VV: Jezu Krishti luftoi korrupsionin

0
330

levizja-vetevendosje-logo

Lëvizja Vetëvendosje ka uruar besimtarët shqiptarë dhe të tjerë të besimit të krishterë.

Sipas kësaj Lëvizjeje Jezu Krishti e ka luftuar korrupsionin në kohën e tij duke ua prishur hesapet atyre që filluan ta shesin me para edhe besimin, shpirtin dhe parajsën për t’u pasuruar personalisht me pasurinë e njerëzve të varfër.
Ja urimi i VV-së

Lëvizja VETËVENDOSJE! i uron të gjithë besimtarët shqiptarë, dhe të tjerë, të besimit të krishterë, Gëzuar Krishtlindjen!

Shqiptarët ndër shekuj, ashtu si edhe sot, i kanë respektuar dhe i kanë përgëzuar besimet dhe religjionet e bashkëkombasve të tyre, edhe mes periudhave tepër të vështira, edhe mes kohëve të errëta për ta. Sot, më shumë se kurrë, kemi nevojë për ta kujtuar dhe aktualizuar mësimin dhe projektin universal moral e shoqëror të Krishtit, e më së shumti aty ku padrejtësia është më e madhe.

Krishti e luftoi pa kompromis korruptimin shpirtëror e material të elitave të shtirura dhe pushtetit politik që në emër të popullit e vjedh popullin.

Krishti me ndërhyrjen e tij organizative ia prishi hesapet atyre që filluan ta shesin me para edhe besimin, shpirtin dhe parajsën për t’u pasuruar personalisht me pasurinë e njerëzve të varfër.

Ai nuk u ndal as kur protektorati ndërkombëtar romak i Pont Pilatit doli në anën e matrapazëve për hir të stabilitetit politik.

Krishtit i dha të drejtë Zoti, historia dhe njerëzimi, kurse qelipirxhinjtë përfunduan në librin e turpit.

Ta luftosh padrejtësinë kushdo që je dhe kudo që je, me moral e qartësi, me organizim e vendosmëri – kjo është porosia universale e Krishtit. (INA)

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu