Vetëvendosje shkarkon anëtarin e saj eminent, Arben Gecaj

0
340

Arben gecaj

Vetëvendosje ka filluar një valë përjashtimesh të anëtarëve të saj, duke mos kursyer as drejtuesit në nivelet më të larta të këtij subjekti.

E veçanta e këtyre përjashtimeve është se ato nuk lidhen me keqpërdorime apo shkelje statutare. Kritikat parimore në rrjetet sociale në lidhje me kursin politik të Vetëvendosjes, i kanë kushtuar Arben Gecajt me shkarkim nga detyra e koordinatorit të degës së këtij subjekti politik në Deçan e më pas edhe me shkarkim nga Këshilli i Përgjithshëm i partisë. Gecaj ka deklaruar se shkarkimi i tij është bërë pas kritikave që ka dhënë brenda forumeve të Lëvizjes që nga dhjetori i vitit të kaluar. Sipas tij, shkarkimi është bërë në mënyrë të njëanshme, pasi që me gjithë këmbënguljen e tij, nuk i është dhënë asnjë vendim me shkrim. Gecaj ka bërë të ditur se shkarkimi nga pozita e anëtarit të Këshillit të Përgjithshëm ka ardhur si pasojë një shkrimi  në rrjetin social të Facebookut, në të cilin kishte kritikuar qasjen ideologjike të Vetëvendosjes. Ai kishte nënvizuar se Vetëvendosja në vend të një social-demokracie pragmatike, po rrëshqet drejt të majtës radikale dhe prirjeve anarkiste. Përndryshe, Arben Gecaj është djali i veprimtarit Tahir Gecaj, ish i burgosur politik në burgjet e Jugosllavisë. Por, çështja e shkarkimeve në Vetëvendosje nuk është e izoluar për shkak se ajo ka marrë përmasa më të gjëra. Strukturat drejtuese të Vetëvendosjes prej kohësh kanë shenjëstruar edhe koordinatoren e këtij subjekti në Skenderaj, Ajnishahe Halimi. Kjo e fundit në disa shkrime në rrjete sociale kishte thënë se ishte marrë në “biseda informative” nga Dardan Molliqaj, Bojken Abazi dhe Alban Krasniqi, zyrtarë të lartë në Vetëvendosje. Fryma linçuese në Vetëvendosje, e cila është subjekti më i madh opozitar në vend, nuk po kursen as veprimtarët e vjetër të kësaj partie. Në të njëjtën kohë, në këtë subjekt janë pozicionuar në majat hierarkike njerëz me prejardhje nga ish-partia e shuar Fryma e Re (FER), të cilët në zgjedhjet e vitit 2010 thoshin se dallojnë në pikëpamje ideologjike nga Vetëvendosja, kurse pas dështimit në zgjedhje vendosën t’i bashkohen Vetëvendosjes.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu