Vilat dhe veturat luksoze, turpi i politikanëve

0
374

Jashtëzakonisht është e turpshme nëse politikanët kosovarë ndërtojnë vila dhe ngasin vetura luksoze, ndonëse është e qartë se këto shpenzime nuk mund t’i përballojnë nga të ardhurat legjitime. Kështu shprehet gjatë një interviste për “Zërin” ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ian Cliff, duke shtuar se një nivel i caktuar i korrupsionit është duke u toleruar, ndonëse kjo nuk  është pritur të ndodhë në Kosovë. Absurditeti, sipas tij, është se  politikanët të cilët zyrtarisht marrin vetëm një pagë dhe janë bërë milionerë brenda natës, arsyetohen se të hollat për këtë jetë luksoze ua ka dërguar një kushëri që jeton në Zvicër!

Duke folur për raundin e parë të zgjedhjeve më 3 nëntor, Cliff thotë se ishin zgjedhje të lira dhe demokratike, përderisa,siç thotë ai, ka shumë rëndësi që në rundin e dytë të zgjedhjeve, më 1 dhjetor, liderët politikë të bëjnë të qartë për njerëzit e tyre në terren se manipulimi është plotësisht i papranueshëm.

Ai paralajmëron se vëzhguesit diplomatikë do t’i monitorojnë  disa pika në Gjakovë, ndoshta ndonjë në Pejë dhe në Graçanicë, në mënyrë që standardet e përcaktuara mos të rrëshqasin nga duart.

Zëri: Si e vlerësoni raundin e parë të zgjedhjeve më 3 nëntor?

Cliff: Nëse i shikojmë gjërat në përgjithësi, do të thosha se raundi i parë nuk shkoi keq. Ka pasur gjëra që mund të përmirësohen dhe ishte evident problemi i madh me listën e votuesve, gjë që e pashë personalisht dhe kishte ankesa të caktuara që njerëzit janë vënë nën presion për të votuar për ndonjë parti të veçantë, njerëzit janë kërcënuar.

Unë mendoj se në përgjithësi kishim të bëjmë me zgjedhje të lira dhe të drejta, kishte përmirësime të caktuara dhe të avancuara në çdo aspekt që Kosova kishte organizuar më parë dhe natyrisht ç’është më e rëndësishmja, zgjedhjet lokale në veri u mbajtën siç duhet, në bazë të ligjeve të Kosovës dhe pastaj siç duket ishte problemi i sigurisë në veri të Mitrovicës, që ishte për të ardhur keq, por gjë e mirë është se rivotimi në veri të Mitrovicës më 17 nëntor shkoi jashtëzakonisht mirë.
Pra, unë mendoj përgjithësisht se rundi i parë, për të cilin disa njerëz kanë thënë se e ka kaluar testin e BE-së, ka nevojë për përmirësime që duhet bërë.

Anëtarë profesionalë në KQZ

Zëri: Cilat janë ato përmirësime kryesore që duhet bërë?

Cliff: Mendoj se përgjithësisht kanë të bëjnë me rrjedhjen e zgjedhjeve, listat e votuesve dhe mendoj se zgjedhjet nxjerrin në pah disa dëshmi në KQZ.  Unë kam admirim të madh për kryetaren Valdete Daka, e cila është i vetmi person neutral në komisionin qendror të zgjedhjeve të Kosovës dhe të gjithë të tjerët janë anëtarë të nominuar nga partitë politike.

Pra, mendoj se është e qartë nevoja për të forcuar KQZ-në, duke futur anëtarë profesional dhe njëkohësisht neutral, faktikisht ndoshta më shumë gjyqtarë për ta bërë KQZ-në më funksionale. Dominonte pyetja e famshme në lidhje me letërnjoftimet serbe se a janë të  pranueshme për këto zgjedhje.

Në  mënyrë të qartë letërnjoftimet ishin valide, pasi që kishte një marrëveshje në lidhje me ato dhe ishte i qartë mesazhi që u lansua nga qeveria dhe KQZ-ja, për atë çështje, por ai mesazh nuk u përcoll te disa njerëz në disa nga qendrat e votimit dhe shumë prej përfaqësuesve të “Vetëvendosjes” thoshin që ato letërnjoftime të Serbisë  nuk janë të pranueshme, të cilën unë e di personalisht, pasi kjo ka ndodhur në një qendër votimi që e kam vizituar. Pra një situatë e cila krijoi konfuzion.

Zëri: Si e vlerësoni faktin se disa nga kandidatët për kryetarë të komunave janë duke u hetuar, apo edhe ndodhen në paraburgim?

Cliff: Problemet me këto çështje nuk janë lloj i standardeve ndërkombëtare apo BE-së. Derisa dikush nuk është dëshmuar fajtor në gjykatë, konsiderohet i pafajshëm. Por siç e kam thënë më parë, unë mund të them se në Britani të Madhe nëse dikush është nën hetime apo ndiqet penalisht dhe që nuk është dënuar ende, nuk garon për zgjedhje, pasi që e dinë se në atë mënyrë dëmtohet partia e tyre.

Pra kemi të bëjmë me kulturën e zgjedhjeve dhe pa dyshim kulturën e zgjedhjeve që zbatohet në shumë vende evropiane, posaçërisht në vendin nga vijmë ne, ku njerëzit e tillë nuk kandidojnë në zgjedhje. Në mënyrë të qartë, në disa vende tjera të Evropës, një gjë e tillë ndodh. Në rastin e Bosnjës, përfaqësuesit e lartë ndërkombëtarë  Wolfgan Petrich apo Paddy Ashdon, nuk kanë lejuar njerëzit, të cilët kanë rënë ndesh me ligjin të garojnë në zgjedhje. Pra, në fund të fundit, njerëzit i marrin fuqishëm këto mesazhe, të mos votohen përfaqësuesit politikë që ndiqen penalisht.

Zëri:Z. Ambasador, disa liderë përmendën fenomenin e “trenit Bullgar” më 3 nëntor, ku ka pasur akuza për blerje votash. Cili është komenti juaj?

Cliff: Nuk e di nëse një gjë e tillë është vërtetuar, por e di se ka pasur disa ndjekje penale që kanë dhënë sinjal të mirë, ku një numër i njerëzve ndiqen penalisht për manipulimet me vota. Nuk e di saktësisht se për çfarë veprash ndiqen penalisht, por flitet shumë për “trenin bullgar” dhe përshtypja ime është se kjo dukuri ishte  më pak evidente se në të kaluarën. Me sa duket kjo është një lloj përpjekje e “plaçkitjes”.

Rënia e AAK-së

Zëri:A mendoni se disa nga këto skandale kanë ndikuar në humbjen e votave të PDK-së në krahasim me zgjedhjet e kaluara?

Cliff: Unë nuk do ta dramatizoja shumë këtë çështje. Është rënie shumë e vogël në votën e tyre, padyshim me këtë rast është prekur më shumë AAK-ja, të cilët kishin dalë të dytët në shumë komuna, ku ata kishin pritur të dalin të parët. Mendoj se një pjesë e saj reflektohet normalisht dhe shumë shpesh zgjedhjet lokale janë lloj uvertyre për zgjedhjet e përgjithshme dhe ju e dini kur një qeveri është në detyrë për kohë të gjatë, si PDK-ja e cila bënë pjesë në qeveri qysh nga shpallja e pavarësisë, përfundimisht ka një reagim ku  njerëzit të lodhur nga qeveria në një mënyrë votojnë për opozitën.

Ndoshta AAK-ja ka pësuar pak nga fakti që ju e dini, pavarësisht se ne kemi menduar se është absolutisht e drejtë kurata e kanë mbështetur dialogun, ata mbështeten çdo gjë që ka të bëjë procesin e BE-së, kështu ndoshta ata kanë vuajtur nga e njëjta gjë, ndjenja se ishin pjesë e qeverisë në sytë e njerëzve dhe kur krahasoni me zgjedhjet në vendin tim, apo vendet të tjera, ndryshimi nuk është me të vërtetë  shumë dramatik.

Zëri: Por këtu është tërësisht situatë e ndryshme, ne e dimë se Ramush Haradinaj kishte deklaruar se Dukagjini është bastion i AAK-së, si Peja dhe Gjakova. Pra, cilat janë pritjet tuaja për rundin e dytë të zgjedhjeve?

Cliff: Në fund të fundit nuk më takon mua si ambasador i Britanisë të ndërhyj në çështjet e brendshme politike të Kosovës.

Vëzhguesit diplomatikë monitorojnë Gjakovën, Pejën, Graçanicën

Zëri:Përgjithësisht çfarë prisni nga rundi i dytë i zgjedhjeve me 1 dhjetor?

Cliff: Fillimisht do të theksoja se shpresoj se nuk do të ketë incidente dhe që mbarëvajtja e procesit të votimeve në ditën e zgjedhjeve të kalojë qetë, kurse vendi më i koncentruar në atë kontekst është Mitrovica e veriut dhe jam i sigurt se tani do të ketë plan të mirë operativ nga autoritetet e sigurisë dhe gjithashtu në Zveçan do të mbahet përsëritja e zgjedhjeve në dy qendra të votimit dhe mendoj se është mjaftë me rëndësi që të përfundojnë në mënyrë paqësore.

Duke qenë pjesë e vëzhguesve diplomatikë, ka edhe vende tjera ku do t’i monitorojmë  disa pika në Gjakovë, ndoshta ndonjë në Pejë dhe natyrisht në Graçanicë dhe siç theksova, standardet nuk duhet të rrëshqasin nga duart përsëri. Interesimi ynë kryesor është të shohim se kush do të zgjidhet kryetar komune dhe si do të jetë bashkëpunimi i tyre me anëtarët e kuvendit komunal, të cilët mund të mos i takojnë të njëjtit spektër politik, sikurse të kryetarit komunal. Udhëheqja komunale është jashtëzakonisht e rëndësishme në Kosovë dhe le të shohim se çfarë do të ndodh. Dua që të theksoj se ka shumë rëndësi qe në rundin e dytë të zgjedhjeve, liderët politikë të bëjnë të qartë për njerëzit e tyre në teren se manipulimi është plotësisht i pa pranueshëm.

Zëri: A prisni ndryshime në çështjet politike në veri, pasi kemi listën “Srpska” që e ka përkrahjen nga Serbia. Ky subjekt është ngritur edhe në vendbanimet tjera në Kosovë

Cliff:Sigurisht, është një fenomen interesant, pasi që lista “Srpska” u formua shumë shpejt dhe shumë njerëz e kanë votuar atë listë për shkak se shumë serbë shikojnë me shpresë kah Beogradi, edhe pse tani punojnë me autoritetet e Prishtinës. Ata  ndjejnë një lloj të jetës së rehatshme nga mbështetja e Beogradit dhe nuk mendoj se është e sigurt se GIS do të fitoj nëpër ato qendra dhe nuk e di se a do të kemi rezultate  interesante në Mitrovicën e veriut.

Në disa komuna në veri të Ibrit ka gjasa të mëdha të kemi kandidat nga parti tjera, gjithashtu, situata duket komplekse për shkak të ndarjes së Partisë Liberale Serbe, pastaj ngutësia e ‘Zajedniçki Buduçnost’, pastaj fakti se Bojan Stojanoviq garon si kandidat i pavarur kundër SLS-së, e cila rekomandoi përkrahësit e tyre që të votojnë për “Srpaskan”. Pra kemi të bëjmë me ndryshime politike dhe është me rëndësi që “Srpska” të shndërrohet në një parti të vërtetë politike, në vend se të jetë instrument i Beogradit.

Zëri: Këtë vit janë publikuar shumë raporte ndërkombëtare në lidhje me korrupsionin dhe krimin e organizuar në Kosovë. Si reflekton kjo gjendje në liberalizimin e vizave?

Cliff: Mendoj në mënyrë të qartë se krimi i organizuar, korrupsioni dhe zbatimi i sundimit të ligjit janë ende sfiduese për Kosovën. Keni të drejtë se imazhi i Kosovës nuk është i mirë veçanërisht në atë front. Por përfundimisht, imazhi nuk është gjëja e veçantë që kërkohet nga BE-ja, por ajo shikon standardet specifike dhe mendoj se Kosova duhet të punoj në atë drejtim, pasi ka shumë iniciativa si ajo e presidentes për themelimin e këshillit kundër korrupsionit dhe iniciativat tjera kundër korrupsionit.

Mendoj se gjithashtu duhet të ketë padyshim një ndryshim të kulturës,pasi që duket se një nivel i caktuar i korrupsionit është duke u toleruar dhe nuk e kemi pritur të ndodh në Kosovë, veçanërisht nga liderët politik dhe mendoj se ajo duhet vërtet të ndryshoj, si dhe jashtëzakonisht duhet të jetë e turpshme nëse politikanët ndërtojnë vila dhe ngasin vetura luksoze, ndonëse në mënyrë të qartë nuk mund t’i përballojnë këto shpenzime nga mjetet legjitime.Mendoj se media luan rol kyç në këto çështje dhe është mënyra e vetme për të luftuar korrupsionin në afat të gjatë.

Zëri: Çfarë janë përshtypjet tuaja nga pikëpamja ndërkombëtare kur shihni këta politikanë të cilët zyrtarisht kanë vetëm një pagë dhe janë bërë milionerë gjatë natës?

Cliff: Në asnjë mënyrë nuk arsyetohet pasurimi brenda natës, por thonë se kushëriri im nga Zvicra m’i ka dërguar të hollat për këto gjëra.

Zëri: Si e vlerësoni këtë gjendje pasi që gjatë 14 viteve janë bërë shumë milionerë gjatë natës?

Cliff:Mund të them se nuk është rasti unik veç me Kosovën, ka raste të ngjashme edhe në vendet tjera ne Ballkanin perëndimor dhe duket si fenomen nga vendet e dala nga lufta. T’i kthehemi çështjes së krimit të organizuar me të cilin Kosova ka probleme të veçanta për shkak të mosnjohjes, pasi nuk është anëtare e Interpol-it, dhe kërkesat ne lidhje me krimin e organizuar duhet të kalojnë nëpër procedura të komplikuara përmes EULEX-it dhe UNMIK-ut, e cila paraqet barrierë për Kosovën.

Spektri politik të inkuadrojë figura të reja

Zëri:Të njëjtën pyetje ia kemi shtruar edhe  James Rubin-it. Pra, krahu i luftës a duhet t’u lërë hapësirë liderëve tjerë të cilët nuk kanë të kaluar të tillë dhe a mendoni se pas 14 viteve nga përfundimi i luftës, Kosova duhet të ndryshojë mentalitetin e qeverisjes?

Cliff:Nuk jam i sigurt për Bosnjën pasi është rast i komplikuar, por mendoj se spektri politik në Kosovë duhet të inkuadrojë më shumë figura të reja, të cilët kanë përvojë të ndryshme në përforcimin e partive në vend të fenomenit të ‘kryetarëve’ legjendarë.

Kosova  ka nevojë t’i tejkaloj këto por nuk d.m.th automatikisht se njerëzit të cilët ishin lider gjatë kohës së luftës, janë politikanë të dobët. Edhe në Britani ka pasur lider të luftës të cilët pastaj në paqe janë shndërruar në politikanë. Mendoj se keni nevojë për një kombinim, pasi që fakti tjetër që duhet mbajtur mend është se politikanët vendorë janë shumë të rinj në moshë duke përfshirë gjeneratën e luftës si: Hashim Thaçi dhe Ramush Haradinaj, të cilët faktikisht sipas standardeve të BE-së, janë ende tepër të rinj.

Zëri: Si do të ndikojë rritja e numrit të azilkërkuesve kosovarë në vendet e ndryshme të BE-së në politikat integruese të vendit?

Cliff: Kur flasim për shifrat, Kosova ka numër më të madh të rinisë se (të themi) Bosnja apo Serbia dhe për shkak të rrethanave që keni në lidhje me papunësinë, e cila sillet rreth 45 për qind apo më pak, që paraqet problem të madh dhe në këto rrethana është e pa evitueshme, ku pjesa më e madhe e popullsisë ndoshta janë të përkushtuar shumë ndaj Kosovës, por nuk shohin perspektivë ekonomike për veten e tyre dhe është e pa evitueshme për shumicën e tyre të provojnë të shkojnë në vendet e BE-së.

Ky problem nuk mund të zgjidhet shpejt, por tërheq vëmendjen për nevojën e zhvillimit ekonomik që me të vërtet do të krijonte vende të reja punë në periudhë afatgjate dhe investime të reja në prodhim ose në industrinë moderne të teknologjisë. Por shumica e investimeve këtu, më shumë po shkojnë në ndërtime të larta, të cilat pastaj po mbesin të zbrazura.

Zëri: Gjatë këtyre 14 viteve, nuk kemi mundur të tërheqim investime kapitale nga jashtë. Ku qëndron problemi, sipas jush?

Cliff: Nuk mendoj se përpjekja ka qenë e pamjaftueshme, por ende nuk e kam vizionin e qartë se në çfarë drejtimi është duke shkuar ekonomia e Kosovës dhe cilat janë mundësitë e Kosovës. Nuk jam shumë i sigurt se zhvillimi i infrastrukturës ka gjithmonë prioritetin e duhur dhe është pak si befasuese se pas 14 viteve pas luftës ende nuk është zgjidhur problemi i furnizimit me energji elektrike. Mendoj se nevojitet infrastruktura dhe mjedisi i duhur për zhvillimin e biznesit dhe gjithashtu qeveria ka bërë mjaft në përmirësimin e rregulloreve dhe ligjeve për bizneset e reja.

Zëri:Kemi zvogëlim të investitorëve dhe investimeve në Kosovë që nga viti 2007 e këndej

Cliff: Por, natyrisht kjo gjendje ka ndodhur edhe në pjesë tjera të Ballkanit, pasi gjatë viteve 2007-2008 kishte krizë ekonomike dhe në mënyrë të pa evitueshme, ndokund janë ngadalësuar investimet.

Padyshim, parashikoj se kompanitë britanike kanë shprehur interesim të investojnë këtu edhe pse numri i tyre aktual nuk është i lartë, por kemi disa kompani në fushën e IT-së, pastaj një kompani në sektorin e çelikut dhe shumë të tjera të interesuara në fushën e minierave dhe mineraleve, si dhe në agrobiznes gjithashtu. Mendoj se pas zgjedhjeve, qeveria duhet me të vërtetë të zhvilloj strategjinë ekonomike dhe natyrisht të kemi parasysh MSA-në me BE-në, e cila në vetvete krijon mundësi të reja veçanërisht në sektorin e agrobiznesit, duke pasur më shumë mundësi në tregjet e BE-së.

Zëri: A mund t’iu referoheni disa prej problemeve të cilat pengojnë ardhjen e investitorëve të huaja, apo problemeve që ata përballen nga periudha e pas luftës, përveç problemit të energjisë, që është i njohur?

Cliff: Ajo çfarë duhet të keni parasysh se nëse jeni investitor i interesuar për të investuar në rajon, Kosova është mjaft vend i vogël. E dyta është padyshim një lloj paqartësie ligjore politike e cila paraqet një pengesë, veçanërisht kur kemi të bëjmë me veriun, por edhe në pjesët tjera të Kosovës, njerëzit interesohen të dinë se cilat janë kushtet ligjore për mbrojtjen e kapitalit të tyre.

Pra këto janë dy pengesat fillestare që i shtynë njerëzit të brengosen për efikasitetin e gjykatës ekonomike, pasi që nëse ata hasin në mosmarrëveshje tregtare, a do të zgjidhet çështja e tyre në mënyre të pavarur dhe korrekte. Frikohem se shumë kompani kanë fituar bindjen se procesi në gjykata shkon shumë ngadalë dhe a trajtohen rastet paanshmërisht, pastaj çështjet e korrupsionit.

Zëri: Si do të mund të zhvillohet “Trepça”?

Cliff: Mendoj se ajo ka potencial të mjaftueshëm, duke marrë parasysh se India dhe Kina kanë shpërthyer ekonomikisht, duke shfrytëzuar mineralet, kurse Trepça ka nevojë për përdorimin e metodave moderne për nxjerrjen e mineraleve nga thellësia dhe po të kishte investime të mëdha në ndërmarrje, si në veri ashtu edhe në jug, potencialet e zinkut, kromit dhe mineraleve të rralla do të ishin enorme. Pra ka nevojë për investime të mëdha, të cilat përputhen me standarde e BE-së.

Zëri: A duhet privatizuar, apo duhet të mbetet ndërmarrje shoqërore, siç ka sugjerime nga Z. Pacolli, i cili ka ofruar disa ide të ndryshme?

Cliff:Ekzistojnë modele nga vendet e ndryshme si: Afrika e Jugut, ku në vend se të shkohet me privatizimin e plotë, mund të aplikohet modeli publiko-privat, ku qeveria para së gjithash mund të privatizojë një pjesë të vogël të aksioneve për të iniciuar procesin e investimeve, duke mbledhur mjete financiare nga bursat e Londrës, Frankfurtit etj. Nuk jam ekspert ekonomik të hulumtojë mundësitë, por kjo është njëra prej mundësive. Mineralet nëntokësore janë automatikisht pasuri e njerëzve të këtij vendi dhe një lloj i partneritetit në mes të qeverisë dhe sektorit privat ka rëndësi esenciale, por cili është modeli i përpiktë nuk do të doja ta theksoja.

Zëri:Thoni se ka kompani britanike të interesuara në këtë çështje?

Cliff:Po, definitivisht.

Zëri:Theksuat se kompanitë britanike kanë investuar në Kosovë, por njëra nga kompanitë e mëdha britanike “British Airways” nuk operon në Kosovë . A i dini arsyet për tërheqjen e saj?

Cliff: Ata kanë thënë në mënyrë të qartë se nuk kanë leverdi ekonomike të vazhdojnë tutje. Pra janë tërhequr për arsye biznesore dhe jo për shkak të ndonjë problemi vendor por ishte një vendim komercial. Ata kanë operuar këtu dhe “British airways” vazhdimisht riorganizon rrjetin e tyre dhe nuk është Kosova vendi i vetëm prej nga ku janë tërhequr.

Gjithashtu janë tërhequr nga një numër i vendeve të Azisë qendrore, pastaj nga Sudani, ku kam qenë më herët ambasador dhe kanë hapur më shumë vija ajrore në shumë qytete në Indi dhe kështu me radhë. Ne si ambasadë kemi shprehur keqardhje për vendimin e tyre për t’u larguar nga këtu, kemi ngritur çështjet e kostos së karburantit, pasi duhej të aterrohej në Maqedoni dhe besoj se kjo do të ndryshoj me marrjen e kontrollit hapësinor nga Hungaria.

Jashtëzakonisht është e turpshme nëse politikanët kosovarë ndërtojnë vila dhe ngasin vetura luksoze, ndonëse është e qartë se këto shpenzime nuk mund t’i përballojnë nga të ardhurat legjitime. Kështu shprehet gjatë një interviste për “Zërin” ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ian Cliff, duke shtuar se një nivel i caktuar i korrupsionit është duke u toleruar, ndonëse kjo nuk  është pritur të ndodhë në Kosovë. Absurditeti, sipas tij, është se  politikanët të cilët zyrtarisht marrin vetëm një pagë dhe janë bërë milionerë brenda natës, arsyetohen se të hollat për këtë jetë luksoze ua ka dërguar një kushëri që jeton në Zvicër!

Duke folur për raundin e parë të zgjedhjeve më 3 nëntor, Cliff thotë se ishin zgjedhje të lira dhe demokratike, përderisa,siç thotë ai, ka shumë rëndësi që në rundin e dytë të zgjedhjeve, më 1 dhjetor, liderët politikë të bëjnë të qartë për njerëzit e tyre në terren se manipulimi është plotësisht i papranueshëm.
Ai paralajmëron se vëzhguesit diplomatikë do t’i monitorojnë  disa pika në Gjakovë, ndoshta ndonjë në Pejë dhe në Graçanicë, në mënyrë që standardet e përcaktuara mos të rrëshqasin nga duart.

Zëri:Gjithashtu “British Petroleum” ishte këtu dhe u largua

Cliff: Kjo është një tregim tjetër. Ata kishin kontratë me aeroportin dhe nuk kishin fituar tenderin të vazhdojnë me kompaninë e re ‘Limak-un”, duke e kontestuar atë vendim dhe largimin e tyre nga aeroporti në mënyrën që nuk na ka pëlqyer neve. Ata kanë bërë  pastaj disa padi në gjykatën vendore dhe nuk i kanë fituar. Pra largimi i tyre ishte i pafat dhe nuk paraqet lajm të mirë për promovimin e Kosovës te kompanitë e tjera britanike.

Por të jemi të sinqertë se që nga atëherë, kompania e çelikut ka pas sukses në investimin e tyre në fabrikën “Llamkos” në Vushtrri, e cila kohët e fundit po zgjerohet, pastaj kompania “Fox Marble” e cila kishte disa probleme të njohura, i kanë tejkaluar ato dhe kanë filluar me prodhim të suksesshëm. Pastaj investimet teknike  ne sektorin e IT-së, nga një kompani e vogël që nga periudha e pavarësisë, janë duke shkuar mjaftë mirë. Pra mesazhet janë të përziera dhe ka disa  kompani britanike, të cilat shqyrtojnë mundësitë për të investuar në tregun e Kosovës, si në Trepçë por edhe kompani të tjera të vogla në fusha të ndryshme.

 

Nga: Arbana Xharra & Lavdim Hamidi

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu