karakter universal. Karakteri universal është cilësia thelbësore e çdo sistemi të drejtësisë. Nuk ka sistem të drejtësisë ku qasje e tij nuk është universale, por është e pjesshme apo partikulare. Kjo gjykatë është e njëanshme, sepse do t’i trajtojë akuzat që kanë karakter njëburimor – pra kanë për burim vetëm raportin e Dik Martit dhe ngarkojnë vetëm njërën palë – UÇK-në si strukturë dhe jo vetëm si individ. E dyta, është se kjo gjykatë e paralelizon tërë sistemin e drejtësisë në Kosovë. Kosova me themelimin e kësaj gjykate nuk bartë sovranitetin e saj, por e tjetërson, heqë dorë nga 1/3 e pushtetit sovran, pra pushteti gjyqësor”, ka përfunduar Shkoza.

Për më tepër Vetëvendosje vazhdimisht është shprehur kundër themelimit të Gjykatës Speciale, pasi sipas tyre kjo gjykatë paraqet shkelje të sovranitetit shtetëror dhe është një padrejtësi që po i bëhet shtetit të Kosovës dhe qytetarëve të saj. /Zeri

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu