VIDEO: BDI: Menduh Thaçi nuk është njeri i luftës

0
238

Shkup, 16 shtator – Lidhur me deklaratën e kreut të PDSH-së Menduh Thaçi në intervistën për “Zëri”-n se “lufta mes shqiptarëve dhe maqedonasve nuk ka përfunduar” është kundërpërgjigjur BDI-ja.

Nga partia e Ahmetit thonë se lideri i PDSH-së nuk është njeri i luftërave. Nga kjo parti akuzojnë Thaçin se gjatë karrierës së tij politike 20 vjeçare nuk ka thënë asgjë të mençur.

“Shqiptarët e Maqedonisë e dinë fort mirë se Menduh Thaçi nuk është njeri i luftërave por i tenderëve, nuk është i proceseve, por e intereson vetëm pushteti aq shumë sa që është i gatshëm ta terrorizon popullin e vet sikur në zgjedhjet e vitit 2008.

Kjo intervistë e tij i ngjan karrierës së tij politike 20 vjeçare në të cilën nuk ka thënë asnjë fjalë të mençur e të urtë, por llafe boshe dhe pa peshë dhe pikërisht kjo karakteristikë e tij paraqet gjurmën e vetme që ai do të lë në veprimtarinë e tij të zymtë”, deklaroi për agjencinë “Zhurnal”, Artan Grubi Shef kabineti i liderit të BDI-së, Ali Ahmeti.

Ndryshe në intervistën për gazetën kosovare “Zëri” lideri i Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH), Menduh Thaçi, ka deklaruar se lufta mes shqiptarëve dhe maqedonasve nuk ka përfunduar, por, siç thotë ai, është vetëm në një “time-out”.

“Ajo luftë vazhdon dhe kjo është më e rrezikshme, pasi që vazhdon nën tokë (underground), ku dy palët kanë zënë pozicionet e veta”, shprehet Thaçi.

Ai paralajmëron se Maqedonia do të shkatërrohet shumë shpejt nëse nuk i qaset seriozisht vendimmarrjes ndërmjet dy popujve, pasi që shqiptarët ende nuk janë vendimmarrës në institucionet shtetërore, mirëpo me vete e bartin vetëm simbolikën e figurantit.

Thaçi: Lufta s’ka përfunduar!

 

(E plotësuar) Për liderin e Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH), Menduh Thaçi, lufta mes shqiptarëve dhe maqedonasve nuk ka përfunduar, por, siç thotë ai, është vetëm në një “time-out”. “Ajo luftë vazhdon dhe kjo është më e rrezikshme, pasi që vazhdon nën tokë (underground), ku dy palët kanë zënë pozicionet e veta”, shprehet Thaçi.

Ai paralajmëron se Maqedonia do të shkatërrohet shumë shpejt nëse nuk i qaset seriozisht vendimmarrjes ndërmjet dy popujve, pasi që shqiptarët ende nuk janë vendimmarrës në institucionet shtetërore, mirëpo me vete e bartin vetëm simbolikën e figurantit.

Kundërshtarin e tij politik, Ali Ahmetin, e quan mercenar, i cili, sipas tij, funksionon në emër të interesave maqedonase. Kreu i PDSH-së në Maqedoni gjatë një interviste për “Zërin” thotë se kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, nuk e ka potencialin që të jetë gardian i shqiptarëve në rajon dhe tregon arsyet e vërteta të prishjes së raporteve me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës. Ai flet me simpati për aktivitetet e Lëvizjes “Vetëvendosje”, edhe pse pranon se nuk ka miqësi personale me Albin Kurtin.

Zëri: Dymbëdhjetë vjet pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit, si e vlerësoni pozitën e shqiptarëve në Maqedoni?

Thaçi: Gjithmonë kur flas, më duket vetja subjektiv. E kam parasysh këtë se jam opozita kryesore e shqiptarëve në Maqedoni. Mirëpo, çështja është se nuk ka pasur kurrfarë progresi në përmirësimin e pozitës së shqiptarëve, përpos regresit. Vërtetim i kësaj janë edhe deklaratat e ndërkombëtarëve që thonë se duhet të implementohet Marrëveshja e Ohrit.

Kryesisht Marrëveshja e Ohrit, të drejtat e shqiptarëve kanë lidhje të drejtpërdrejtë me një çështje pak më të madhe në Ballkan me konceptin e shtetit të Maqedonisë. Ky koncept është artificial dhe çfarëdo marrëveshje nuk do të funksionojë si duhet. Koncepti i maqedonasve dhe dëshira e tyre për ta krijuar shtetin etnik në shek. XXI është anakronik.

Marrëveshja e Ohrit, e vdekur

Zëri: Pranoni që kjo është një Marrëveshje e vdekur?

Thaçi: Padyshim. Marrëveshjet politike që nuk kanë afatizim për implementim janë si ushqimi me afat të skaduar.

Zëri: A u arritën synimet e palës shqiptare me këtë Marrëveshje, për të cilën ishin garant ndërkombëtarët?

Thaçi: Ka një pjesë të përgjegjësisë edhe te bashkësia ndërkombëtare, por faji mbetet te ne. Me të drejtë ndërkombëtarët e quajnë proces madhor rajonal ballkanik, zgjidhjen e problemit shqiptaro-serb, derisa ky problem vazhdon të jetë top temë, na thonë që ju në Maqedoni jeni pas kësaj. Ky është problemi i kësaj qetësie politike të shqiptarëve në Maqedoni, apo të një politike konstruktive.

Zëri: Pjesëmarrja e shqiptarëve në Qeveri dhe Kuvend a ndihmoi zbatimin e Marrëveshjes?

Thaçi: Të gjithë ata shqiptarë që gjenden në institucione në Maqedoni e bartin me vete simbolikën e figurantit. Ne si parti politike që nga viti 2009 e kemi zgjedhur platformën e re politike, ku kërkojmë mekanizmin vendimmarrës ta kemi të përbashkët me maqedonasit, përndryshe do t’i marrim njerëzit në qafë. Pa e pasur në dorë mekanizmin e vendimmarrjes, do të jetë e pamundur që diçka të realizohet.

Assesi shqiptarët nuk janë vendimmarrës as në Parlament e as në Qeveri të Maqedonisë, ku vazhdon të luhet loja e numrave. Është i vetmi shtet, ku vendimet merren me shumicë demokratike. Në asnjë shtet tjetër në Evropë nuk merren vendimet me një votim të prerë mazhoritar, ku përjashtohet vullneti politik i shqiptarëve.

Maqedonia do të shkatërrohet nëse nuk i qaset seriozisht vendimmarrjes ndërmjet dy popujve. Kjo e zgjidh problemin akut që e kemi brenda shtetit, ndërsa çështjet tjera i zgjidhim bashkërisht në kuadër të rrugës së integrimit për në BE dhe NATO.

Zëri: Si i vlerësoni dy mandatet e koalicionit Gruevski – Ahmeti?

Thaçi: Të dështuar në të gjitha aspektet. Partia shqiptare nuk kupton se çka po ndodh në Maqedoni. Të vish prej një situate prej margjinave të shoqërisë dhe të vendosesh nën reflektorët e ekskluzivitetit të karrierës tënde, rrezikon që të kuptosh se çka po ndodh. Gabimin e parë që e bën individi në këtë situatë është se e këmbën lirinë e popullit me lirinë e vet personale. E këmbën mirëqenien e popullit me mirëqenien e vet dhe nga kjo mosdije se çka po ndodh prodhojmë strategji qesharake, të cilat s’kanë të bëjnë asgjë me realitetin.

Zëri: Cilat janë të metat dhe të arriturat e këtij koalicioni?

Thaçi: Të arriturat i thonë ata vetë. Një dështim simbolik: Ali Ahmeti ka një 6 vjet që po thotë pa ndërprerë edhe këtu edhe në Kosovë se e kanë zyrtarizuar gjuhën shqipe në Maqedoni. Para pak ditësh, nënkryetarja e Parlamentit të Maqedonisë, e partisë së Ali Ahmetit, doli dhe tha se nuk më lejojnë të flas shqip.

Baza e legalizimit të veçantisë tënde është gjuha dhe nëse ne vendosim gjuhën shqipe si gjuhë zyrtare të gjitha parametrat tjerë të jetës tonë do të funksionojnë ashtu, deri tek ndarja e buxhetit, që nëse jemi 35 % për qind të gjuhës që flasim, ndarja e buxhetit do të jetë po aq për ne shqiptarët.

Gruevski i hutuar, Ahmeti i habitur

Zëri: A është kombinim i duhur politik koalicioni Gruveski – Ahmeti?

Thaçi. Njëri i hutuar, tjetri i habitur. Partia e Ahmetit ishte e majtë, e Gruevskit e djathtë. Po pse erdhi te ky koalicion? Erdhi sepse VMRO dhe Gruevski trokitën në dyer të mbyllura të PDSH-së. Ne kemi qenë aleatë të natyrshëm që pas vitit 1993, PDSH si parti nacionale e qendrës së djathtë, kur trokitën në dyer tona u thamë se nuk jemi të gatshëm të funksionojmë me një koalicion artificial, që ka të bëjë me interesa momentale dhe grupore.

Zëri: Dyert për koalicion me Gruevskin pra i hapi BDI?

Thaçi. Po, padyshim. Nga frika se do të vijë para përgjegjësisë për gjëmën e vitit 2001. Mua nuk më kanë bërë gjë, mirëpo do vëllezër e kushërinj të mi i ka bërë sallatë policia.

Zëri: A po anashkalohen vendbanimet shqiptare nga investimet publike në Maqedoni?

Thaçi. Diskriminimi është shumë i fortë dhe shumë i thellë. Logjika politike mendoj se është e gabuar, pasi që në qeveri kemi edhe shqiptarë jo vetëm maqedonas, të cilët e legjitimojnë këtë politikë të kësaj qeverie.

Padyshim dy shtyllat kryesore që unë insistoj nëpërmjet platformës së re të partisë janë: Zgjidhja e re e problemit të shqiptarëve, vendimmarrja me konsensus dhe ndarja e drejtë dhe proporcionale e buxhetit të shtetit.

Zëri: Kohëve të fundit keni heshtur me akuza karshi kundërshtarit tuaj politik, Ali Ahmeti. Pse?

Thaçi. Është pjesë e strategjisë. Ndonjëherë e kam bindjen se po të kritikojmë shumë po e krijojmë përshtypjen tek populli se jemi të irrituar për mospjesëmarrjen në Qeveri. Nuk është ashtu. Kjo ulje e tensionit pas zgjedhjeve mundëson qetësimin e ujit, ku gjërat e fëlliqura duken më bukur dhe këtë e bëj si investim që populli të shohë që vërtet situata është shumë e rëndë në Maqedoni.

Zëri: A po e pranoni faktin se partia e z. Ahmeti ka marrë besimin e elektoratit shqiptar në Maqedoni?

Thaçi. Edhe kjo është shumë e komplikuar. Z. Ahmeti kur del në zgjedhje bën koalicion me grupe të ndryshme etnike, për të cilën nuk jam kundër. Ai i ka pas vetes tërbeshët, që i kanë 15 mijë deri n 20 mijë vota, boshnjakët, turqit, romët etj. Dhe me këtë arrin ta bëjë diferencën në raport me PDSH-në.

Ndërsa nëse flasim për legjitimet të vullnetit politik të shqiptarëve, ne e kemi një gjë të tillë, pasi që votat e shqiptarëve i kemi ne, ndërsa grupet e ndryshme etnike Ahmeti i ka pas vete. Vjen koha e opsionit tonë, koha e kësaj partie, mirëpo unë dëshiroj të arrij kjo kohë me sa më pak dëme e përçarje.

Zëri. Ju si parti opozitare a keni bërë gabime, pasi që s’keni arritur ta merrni shumicën e votave?

Thaçi. As ne nuk jemi engjëj. Nuk diskutohet se kemi pasur edhe lëshime edhe gabime si opozitë. Jemi në trysni të madhe si opozitë, të mos bëhemi pengesë e integrimit, të mos bëhemi pengesë e procesit negociues mes Serbisë dhe Kosovës dhe veprimet tona si parti opozitare të mos kenë pasoja të mëdha rreth popullit tonë.

Ne kemi pasur edhe pushtetin në qytetin e Tetovës, të cilin e humbëm. Ishte një përgjigje e qytetarëve të Tetovës se edhe ju nuk keni bërë aq sa kemi pritur, edhe pse edhe ne i kemi arsyetimet tona.

Zëri: A mund ta zgjidhë Ahmeti çështjen e emrit me Greqinë, pasi që së fundi ai ka vizituar këtë shtet?

Thaçi. Ali Ahmeti i shërben tash kryeministrit Gruevski për t’ia përmirësuar pak imazhin e tij se dëshiron të bisedojë me grekët. Ky nuk është problem mes maqedonasve dhe grekëve. Ky problem është virtual. Implikimi i këtij problemi i politikës rigjide maqedonase është drejtpërdrejt mbi shqiptarët. Këta nuk dëshirojnë ta ndërrojnë emrin sepse e kanë në mbamendje qëndrimin e Gligorovit se kjo është tokë e tyre, është shteti i tyre dhe shqiptarët janë qiraxhinj këtu. Ky është mentalitet i shekullit XIX. Dhe kjo është këmbëngulja e tyre kaq brutale të mos e ndërrojnë emrin. Ndërsa Greqisë kjo politikë i kushton vetëm një fjalë goje. Dy zëvendëskryeministrat për çështjen e integrimeve janë shqiptarë dhe kur këta të dy nuk mund t’i kryejnë funksionet e tyre është mercenari Ali Ahmeti që funksionon në emër të interesave maqedonase.

Prishja e raporteve me Hashim Thaçin

Zëri: Si e vlerësoni qeverisjen aktuale në Kosovë?

Thaçi. Mungojnë sukseset praktike për mirëqenien e qytetarëve, jo suksese në krijimin e një shoqërie të shëndoshë, deri diku suksese në mbajtjen e qetësisë. Do të ishte fatale për Kosovën të humbë mbështetjen e aleatëve perëndimorë, por gjithashtu është fatale të gjitha punët tua t’i kryejnë aleatët ndërkombëtarë.

Mirëqenia nuk krijohet me protektorate ndërkombëtare. Jam i zhgënjyer me qasjen e Qeverisë së Kosovës ndaj shqiptarëve të Maqedonisë. Sa më suportuese të jetë Qeveria e Kosovës ndaj shqiptarëve të Maqedonisë ajo mund të përdoret si biletë kusurimi edhe në raportet tjera.

Zëri: Kryeministri Hashim Thaçi ka deklaruar muaj më parë se do të jetë gardian i mbrojtjes së të drejtave të shqiptarëve në Ballkan. A ka qenë vërtet gardian i tillë deri më tani?

Thaçi. Ky ka qenë vetëm një marketing politik për partinë e Ali Ahmetit. Ka qenë në kuadër të festimit të 100-vjetorit të shtetit shqiptar. Ai nuk e ka potencialin që të jetë gardian i shqiptarëve në Ballkan për shkak të telasheve të brendshme që ka Kosova.

Zëri: Çka ndikoi në ngrirjen e raporteve tuaja me kryeministrin Hashim Thaçi. Kur jeni takuar për herë të fundit me Thaçin, me të cilin kishit raporte miqësie në të kaluarën?

Thaçi. Kemi një shkrirje të raporteve. Herën e fundit me Hashimin jam takuar në mbledhjen komemorative për kryetarin e ndjerë të PDSH-së, Arbën Xhaferi. Ftohja e raporteve nuk është çështje e emocioneve individuale. Ju jap të drejtë që ata të kenë arsyetime se kanë telashe të mëdha, megjithatë unë nuk pajtohem me neglizhencën e tyre.

Zëri: Cilat janë arsyet e vërteta?

Thaçi: Neglizhenca ndaj shqiptarëve të Maqedonisë, qasja joaktive. Sa i përket çështjes së luftës është një hise që të takon, pavarësisht se ku jeton. Ne kur kemi qenë në qeverisje në Maqedoni e kemi ndihmuar Kosovën, e kemi ndihmuar edhe kur kemi qenë në opozitë më herët.

Zëri: A keni komunikim me kryeministrin Thaçi?

Thaçi: Po. Nuk kemi ndonjë komunikim qysh kemi pasur më herët. Megjithatë, s’kemi të bëjmë me diçka individuale e private.

Zëri: Pse sipas jush lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, duhet të jetë kryeministër i ri i Kosovës?

Thaçi: Besoj se kjo çështje do të varet prej qytetarëve të Kosovës, pasi që ata do të vendosin. Z. Haradinaj është një figurë që mund ta imponojë një situatë ndryshe. Unë personalisht kam simpati edhe për aktivitetet e “Vetëvendosjes”.

Jo që i njoh, jo që kam miqësi personale, por kam një ide të tillë se një shtet që ka opozitë të fortë, shpresat për të ecur përpara janë më të mëdha. Te një popull, ku opozita është e palëvizshme, nuk ka shpresa se do të shkojë përpara. Pushtetin moral e ka në dorë opozita, unë e pëlqej një mënyrë të tillë të veprimit politik, një këmbëngulësi të tillë.

Zëri: Pse vetëm 5 për qind e minoritetit serb në Kosovë kanë më shumë të drejta se mbi 30 për qind shqiptarë në Maqedoni?

Thaçi. Kjo tregon se në ardhmen duhet t’i përshpejtojmë proceset. Shqiptarët e Maqedonisë duke i parë kërkesat e serbëve në Kosovë duhet të rrisin kërkesat. Është një padrejtësi momentale, e cila mendoj se duhet të përmirësohet.

Zëri: Sa mjete u investuan në projektin “Shkupi 2014” dhe cili është vlerësimi juaj?
Thaçi. Saktë nuk e di, mirëpo thuhet se prej 500 deri në 800 milionë euro. Nuk dihet saktë, sepse këtu nuk ka transparencë. Është një betejë e çmendurisë kolektive e maqedonasve për të ardhur deri te identiteti. Unë vlerësoj se e kanë gabim. Ky gabim mund të përfundojë me një pozicion fatal dhe ky identitet fragjil maqedonas shpejt do të zhbëhet.

Lufta në “time-out”

Zëri: A ka përfunduar lufta përgjithmonë ndërmjet shqiptarëve dhe shumicës në Maqedoni?

Thaçi. Lufta është vetëm në një “time-out”. Ajo luftë vazhdon dhe kjo është më e rrezikshme, pasi që vazhdon nën tokë (underground), ku dy palët zënë pozicionet e veta, qoftë të interesave ekonomike, apo të interesave tjera dhe insistimi ynë që për t’i hyrë marrëveshjeve të reja, negociatave të reja është një preventivë e një konflikti që na pret.

Nëse ne si gjeneratë e durojmë këtë padrejtësi, nuk ka gjasa që gjeneratat tjera ta bëjnë një gjë të tillë. Pas kësaj do të ndodhë zhbërja e Maqedonisë… Dhe në rast të zhbërjes, secili ta gjejë rrugën dhe vetë dhe një rrugë të tillë shqiptarët nuk e kanë larg.

Shpresat te Edi Rama

Zëri. Para pak ditësh e mori udhëheqjen e Qeverisë në Shqipëri, kryeministri i ri Edi Rama. Cili është opinioni i juaj për Ramën?

Thaçi. Shumë këmbëngulës për të bërë punë të mira në Shqipëri, por nuk e di nëse do të ketë sukses. Ndryshe është kur i trajton gjërat prej opozitës. Kam shpresa mirë se do të arrijë t’i trajtojë disa gjëra me shpejtësi. Kam shpresa se do të jetë më aktiv në shpjegimin e drejtë të kërkesave të shqiptarëve të Maqedonisë. E njoh mirë, e kam mik të afërt, i njoh potencialet e tij politike dhe intelektuale.

Zëri: Pse humbi Berisha në zgjedhjet e fundit. Ku gaboi ai?

Thaçi. Nuk do të ishte falënderuese të flas për gabimet e tij. Gjithmonë do të ndalem te një aspekt jetik. Me tepër mendoj se është një moment konsumimi objektiv politik se sa një çështje tjetër subjektive.

 

Nga: Lavdim Hamidi & Enis Veliu

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu