Vrasja e kryekomisarit të Shijakut, KLD: Dosja e Ilir Xhakjes me pa rregullsi

0
302

Pas vrasjes së kryekomisarit të Shijakut Adem Tahiraj, inspektorët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, kontrolluan në gjykatën e Durrësit, duke sekuestruar të gjitha dosjet penale që kanë të bëjnë me 38-vjeçarin me precedentë të theksuar kriminalë, i cili pak kohë pas lirimit, kreu vrasjen e radhës, atë të kryekomisarit Tahiraj.

Pas punës 1-javore Inspektorati i Këshillit të Lartë të Drejtësisë konstatoi parregullsi në veprimtarinë e gjyqtarëve të gjykatës së Durrësit, në proceset në ngarkim të autorit të vrasjes së kryekomisarit, Ilir Xhakja.

Në një njoftim për mediat KLD-ja sqaron se, “inspektorati verifikoi ankesën publike mbi veprimtarinë gjyqësore të gjyqtarëve të gjykatës së Durrësit, në shqyrtimin e akuzave penale në ngarkim të të dyshuarit, si autor i aktit të rëndë kriminal ndodhur në datën 13.09.2012, Ilir Xhakja. Nga verifikimi janë konstatuar parregullsi, të cilat në përputhje me nenin 32 të Ligjit Nr. 9877, datë 18.02.2008, ‘Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë’, përbëjnë shkak për procedim disiplinor të gjyqtarëve.”

Për këtë arsye, zëvendëskryetari i KLD-së, Elvis Cefa i përcolli sot Ministrit të Drejtësisë, dokumentacionin përkatës dhe relacionin, për vazhdimin e procedurave ligjore, lidhur me procedimin disiplinor të gjyqtarëve.

Gjykata e krimeve të rënda, më 17 shtator dha masën e sigurisë “arrest me burg”, ndaj 38-vjeçarit Xhakja, i cili akuzohet për vrasjen e shefit të komisariatit të Shijakut, Adem Tahiraj.

Pak ditë më parë Prokuroria e Tiranës nis hetimet ndaj gjykatësit Neritan Tabaku, i cili një vit e tetë muaj më parë firmosi pafajësinë e Ilir Xhakjas, duke e çliruar nga akuza e vrasjes së Qerim Malokut. Burime nga Prokuroria e Përgjithshme bënë të ditur, se gjykatësi Tabaku do të hetohet për akuzën e shpërdorimit të detyrës, pasi nuk ka zbardhur dhe depozituar brenda afateve ligjore vendimin e firmosur ndaj personit me precedentë të theksuar kriminalë, duke cenuar rëndë interesat e ushtrimit të ndjekjes penale në kohë ndaj Ilir Xhakjas dhe të dhënies së drejtësisë.

Vrasja e kryekomisarit Tahiraj, ku i dyshuari kryesor është Ilir Xhakja, zbuloi dhe skandalin e drejtësisë. “Pas arrestimit të të dyshuarit Ilir Xhakja dhe informimit në lidhje me ecurinë e çështjes së ankimit të vendimit nr.98, datë 9.2.2011, rezultoi se çështja në fjalë nuk kishte nisur ende të shqyrtohej në Gjykatën e Apelit, pasi fashikulli përkatës ende nuk kishte mbërritur aty nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës, për shkak se dosja penale në fjalë ende nuk ishte dorëzuar në kryesekretaren gjyqësore nga gjyqtari i çështjes, qysh prej datës së shpalljes së vendimit”, – njoftoi prokuroria, e cila tashmë po heton gjykatësin Tabaku për shpërdorim detyre.

/Shekulli Online/ Përgatiti: E.L/

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu